Home | Literature | * * *

* * *

image © Photo: Paula Andrea Pyle
Dhe unë kisha përshtypjen se ajo fliste në një lloj ëndrre, njëlloj sikur të mos e kishte marrë vesh ç’po bënte, njëlloj sikur dikush tjetër të kishte hyrë tek ajo apo ta kishte shtrënguar për të dalë nga heshtja e saj.

 

 

 

 


Përkthyer nga Urim Nerguti

 

Në muajin qershor, qyteti ynë i vogël njihte gjithmonë një lloj gjallërie : anije të shumta vinin të ndaleshin në port, dhe në rrugë qarkullonin fytyra të reja. Shëtisja me dëshirë përgjatë portit, përballë restoranteve dhe hoteleve, duke vëzhguar me imtësi fytyrat e detarëve dhe të miqve të përtej-detit, të ulur nën hijen e perdeve duke pirë me gllënjka të vogla birrën që ua shërbenin në tasa kallaji.
Gjatë njërës prej këtyre shëtitjeve, një burrë, i ulur në verandën e një kafeneje, më tërhoqi mjaft vëmendjen. Ai mbahej palëvizur në karriken e tij, krahët të kryqëzuar mbi gjoks, mbështjellë në një lloj pelerine të zezë, në kokë një kapele kashte. Ca cullufe flokësh të rrallë dhe të dredhur i binin poshtë mbi ballë, pothuaj deri tek hunda ; buzët mblidheshin rreth bishtit të një llulle të shkurtër. Silueta, trajtat, çehrja e tij e verdhë në të zeshkët, e tërë kjo m’u duk aq familjare saqë nuk munda të mos ndalem përpara tij dhe të mendohesha kush ishte, ku e kisha parë tashmë. Ngaqë e kishte ndjerë vështrimin tim mbi të, ai ngriti sytë e tij të errët dhe depërtues… Desh thirra…
Ky njeri ishte babai tjetër, ai që kërkoja në ëndërr !
Nuk mund të gabohesha, sepse ngjashmëria ishte vërtetë e madhe. Vetë pelerina e tij më kujtonte për nga ngjyra dhe rrudhat e saj robdishambin në të cilin më ishte shfaqur.
« Mos jam gjë në ëndërr ? » pyeta veten… Jo… Eshtë ditë, turma e kalimtarëve gumëzhit përreth meje, dielli ndriçon lart në qiellin blu… Dhe kjo qenie nuk është një lugat, por një njeri si unë.
Pashë një stol bosh, u ula, porosita një tas birrë dhe ca gazeta dhe zura të vëzhgoj.

* * *

Me qëllim që ta vëzhgoja më mirë fqinjin tim por pa ia tërhequr vëmendjen, u fsheha prapa gazetës.
Njeriu nuk lëvizte pothuaj, duke ngritur mezi, herë pas here, kokën e tij të rëndë që i binte përnjëherë mbi gjoks. Kishte pamjen sikur priste dikë… E vështroja papushim, e përpija me sy… Nganjëherë, më dukej sikur isha lodër e imagjinatës sime dhe se nuk kishte asnjë ngjashmëri të vërtetë ndërmjet këtij njeriu dhe « babait tjetër »… Por jo, mjaftonte që të bënte një lëvizje apo të kthente lehtas kokën dhe unë e njihja përnjëherë, dhe atëherë mezi e mbaja një klithmë habie.
Më në fund, ai e pikasi vëzhgimin tim, më vështroi në fillim me habi, pastaj me keqardhje, bëri sikur po ngrihej dhe lëshoi përtokë shkopin që e mbante të mbështetur për stoli. U ngrita përnjëherë për ta mbledhur dhe dhënë. Zemra më rrihte me shpejtësi.
Ai më falenderoi me një buzëqeshje të shtrënguar, afroi fytyrën pranë simes, ngriti vetullat dhe hapi pakëz buzët njëlloj sikur ta kishte ngacmuar diçka.
« Jeni shumë i sjellshëm, djalosh, tha ai me një zë të prerë, hundor dhe të çjerrë. Në ditët tona, kjo është gjë e rrallë. Më lejoni t’ju përgëzoj : shoh se ju keni marrë një edukatë të shkëlqyer. »
Nuk më kujtohet më ç’iu përgjigja, por akulli ishte thyer. Mësova se ai ishte një bashkatdhetar që kishte ardhur tani vonë nga Amerika ku kishte jetuar për vite të tëra dhe ku mendonte të ikte përsëri. Më tha se ishte baroni i… nuk më kujtohet më i çfarë, dhe madje nuk e dëgjova mirë. Njëlloj si dhe « babai tjetër », ai i përfundonte fjalët e tij me një lloj mërmërime të lehtë.
Baroni deshi të dijë emrin tim… Duke e dëgjuar, fytyra e tij shprehu përsëri një befasi të madhe. Pastaj më kërkoi nëse gjendesha prej shumë kohësh në këtë qytet dhe me kë jetoja. Iu përgjigja që jetoja me nënën time.
« Po babai juaj ?
- Im atë ka vdekur prej kohësh. »
Këtu, ai pyeti mbi emrin e pagëzimit të nënës sime, shpërtheu në një të qeshur të shtrënguar, duke u shfajësuar përnjëherë dhe duke më shpjeguar se nuk duhej t’ia vija re, që kjo ishte një huq i marrë në Amerikë dhe se në përgjithësi ai ishte një gazmor i madh. Në çastin që po ndaheshim, ai shprehu dëshirën të njohë adresën tonë. Ia dhashë.

