Historia përsëritet
Historia përsëritet shekull pas shekulli, por njeriu s'mëson asgjë. Luftrat nuk janë ndonjë shpikje e re. Qysh n ere. Qysh në kohët e Homerit, trojanët vriteshin me helenët për shkakun e një gruaje të bukur.
Nonda Bulka
Vit për vit po ai avaz. Amerika kërkon paratë, Europa s'ja jep. Por sivjet Europa u tregua më edepsëze se kurrë nonjëherë. Se jo vetëm që s'pagoi, por dhe u tall. Kështu çështja e borxheve u mbyll njëherë e përgjithënjë. Amerika do të vazhdojë t'i kërkojë. Europa do të vazhdojë të mos i paguajë. Dhe kështu do vijë një ditë që, hem Amerika do të lodhet së kërkuari, hem Europa do të mërzitet duke u përgjigjur - Jo!
Mund të vijë një kohë që të pëlcasë në kontinent një luftë e dytë si ajo e 14-ës. Përsëri Europa do t'i kërkojë borxh Amerikës. Dhe Amerika do t'i japë. Kur të mbarojë lufta, Amerika do t'i kërkojë paratë Europës dhe Europa do t'i përgjigjet: "Hip këtu të shohësh Stambollin". Dhe komedia e borxheve do të persëritet; gjithashtu dhe historia.
Historia përsëritet shekull pas shekulli, por njeriu s'mëson asgjë. Luftrat nuk janë ndonjë shpikje e re. Qysh n ere. Qysh në kohët e Homerit, trojanët vriteshin me helenët për shkakun e një gruaje të bukur.
Sot vriten për asgjë, ose më mirë, për mustaqet e diplomatëve. Luftrat, rrëmullat, krizat politike dhe financiare, batakçillëket, gënjeshtrat, s'janë ndonjë shpikje e re. Por mënyra e të vrarit dhe e të grabiturit ndryshoi formë dhe "syfet". Qëmoti vriteshin me thika ose me "harqe" me "kapsollinj" ose me "shtiza". Sot vriten me mitraloza, bomba dhe dinamit. Më vonë, sigurisht, do të fillojë vrasja me "mikrobe" të helmuara. Dhe njeriu shpik sa mund. Dhe shpikja vret njerinë. Tamam si ai krimbi i mëndafshit që hap varrin e vet. Por krimbi i mëndafshit s'ka mend. .. Kurse njeriu, jo vetëm që ka sa të hanë qentë, por shumë herë, kur i teprojnë, "shet" me një çmim shumë të arsyeshëm.
Megjithatë, historia e së shkuarës s'na ka dhënë as më të voglin mësim. Djemtë e korbit sa venë e nxihen.
Botuar më 1934
Comments (0 posted)
Post your comment