* * *
Era e kandëshme e luleve të tërhek me u futë mbrenda. Hyn lehtas, por ngec mbrenda për jetë. Qeh pata vendosë që të mos flas ma për të, por nuk e mbajta fjalën. Duket se përnjimend e dashunoj.
Haki Stërmilli
Prap sot mbas dreke shkova ke Irena me shpresë se mos e shof Shpendin, por ai s'erdhi. U mërzita tepër dhe qeshë tue plasë. Kush e din se ku ka shkue. Ndoshta ai këtu ka ndonji dashnore që luen mendsh për të dhe tash asht... ndoshta asht tue i dhurue asaj thesarët e zemrës e të rinis së vet. Ndoshta ai tash, i dehjun nga forca e alkoolit të dashunis, e ka humbë vetëhe dhe e ka harrue krejt botën e jo ma t'i bijë ndër mend për mue.
Oh sa shpejt gobohemi e gënjehemi na femnat. Nji shiqim i thekshëm mjafton me na dërmue dhe nji nënqeshje e ambël mjafton me na robnue. Vetëm se s'guxojmë me i shfaqë ndiesit e adhurimit, kemi turp të shpallim se e dashunojmë at që na e plagos zemrën me nji veshtrim të mpakët ase me nji nënqeshje të kandeshme. Zemrat t'ona janë ma delikate se qelqet. Nji gur i vogël, i hudhun nga dora e nji të pamëshirshmit, i then dhe i ban thërime për t'u shkelë mandej nga kamba e tij. Zemrat t'ona magnetizohen me dy fjalë, shitohen me dy pika lot. Sa e sa prej nesh janë bamë viktimet e naivitetit dhe të sinqeritetit të tyne tue u besue lajkave e premtimeve të gënjeshtërta. Vera, stina e pushimeve shko llore, asht koha në të cilën nis me u zhvillue akti i parë i asajë aventure që, të shumtën e herëve, mbaron tragjikisht për femnat e gjora të trathtueme prej të rijve e sidomos prej disa studentave që kthehen nga Europa, pse këta përdorin njimij djallëzi për me e thye qëndresën e asaj që lakmojnë me e mposhtë. Shpesh më kanë ramë në vesh ngjarje të tilla që e cenojnë kryenaltësin Shqiptare. Dëshiron të dashunojë vajza Shqiptare, por mbrenda caqeve të pastërtis morale; lakmon të lumnohet e gjora, por mbrenda kufijve që përfshijnë ligjët e çerdhes familjare; don t'a shijojë jetën e ngrata, por tue mos e humbë vlerën e nderit dhe tue mos e e cenue sedrën seksuale.
- Uh ti qenke e marrë! Qenke nga ato që ende e këndojnë kangën e Mukës! S'qenke e qytetnueme si gocat e Europës - i thonë djelmoshat kur shofin se ajo qyqarja mbahet me mos u përkulë para lajkave ngacmuese, përpiqet të mos ndrydhet para premtimeve mashtruese, mundohet të mos e shkallmojë magjen e virtyteve, të nderit e të sedrës. E kur i bahet kjo vërejtje e ashpër ajo e kujton vetëhen ma poshtë se shoqja Europjane dhe, tue dashë që të diftohet se asht naltësue në shkallën e sajë, dobsohet e bije në lak. Mbasandaj djali i kthen shpinën tue u zgërdhimë dhe tue e përqeshë. Asht e dijtun se nuk janë të tillë gjithë të rijt, por në mes të tyne ka mjaft asish që e humbin ndërgjegjen kur ndeshin në femna Shqiptare. Ndoshta edhe Shpendi asht ndonji bandill që kërkon të mbledhi mjaltë nga çdo lule që i shef syni i tij derptues. Ndoshta edhe ai asht ndonji kusar zemrash e gjuetar nderi. Ndoshta edhe ai ka lanë mbas shpine ndonji dyzinë goca që tash qajnë e ulërijnë me dëshprim prej kobit që kanë pësue. Ndoshta edhe ai asht ndonji mizuer i mshefun nën atë shtat të bukur dhe nuk i nduket ndërgjegja nga rrënkimet e atyne që ka vramë me... shigjetat e synit të vet.