* * *

Turbullimi që më kishte kaplluar në fillim të bisedës sonë ishte shpërndarë tashmë ; tani isha thjesht i befasuar që e kisha takuar, dhe kaq. Sigurisht, nuk më pëlqente buzëqeshja e vogël tallëse që endej në cepin e buzëve të Z. baronit, kur më shtronte pyetjet, dhe as sytë e tij hulumtues që më shponin si turjela… Por në të njëjtën kohë, në vështrimin e tij kishte diçka mizore dhe mbrojtëse… diçka të tmerrshme. Këtë vështrim, nuk e kisha parë kurrë në ëndërr.
E çuditshme fytyra e tij : e vjetëruar, e vyshkur, e lodhur dhe e re megjithatë, pakëndshmërisht e re ! Veç kësaj, « babai tjetër » nuk mbante në ballë plagën e thellë që kalonte përmes ballit të baronit dhe që nuk e kisha vënë re në fillim të bisedës.
Sapo ia kisha thënë emrin e rrugës dhe numrin e shtëpisë, një zezak i madh, mbështjellë në një pelerinë që ia fshihte tërë pjesën e poshtme të fytyrës, u afrua nga pas fqinjit tim dhe e preku në sup. Tjetri u kthyer duke mërmëritur :
« Ah ! ah ! më në fund ! »
Pastaj më përshëndeti me një shenjë të lehtë të kokës dhe u zhduk brenda ndërtesës, bashkë me zezakun.
Vendosa ta pres kur të kthehe, : jo për t’i folur (nuk dija më ç’ti thosha), por për të vërtetuar përshtypjen time të parë. Kaloi një gjysmë ore, pastaj një orë… Ska baron… U nisa ta kërkoj, kalova nëpër të gjitha sallonet, por nuk e gjeta asgjëkundi : duhet të kishte ikur që prej shumë kohësh, me zezakun e tij, nga dera prapa.
Duke vuajtur nga një dhimbje e lehtë koke, vendosa të dal jashtë të marr pak ajër dhe shkova përgjatë bregut deri në gjethnajat e parkut bashkiak, të mbjellë aty që afro dy shekujsh. Pasi u enda nja dy orë nën rrapet e mëdhenj, u ktheva në shtëpi.

* * *

Me të kaluar pragun e shtëpisë, shërbëtorja jonë nxitoi drejt meje, fytyrëprishur. Ma mori mendja që një fatkeqësi kishte ndodhur gjatë mungesës sime…
Në fakt, një orë më parë, nëna ime, që ishte mbyllur në dhomën e vet, kishte lëshuar një klithmë të mprehtë, dhe shërbëtorja kishte vrapuar përnjëherë dhe e kishte gjetur të shtrirë mbi parket, pa vetëdije. Pas ca minutash, mami kishte ardhur në vete, por kishte qenë e detyruar të shtrihej në shtrat. Tani ajo kishte një pamje të çuditshme dhe të tmerruar, nuk fliste, nuk i përgjigjej asnjë pyetje, vështronte përreth vetes dhe rrënqethej.
Mjeku, që ishte thirrur me ngut nga kopshtari ynë, lëshoi një qetësues. Por as atij, mami nuk deshi t’i thotë asgjë. Kopshtari pretendoi se kishte parë, pak sekonda pas klithmës së nënës sime, një burrë tek kapërcente me nxitim sërën e luleve dhe drejtohej për nga porta. (Ne banonim në një shtëpizë dykatëshe, që dritaret e së cilës jepnin pamje mbi një kopsht mjaft të gjerë.) Ai nuk kishte mundur t’ia shquante trajtat, por burri ishte i madh, i hequr, mbante një kapele kashte të rrasur mbi sy dhe një pelerinë me cepe të mëdhenj…
« Eshta baroni ! » mendova menjëherë.
Kopshtari e kishte ndjekur, por nuk kishte mundur ta arrinte, aq më tepër që shërbëtorja e kishte thirrur për ta dërguar tek mjeku.
Hyra në dhomën e nënës. Ajo ishte e shtrirë mbi shtrat, më e bardhë se jastëku ku i prehej koka. Më njohu, buzëqeshi dobët dhe zgjati dorën. Zura vend tek koka e shtratit dhe e pyeta ç’kishte ndodhur. Në fillim, ajo nuk deshi të më përgjigjet, por meqë ngulmova, më tha se kishte parë diçka që e kishte frikësuar tmerrësisht.
« Dikush ka hyrë këtu ? pyeta unë.
- Oh ! jo, kundërshtoi ajo, por më duket se kam parë… një lugat… »
Ajo heshti dhe mbylli sytë me duar. Pata dëshirë t’i tregoj ç’më kishte thënë kopshtari, t’i rrëfeja mbi takimin tim me baronin… Nuk e di përse, fjalët m’u ndalën në buzë. Megjithatë, nuk munda ta pengoj veten për t’i thënë që lugetërit nuk e kishte zakon të qarkullonin në mes të ditës…
« Oh ! lermë, mërmëriti ajo, mos më mundo më… Një ditë, ti do të dish gjithçka… »
Ajo heshti përsëri. Duart e saj ishin të ngrira, pulsi i shpejtë dhe i parregullt. Ia dhashë ilaçin dhe dola mënjanë, për të mos e shqetësuar më.
Ajo qëndroi shtrirë, deri në mbrëmje, e palëvizshme dhe e heshtur. Nganjëherë, ajo psherëtinte, hapte sytë dhe i mbyllte, e frikësuar.
Të gjithë ne pyesnim veten mbi ç’kishte ngjarë.

 


(Ivan Turgeniev)

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
5.00