* * *
Nuk mendon për neve! Për familjen! Je shtylla e shtëpisë dhe më ke marrë mendjen e djemurisë, mavriu ti!.”Atdheu, grua, Atdheu!”, më thotë.
Nga Faik Islami
Në shtëpinë e Bakove pat ardhur për nuse ajo vajza e mirë e punëtore, sa nuk mund të kishte shoqe. Për nga saktësia dhe kujdesi për të gjitha punët që i duheshin asaj shtëpie, mund të krahasohej me “ një orë” për mbi çdo ore të markës “Zenith”, që mbante ngjitur me zëmrën i shoqi. Zakonet e lashta të krejt Gorajve, por edhe të gjithë krahinës, për vajzën e ardhur nuse, ishte se atë e matnin nga sa ajo do të ishte e zonja për punët e shtëpisë, në mënyrë që vet puna e saj t’i ngjante punës së një ore të mirë fare. Vajza e vajtur nuse e hap ose mbyll derën ku ka vajtur, ishte sentenca më e përdorur në Goraj. ”E nderon ose i vë ferrën asaj shtëpie”, thuheshin në krejt atë zonë, me njerëz aq punëtorë e sedërqarë, si pakkush. Kuti mates ndaj grave kishin nderin të parin dhe aftësinë për të punuar si një orë xhepi. Gjylja e Bakove ishte modeli i të dy treguesve. Ndaj edhe Kasëmi ia kishte vlerësuar ato cilësi. Sa kishte ai vite martesë me të, kurrë nuk pati rast që ajo të kishte cenuar qoftë edhe pak nga ato veti. Pastaj ajo u bë me fëmijë dhe dashuria e të shoqit, për të u dhjetëfishua. Por aftësia e të punuarit si dhe “Zenithi “ i tij u bë e shoqja, “sahati” i të cilës nuk i reshti kurrë. Sahat i vërtetë ishte që nga zgjimi, për të kryer në kohë, punën që e kishte caktuar e deri tek përpikmëria e kryerjes së tyre, e zbatimit të cilitdo rregull. Edhe kur orari që i kishte caktuar vetes të ishte shumë i hershëm, ajo do të zgjohej tamam në vaden që kishte vendosur. Le që ajo të gjitha punët i fillonte shumë herët. Sepse në qoshen e odës së madhe kishte ditë që i dergjej, nga dy plagë plumbi në trup, vetë i zoti i shtëpisë, Kasëmi. Ish kuadri i “Brigadës së Shtatë Sulmuese”, komandanti i skuadrës së parë të batalionit të parë, në një betejën për mbi Përmet, pat marrë një plumb në shpatullën e majtë, ndërsa një i dytë e kishte përshkuar tej për tej në ije. Lëngonte në shtrat, pa lëshuar fije zëri.
Gjylja e dinte mirë se i sëmuri, pa le më i plagosuri me plagë plumbi, e donte njeriun tek koka. Së paku për t`i ndërruar fashat, të cilat ishin pece të lara prej saj me finjë të përvëluar. E jo vetëm përkujdesja për plagët por dhe për ta kthyer sa nga njëra anë në tjetrën. E shoqja iu bë jo vetëm gruaja, por ajo po i shërbente burrit tashmë të plagosur e katandisur nga plagët si një fëmijë, edhe si një infermiere e përkryer. Nga e ëma por edhe nga e vjehrra ajo pati mësuar se mundej, që me mënyra popullore tu shërbehej plagëve, deri në shërim. Banjën me ujë të zier fort, qepën gjysmë të pjekur me një napë të pastër vënë mbi plagën e buhavitur, pecet e ziera në finjë dhe të shtrydhura, rrënjën e arrës dhe gjethet e mëllagës, ishin si të thuash ato ilaçe, që Gjylja po i vinte të gjitha në përdorim. E donte burrin, ndaj dhe tek sa bënte të gjitha ato shërbesa i lutej Zotit, me zërin e brendshëm që me fuqinë e Krijuesit dhe dëshirën e Tij, ai të ngrihej një orë e më parë në këmbë!
