John Banville
E vërteta është qe ne e duam shumë gjuhën tonë, kemi prirje për t’u mrekulluar si fëmijë nga ajo, dhe ne duhet të qetësohemi vazhdimisht për të mos u rrëmbyer nga gjuha.
Perkthyer nga frengjishtja
Urim Nerguti
Fakti që jeni një shkrimtar irlandez, a ju jep kjo një qasje tjetër të gjuhës angleze ?
Ne të tjerët, romancierë irlandezë, kemi një marrëdhënie tejet problematike me gjuhën angleze. Anglishtja nuk është gjuha jonë, ne nuk jemi aty në shtëpinë tonë, edhe pse e kemi që prej shumë shekujsh. Kjo është një gjë shumë e mirë. Kjo na përcjell për ta hulumtuar këtë gjuhë, për të qenë të befasuar nga ajo. Gjuha irlandeze është krejt ndryshe nga anglishtja. Madje është e vështirë të gjenden dy gjuhë kaq të pangjashme. Irlandishtja është tejet e tërthortë, madje nganjëherë mendoj se ajo është më tepër një mënyrë për t’u shmangur sesa për të komunikuar… Eshtë mjaft e vështirë të thuash diçka drejtpërdrejt në irlandisht. Për shembull, nuk ka vërtetë një fjalë të përcaktuar për të thënë jo… Por anglishtja ka qenë një gjuhë e menduar për të dhënë urdhëra. Pak a shumë si latinishtja e Perandorisë romake, një gjuhë e bërë për pushtime. Kjo anglishte është mbivendosur ndaj ndjeshmërisë sonë irlandeze, çka kjo ka shkaktuar tensione, por dhe një gjuhë letrare jashtëzakonisht të pasur. Një shkrimtar anglez do të përpiqet të jetë po aq i qartë sa e mundur. Por një Irlandez, jo. Mirëpo ne botojmë në Londër dhe varemi nga kritikët anglezë, që shumica i shohin romanet irlandeze si orvatje të dështuara romanesh angleze… Por një roman irlandez është diçka krejt ndryshe nga një roman anglez, sado e vështirë që kjo të jetë për t’u kuptuar… Megjithatë, mjafton të shohësh gjuhën e Joyce, të Yeats, të Beckett, të Oscar Wilde dhe do të kuptosh sa gjuhë të mrekullueshme kemi krijuar ne duke u nisur nga anglishtja ! E vërteta është qe ne e duam shumë gjuhën tonë, kemi prirje për t’u mrekulluar si fëmijë nga ajo, dhe ne duhet të qetësohemi vazhdimisht për të mos u rrëmbyer nga gjuha.
Max, rrëfyesi juaj, rikthehet vazhdimisht mbi huajësinë e gjuhës, vështirësinë për t’i zgjedhur fjalët. A jeni ju kaq i ndjeshëm ndaj këtij kundërshtimi të gjuhës ?
Max është një njeri në mes të krizës. Ai ka qenë detyruar të rishqyrtojë gjithçka në jetën e tij, për shkak të vdekjes së bashkëshortes, kësaj fatkeqësie të madhe në mjedisin e jetës së tyre të përbashkët, që e ka lënë të topitur. Gjithçka e kap në befasi, gjithçka e fut në mendime, përfshirë këtu dhe gjuhën. Por unë mendoj se për artistin, kjo është një gjendje e përhershme. Jam gjithmonë i goditur keq nga fjalët. Është e çuditshme të ulesh në një dhomë, të kruash kokën, të pish një kafe, të jesh krejt njerëzor, por në të njëjtën kohë duke shkruar fjali të bukura dhe të paarritshme. Në njëfarë mënyre, një artist nuk është njerëzor, ai është papushim duke tejkaluar vetveten. Ai përpiqet të jetë një zot… Por unë besoj gjithashtu se ne jemi diçka më pak se njerëzor : neve na mungon një kromozom që nuk arrijmë kurrë ta zëvendësojmë. Për shkrimtarin, një përvojë e vështirë është gjithnjë më pak e rëndë se për një tjetër. Një mjek ju thotë që ju keni një kancer, ju i lëshoni krahët poshtë, por ka gjithmonë një pjesë të vogël brenda jush që thotë :« Do ta shkruaj këtë një ditë». Mendoj se një artist nuk i ndjen gjërat njëqind për qind. Dhe kjo nuk është një mënyrë e mirë për të jetuar.
Max do të dëshironte ta shihte veten si kritik arti, dhe romani është ndërtuar si një sërë tablosh të vogla. Në çfarë mase ndikon piktura në shkrimin tuaj ?