Ndoshta, por jo. Ai s'mund të jetë zemër gur; s'mund të ketë shpirt bishe e fëtyrë engjëlli. Syt e tij të vranuem, kur un u dobsova në shtëpi të Irenës, pasqyrojshin dhimbjen që ndinte zemra e tij, diftojshin se ka shpirt të mirë e njerëzi, provojshin se asht i dejë të quhet njeri. Prandaj ai nuk mund të futet në grumbullin e atyne që kanë zemra vagabonde, t'atyne që dashunojnë vetëm për t'i ngopë lakmit e tyne prej kafshe ase që dashunojnë për... sport. Ai, sigurisht, asht nga ata që kërkojnë të kenë nji shoqe ideale në këtë jetë, nga ata që përpiqen të ndërtojnë nji pallat lumnije në këtë botë, nga ata që e çmojnë kuptimin e naltë të jetës bashkëshortore. Më duket se kanë të drejtë ata që thonë se luen mendsh femna kur dashunon përnjimend. Edhe un më gjan se e pësova. Më duket sikur kam nji votër me prush në zemër që më shkrumon. Ç'baj kështu? Për cilin po shkruej në këtë mënyrë? Natyrisht për nji djalë që i a njof vetëm dukjen, por që nuk kam as ma të voglën dijeni mbi karakterin, mbi moralin dhe mbi mendjen e tij. Për nji femën mos asht bukuria e mashkullit i vetmi sigurim i lumnis së dëshirueme? Pa dyshim jo. E atëhere përse po trenohem tue u kënaqë me ato bukuri që e argëtojnë vetëm synin dhe që shduken mbrenda pak kohe? Ato që kanë mend dhe që duen nji lumni të paperëndueshme kërkojnë bukuri shpirti, pajtim karakteresh e qellimesh. Po un ç'kërkoj? Un shkallita fare. S'kam me e përmendë
12 Prill
Pashkët shkuen e mbaruen, por ai s'u duk ma. Duket se ngeci ndokund. Familja e Xha Simonit asht vrahthue e shqetsue shum për të, pse nuk dijnë se a ka shkue në Shkodër apo mos ka pësue gja. Qenka edhe i pasjellshëm. As nuk erdh me u përshëndetë me këta kur u largue. Ndoshta asht zhytë në ndonji pellg të ndytë këtu e s'mund të dali. Oh sa keq! Sa keq i vjen njeriut kur shef se në nji trup të bukur ka nji shpirt të keq! Me gjith këtë e ndi se e dashunoj. E mjera un. Sharrova!... Dashunia e vërtetë qenka si nji lulishte e rrethueme me mure të pakapërcyeshëm që ka vetëm nji portë dhe që ajo hapet vetëm për të hymë e nuk çilet kurrë për të dalë. Era e kandëshme e luleve të tërhek me u futë mbrenda. Hyn lehtas, por ngec mbrenda për jetë. Qeh pata vendosë që të mos flas ma për të, por nuk e mbajta fjalën. Duket se përnjimend e dashunoj. A ka zemër ky djalë? Në qoftë se ka, vall ç'ka mshefë ajo mbrenda? Kush mundet me e dijtë. Ndoshta zemra e tij nuk ndin kurrgja, pse asht dhanë mbas epsheve. Ndoshta asht mpimë fare, pse vuejtjet e përpjekjet e ashpra që ka pasë do t'i a kenë shkambëzue. Ndoshta.
Sot, tue kuvendue me Irenën e me Mamë Gjystinën, ra fjala ke ai. Mamë Gjystina, e prekun thellë nga shdukja e Shpendit, foli nji copë herë mbi gjasat ë nji së ligës. Mbasandaj kapërceu ke familja e tij dhe rrëfeu se sa herë kishte luftue i ati i tij Dan Rëfeja kundër Turqve e gjindarmëve dhe sa herë ishte plagosë. Kallzoi se si ai nuk i duronte mizorit e tyne dhe sa fort e urrejshin ata. Ma në fund spjegoi se si e kishin rrethue në shtëpi në nji natë Vere, si kishte luftue bashkë me tre djelmt e vet e me të shoqen, si e kishin çamë gardhin e ishin aratisë, si ishin ndeshë mandej shpesh herë me patrullat, si e kishin spastrue vendin nga disa cuba që i bijshin më qafë gjindjes, si ishin rrethue ma në fund në nji katund afër kufinit, si ishte vramë Dani dhe mbasandaj dy djelmt ma të mëdhej Bardhi e Sokoli, si kishte shpëtue Shpendi bashkë me t'amën dhe si e kishin kalue kufinin. Ajo flitte me za të përvajshërn dhe me sy të përlotuem për këtë familje të mjerueme. Un u hutova fare. Kur mbaroi zuna të mendohem për me gjetë se si kishte shpëtue Shpendi bashkë me t'amën nga drapni i mordjes. Dojsha me pyetë, por nuk guxojsha. Ajo, si t'a kish hetue pyetjen që më vinte në majë të gjuhës, shtoi:
- Shpendi, moj bijë, ishte në gjimnaz të Shkupit. Qeveria e kishte marrë e çue në Shkup me bursë kinse për t'a mësue, por në të vërtetë e kishte marrë si peng për t'i a rrudhë guximin t'atit. Në Verë, me rasën e pushimeve, djali ishte kthye në shtëpi dhe u ndodh aty kur u zhvillue kobi. Kur u rrethuen, si herën e parë ashtu edhe të dytën afër kufinit, edhe ai ishte mbrenda. Mbas vrasjes së Danit tre djelmt - Bardhi, Sokoli, Shpendi - bashkë me t'amën i dhanë zjarmin shtëpis dhe, tue përfitue nga tymi e nga errësina e natës, I msyen gjindarmët. Në rrëmujë e sipër vranë mjaft nga anmiqt, por edhe Bardhi e Sokoli mbetën. Shpendin e muer nji plumb në vesh të majtë dhe t'amën në kofshë. Dy ditë ngelën të ngujuem në nji pyll dhe të tretën mundën me e kalue kufinin. Tash e mora vesht se pse e paska të shpuem veshin e majtë.
