* * *
Ngriti sytë drejt çatisë prej llamarine që shndriste, e nxehur në përvëlim, dhe iu hodhi një sy orendive të zvenitura, pllakave të dyshemesë : ca tulla të pluhurta të mbuluara me lëkura të grisura kafshësh...
Përkthyer nga Dea J Klosi
Duke pasur parasysh këto pak çaste mendjekthjelltësie dhe të dhënat aq të ngatërruara që ai zotëronte mbi vrasjen, tani për tani mund të pohohej, dhe pa gabuar, se ndër të gjithë dëshmitarët e kësaj drame, Tony ishte ai që mbante përgjegjësinë më të madhe ; sepse as Slatteri as kapteri nuk do të pranonin asnjë sekondë që ata mund ta kishin gabim : aq shumë të frymëzuar ishin ata në veprimet e tyre më të vogla nga vetëdija e marrëdhënieve ndërmjet të bardhëve dhe të zinjve dhe nga një ndjenjë pothuaj torturuese e rolit që iu binte përsipër. Megjithatë, edhe Tony ushqente dëshirën të merrej në gji nga ky vend i ri ; ai do të duhet të përshtatej pra me traditat e vendit dhe nëse nuk pranonte, atëherë ishte e qartë se do të flakej jashtë. Ai e kishte dëgjuar tepër shpesh shprehjen : « Të mësohesh me idetë tona », dhe nuk ushqente asnjë iluzion ; dhe po të vepronte i udhëhequr nga nocioni i vlerave që i dukeshin tashmë më pak të sigurta në lidhje me bindjen e tij se kishte parë duke u kryer një padrejtësi të përbindshme, e në çfarë do të kishte ndryshuar fati i dëshmitarit të vetëm të dramës, të vetmit dëshmitar të mbetur gjallë deri më sot ? Sidoqoftë, Moise do të varej ; mbetej fakt që ai kishte vrarë. Tony do të vazhdonte të luftonte në terre në emër të një parimi ; të çfarë parimi fundja ? Po të kishte bërë përpara në çastin kur kapteri Denham ngjitej më në fund në makinë, dhe t’i kishte thënë : « Dëgjoni, ju nuk mund të më detyroni të hesht, të fsheh çfarë ka ndodhur. » Po, po ta kishte bërë këtë, siç dhe kishte qenë tunduar, ç’do të kishte fituar ai ? Ishte e qartë se kapteri nuk do ta kishte kuptuar kurrë ; do t’i errësohej balli, zemërimi do t’i tkurrte fytyrën dhe do të kishte dalë nga kurthi duke thirrur : « Të heshtni, për çfarë ? Kush ju ka kërkuar të heshtni ? » Dhe po qe se Tony do të kishte belbëzuar ca fjalë mbi përgjegjësinë e tij, kapteri thjesht do të kishte ngritur supet duke i hedhur Charliet një vështrim domethënës. Tony do të kishte mundur të vazhdonte më tej duke e shpërfillur këtë ngritje supesh dhe këtë vështrim, që e akuzonin se e kishte kuptuar gjithçka mbrapsht : « Po qe se vërtet doni të akuzoni dikë, do të kishte thënë ai, atëherë zgjidhni Zonjën Turner. Ju nuk mund të luani në të dy krahët : të bardhët, ose janë përgjegjës për sjelljen e tyre, ose nuk janë, një vrasje fut në lojë gjithmonë dy vetë, e kam fjalën për një vrasje si kjo këtu, madje edhe pa qenë e mundur që viktima të mbahet si përgjegjëse, nuk ishte faji i saj nëse ajo ishte e ndërtuar kështu ; e kam ndarë jetën time me të tre këta, ndërkohë që asnjëri prej jush nuk e ka bërë këtë dhe po ju them se kjo histori është aq e ndërlikuar sa nuk mund të përshkruhet fajtori i vërtetë. » Atëherë, kapteri do t’i ishte përgjigjur : « Në gjykatë, në ditën e gjyqit, ju do të mund të tregoni gjithçka që ju duket e vërtetë. » Po, kështu do të ishte shprehur ai, a thua se verdikti nuk ishte dhënë tashmë në heshtje, dhjetë minuta më parë, dhe kapteri mbase do të kishte shtuar : « Dënuar ? Kush po flet për të dënuar ?... Nuk është folur për këtë, më duket. Ju nuk mund ta mohoni faktin që ajo është vrarë nga zezaku, apo jo ? » Ja përse Tony nuk tha asgjë dhe vështroi furgonin e policisë që largohej përmes drurëve. Charlie Slatter vinte nga