Home | Literature | * * *

* * *

image
Atë moment gjyshja e parandjeu se ai fëmijë do të kishte vuajtje të mëdha në jetë. Kudo ku ajo hidhte sytë, i dukej se në atë vend, tamam aty, do të duhej të ishte i nipi...

 

 

 

Nga Faik Islami

 

...


- Vërtetë, pse o nënë?
- Për punë të tyre o bir. Erdhën italianët për Kuçovën tonë se ka vajguri. Pastaj erdhën gjermanët, se nuk u qëndruan këmbët italianëve. Na zaptuan dhe bëjnë si u do qejfi në vëndin tonë. Kush e duron të huajin, që vjen e të zapton? Vjen pa e ftuar. Asnjë. Dhe pastaj plas lufta. Luftrat janë për keq or bir. Se vrasin gra e fëmijë, pleq e plaka. Nuk e vranë Selamin e Ruke dhe atë të shkretën Servete të Daimit, që e zuri bomba duke korrë bar, për të vetmen lope me të cilën ushqente me dhalla pesë fëmijët? Po atë fëmijën katër vjeçe të kushërirës time, që e pati sakat edhe burrën, nga që një bombë aeroplani ja preu që të dyja gjer në gju? Ja, e shikon biro se sa të këqija sjell kjo virane luftë?! Mos e paçim fat thuaj, se fati i zi nuk thërritet. Vjen e të gjen ku të jesh. Si desh na gjeti me kreun e shtëpisë, me tyt atë. Aq qoftë thuaj biri im!. Jam lutur me mijëra herë, që të mbetet me kaq fati i keq për shtëpinë tonë! Se nuk ka fund e keqja, biro!. Por jepmu këmbëve se dhe pak e ja arritëm.
- Sa miell do na japi daja?
- Sa të ketë or bir.
- Po sa na duhet neve, o nënë?
- Sa të hedhëm këtë hallin e dasmës.
- Do mjaftojnë dhjetë qillo nënë?
- Ishallah na e bën dymbëdhjetë! Do kemi shumë njerëz o bir. Nja shtatë apo tetë qillo na duhen të situra, për byrekë dhe lakrorë. Pastaj do bëjmë dhe disa kulaç gruri me vezë e djathë, të pjekur në saç. E duan burrat për të shoqëruar mezet.
- Pse tani dasmën, o nënë?
- Se ata kërkuan të shënonim marrjen në këtë ditë dhe ne nuk ja u prishëm. E tyre është tani Lutfija e nënës.
- Si e tyre?
- Do bëhet nusja e tyre, mor bir.
- Po ajo është motra ime, është jona...
- Është vajzë dhe vajzat venë në derë të burrit.
- Pse nuk vjen ai… tek neve?
- Ka dhe ai nënë e babë, motra e vëllezër. E duan për gëzimin e tyre, për shtëpinë e tyre, zëmra ime.
- Se e duan ata dhe duhet patjetër të na e marrin neve?
- Ashtu është e caktuar biro.
- Kush i cakton këto nënë?
- Zoti i madh, bir.
- Ç`punë ka Zoti me Lutfijen tonë?
- Ka bir, ka, se vetëm ai i ka rregulluar mirë këto punë.
- Si i paska rregulluar kaq mirë sa të heqi Lutfijen time dhe të ma marrë një burrë bote? Unë e dua shumë time motër.
- Dhe ajo jep jetën për ty, biri im. Por jetën e ka për ta jetuar në vënd tjetër, për ta jetuar me burrin e vet. Me atë do të krijojë familjen e saj. Ka nevojë se u rrit tashti, për të krijuar dhe ajo folenë e saj. Jeta është si foleja e zogjve, biri im. Seicili do të tijën, për të jetuar. Kështu e ka bërë Ai..
- Po unë nuk dua të na ikë motra!
- Duhet o bir. Kështu është. Dhe për ty, nesër që të rritesh, do të kërkojmë nuse. Dhe nëna do të gjejë një nuse që të jetë... e bukura e Dheut.
- Nuk e dua. Dua të mos na iki Lutfija jonë.
- Tu bëftë nëneja ty, more bir, por tani nuk je më i vogël. Je bërë burrë, biri nënës. Nuk bën të thuash të tilla fjalë. E marrin vesh krushqit e kushedi si do të mendojnë pastaja. Na e merr vesh dhëndëri dhe na mërzitet.
