* * *
Dita asht e mundshme ndër katunde e ato biseda mbramjeje disi janë nji pushim e nji argtim. E ndërsa dielli prendon e hana del, kroni i mbushë buljerat nji nga nji tue kendue.
Ernest Koliqi
Tingëllim, bukurija kurr s't'humbasë
qyshse Danti t'amshoi me t'madhen lyrë:
prej dashunije fshân gjithnji kur hasë
Beatriçen kah përshndet' me aq t'âmbël mnyrë;
n'ty ende qán Petrarka e vaji n'gjasë
t'nji kroji rrjedh ku qartas si n'pasqyrë
prap bota vron me mrekulli t'pamasë
Lauren qimjare t'hijshme kejèt n'ftyrë.
Kisha me dashtë edh'un me i a përmendë
s'dashunes s'ime emnin larg ndër mote
porsi poett qi rrojn' sa bota e dielli,
por vargjet qi kunor' shkoj tue ia endë
veç nji prendver' mâ s'ngjasin n'ftyr' t'ksaj bote
aq koh' sa lulet qi çel' drandofilli.
Kroni i katundit
Shtegu që çon te kroni asht shetija e katundarvet. Buzë mbramje me buljere në krah, dalin gra e vajza për me mbushun uj në krue. Ndeshen udhës shoqe me shoqe e shëndrrojnë dy fjalë.
Dita asht e mundshme ndër katunde e ato biseda mbramjeje disi janë nji pushim e nji argtim. E ndërsa dielli prendon e hana del, kroni i mbushë buljerat nji nga nji tue kendue. Secilës vajzë e secilës grue i kendon nga nji kange te veçante, përse kroni te tana i njef. Vajzat i njef të vogla e i pau dalkadalë tue u rritë; gratë i njef nuse e i pau dalkadalë tue u plakë. Pasqyra e qetë e ujit mban kujtimin e të gjitha fytyrave. Kroni ne heshti te lehtë, i kendon gjithkuj kangen e mallëngjyeshme të kohës së kalueme. Por pak kush din ta marrë vesht... E shumta kalojnë habitshëm. Shuejnë etjen, mbushin buljerat e nuk e ndigjojnë. Kjo, ndoshta, asht ma mirë për to, sepse kanga e kronit shëndrrohet në vaj, tue jehue në thellsit e shpirtit. Atëherë ma mirë mos me ndigjue.
Comments (0 posted)
Post your comment