* * *
– E ç’keni vënë re ju ? Shpresoj se ju e kuptoni çfarë gjërash të pakëndshme paraqet kjo çështje ?...
Përkthyer nga Dea J Klosi
Zëri i tij ishte i mallëngjyer, pothuaj ngashëryes, ndonëse këto fjalë i dolën si të pështyra mirëfilli, duke i shtrënguar pastaj buzët njëlloj sikur të përpiqej të merrte njëfarë përmbajtje në sytë e të pranishmëve. Tony ishte krejt i turbulluar : reagimet aq të papritura të dy burrave, e linin të shushatur. Ai nuk ndante me ta asnjë prej ndjenjave të tij ; rrinte i huaj ndaj kësaj tragjedie, e dinte këtë, ndërsa serxhenti dhe Charlie Slatter ndiheshin të përzier aty, kjo zbulohej thjesht tek shihje mënyrën me të cilën ata mbaheshin instinktivisht : të denjë, por të kërrusur nën peshën e barrës së padurueshme që ishin për ta vuajtjet e të gjorit Dick.
E megjithatë, a nuk ishte Charlie ai që e kishte dëbuar Dickun nga ferma e tij ? Në vizitat e tij të mëparshme, të paktën në ato herë që Tony kishte qëlluar aty, ai nuk kishte pasur kurrë as shenjën më të vogël të mëshirës.
Pati një heshtje të gjatë…
Serxhenti mbylli bllokun, por megjithatë nuk kishte mbaruar me pyetjet e tij.
Ai e vështronte Tonyn me një pamje mëdyshëse, duke u menduar si ta shtronte pyetjen tjetër. Djali i ri e kuptoi se kishin mbërritur në pikën kyçe të çështjes, kjo lajmërohej qartë në fytyrën e Charliet, në shprehjen e saj mëdyshëse por edhe disi të frikësuar.
– A keni vënë re ndonjë gjë të pazakontë gjatë qëndrimit tuaj këtu, pyeti serxhenti njëlloj sikur të mos i vinte shumë rëndësi çështjes.
– Po, lëshoi Tony, i vendosur për të mos e lënë veten të frikësohet, ndonëse e dinte mirë që një humnerë e tërë e ndante nga dy burrat e tjerë me përvojë. Pas këtyre fjalëve, ata e vëzhguan krejt papritur, pastaj shkëmbyen një vështrim dhe kthyen përnjëherë sytë njëlloj si të kishin frikë mos dukeshin bashkëpunëtorë.
– E ç’keni vënë re ju ? Shpresoj se ju e kuptoni çfarë gjërash të pakëndshme paraqet kjo çështje ?...
– Çdo vrasje është detyrimisht e pakëndshme, ia ktheu Tony me një zë të prerë.
– Kur të keni jetuar ca kohë në këtë vend, ju do ta kuptoni se ne nuk na pëlqen t’i shohim zezakët duke vrarë gratë e bardha.
Kjo fjali : « Kur të keni jetuar…, etj., » ngeci si një halë në fytin e Tonyt, ia kishin përsëritur aq shpesh ! Ai ndihej njëherësh i nxehur dhe tmerrësisht i vetëdijshëm për papërvojën e tij.
Ai do të kishte dashur ta lëshonte të vërtetën troç, ta nxirrte aty si një « fakt » të pakundërshtueshëm, por ajo nuk ishte gati, le që, ajo nuk është kurrë gati. Këtë që ai dinte apo e kishte nuhatur, në lidhje me Mary, këtë « fakt » që të dy burrat, me një marrëveshje të përbashkët, bënin gjoja nuk e dinin, ai nuk do ta kishte pasur të vështirë që ta shtronte aty për t’u pranuar menjëherë ; por ajo çfarë ishte e rëndësishme dhe vendimtare në sytë e tij, ishte njohja e rrethanave, sfondi i dramës, karakteret e Dick, të Mary, përfytyrimi i mënyrës së tyre të jetesës, dhe kjo nuk ishte aspak e lehtë. Vetë ai kishte mbërritur tek e vërteta vetëm nëpërmjet grimcash të vogla të ngjitura me njëra-tjetrën, dhe për mendimin e tij, kjo mënyrë i shërbente për të shpjeguar gjithçka ; mirëpo, ajo çfarë e prekte më tepër se gjithçka, ishte fati i këtyre tre qenieve, Dick, Mary dhe vendasi : ata ngjallnin tek ai një mëshirë të thellë, një mëshirë objektive në njëfarë mënyre, dhe gati sa nuk ua mvishte fajin rrethanave që ishin bërë bashkë kundër tyre. Në mëdyshje ndërmjet këtyre përshtypjeve kundërshtuese, ai nuk dinte nga t’ia fillonte rrëfimit.