- Ou! Më plasi mua! Mu bë vonë mua se e mori vesh ai. Kush do t`i thotë?
- Jo bir, se nëna jote edhe atë do ta ketë si djalë. Si… si ty jo, por do ta duam dhe atë se do bëhet burri i Lules tonë. Hë! Si thua, të mos e duam kur atë do ta doje Lulja e nënës?
- Pse do ta dojë Lulja, atë? Ajo nuk e njeh fare. Pastaj ai, një herë që e pashë unë, kur erdhi atë ditë me atë babanë e vet, rrinte si hu. I hodhi nja dy herë sytë nga Lulja, kur ajo po zbriste shkallët me bardhakun e ujit në dorë, por një ta parë unë dhe ai, fap e i ngriti sytë që nga tavani. Kujtovi ai se nuk e pashë unë. Unë atë shihja. Ai se si është ashtu. Koti fare. Pastaj më zgërdhihej mua sa herë që unë i hidhnja sytë për ta parë. E kam inat! Të kem ta vras fare!
- Jo, biri im! Mos thuaj nga ato fjalë. Është turp dhe gjynah karshi Lutfijes. Ti e do shumë apo jo?
- Po unë nuk dua atë. Pa le ai, babai i vet. Ai qyltyku. Krushk babai im me Munir Sojdin! I gjatë sa për të mërzyer dyzet pula në të! Nuk ngopej së piri duhan me llullë. Na qelbi shtëpinë me tym. Nuk i pushonte goja atij. Llafoste për gjëra koti. Bënte sikur merrte vesh nga lufta! Zu e po i tregonte babait, se jo po do mbarojë shpejt lufta se… gjermani, po ngre plaçkat. Mirëpo ai nuk e ka shtirë ndonjë dyfek për kundër gjermanëve apo italianëve. I pa ai, atje me dhëntë, plaçkat e gjermanëve, gati për tu nisur..! Do jetë ndonjë kokërr ballisti ai si Bexheti Qerimesë. Babai i atij mburravecit, Luanit de! Ku di ai nga lufta. Nga dhëntë di shumë ai. Po kur i tha babait: “Ruaju Kasëm miku, se nuk e di i ziu njeri nga i vjen e keqja!” Deshte ta bënte dhe babain “notral”! Vetëm notrallëkun dinë ai dhe Idrizi... Mësonte ai birbo, babain tim! Babai im i plagosur në luftë dhe ai që nga ruan delet e di kur do të iki gjermani. Aty ishte dhe xhaja Liko e xhaja Ymeri. Ata po e dëgjonin dhe nuk flisnin. Vetëm xhaja Samedin ja ktheu një herë. E di si i tha?
- Hë, si?
- Zotrote, tërë këto vite lufte, qëndrove sikurse the vetë... notral.
- Notral nuk është keq të rrishë. Se rri në punën tënde dhe nuk të trazon njeri. Po fute duart diku, nde ndonjë të krisur të errët, ato o të lagen, o të digjen, o të shpohen. Kur i ke mirë pse t`i sëmurësh, them unë. Tani notral tamëm, jo se dhe unë kam ndihmuar luftën. Kam dhënë plot berra për mish partizanëve. Apo më morën pak ata të Isa Toskës..., ja bëri.
- Neutralët janë njësoj me ata që bashkohen me pushtuesit, i tha babai.
- Lufta kërkon mundim, vështirësi, dhe... gjak në fund të fundit. Jo bagëti për mish. Nuk them se ato nuk kanë peshën e tyre, por patriotët, atdhetarët e vërtetë duken sot.
- Me berrat, për mish na e maste luftën, birbua! Me plagë, me plagë si të babait matet, jo me berra derra dhe… llafe! Kështu ka thënë babai. Atij edhe burra të tjerë, që ishin tek neve, ja veshën, po dëgjonte ai, majmuni!
- Goxha ka dhënë i gjithë populli për luftën, ja priti xhajë Likua. Se ka dhënë e jep gjakun e zëmrës, rininë, të rinj e të reja.
