* * *
Por në vend që të vëzhgoja, pata dobësinë të kthehem me mendje drejt tjetrit, drejt burrit me shkop. Dhe atëherë qenë përsëri mërmërimat. Të sjellin heshtjen, ky është roli i sendeve.
Përkthyer nga Urim Nerguti
Ishte një zotëri, kjo shihej. Po, ishte një pomeranian i portokallinjtë, sa më shumë e sjell ndërmend, aq më shumë jam i bindur. E megjithatë. Mirëpo, ky zotëri, a mos do të kishte ardhur nga larg, pa kapele, me nallane, një cigare në gojë, i ndjekur nga një pomeranian ? A nuk dukej ai më tepër si i dalë nga rrethinat aty pranë, pas një darke të mirë, për të shëtitur veten dhe qenushin e tij, duke ëndërruar dhe pordhur, siç bëjnë kështu mjaft qytetarë, kur bën kohë e bukur ? Po kjo cigare, a mos ishte ndoshta një cigarishte, dhe këto nallane, a mos ishin këpucë me thumba të zbardhura nga pluhuri, dhe ky qenush, çfarë e pengonte që të mos ishte një qen endacak që e gjejmë në rrugë dhe e marrim në krah, nga dhembshuria ose ngaqë jemi endur për një kohë të gjatë pa tjetër shoqëri se këto rrugë pa fund, këto rëra, zallishte, këneta, shkurraja, se kjo natyrë e cila varet nga një drejtësi tjetër, se ndonjë bashkë-rob i rrallë të cilit do të donim t’i qaseshim, ta përqafonim, ta mjelnim, t’i jepnim gji, dhe që e kryqëzojmë, sytë të vrenjtur, nga frika mos ai i lejon vetes ca familjaritete. Deri ditën kur, duke mos mundur më, në këtë botë që për ju është pa krahë, ju mbërtheni në krahët tuaj qentë e zgjebosur, i mbartni aq kohë sa duhet që ata t’ju duan, që ju t’i doni, dhe pastaj i hidhni. Ndoshta ai ishte në këtë pikë, pavarësisht dukjeve ndryshe. Ai u zhduk, gjënë tymosëse në dorë, kokën të ulur mbi gjoks. Të shpjegohem. Nga sendet që janë në zhdukje e sipër, unë i shmang vështrimet e mia shumë më përpara. T’ua ngulis sytë deri në çastet e fundit, jo, këtë nuk mundem. Dhe është në këtë kuptim që ai u zhduk. Sytë gjetkë, unë mendoja për të, thosha me vete, Ai po zvogëlohet, po zvogëlohet. E dija ç’po thosha. E dija se do të mund ta arrija, ndonëse i gjymtuar siç isha. Nuk kisha tjetër veç ta dëshiroja këtë. E megjithatë jo, sepse dëshiroja. Të ngrihesha, të dilja në rrugë, të hidhesha duke çaluar në ndjekje pas tij, ta thërrisja, e çfarë ka më të lehtë se kjo. Ai i dëgjon thirrjet e mia, kthehet pas, më pret. Jam ngjitur me të, ngjitur me qenin e tij, duke dihatur, midis patericave të mia. Ai ka pak frikë, pak mëshirë për mua. E neveris pak. Nuk jam i hijshëm për t’u parë, nuk bie erë të mirë. Çfarë dua unë ? Ah ky ton që e njoh, përzierje frike, mëshire, neverie. Dua të shoh qenin, të shoh burrin, nga afër, të di çfarë tymos, të vëzhgoj këpucët, të zbuloj shenja të tjera. Ai është i mirë, më thotë kështu e ashtu, më mëson gjëra, nga vjen, ku shkon. E besoj, e di se kjo është mundësia ime e vetme për – mundësia ime e vetme, e besoj në gjithçka që më thonë, nuk ua kam vënë veshin kurrë në jetën time të gjatë, kurse tani gëlltis gjithçka, me uri. Ajo për çfarë kam nevojë janë historirat, kam humbur një kohë të gjatë për ta marrë vesh këtë. Madje dhe nuk jam fort i sigurtë. Kështu që ja, jam i ngulitur mbi disa gjëra, di ca