– Dëgjoni, tha ai, do t’ju them gjithçka që di, që nga fillimi, vetëm se kam frikë mos është tepër e gjatë…
– Ju doni të thoni se e dini përse është vrarë Zonja Turner ?
– Jo, këtë nuk mund ta them… Por kam teorinë time për këtë…
Shprehja doli më e paqëlluar se kurrë.
– Nuk na hyjnë në punë teoritë. Na duhen fakte. Mendoni për Dick Turner. Nuk mund të bëhet më e vështirë për të. Mos e harroni… djalli ta marrë !
Mirë, ja që ata rifilluan t’iu bëjnë thirrje ndjenjave të tij. Tony e humbi durimin.
– Dëshironi t’ju them ç’kam për të thënë apo nuk dëshironi ? - pyeti ai i nxehur.
– Jepini, por mos harroni se nuk më interesojnë komentet tuaja. Të ndalemi tek faktet. Keni pikasur ju ndonjëherë diçka çfarëdo të saktë… që mund të na ndriçojë në lidhje me vrasjen. Për shembull, e keni parë ndonjëherë zezakun duke u endur rreth bizhuve të saj, apo diçka të tillë ? Fakte të sakta, asgjë tjetër veç fakte !
Tony zuri të qeshë. Dy burrat i hodhën një vështrim të mprehtë.
– Ju e dini po aq mirë sa unë, tha ai, se ky rast nuk është nga ata që shpjegohen kaq lehtë. Nuk është një histori që mund të zbërthehet si një tespihe… që të shkruhet e zezë mbi të bardhë.
Biseda kishte ngecur dhe që të tre qëndruan të heshtur për një çast. Në fund, serxhenti Denham mori një pamje të ngrysur, njëlloj si të mos e kishte dëgjuar fare këtë refleksion.
– Pa më thoni, për shembull, si e trajtonte Zonja Turner shërbëtorin e saj… A ishte e mirë me shërbëtorët ?
Atëherë Tony, që megjithëse i zemëruar kërkonte ngathtas një fill për t’u kapur në një rrëmujë emocionesh të kundërta, u kap pas kësaj pyetje e cila mund t’i jepte udhë rrëfimit të tij.
– Ajo e trajtonte keq ; kjo ishte të paktën përshtypja ime, ndonëse nga ana tjetër…
– I bërtiste gjithmonë, apo jo ? Duhet pranuar se gratë në këtë vend janë shpesh të tmerrshme për këtë, apo jo, Slatter ? pyeti ai me një ton të çiltër dhe familjar. Gruaja ime, e gjora plakë, nganjëherë më çmend fare. Duhet ta ketë vendi këtë. As nuk e kanë idenë e mënyrës me të cilën duhen trajtuar zezakët.
– Me zezakët, duhet të merret një burrë, vulosi Slatteri. Ata nuk e kuptojnë sesi gratë mund t’i urdhërojnë, sepse ata dinë t’ua gjejnë vendin femrave të tyre.
Ai zuri të qeshë ; serxhenti e shoqëroi dhe ata u kthyen nga njëri-tjetri, me një lehtësim të dukshëm. Atmosfera ishte shkrehur papritur dhe Tony e ndjeu se po ia hidhnin sërish. Pyetjet dukeshin të përfunduara, ndonëse ai nuk donte ta pranonte.
– Po dëgjoni pra, tha ai.
