* * *
Mund t'a ndrrojsha krejt jetën t'eme me nji ditë të vetme lumnije që mund të më fali ai, ai që ka në dorë çilsat e Parrizit t'em.
Haki Stërmilli
20 Prill
Lulet m'i kanda fort. Ato tash kanë nisë me dhanë shtat. Shinat e simjetshëm, që ranë në gjysmën e fundit të Marsit, e penguen zhvillimin e tyne. Vetëm nashti kanë fillue me u mkambë e me u-forcue. Sot mbas dreke isha ulë në mes të tyne dhe po lexojsha nji libër që më huajti Irena. Qershia, ku e kisha mbështetë kryet, ka çelë lule dhe ka nisë me lidhë kokra. Në nji degë të sajë kish zanë vend nji bilbil dhe po këndonte mallëngjyeshëm. Ndoshta ai s'këndonte, por qante. Kush e din. Ndoshta ai i vargëzonte vjersha trandafilit dhe e vajtonte mbarimin tragjik të vetëhes që do të ketë tue u therrë nga ndonji gjemb i tij. Po t'a dijsha gjuhën e tij do t'a kuptojsha mirë poetin e zoqve dhe sigurisht do të merrsha vesht se edhe zemra e tij, ndoshta ma shum se e emja, lëndon nga dashunia që e ka pushtue. Mblodha nji tubë lule për t'i vu në kthinën t'eme. Oh sa do të dëshirojsha të mbledh edhe për Shpendin nji tufë. A thue se do të vijë nji ditë q'ai të kërkojë me m'a kënaqë zemrën tue më dhurue tuba lulesh të mbledhuna nga kopshti i shpirtit dhe i zemrës së tij? Kush e din. Atë ditë do të isha femna ma e lumtun e botës dhe kurrkuj nuk do t'i kisha zili. Mund t'a ndrrojsha krejt jetën t'eme me nji ditë të vetme lumnije që mund të më fali ai, ai që ka në dorë çilsat e Parrizit t'em. Mora nji lule dhe nisa me i a këputë fletët, ashtu si bante dikur Irena, për të provue se a më dashunon apo jo dhe tue thanë: po, pak, aspak shpitrnisht. Tue i shqiptue këto fjalë, që për mue kishin nji fuqi mystike, vazhdova t'i këpus fletët e lules dhe arrina në gjethin e fundit me fjalën: Shpirtnish. Me gjith që e dij se bestydnia asht krijesa e imagjinatave të sëmuna, kësaj rradhe më pëlqeu t'a besoj profetin që bani fleta e lules dhe më kërceu zemra prej gëzimit. Oh se ç'qenka dashunia. Ajo të baka foshnje, të marrë e të mjerë, por njikohësisht edhe të lumtun. Po, se edhe dashnori i mjeruem nga fati i lig, sigurisht do të jetë i lumtun dhe e kënaqë zemrën me të vetfnen nënqeshje që ka marrë dikur nga ajo që e ka futë nën zgjedhën e saj të florintë. Edhe un ndoshta do t'i kujtoj me mall të zjarrtë dhe me urim përsëritjeje ato të paka nënqeshje që më ka dhurue, ndoshta pa dashas, Shpendi i em. Ndoshta do të jem nji e mjerë e lumtun tue u përshkue përmes mendimeve përvëluese, por përnjiherë edhe argëtuese e shijuese. Ndoshta.
24 Prill
Irena u fejua sot me Zefin, me at që dashunohesh prej kohesh. Ajo asht dhe duhet të jetë e lumtun, mbasi shkeli në prakun e asaj jete që pat lakmue e andërrue për vetëhe. Shumë të rij i hudhin letrat, i djegin fotografit dhe i hanë me bukë premtimet që u napin dashnoreve, por Zefi duel besnik dhe nuk trathtoi. Kjo besniki provon se përnjimend e dashunon Irenën dhe se lumnia e tyne asht e garantueme prej zemrave që rrafin për njena tjetrën. Të pakë e të rrallë janë ata djelm që me të vërtetë derdhin lot për dashnoret e tyne. Të shumtët kërkojnë dashuni nate, nji dashuni të përkohëshme e trashamane. Ka gjithashtu shumë mashkuj që i ndrrojnë dashnoret me atë lehtësi që i këmbejnë robet e shtatit dhe mandej s'çajnë kryet për to. Ka plot të rij që tinzisht përpiqen t'a spekulojnë sinqeritetin e femnave për t'i shkullue burimet e tyne të nderit; ka asish që premtojnë
shumë e me bujari të madhe por s'apin kurrgja; ka edhe t'atillë që me shkathtësin e nji akrobatit vërsulen mbi femnat për me i gjuejtë zemrat e tyne me shigjetën e dashunis që mandej të munden me i mposhtë me lehtësi. Dhe, ma fort se kushdo tjetër, këta njerës që kanë zemra elastike guxojnë me e akuzue femnën tue thanë se asht dreq. Dreq apo engjëll asht femna? Ajo krijesë që krijon tue u bamë nanë, ajo që rrit dhe edukon fëmij me nji durim shembëlluer, ajo që lidh plagë shtati e zemre, ajo që asht burim i pashterrun ngushullimi, dashunije e dhimshunije qenka dreq? Do të ishte mirë sikur t'ishte dreq kundrejt këtyne typave, por nuk asht se... se natyra e ka krijue për engjëll. Zefi s'ban pjesë në këtë kategori të bastardhueme. Ai asht i dejë për Irenën e mirë e të bukur. Un marr pjesë në gëzimin e tyne ashtu si merr motra për vëllan e motrën. Irenën nuk' e penguen prindët e vet në zgjedhjen e shokut të jetës. Ata e kryen detyrën e tyne tue u kufizue vetëm në qortime e këshilla, por kurrë nuk e urdhënuen e nuk e shtrënguen që të martohesh me ndonji tjetër, ashtu si bajnë shumë prindë në vendin t'onë. Xha Simoni e Mamë Gjystina mendojnë krejt ndryshe dhe nuk u gjasojnë prindëvet t'onë. Ata besojnë se e drejta e zgjedhjes së shokut të jetës i përket atij ase asaj që do të martohet, pse vetëm ai ase ajo do t'a shijojë hidhësinën ase ambëlsinën e këtij vendimi. Me fjalë tjera, ata nuk duen me marrë përgjigjësi morale para atyne që do të martohen. Sa mirë se? Ata që martohen, simbas mendësis së Xha Simonit e Mamë Gjystinës, lypset të jenë në gjendje që t'a çmojnë randësin e veprës dhe t'i kuptojnë kshillat drejtuese e ndriçuese të prindëvet të vet. Për ndryshe paçin vetëhen më qafë.
Fatin e Irenës kisha me i a urue edhe vetëhes, por kush e din se ç'ka rezervue destini për mue. Ndoshta edhe Shpendi asht shoku i atyne djelmave që përmenda ma sipër. Ndoshta ai asht edhe ma i lig se ata e nuk don të dijë për atë zemër që lëngon prej shigjetave që i nguli ai me syt e tij. Por jo. Ay asht i mirë, i urtë, i pastër, i ndershëm dhe i... papërlyem nga veset e liga.
Fragment nga "Sikur te isha djale" i Haki Stermillit
Comments (0 posted)
Post your comment