Elegji
Përse dëgjimi im nuk di më të dallojë të vërtetën dhe gënjeshtrën, ai do fjalë të reja, të mbytura, të huaja, që ti nuk i njeh...
Përkthyer nga Urim Nerguti
Mikesha ime e mirë, është gjithmonë e njëjta
kafene, e njëjta shkarravitje mbi mure,
të njëjtat çmime… Vera, a mos është më e mirë ?
Nuk besoj. Jo, as më e mirë as më e keqe.
Asnjë përparim, dhe është shumë mirë kështu.
Vetëm piloti i avionit të postës
pi, engjëll i rrëzuar.
Violinat
vazhdojnë të turbullojnë, si zakonisht,
imagjinatën time.
Në dritare,
të bardha si virgjëria, çatitë.
Këmbanat bien. Bën tashmë terr.
Përse ke gënjyer ?
Përse dëgjimi im
nuk di më të dallojë të vërtetën
dhe gënjeshtrën, ai do fjalë të reja,
të mbytura, të huaja, që ti nuk i njeh
por që nuk mund të shqiptohen tjetër
veçse nga zëri yt, si më parë…
Varreza Çifute
Varreza çifute pranë Leningradit.
Një gardh i çalë dërrasash të kalbura.
Dhe prapa gardhit dergjen përbri
Juristë, tregtarë, muzikantë, revolucionarë.
Ata kanë kënduar për veten e tyre.
Janë pasuruar për veten e tyre.
Kanë vdekur për të tjerët.
Ata i kanë paguar gjithmonë taksat e tyre,
kanë respektuar rregulloren,
Dhe në këtë botë lëndore si një udhë qorre
Ata komentuan Talmudin
dhe mbetën idealistë.
Ndoshta kanë parë përtej realitetit.
Ndoshta kanë besuar verbërisht.
Por ata i kanë mësuar fëmijët
të jenë të duruar
të bëhen kokëfortë.
Nuk kanë mbjellë grurë,
Nuk kanë mbjellë kurrë grurë.
Thjesht janë shtrirë në tokë
si farë,
Janë përgjumur për shekuj me rradhë,
mbuluar nën pluhur,
dhe për ta janë ndezur qirinj,
në ditën e faljes së madhe
pleq të uritur me zë të mprehtë
duke dhënë shpirt nga të ftohtit ulërinin për paqen e tyre të përjetshme.
Dhe e kanë gjetur,
në shpërbërjen e lëndës.
Pa u kujtuar për asgjë.
Pa harruar asgjë.
Prapa gardhit me dërrasa të kalbura.
Katër kilometër pas stacionit të fundit të tramvajit.
(Brodsky)
Comments (0 posted)
Post your comment