Max është një fillestar që bën si kritik. Kam qenë mahnitur gjithmonë nga arti i pikturës sepse ai është arti i sipërfaqes, dhe vetëkuptohet pa e thënë që këtu qëndron thellësia e vërtetë… Jam një shkrimtar i imtësirave, më pëlqen që proza ime të jetë e dendur dhe stili im impresionist. E megjithatë, nuk kam qenë i vetëdijshëm, përpara se të shkoj në gjysmë të librit, mbi ndikimin e madh që kishte në rrëfim piktori Pierre Bonnard, mbi të cilin Max do të kishte dashur të shkruante një ese. Dhe vetëm pasi i kam dalë në fund, kam kuptuar se Max nuk bënte tjetër veçse portrete njerëzish dhe vendesh. Kur ai flet për të shoqen e tij në banjo, as që e kisha vënë re ngjashmërinë me serinë e madhe të Bonnard mbi të shoqen e tij në banjo. Në të shumtën e kohës, nuk dimë çka bëjmë. Të gjithë, edhe vetë romancieri, kujtojnë se ai mban timonin, por në të shumtën e kohës kjo ndodh si në një ëndërr.
Ju jeni duke punuar për përshtatjen e Deti në ekran. Si punoni ju ?
Çka është e habitshme në ripunimin për në ekran, është kur sheh se çdo replikë është disi e rreme dhe ka nevojë të rishkruhet për ekranin. Për kinemanë, ju duhet të shkruani në një mënyrë tejet të sheshtë, dhe iu takon aktorëve që të sjellin aty frymën e jetës. Nuk duhet dialogje tepër të zjarrta apo të thella…
Çfarë janë ndikimet tuaja kryesore letrare ?
Më pëlqen më tepër të flas për admirime. Një stil i madh është gjithmonë i papërsëritshëm, duhet të jesh i vëmendshëm për të farkëtuar zërin tënd të veçantë. Por për aq sa të gjithë autorët irlandezë janë pasardhës të Joyce apo Beckett, unë do të isha më tepër në anën e Beckett. Kur isha i ri dhe e lexoja, thosha me vete që kishte aty një magji që nuk kishte mundur të përftohej nga një qenie njerëzore. Tani që jam mplakur, e shoh më tepër si është bërë, shoh punën nga prapa. Megjithatë, kur rilexoj E parë keq e thënë keq, që për mua është ndoshta rrëfimi i tij më i madh, magjia mbetet. Më pëlqen gjithashtu energjia e shkrimtarëve amerikanë, dhe ua kam lakmi gjuhën. Anglishtja e Amerikanëve ngjan me atë çka ka mundur të jetë anglishtja elisabethiane për Shakespeare : një gjuhë në zhvillim të përhershëm.
Çfarë ka qenë për ju fakti që keni marrë Çmimin Booker Prize ?
Jam kënaqur shumë, e kotë ta mohoj ! Eshtë pak a shumë si një fëmijë në një kurt shkolle dhe befas fiton një çmim të parë në një garë… Kjo lejon gjithashtu që libri të kapë nëj publik ende më të gjerë. Mendoj se një autor ka dyqind lexues, nëse ka pak fat. Por nëse ju mund të kaloni nga dyqind në katërqind lexues falë Booker Prize, kjo është e mrekullueshme ! Dhe sigurisht, më ka pëlqyer që e kam fituar sepse kjo ka nxehur mjaft njerëz në botën letrare britanike… Por, përsa i përket mënyrës sime për ta parë vetë punën time, kjo nuk sjell asnjë ndryshim.
Ku jeni me romanin tuaj të ardhshëm ?
Kam shkruar pesëdhjetë mijë fjalë dhe do të jetë një kryevepër absolute, libri më i mirë i shkruar ndonjëherë. Është ende në këtë stad. Kur ju arrini në gjashtëdhjetë mijë, ju thoni me vete: « Oh Zot, e urrej këtë gjë, pra nuk do të mbarojë kurrë! » (Të qeshura.) Jam si një fëmijë me lodrat e tij, zhvillohem në një mjedis krijesash të mrekullueshme ; sigurisht, sapo ta kem mbaruar librin, e kuptoj sa gjysmake janë ato…
Dhe me kohën ?
I urrej librat e mi, të gjithë. Më kuptoni mirë, më pëlqejnë më shumë se të kujtdo tjetër ! (Të qeshura.) Por ata nuk janë në lartësinë e asaj çka do të kisha dashur. Madje besoj se kjo është e nevojshme për të ecur përpara. Kur e pyesnin Iris Murdoch përse kishte shkruar kaq shumë libra, ajo përgjigjej: « Çdo libër duhet të shfajësojë të mëparshmit ! » Nejse, shakatë mënjanë, ka këtu një pjesë të vërtete : ju filloni të mendoni vërtetë se çdo libër do të fshijë të gjithë gabimet e bërë në të kaluarën. Jam i përndjekur nga fantazma që të hyj në një librari, të përplas gishtat dhe që germat e librave të mi të fshihen njëherë e mirë, në çast, si me magji ! Atëherë mund të rifilloj gjithçka dhe të bëj më në fund diçka për të qenë… Beckett thoshte se na duhet të dështojmë dhe të dështojmë, por të dështojmë gjithnjë e më mirë. Arti është fryt i punës, nuk besoj fare në frymëzimin.
Comments (0 posted)
Post your comment