- “Ma shëro o Perëndi! Ma shëro sa më shpejt burrin me të cilin dëshira dhe urdhri Yt, më lidhën në martesë! Unë e dua shumë tim shoq. Dhe ai më do shumë mua. Pse të na gjejë e keqja në hallin tonë? Pse kjo luftë, pse? Larg qoftë e keqja! Si do t`ja bëja unë e gjora, me gjithë këta njerëz? Si do ta nisja unë Lutfijen time, për tek burri? Vajza do në krah të jatin, ditën që bëhet nuse. Kot i ka thënë i pari në atë këngën e përcjelljes...”Uromë baba uromë..”! Puthja e vajzës në ballë, prej babait, në minutën që e hipin në kalin e burrit, është kujtim që nuk harrohet kurrë. Aty i jati i jep me gjithë shpirt të bijës, uratën. Aty vajza e ormisur nuse, bëhet me krahë se ka marrë bekimin e babait të saj të dashur, për atë kurorë të shënjtë jete. Dhe Lulja e nënës, manxurana e nënës së vet, atë moment do të më bëhet si me krahë. Po djali im, Rrahmani i nënës, si do të rritej vallë pa baba? Mos o Perëndi! Babai e ushqen fëmijën me dashurinë për Ty, o i Madhi Zot! Nëna i jep gjirin, por babai është ai që i jep dashurinë dhe besimin për Zotin. Kjo është rruga për evlatin, rruga e njerëzisë së mirë. Ma kthe në gjendjen që ishte!” - lutej për natë e shkreta grua. E tek sa mbaronte së luturi i fliste po vetes:
- Ja dhe u ngrit. Sa para bën. Ai mezi pret të iki në brigadë.”Më presin shokët“, thotë. E shoh ashtu, e shoh! Nuk mendon për neve! Për familjen! Je shtylla e shtëpisë dhe më ke marrë mendjen e djemurisë, mavriu ti!.”Atdheu, grua, Atdheu!”, më thotë. Sapo unë e shkreta e ngas llafin tek hallet e shtëpisë, ai me hidhet tek te luftës. E po ç’është ky Atdheu, me shtëpinë tënde për ibret?! Sa ia gjeta pak anën dje dhe po i flisja, për hallet e dasmës së Lutfijes, ma këputi fillin komandanti i territoriales, Nazifi i Demirit të Xha Feimit. Burrë i mirë është, i zakonit, i muhabetit dhe i fisëm, por dhe atij, njësoj si këtij tonit, i ka mbetur ora tek lufta. Sa hyri në derë dhe ja nis për luftën. Ku ma pruri kokën dhe sot që jam në gjithë këtë hall! Kur unë i thom ndonjë gjë, burrëziut tim, i ma kthen gjithë nerva: “E do puna e luftës”. Po për ty o i mavrisur, për shtëpinë tënde, për hallet e saj, kush po kujdeset? Bota? - E kundërshtonte të shoqin, kur ai nuk e dëgjonte.
Të gjitha gratë serioze e sedërqare, i përjetojnë hallet, me sherr të brendshëm ndaj burrave. Të tillat hanë vetveten. Deshte, s’deshte e kishte ndjekur si indiferente, por vetëm në dukje, tërë atë bisedë të burrit me Nazifin. I vinte inat me burrin dhe urrente ardhjen e tjetrit. Mirëpo inati i saj për të shoqin zgjaste vetëm pak. Pat sjellë nëpër mëndje plagët e tij. Kishin marrë atë ngjyrën e trëndafilinjtë, që tregonin se kishin filluar përmirësimin dhe po largohej rreziku i infektimit. Stepej. Habitej me dëshirat e tij. Mendja i shkoi tek ajo dëshira e madhe e Kasëmit që e thoshte shpesh: “Të shërohem se më presin shokët”!. Ajo dëshirë e burrit, binte ndesh me të sajën. Ajo e donte në shtëpi, për tërë ato halle që i kishte sjellë lufta. Ndërsa ai mezi priste të nisej po për në luftë. Për këtë ndryshim të dëshirave të tyre ajo thoshte shpesh edhe në sy të së shoqit: “Vetëm gratë e shkreta i urrejnë në pakufi luftërat. Burrat i planizojnë ato. Po kush i pyet thuaj.”
