Home | Literature | * * *

* * *

image Nobelisti, Mario Vargas Llosa
 Atdheu nuk janë as flamujt as himnet, as fjalimet e stërditura mbi heronjtë emblematikë, por një grusht vendesh dhe personash që popullojnë kujtimet tona dhe i ngjyrosin ato me mall, është afshi dhe ndjesia e nxehtë se, kudo që të jemi, ekziston një vatër në të cilën mund të kthehemi një ditë.

 

 

 

 

 


Përkthyer nga Urim Nerguti

 

 ...

Leximi e shndërronte ëndrrën në jetë dhe jetën në ëndërr, duke afruar pranë djalit të vogël që isha tërë universin e letërsisë. Nëna ime më ka thënë dikur se gjërat e para të shkruara prej meje ishin thjesht vazhdime të historive që i lexoja, ngaqë isha i trishtë që përfundonin aq shpejt, ose ngaqë doja t’ua ndryshoja fundin. Dhe mbase kjo është gjithçka që kam bërë në jetën time, pa e ditur : ndërkohë që rritesha, piqesha dhe mplakesha, unë vazhdoja në kohë historitë që ma kishin mbushur fëmijërinë me dehje dhe aventura.


Do të doja që nëna ime të ishte këtu, nëna ime që ishte gjithmonë e mallëngjyer dhe qante kur lexonte poemat e Amado Nervos dhe të Pablo Nerudas ; do të dija të ishte gjithashtu dhe gjyshi im Pedro, me hundë të gjatë dhe tullë të shndritshme, që m’i lavdëronte vargjet, edhe xhaxhai Lucho që më nxiti aq shumë për t’iu futur shkrimit me mish e shpirt, ndonëse asokohe dhe në atë vend, letërsia i kishte ushqyer aq pak adhuruesit e saj. Përgjatë tërë jetës sime, kam pasur pranë meje këta njerëz që më donin dhe nxisnin, dhe më përcillnin besimin e tyre kur dyshoja. Falë tyre, dhe padyshim falë këmbënguljes sime dhe ndopak fatit, kam mundur t’ia përkushtoj një pjesë të mirë të kohës sime këtij pasioni, këtij vesi dhe kësaj mrekullie : shkrimit, krijimit të një jete paralele ku mund të strukesh mënjanë vështirësive, shkrimit që e bën të natyrshme të jashtëzakonshmen, të jashtëzakonshme të natyrshmen, që fashit kaosin, zbukuron shëmtinë, përjetëson çastin dhe e bën vdekjen një shfaqje kalimtare.


Letërsia e mirë zgjat ura mes njerëzish të ndryshëm dhe, duke na dhënë kënaqësi, vuajtje apo befasi, na bashkon përtej gjuhëve, bindjeve, zakoneve dhe dokeve apo paragjykimeve që na ndajnë. Kur balena e madhe e bardhë fundos Achabin në det, zemra e lexuesve mblidhet njëlloj në Tokio, Lima apo Tombuktu. Kur Emma Bovary gëlltit arsenikun, kur Anna Karenina hidhet në shinat e trenit dhe Julien Soreli ngjitet në gijotinë, dhe kur në Jug të Borgesit, doktori i mirë Juan Dahlmann del nga një kafene e pampas për t’u ndeshur me thika me një vrasës, apo kur kuptojmë se të gjithë banorët e Comalas, të këtij fshati të Pedro Paramo, janë të vdekur, rrëqethja që na përshkon është e njëjtë tek një lexues që adhuron Budën, Konfucin, Krishtin, Allahun apo është agnostik, e sido që të jetë i veshur, me kostum-kollare, me xhellaba, me kimono apo me bombachas. Letërsia krijon një vëllazëri brenda larmisë njerëzore dhe i errëson kufinjtë e ngritur mes burrave dhe grave, kufinj këto të ngritur nga padituria, ideologjitë, fetë, gjuhët dhe marrëzia.Nuk jam ndjerë kurrë i huaj në Europë dhe, ç’është e vërteta, askund gjetkë. Në vendet ku kam jetuar, në Paris, Londër, Barcelonë dhe Madrid, Berlin, Uashington dhe Nju-Jork, në Brazil apo në Republikën Dominikane, jam ndjerë si në shtëpinë time. Kam gjetur gjithmonë një strehë ku mund të jetoja në paqe dhe të punoja, të mësoja gjëra, të ushqeja iluzione, të takoja miq, të lexoja gjëra të mira dhe të gjeja subjekte shkrimi. Mua nuk më duket se kjo që jam bërë, pa ma propozuar, qytetar i botës, të ketë dobësuar atë çfarë quhet « rrënjët », lidhjet e mia me vendin tim – diçka kjo që nuk do të kishte ndonjë rëndësi të madhe –, sepse po të kishte qenë kështu, përvojat peruane nuk do të vazhdonin të ushqenin shkrimin tim dhe nuk do të shfaqeshin gjithmonë në historitë e mia, edhe kur ato duket sikur zhvillohen mjaft larg Perusë. Besoj se të jetuarit tim për një kohë të gjatë jashtë vendit ku jam lindur, i ka forcuar më tepër këto lidhje, duke iu bashkuar atyre një këndvështrim më të kthjelltë, dhe mallin i cili di ta bëjë dallimin mes rastësores dhe thelbësores dhe i mban të gjalla kujtimet. Dashuria për vendlindjen nuk është një detyrim por, si çdo dashuri tjetër, është një lëvizje e vetvetishme e zemrës, si ajo që bashkon dashnorët, prindërit dhe fëmijët e tyre, dhe miqtë ndërmjet njëri-tjetrit.


Peruja, që unë e mbaj në rropullitë e mia sepse jam lindur atje, rritur dhe formuar, atje kam jetuar fëmijërinë dhe rininë që më kanë modeluar personalitetin, skalitur prirjen, dhe atje kam dashuruar, urrejtur, gëzuar, vuajtur dhe ëndërruar. Çfarë ndodh atje më prek nga mjaft afër, më mallëngjen dhe më acaron më tepër se askund tjetër. Nuk e kam kërkuar unë këtë, as ia kam vënë vetes për detyrë, por thjesht është kështu.

 ...

 

MARIO VARGAS LLOSA

Fragment nga Fjalimi i mbajtur në Stockholm, më 7 Dhjetor 2010,
me rastin e marrjes së Çmimit Nobel

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
5.00