Home | Literature | * * *

* * *

image
Unë mbledh si kallinjtë amanetet,
i bëj tufë dhe qaj.
Të vrarët nuk vdesin!

 

 

 

 

 

Visar Zhiti

 

Asnjëherë të mos vdesësh,
të varrosesh dy herë.


I masakruar
të endesh hije
nëpër harrimet e përgjakura.


Të të hedhin dheun e mirë
mbi fytyrë
e krimi të mos mbulohet.


Fusha e Kosovës
ka qindra vjet që mbillet me të vrarë
dhe ajo rrit veç grurin e jetës.


Unë mbledh si kallinjtë amanetet,
i bëj tufë dhe qaj.
Të vrarët nuk vdesin!

 


* * *


Çdo njeri
ka Itakën e vet, thonë poetët.
Por dhe një Kosovë ka brenda vetes
çdo njeri. Që


të arrish në Itakë
duhet të ravgosh gjithë jetën nëpër dete vuajtjesh
e ishuj të papritur magjish.


Pritja
thur ditën dhe shthur natën qilimin e vet prej kohe,
endur me tejzat e nervave dhe arteriet e gjakut.
Me fijet e fatit.
Kurse në Kosovë je
e Kosova s’është. Ta kanë marrë
pa e marrë dot. Është vazhdimi yt e
ti si në ngërç nuk vazhdon dot. Ç’udhëtim
të çon në Kosovën tënde, ku duhet të shkelësh,
o njeri? Mbi kufomat e vetvetes?
I përzunë njerëzit e Kosovës. Bosh donin ta linin. As
varrezat nuk janë aq bosh. Katakombe
të harrimit gjakatar. Gërmadhë
donin ta bënin si Trojën. U mblodhën ushtritë e lashta
dhe Troja u shëmb. Me turmat ikte dardani Enea
përmes flakëve me të atin mbi shpinë,
dilte matanë detit
dhe themeloi Romën, thonë legjendat. Iknin
kosovarët me etërit pleq në kurriz dhe
fëmijët në krahë, (rëndonte e shkuara
dhe e ardhmja me-Zi mbahej), çanin
përmes baltrave
dhe barbarisë së huaj. Por

u mblodhën ushtritë e botës,
nisën një luftë tjetër
dhe Kosova shpëtoi.


Fëmijët
këputin copa dërrasash
nga Kali i përçudnuar i Trojës
dhe lozin si me shpata. Shkërbejnë luftën.


Gjallë është
ajo Kosovë brenda njeriut.

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
5.00