Befas ai u ndal sepse dy burrat ishin kthyer drejt tij dhe në vështrimet e tyre të rënda dhe të akullta, ai lexonte një lloj kërcënimi : çunaku faqepadirsur që ai ishte për ta, do të bënte më mirë të mos ndihej.
Kjo ishte e tepërt për Tonyn. Ai u dorëzua : kjo çështje ? tani e tutje i lante duart nga ajo ; por duke i vëzhguar dy të tjerët, ai kuptoi, dhe me habi, që ata vepronin në harmoni të plotë, madje pa vetë dijeninë e tyre ; pa dyshuar aspak sesa e jashtëzakonshme, e paligjshme, mund të dukej sjellja e tyre… Por fundja, e çfarë kishte të paligjshme në një bisedë të rëndomtë të zhvilluar në teatrin e dramës ? Nuk bëhej fjalë aspak për një pyetësor zyrtar. Vetë serxhenti Denham, a nuk e kishte mbyllur bllokun e tij pikërisht në çastin kur ata po i qaseshin pikës kryesore ?
Charlie u kthye drejt serxhentit duke thënë :
– Do të bënit mirë ta merrnit trupin. Bën vapë e madhe dhe nuk mund të presë.
– Po, pranoi polici.
Dhe u largua për të dhënë urdhëra.
Kjo vërejtje, aq e vrazhdë, aq e rëndomtë, duhet të ishte, dhe Tony e kuptoi këtë më vonë, i vetmi aluzion i drejtpërdrejtë ndaj së gjorës Mary Turner, gjatë tërë kësaj historie. Por në fakt, e përse do të ishte folur për të gjetkë sesa këtu, në shtëpinë e saj, gjatë një bisede të pastër miqësore ndërmjet fermerit që kishte qenë fqinji i saj më i afërt, policit që ajo e kishte pritur në shtëpi si mik dhe mbikqyrësit që kishte ndenjur ca javë në pronën e saj.
Po, kjo bisedë nuk kishte asgjë zyrtare. Tony u kap pas këtij mendimi. Më vonë do të kishte një hetim serioz, një gjyq të ngritur sipas të gjitha rregullave.
– Gjyqi do të jetë thjesht një formalitet, sigurisht, njëlloj sikur të mendonte me zë të lartë, duke i hedhur një vështrim djalit të ri.
Ai qëndronte përpara furgonit të policisë dhe mbikqyrte policët vendas që ishin duke sjellë trupin e Mary Turner, të mbështjellë në një mbulesë, dhe duke e vendosur mbi njërën prej ndenjëseve të pasme të makinës. Gjymtyrët e saj e kishin humbur tashmë nxehtësinë dhe epshmërinë e jetës, dhe krahu i saj i shtrirë dhe i ngurtë u përplas me një zhurmë kobzezë në derën e ngushtë të makinës. E patën të vështirë ta fusin brenda. Më në fund u krye dhe dera kërciti e mbyllur. Atëherë doli një tjetër problem : nuk mund të mbyllej Moise, vrasësi, në të njëjtën makinë me Mary ; ishte e pamundur të vendosnin një zezak pranë një të bardhe, qoftë dhe e vdekur, e vrarë nga ai. Nuk mbetej tjetër veç makina e Charlie, por Dick, i çmenduri, ishte mbyllur në të dhe rrinte aty, i ulur, sytë të ngulitur, në ndenjësen e pasme. Të gjithë pajtoheshin me mendimin se Moise, me cilësinë e tij si vrasës, kishte të drejtë dhe ai që të shpihej me makinë. Por për mungesë vendi, atij do t’i duhej fundja ta bënte në këmbë udhën deri tek zyrat e policisë, i shoqëruar sigurisht nga policët vendas mbi biçikletat e tyre. Pasi u morën këto masa, pati një çast pritjeje. Të dy burrat vonoheshin përpara makinave të tyre gati për t’u nisur ; ata vështronin shtëpinë me tulla të kuqe, çatinë prej llamarine që vezullonte, të nxehur në përvëlim, shkurret e dendura, pushtuese, dhe nën pemë grupin e zezakëve që largoheshin. Moise, krejt i qetë në dukje, e linte veten të tërhiqej lirisht. Fytyrën të zhveshur nga çdo lloj shprehjeje, sytë të ngritur larg, do të kishim thënë se kundronte diellin. A mendonte ai se kjo ishte hera e fundit që e vështronte atë ? Nga të dihej kjo ? A ndjente keqardhje ? Nuk kishte asnjë shenjë të tillë. Mos ishte frika ? Dukej se jo. Të bardhët e vështronin vrasësin me një pamje të ngrysur dhe medituese, por në fakt, ai nuk peshonte fare për ta, nuk ishte tjetër veç vendasi i përjetshëm, gjithnjë gati për të vjedhur, vrarë, përdhunuar në rastin më të vogël… Madje ai e kishte humbur rëndësinë dhe në sytë e Tonyt, që përvoja e tij në çështje psikologjie vendase ishte fort e varfër për ta lejuar atë të hidhej në hamendësime.
