* * *
Due me fluturue mbi bjeshkë me pëllumba, i thashë tim-vëllau gjak-nxehtë. "S’asht ajo punë për ne!"
Martin Camaj
Ngriten prej kodrave balonat e larme,
zotat ulen në lumej.
Këtë verë shfletsova rêt e bilurta
e fletët e tyne m´u shprishen ndër duer.
Ti je endé e vetmja flakë
e vojgurtë në rrasë që jeton në mue.
Korrilat e qiellës janë nisë për Jug :
kambët e mija s´i ndiej npër dhé
në vrap mbas fijeve të mëndashta
që paralajmojnë stinat.
Malli për jetë
Lyp dashuninë e syve të mbyllun,
dy molla të tejpashme
me bërthamë zjarrmi në mes.
Zemra e qindrueshme
Rrok mallin e pamort
E pika shiu bien
Mbi rreshpe të pangishme.
Rilindje
Dielli herët depërtoi ndër dej!
Si mbas nji cipe të hollë mendimi
E ndriti rrugën tonë nga lindja
E këndej.
Erdhi koha e zgjimit!
Nji rreze e vetme përpara
Mbi mur
Ndriti dhena t’panjehuna përmbas,
mungullim bimësie e filiza shum
me krena gacash përmaje: rreziqe!
Comments (0 posted)
Post your comment