E pat mbyll shumë herë duke bërë një farë justifikimi. I shoqi vetëm bënte një “Hë..!” dhe aq. Se e dinte ç`farë do të thoshin ato fjalë të gruas së vet. Por ai kishte dhënë një llaf dhe ai llaf ishte llafi i burrit. Besa e burrit. Kasëm Bako ishte përbetuar para nderit të vet. Si të thuash, kish lidhur besa besën me vetveten, për të dhënë edhe jetën vetëm e vetëm që Atdheu të çlirohej nga pushtuesit. U kishte dhënë llafin shokëve se do të qëndronte krah tyre deri në pikën e fundit të gjakut. Kjo nuk ishte rastësi, por një vijimësi e traditës së familjes Bako. E teksa lëngonte nga plagët, mendja i rrinte se si po bënin, si po luftonin, sa po vuanin dhe si mendonin shokët e brigadës për të.
Gjylja ishte, si të thuash, strumbullari i të gjitha punëve në atë shtëpi me shumë frymë. Në tërë ato vite të luftës, ajo grua, thuajse kishte fjetur gjithnjë me sytë hapur. Ishte një nënë që jeta jo se i kishte sjellë dhimbje të shpirtit, por stërmundimin fizik nuk ia kishte ndarë asnjëherë. Me hapa të lehtë, si të një ketrusheje, nënë Gjylja zbriti shkallët e katit të dytë dhe eci nëpër korridorin e ngushtë, për tek porta e shtëpisë. Hapi kanatën e anës së majtë, për të parë si ishte koha. Ishte akoma mugëtirë. Ndjeu një rrymë freskie që hyri furishëm brenda. Ajo rrymë freskie ishte një përzierje aromash të trëndafilave të oborrit, për të cilët ajo përkujdesej si për gjënë e gjallë, të barit në përcëllim, prej asaj vape përvëluese korriku dhe të një puhize avulli, që iu duk se vinte prej lagështisë vesës së mëngjesit apo edhe nga avullimi i Osumit. Ndenji një hop pa lëvizur aty në prag të derës, si për tu ambientuar dhe njëkohësisht për të thithur prej asaj arome. Iu duke e mirë, e këndshme, dehëse. Instinktivisht hodhi sytë tej e përtej luginës sa i kapnin sytë në tërë kufijtë e Gorajve. Sytë e nënës zunë të bridhnin në atë hapësirë gri. Një mjegulljanë e bardhëllemët, dukej sikur po vraponte nëpër atë luginë. E në atë turravrap të saj, nënës ju duk një si dorë e madhe njeriu, e një mjeshtri të padukshëm, që po bënte ca lëvizje të cilat asaj iu duken të habitshme. Sikur ngrihej lartë ashtu ngadalë, duke lënë gjurmë gri. Pastaj bënte lëvizje harkore dhe mandej ulej deri poshtë, për tu futur thellë në ujin e Osumit. Ajo dorë mjeshtri, sikur donte të hidhte mbi një pëlhurë gri atë që i zinin sytë në agimin e atij mëngjesi. Atë peizazh të mrekullueshëm, që i panë sytë iu duk se dikush e kishte bërë për ta jetësuar një herë e mirë.
