* * *
Ra dielli e ndriti dhenë e ri, rrajë të shkyeme, lisa të përçamë e sosjen në vetëdijen time.
Martin Camaj
Verës sa nji mëngjes me vesë
nuk ia pau kush ballin simjet
me sy të përlotun të sjellun
kah mali.
Vjetit nuk i mungon asnji ditë
në kalendar e i dhimbet
e mbramja pikë e dyllit në djegie:
e sotmja ka ndijen e dridhjes
së fletëve të shqemes
para dhambëve të sutës.
MAL I RRËXUEM
Në orën gjashtë t’agimit
i qindronte aty shtërgatës.
Në mjesditë u shkoq pylli,
mollza e faqes, e ra në lumë.
Ra dielli e ndriti dhenë e ri,
rrajë të shkyeme, lisa të përçamë
e sosjen në vetëdijen time.
Banorët e malit përballë pyetën:
vend i brishtë, ku t’i fshehim sytë
në ballin tand pa lisa?
KALLNORI APO VETMIA
Dhé, brej e bjeshkë randue me borë
e hej akulli.
Bisha n’krahnor e zanun
rri ngusht e fle pa gjurmë përmbas
me kthetra kthye në lëkurë
nën mish.
Gardhi i rrëzuem mbi shteg
e qafa malesh përreth
të mbylluna me dhambë ujqish
në jerm.
Comments (0 posted)
Post your comment