Dhe e ngriti ca zërin ai. Ashtu e ngre xha Liko zërin kur nuk i kundërshton ndonjëri koti. Si ai qoftja, Idrizi. Me të atë kësulën e larë që vitin që na erdhi Italia. Ma mba mu në majë të kokës tullace. I duket si kanaçe italiane, majë mullarit të jonxhës. Mbeti sikur ju lagën ato poturkat e skuqura përpara. Ai duket sikur gjithnjë, gjysmën e shurrës e bën përsipër potureve. Dhe babai kur i thotë nëna, “po vjen Idrizi”, ai ja kthen: “shyqyr, na erdhi notrali”, tallej. Nga Xha Likoja, atë ditë ju skuqën faqet dhe ishte gati të thoshte ndonjë llaf të rëndë. Se kur i hipën bëhet shumë i prapë. E humbet notral`llëkun. Mirëpo xhaja Safeti i shkeli syrin xha Likos dhe ai nuk e ngavi më. U bë një heshtje dhe mu duk se seicili priste të ikte o xha Likoja, o Idrizi. Po ku tundej ai. Priti gjithatë kohë gjer sa iku xha Liko. Pastaj si për ta harruar atë llaf që i tha xha Liko gjene u kthye në shtegun e notralit. Zuri e fliste për gjermanët.
- Kam qeshur shumë pardje o Kaso, me Mitatin e Rafetit, nisi një tjetër mesele.
- Me Mitatin? Pse?
- Po ishim mbledhur plot në shesh se erdhi Brigada dhe njerëzia u ndjenë të çliruar, të lirë, helbete. Këndonin këngën: “Se mjaft në robëri/O emejer Shqipëri/O djem rrëmbeni pushkët/Ja vdekje, ja liri”. Kthej kokën nga Mitati dhe e shikoj të qante. Po me lotët rreke, ore!
- Po ti pse po qan, o Mitat? e pyeta.
- E si të mos qaj, nuk më thua? Të uluras jo të qaj. Sot janë partizanët këtu, por nesër a që sonte nuk thua, mund të venë ballistët e t’ju tregojnë se në fshat erdhën partizanët dhe njerëzia zunë të këndojnë e të hedhin valle. Një të ardhur ata dhe e para kasollja ime do marri flakën. Apo nuk e mbulova këto ditë me dyzet barrë mushke, kashtë thekre, që e mora me mavrinë Gura përtej Kozeres. Ajo kashtë merr edhe nga një bisht cigareje! Tre herë e mbulova e ma dogjën. Kjo do të jetë e katërta. Kasollja ime është në anë të rrugës dhe aty e bëjnë sefte të gjitha ushtritë. Dhe ti më thua mos qaj! Të qaj sa të pëllcas, jo pak! Eja partizanët e gëzohu neve. Sa ikin ata, ja brofin gjermanët. Flaka nëpër kasollet tona! Hë! Ja, kjo është jeta jonë, nuku? më tha. Nuk kishte faj zavalli. Plot me gjermanë akoma rrugët.
- Shumë thua?
- Janë ngjitur mu në Kala, foli. “Kanë vendosur kontra ajrorët…, tha. Që aty presin të gjuajnë ballonat e inglizit. I kam parë kur lëshoj dhëntë rrëzës karshi”.., ja bëri. Me dhën e shikon luftën ai.
- Jam ngjitur dhe unë në Kala, zu e po tregonte… Sikur të qe ndeshur me vet gjermanët.
- I rashë andej nga ngjitet ai, memeci Dines. Isha me Pertefin e Bejazes dhe Tahirin e Pestrovës… Ç`të të them Kaso vëllai?! Plot ore, për atë Perëndi, me topa dhe arka me gjyle. Vallahi gjermani ka shumë armë. Me sa më panë sytë mua, ka burrë nëne ta musi gjermanin, o Kaso?
- Do e mundim, do e mundim ke për ta parë. Njësoj si dhe italianët. Shumë shpejt ke për ta parë ti dhe të gjitha ata që presin ta shikojnë. Neve nuk presim. Ne i zëmë prita t’i shtypim kokën. Me pushkët e marra atij dhe fashistëve.
- Po do vriten shumë o Kaso. Tërë ato armë…! As inglizi nuk besoj se mund ta...
Ja, këto i rrëfente babait. Kushedi sa do jetë mërzitur babai, por nuk e bën vehten ai. Duron, duron shumë, babai. Kur duron plumbat...!
- Ka dashur të hynte në muhabet me tët atë.
- E! Po nuk dinte nga t`ja ngiste dhe ia këputi koti. Pastaj llafoste për të mbjellat. Zuri e mburrej se sivjet do t`i bëhej bereqeti shumë. Sikur e pyeti njeri atë sa bereqet do të merrte! Mburraveci! Një më dy ai dhe kam këtë e kam atë pasuri. Sikur nuk e dinte babai im sa ka ai. Në shtëpi dy katëshe dhe ai vjen e na mburret me një copë shtëpi njëkatëshe. Kush na e gjeti këtë lloj krushku! Krushk koti fare!