- Nana e din mirë ngjarjen, se asokohe u ndodh në Kosovë, ku pat shkue me e pamë të motrën – verejti Irena.
- Po - i a bani ajo tue fshamë. - Kur e kapërceva kufinin ata i gjeta në Kukës. Mbasandaj bashkë erdhëm deri në Shkodër, ku zunë vend.
- Më duket se patën mjaft të holla me vetëhe - tha Irena, mbassi më shiqoi mue si me dashtë të m'a tërheki verejtjen.
- Po - përgjigji ajo - se Dani - dritë i pastë shpirti - e kishte parapamë kobin që po i afrohesh. Prandaj ishte mbledhë. Kur u vra, Hija i a hoq qemerin dhe e ngjeshi vetë.
- Kush i a muer qemerin? - pyeta.
- Hija, e ama e Shpendit - gjegj Mamë Gjystina.
E Hapa gojën të pyes mbi rranjën e këtij emni, për mue i pandigjuem dhe i çuditshëm, por m'a preu fjalën Irena. Mbasandaj, e turbullueme nga ngjarja e rrëfyeme prej Mamë Gjystinës, harrova fare me e pyetë.
- Tash Shpendi vazhdon në gjimnaz të Shkodrës për t'i mbarue ato dy klasa që i mbetën pa i krye në Shkup - plotsoi Irena.
- Të themi të drejtën, edhe qeveria u kujdesue për t'a - bani Mamë Gjystina.
- Asht e dijtun - tha Irena - se ata e nderuen kombin t'onë. Tash Kosova u këndon kangën atyne kreshnikëve dhe asht krijue nji legjendë popullore rreth ngjarjes.
Nji heshtje e ftofët e mërzitëse plakosi mandej. Të tria po mendoheshim, natyrisht, mbi ngjarjet e zhvillueme. Imagjinata e eme ishte ndikue. Ngjarjet po më sinematizoheshin të pikturueme e të kjarta. Zhurmë e potere, britma e rrënkime, shamje e shfrymje, mburrje e lavdërime, përzihen në mes të kafkufeve të thata t'armëve që shprazen. Krismat e pushkëve dhe bubullimat e bombave dendësohen. Flaka e tyme e mbulojnë çerdhen e viganve dhe duken do hije që vërsulen nga mbrenda jashtë. Edhe nji herë ashpërsohet beteja dhe mandej shuhet për me mos u përsëritë, për nji kohë, n'at rreth. Mbasandaj shfaqet para syvet të mendjes dendësia e nji pylli, ku shifen të strukun nji nanë spartane me të birin pranë. Nji hero e nji heroinë i a lidhin plagët njeni tjetrit, pa bëzajtë e pa rrënkue, pse shpirtnat e mëdhej i durojnë hidhnimet dhe i lëbyrin dhimbjet me heshtje. Tabllo e shëmtueme, por njikohësisht madhshtore për nji komb që kërkon liri, për nji zemër që ndin dhimë. A s'asht mëkat që ky djalë, hero, të jetë shpirt lig e me vese që e njollosin emnin e atyne që ranë dëshmorë? Fatkeqsi.
Fragment nga "Sikur t'isha Djalë"
Comments (0 posted)
Post your comment