Niagara e Mërgimit
Në Niagara Falls vijnë çdo ditë me mijëra vizitorë nga vende të ndryshme të botës.Secili vjen me bagazhin e vet pamor dhe atë ndjesor.
Vangjush Ziko
Niagara Falls,Niagara-katarakt,Niagara-ujvarë.Këto tre emra nga gjuhë të ndryshme di unë për fenomenin Niagara.I pari,rënie,i dyti,rrokullisje,i treti,ujë që varet teposhtë.Të tria emërtimet kanë nga një ngjyrim të hollë të vetin,sipas gjuhës dhe mendjes që i ka perceptuar.Dhe është e natyrshme.
Në Niagara Falls vijnë çdo ditë me mijëra vizitorë nga vende të ndryshme të botës.Secili vjen me bagazhin e vet pamor dhe atë ndjesor.Secili e përjeton pamjen e saj në mënyrën e vet.Ata bashkohen vetëm në një gjë.Të gjithë e quajnë të madhërishme.Rrinë përballë saj,mbështetur në parmakët e hekurt të bregut kundruall mbi pellgun ku lumi gremiset dhe e kundrojnë me sy apo me dylbi.Era u sjell stërkalat e ujit të thërrmuar.Në veshët nuk u rresht buçitja e ujit që bie nga lartësia disa dhjetrametroshe në atë pellg gjigant.Buçitja dhe shkumba e bardhë nuk pushojnë as në dimër kur faqet e atij pragu vishen me parzmoret e akullit.Kjo buçimë është ulërima e lumit Niagarë të plotujshëm,që rridhte deri në ai prag i qetë në shtratin e vet dhe,papritur,rrokulliset dhe bie tatëpjetë në humnerë,thërrmohet e shkumbëzon dhe nuk e di se ç'do të bëhet më tej me të.A do t'i mbledhë dot fuqitë për të rrjedhur më tej,apo këtu merr fund udhëtimi i tij ujor!?
Papritur më vjen ndërmend saltoja e jetës sime!
Edhe në jetën e një lumi paska të papritura tronditëse,si në jetën e njeriut!Si lumi rrjedh dhe jeta jonë në shtratin e kohës.Dhe,papritur,rrjedha e saj bën një kërcim,humb qetësinë,drejtpeshën e mëparshme,rrëshqet me vrull marramendës.Mendimet,ndjenjat,kujtimet e saj shkumbëzohen dhe mbështillen me mjegullën e së panjohurës.Është kërcim vdekjeje,shpërbërjeje apo përpjekje për të fituar një qetësi dhe një shtrat të ri?!...
Aparatet fotografike shkrepin pa pushim.Kamerat filmojnë ujvarën e shkumbëzuar.Në sfondin e kësaj stihije të rrallë,buzë kësaj humnere të potershmë pozojnë çifte dhe grupe turistësh.Fiksojnë në celulioid hutimin dhe
habinë e tyre.
-Mama,kam frikë!-thotë një vajzë e vogël e strukur pas xhinseve të së ëmës.
-Pse ke frikë,shpirt?
-Po thërmohet lumi!
-Lumi po bën dush,-e ngacmon i vëllai i rritur.
Më tej një çift.E shoqja ose mikja entusiazmohet.
-Madhështore!Edhe në shpërbërjen paska madhështi!
-Vdekja ka më shumë madhështi se sa jeta,-pohon përbri tyre një kinez me një mjekër të rrallë e te thinjur si të Konfucit.
Unë dua t'u përgjigjem e t'u them se kjo nuk është as shpërbërje dhe as vdekje.Kjo është alegoria e triumfit të guximit njerëzor.
Mbi shkumbën e ujvarës mbi stërkalat e saj shpaloset papritur ylberi,brezi i Perëndisë,lajmëtari i pajtimit dhe i shpresës.Shkumba,stërkalat dhe mjegullimi i bardhë kthehen dalngadale në ujë të kaltër atje poshtë në pellgun që i ngjan,tashmë,një liqeni.
Më kureshtarët dhe më dyshuesit,të veshur me pelerina plastmasi ngjyrë të kaltër,lundrojnë me anijen e vogël turistike drejt e në rropamën e shkumbëzuar të Niagarës,që brohoret me stërkalat e saj e hutuar dhe e gëzuar.
Lumi e mblodhi veten dhe po vazhdon më tej lundrimin e tij të ndërprerë...
Largohem nga Niagara Falls me mbresën e kënaqësisë që isha dëshmitar i një dukurie të rrallë natyrore,befasuese dhe të çuditshme e cila e mbushi shpirtin tim me një ndjenjë të bukur dhe heroike,ma zgjeroi kraharorin dhe më joshi shpresën dhe besimin se kapërcehet çdo prag për të nisur një jetë të re.Mjafton të guxosh.
Edhe pragu i mërgimit.
Niagara Falls, 2009
Comments (0 posted)
Post your comment