- Kanë shumë pasuri dhe ata biro.
- Më shumë se ne, nuk kanë!
- Kanë, kanë. Lulja e nënës do të jetë si pula në grurë.
- Pse për grurë do e japin neve, Lulen? Ata grurë, neve kemi shumë misër. Bukë njësoj do kemi për të ngrënë.
- Jo more bir, por nuk do të vuajë.
- Po kur atje ku venë vuajnë, pse i dërgojnë? Me pahir i nisin vajzat, nuse?
- Me pahir jo, por janë soje-soje, familjet ku venë nuse, të shkretat vajza. Më shumë ka familje të varfëra. Dhe ato kanë djem e vajza. Do martohen dhe ato, posi. Do marrin të sërës së tyre. Do t`i mësosh dhe ti këto ore bir, por jepu këmbëve sa ja dhe pak e sosëm.
- Dhe sa më duhet mua që të jem i rritur, o nënë?
- U, tu bëftë nënoja, ty! Ti më je bërë burrë, more i miri i nënës! Dhe pakë fare, nja pesë apo gjashtë vjet dhe nëneja ty do të fejojë me vajzën që...
- Nuk dua! Dua, kur të mbarojë mirë lufta.
- Po lufta do mbarojë, o bir se mbarovi tërë dynjanë. Ja dhe neve arritëm ke shtëpia e gjyshit tënd.
- Po gjyshi jot, nga nëna, the do vinte këto ditë, pse nuk erdhi?
- Gjysh Shabani?
- Po!
- Është larg o bir. Në Selishtë të Elbasanit.
- Pse nuk erdhi? Ai më do shumë mua. E mbaj mënd kur vajtëm parsi vjet atje.
- Mbase i ka ardhur dhe djali, Oriku. E ka të sëmurë atë djalë.
- Pse o nënë, është i sëmurë dajë Oriku? Dajë e kam unë, atë?
- Jo tamëm dajë. Nëna ime e ka vëlla. Ti e ke nga gjyshja, prej nënës time.
- Ai është partizan… Ka partizanë të sëmurë? Unë e di që ka vetëm të plagosur.
- Eh more bir, po kjo e flamosura luftë, ku i lë njerëzinë të rehatohen, të shërojnë plagët. Plot plagë na ka hapur kjo luftë, more bir.
- Djali i gjyshit tënd, Oriku, nuk ka plagë nga plumbat si babai im.
- Jo nga plumbi. Sëmundja e tij është veremi, biro. Ashtu i sëmurë, me verem, por nuk ndënji që iu bëftë motra e tij. Mori pushkën dhe ërr në mal me partizanët. More se i foli i jati, nëna, more se ju lutën të gjithë, bah! Ku mbahesh ai. Iku në brigadë. Ka ca ditë që isha këtu dhe gjeta time nënë që kullonte së qari. E ka vëlla, o bir! Ku dëgjonte ai! Qanin të gjithë se kishin marrë vesh që ishte shumë i sëmurë Riku. Në një spital partizan e kishin vendosur. Korba unë për të! Trimi i nënës së vet!
- Pse nuk vete në shtëpi dhe ai. Partizanët e sëmurë nuk luftojnë dot me gjermanët.
- Di gjë unë e shkreta, o bir! Vëntë Zoti dorë e mos dëgjofshim haberin e lig. Ku duron dot xhani i atij. Mushkritë i kishte copë. Gjak nga goja villte, që kur ishte këtu. Ashtu ishte dhe ditën që iku me shokët. Qante ime nënë dhe i doli shpirti duke ju lutur. Na more Riku, qëndro more vëlla xhani! Ku vete? Ti je gjysëm njeriu, ku je ti për luftë. I luteshin të gjithë. Dëgjovi njeri ai!
“Ika, ika nënë. Mirupafshim në Shqipërinë e lirë!”Vdekje fashizmit“!, u kishte thirrur. Aq dhe u bë erë. More sikur të mos ishte ai, Riku verdhacuk, i sëmurë, që mezi ecte, por një tjetër. Si me krahë u qe dukur atë ditë! Luftën rinia po e bën, or bir. Këto më molloiste nëna ime e shkretë, se kishte qënë atje.

 


Fragment nga Romani " Përmbysja e Botës"

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
5.00