pas me makinën e tij, shoqëruar nga Dick Turner. Tony rrinte vetëm në mes të lirishtës të zbrazur, përballë shtëpisë së braktisur. Hyri aty me hapa të ngadaltë, i përndjekur nga një imazh që i ishte gdhendur thellë gjatë paradites dhe që e shihte si kyçin e tërë çështjes : vështrimet e Slatterit dhe serxhentit që ai i kishte kapur ndërsa ata kundronin kufomën tek këmbët e tyre, vështrime pothuaj histerike që shprehnin zemërim dhe tmerr, nuk i shqiteshin për asnjë çast. U ul dhe çoi dorën te koka e cila dukej gati për të shpërthyer, pastaj u ngrit dhe shkoi të kërkojë në një raft tërë pluhur të kuzhinës, një shishkë farmacie që mbante etiketën « Brandy ». Piu ca gllënjka : gjunjët dhe kofshët e tij kishin zënë të dridheshin, ai ndihej i dobët dhe nuk provonte tjetër veç neveri për këtë barakë të vogël të frikshme që dukej se mbyllte ndërmjet katër mureve dhe deri në tullat dhe çimentin e saj tërë tmerrin dhe mallkimet e kësaj vrasjeje. Befas, e ndjeu se nuk mund të rrinte aty, jo, asnjë minutë më tepër. Ngriti sytë drejt çatisë prej llamarine që shndriste, e nxehur në përvëlim, dhe iu hodhi një sy orendive të zvenitura, pllakave të dyshemesë : ca tulla të pluhurta të mbuluara me lëkura të grisura kafshësh dhe ai u habit që Dick dhe Mary qenë nënshtruar të jetojnë për kaq vite në një vrimë të tillë. Kasollja e vogël e mbuluar me kashtë ku vetë ai kishte jetuar prapa fermës, ishte sigurisht më pak e mjerë. Si kishin mundur ata të rrinin aty ditë pas dite, muaj pas muaji pa hedhur qoftë dhe një tavan përsipër kokave. Cilitdo do t’i kishte luajtur tepeleku i kokës në një vapë të tillë.
Pastaj, duke u ndjerë disi i trullosur (alkooli kishte vepruar në çast nga vetë kjo temperaturë), ai zuri të mendojë se si dhe kur kishte filluar kjo çështje. Slatteri dhe kapteri mundoheshin më kot, Tony ishte i bindur se filli duhej ndjekur mjaft lart, me qëllim që të zbuloheshin shkaqet e dramës ; dhe kjo ishte fundja e vetmja gjë që kishte rëndësi. Çfarë lloj krijese ishte Mary Turner përpara mbërritjes së saj në këtë fermë ku varfëria, vapa dhe vetmia ia kishin humbur mendjen pak nga pak… Po vetë Dick Turner, ç’njeri kishte qenë ? Po zezaku ? I mbërritur në këtë pikë të refleksioneve, Tonyt iu desh t’i pohojë vetes se ai ishte i paaftë të përfytyronte ç’mund të ishin mendimet e një zezaku. E kaloi dorën mbi ballë duke u përpjekur dëshpërimisht, dhe për të fundit herë, që të përfytyronte një tablo të plotë e cila t’i mundësonte formimin e një ideje të qartë mbi vrasjen dhe qëmtimin e saj, në njëfarë mënyre nga rrëmuja dhe misteri që e rrethonin ; por nuk ia arriti ; ishte kjo vapë e tmerrshme, dhe kujtimi acarues i qëndrimit të mbajtur nga të dy burrat vazhdonte ta ngacmonte. Po i merreshin mendtë. « Kjo dhomë është një furrë e vërtetë », mendoi ai i nxehur, por duke u ngritur, mundi të vërejë se e kishte të vështirë të mbahej në këmbë – e megjithatë nuk kishte pirë më shumë se dy lugë gjelle brandy. « Vend i mallkuar, mendoi ai i nxehur paq, e përse djallin duhet të më ndodhte mua kjo histori, mua që sapo kam mbërritur në këtë vend ? Ja ku jam i ngatërruar në këtë çështje të mallkuar aq të vështirë për t’u zbërthyer ; por fundja nuk mund të më detyrojnë të jem gjykatës dhe i betuar, dhe mbi të gjitha, një zot i mëshirshëm ! » Ai doli me një hap të lëkundur dhe u fut në verandë ku natën e kaluar kishte qenë kryer vrasja ; një njollë e kuqërremtë përhapej mbi dysheme, dhe një pellg shiu dukej në ngjyrë të purpurt.
(Doris Lessing)
Comments (0 posted)
Post your comment