gjëra mbi të, gjëra që nuk i dija, që më mundonin, madje gjëra nga të cilat nuk kisha vuajtur. Çfarë gjuhe. Madje jam i aftë të marr vesh çfarë zanati ka, unë që interesohem aq shumë për zanatet. Edhe të thuash që bëj çka mundem për të mos folur për mua. Pas pak do t’ju flas për lopë, për qiellin, do ta shihni. Atëherë ja, ai më braktis, është me ngut. Nuk dukej i nxituar, po shëtiste, e kam thënë tashmë këtë, por pas tre minutash bisedë me mua, ai është me ngut, duhet të nxitojë. E besoj. Dhe jam përsëri jo vetëm fare, jo, nuk jam kështu, por si ta them, nuk e di, i dorëzuar ndaj vetes, jo, nuk e kam braktisur kurrë veten, i lirë, ja, nuk di ç’do të thotë kjo por kjo është fjala që mendoj të përdor, i lirë të bëj diçka, të mos bëj asgjë, të di, por çfarë, ligjet e ndërgjegjes ndoshta, të ndërgjegjes sime, që për shembull uji ngjitet po aq sa zhytemi në të dhe se do të bënim më mirë, le të themi po aq mirë, që t’i fshijmë tekstet sa dhe t’i nxijmë hapësirat anash, t’i mbyllim me mur derisa gjithçka aty të jetë e bardhë dhe e lëmuar dhe idiotësia të marrë fytyrën e saj të vërtetë, një gjë pa kuptim dhe pa rrugëzgjidhje. Bëra mirë pra, le të themi po aq mirë, që nuk u ngrita nga vendi im i vëzhgimit. Por në vend që të vëzhgoja, pata dobësinë të kthehem me mendje drejt tjetrit, drejt burrit me shkop. Dhe atëherë qenë përsëri mërmërimat. Të sjellin heshtjen, ky është roli i sendeve. Thosha me vete, Kushedi mos nuk ka dalë thjesht për të marrë pak ajër, të shkrythet, të çmpihet, të lehtësojë pak trurin duke e bërë gjakun të zbresë këmbëve, me qëllim që të sigurojë një natë të qetë, një zgjim të lumtur, një të nesërme ngazëllyese. Por a mbarte ai një trastë ? Por këtë ecje, këto vështrime të ankthshme, këtë shkop, a mund t’i pajtojmë me idenë që ne kemi mbi një shëtitje të vogël ? Por kjo kapele ishte një kapele qyteti, e vjetër por ama qyteti, që edhe era më e vogël do ta flakte larg. Veç në mos qoftë e lidhur poshtë mjekrës, me një lidhëse apo llastik. E hoqa kapelen time dhe e vështrova. Një lidhëse e gjatë e lidh atë, qysh prej gjithmonë, me të çarën lart në jakën e kthyer, gjithmonë e njëjta e çarë, cilado qoftë stina. Jetoj pra ende. Është mirë ta dish këtë. Dorën e cila kishte mbërthyer kapelen dhe që e mbante ende, unë e largova prej meje po aq sa e mundur dhe e bëra të përshkruajë ca harqe. Duke bërë këtë, ula sytë drejt astarit të palltos dhe e pashë tek hapej dhe mbyllej. Tani e kuptoj përse nuk mbaja kurrë lule në këtë të çarë, mjaft e gjerë megjithatë për të zënë një buqetë të tërë. Ajo ishte e caktuar për kapelen. Ishte kapelja ime ajo të cilën lulëzoja. Por nuk është as për kapelen dhe as për pallton kjo që dëshiroj të flas tani, do të ishte e parakohshme. Padyshim që do të flas më vonë për to, kur të jetë fjala të bëj listën e plaçkave të mia. Në mos i humbsha deri atëherë. Por edhe të humbura, do ta kenë vendin e tyre, në listën e gjërave të mia. Por jam i qetë, nuk do t’i humbas. As patericat nuk do t’i humbas. Ndoshta do t’i hedh një ditë.
Fragment nga "MOLLOY" i Samuel Beckett
Comments (0 posted)
Post your comment