– Po me të, ç’do të bëjmë ? pyeti Charlie duke treguar Turnerin me gisht.
Me këtë nënkuptonte : « Ç’rol do të ketë ai gjatë zhvillimit të gjyqit ? »
– Kam përshtypjen se nuk mund të shërbejë më për ndonjë gjë të madhe, ia bëri serxhenti i cili kishte një përvojë të madhe në çështje krimi, çmendurie dhe vdekjeje.
Jo, i vetmi aktor i dramës që peshonte ende në sytë e tyre ishte Mary, e cila, me sjelljen e saj, i kishte bërë dëm vendit, por tani që ishte e vdekur, nuk përbënte më problem. Tani duheshin shpëtuar thjesht dukjet. Serxhenti Denham ishte i vetëdijshëm për ngutshmërinë e kësaj detyre që i binte përsipër, ndonëse në një mënyrë të fshehtë, sepse kjo nuk ishte shkruar asgjëkund në rregullore, por ai e dinte se duke iu përkushtuar kësaj, do të tregohej besnik ndaj dëshirave të thella të këtij vendi, dëshira me të cilat ishte mbrujtur dhe vetë. Dhe Charlie Slatter e kuptonte më mirë se kushdo. Dy burrat qëndronin pra aty, krah për krah, të frymëzuar nga një vrull i tillë, të prekur nga një keqardhje e vetme, nga e njëjta frikë në çastin e nisjes dhe ata e vështronin Tonyn me një pamje të rëndë për t’i dhënë një paralajmërim të heshtur dhe të fundit. Dhe Tony po fillonte të kuptonte ose të paktën e dinte se luftimi i cili, para pak, në dhomën që sapo e kishin braktisur, ishte zhvilluar në ca fjalë të shkurtra, të pikësuara nga heshtjet, nuk kishte asnjë lidhje me vetë vrasjen dhe as me domethënien e dukshme të skenës. Padyshim, pas ca muajsh, kur ta njihte vendin më mirë, do të shihte më qartë, dhe do të përpiqej fuqimisht për të harruar çfarë dinte, sepse për të jetuar në këtë vend ku problemi i zi është kaq i ndërlikuar, duhet hequr dorë nga kuptimi i mjaft gjërave, nëse duam sadopak të pranohemi nga shoqëria dhe të përfshihemi në të. Por përpara se të mbërrihej deri aty, padyshim që Tony do të njihte periudha të shkurtra mendjekthjelltësie gjatë së cilave do të kuptonte se ishte qytetërimi i të bardhëve, i mishëruar nga Charlie dhe serxhenti, që do t’ia mbronte jetën, dhe se ky qytetërim nuk do të pranonte kurrë që një person i racës së bardhë dhe në veçanti një grua, të mund të lidhte marrëdhënie njerëzore, qoftë për mirë e qoftë për keq, me një zezak, sepse po të pranoheshin këto marrëdhënie, qoftë dhe vetëm një herë, atëherë sistemi do të çahej nga të gjitha anët dhe asgjë nuk mund ta shpëtonte më. Ja përse ishte e pamundur të pranohej një dështim si ai i Turnerëve.
(Doris Lessing)
Comments (0 posted)
Post your comment