Nënë Gjylja, duke parë ato pamje mahnitëse të mëngjesit të verës, buzë Osumit, i lindi për herë të parë mendimi se vetëm në luginën e Gorajve, qielli, toka dhe Lumi Osum, sillnin para syve të njeriut të Bukurën e Dheut. Mëngjeset verore të Gorajve ishin çlodhës dhe shërues bashkë. Por ky mendim nënës i kaloi vetëm si një vegim. U mbush dhe një herë me ajër të freskët, dhe pastaj ngriti sytë lart në horizont. Qielli ishte me pak re pupëlore që dukej sikur nuk ecnin por përkundeshin. Edhe ato sikur kërkonin të merrnin në atë mjedis mëngjesor, diçka që u mungonte. Sikur rrekeshin të largonin prej përbërjes së vet një lloj tymi që forcërisht u ishte bërë pjesë e trupit të tyre. As natyra jo e gjallë pa le më e gjalla nuk e pranojnë të keqen brenda përbërjes së tyre.
- Edhe retë kanë dëshirë të rrinë në qiellin tonë, - mendoi nëna, - Si shtëllunga me lesh të larë, po më duken këto re. Të ketë shi sot? Do Zoti! Misëri do merrte përpjetë shpejt. Do na behej sa…! Apo nuk e kam prashitur dy herë. Nuk më ka fije bari të keq. Ia ka bërë hyzmetin nëna. Por ..Jo ! Nuk më duken shënja për shi me këto re. Nejse, le të mos bjeri nja tre-katër sahat. Sa të vete e të vij nga babai. Jemi pa kokërr miell gruri…! Me se do bëhet dasma e sime bije. Oh! Kur e kujtoj që do më ikë bija e mirë e nënës më ther mu këtu... Në shpirt më ther. Por... më pastë fat zogëza e mirë e nënës së vet! Eh, kohë për dasmë gjetëm. Por ja që ngulën këmbë dhe duan tamëm në këtë kohë ata të uruarit krushq! Luftë, vaje, varre plot, në gjithë këto sene! Por ja që njeriu i shkretë i duroka të gjitha! I përballoka të gjitha! Pastaj sikur të mos ketë ndodhur asgjë dhe po njeriu iu kthyeka dasmës! Im shoq me plagë plumbi po lëngon e shtëpia përgatitet për dasëm. Kështu ka qënë në mote. Vaje e dasma së toku...! Ja paska dhënë njeriut me masë, secilën prej këtyre të këqijave dhe të mirave, i Madhi Zot! Mbase për të zgjedhur mirësinë apo ligësinë. Se vet njeriu e paska në dorë të zgjedhi. Disa zgjedhin luftën për të faruar njerëzinë dhe të shtojnë pasurinë e cave. Njerëzit e thjeshtë, hallexhinjtë, merren me punë, me zgjidhjen e halleve që u shkakton varfëria, por dhe me ato të luftërave. Gjithmonë, me punëra të mira merren fukarenjtë. Gjejnë kohë edhe për dasmat, kur vendi është përcëlluar nga ata të luftërave…!
Mua më rri mëndja tek bereqeti. Bereqet ziu i kësaj seneje! Dhe të bjerë shi, sa para bën. Prapë topa e gjyle do bien si breshëri që na faroi rrushin... Vajtëm pesë vite që nuk po reshtin. Deri kur kështu o Zot? Ah! Kjo e shuar luftë. Si nuk reshtën xhanëm?! Bam e bumbe pa fund! Mirë andej tutje, por me këtë luginën tonë ç’kanë xhanëm? Vu poshtë e vu lartë ballonat. Sikur këtej u bie udha të gjithave. Për mbi Goraj ta kenë xhadenë këto të shkreta ballona? Si nuk lajthitën udhën një ditë të vetme xhanëm! ”Venë të bombardojnë në Rumani. Bombardojnë puset e naftës, që të mos ketë furnizime gjermani”, thotë ky yni. Po nga neve, nga Gorajt qenkan të gjitha udhët, për në Rumani? Na nxinë jetën, që u humbtë udha këtyre të shkretave ballona! Apo nga që Berati nuk ka patur edhe aq shumë gjermanë…?
Jo, jo! Nuk janë më aq pak. Ka disa ditë që nuk reshtën së ardhuri makina me ushtarë dhe topa me grykë të gjata. I tërhiqnin gjithë ato makina nga pas. Lipsu fat i keq yni! Po pse xhanëm kaq shumë gjermanë në Berat? Mos ndjellën ndonjë gjëmë të madhe këta jezitër? Mos o Zot! Mba dorën! Godit të keqen e madhe që na ka pllakosur! Mizëri ushtarësh e topash poshtë e mizëri ballonash lartë qiellit tonë! Përse xhanëm kaq shumë? Nuk e di, nuk e di, por për të mirë këto nuk janë. Mos do të ketë ndonjë operacion gjerman? Ku i dihet edhe mbase! Hej o Zot, larg qoftë! Korba unë! Rri e mendoj vetëm të keqen, duke parë nga qielli. Po koha nuk më pret mua. Më vajti vonë. Kam shtëpinë pa kokërr miell gruri. Po dasma e time bije me se do të bëhet? Apo nuk … Rrahmani nënës! - i doli nga gjoksi.
Ju duk sikur u vel duke parë natyrën dhe duke menduar.. E pati dëshirën të thithte akoma nga ai ajër qelibar. Por vetëm në pak sekonda. Nëna u drodh, sikur të ishte duke u zgjuar prej një ëndrre. Ndjeu një si të dredhur të brendshme. Uli sytë në prag të derës. Iu kujtua diçka dhe hyri menjëherë brenda. Pastaj doli sikur të kishte harruar pa kryer një punë. Vajti tek muslluku, prej llamarine, hapi rubinetin dhe mbushi grushtet e duarve të saj tërë kallo. I mbushi plot me ujë të freskët dhe ua hodhi syve. E mbushi grushtin e djathtë për të shpëlarë gojën. Zgjati dorën tek një peshqir italian, varur në krah të musllukut dhe u fshi. Teksa po bënte ato veprime, kishte filluar të ndjente një shqetësim që e bënte të paqëndrueshme. Lëvizte sa andej këndej dhe nuk po e kuptonte pse-në.
- Mavria ti, moj! - i tha vetes, - Ku ke kohë ti o korbë, të shohësh bukurira, kur e keqja është si në tokë dhe në qiell. Të vajti vonë dhe ti më shullëhesh duke parë! Pika gruas!
Hyri rrëmbimthi brenda dhe iu drejtua shtratit ku flinte i biri. Djali dhjetëvjeçar ishte zbuluar dhe i kishte dalë barku jashtë. Një këmishë e vjetër i ishte shqyer pak tek sqetullat. Bula djerse i kishin mbuluar fytyrën dhe gushën e tij të bardhë, veshur me një push të hollë. Vinte imcak, por i shkathët aq sa me asnjë fëmijë të moshës nuk mund të krahasohej. Jo më kot xhaja i vet e përkëdhelte duke e quajtur “lepur”. Ai nuk ecte por sikur kërcente. Tamam si një lepur. Nëna habitej se si ai trup imcak, ku ashtu shtrirë mund t`i numëroheshin të gjitha brinjët, të ishte aq furtunë e i papërtuar. Nëna po e sodiste duke e ledhatuar gjithë dashuri. Kurrë nuk ia kishte kthyer fjalën nënës. Sidomos në ato ditë, kur i jati lëngonte nga plagët e marra në luftë. Babain ai e kishte idhullin e tij. Atë kishte si modelin e ecjes për tu bërë burrë.”Babi im është trim, është i zoti, është i mënçur…”, u thoshte shokëve, ”...Është komandant në skuadrën e partizanëve…”
Fragment nga Romani "Përmbysja e Botës"
Comments (0 posted)
Post your comment