Home | Literature | Dy fjale mbi Carver ne shqip

Dy fjale mbi Carver ne shqip

image
Sapo ka dale nga shtypi ne Tirane, permbledhja e novelave "Çfarë dëshironi të shihni ? " te  Raymond Carver. Librin mund te gjeni ne librarite  kryesore te Tiranes.



Kur kam marrë në dorë, për herë të parë, përmbledhjen e novelave "Çfarë dëshironi të shihni ?" të Raymond Carver, njërit prej novelistëve më të mëdhenj (ndoshta më i madhi, së bashku me J.D. Salinger) amerikanë të fundshekullit të XX-të, nuk kam mundur të mos lëshohem në një melankoli të thellë, gjendje kjo e përftuar pak nga pak ndërsa faqet kalonin, e ndërsa shihja se jeta, nën penën e Carver, është sa e bukur aq dhe e trishtë.
Bëhet fjalë për pesë novelat e fundit të Carver, botuar pas vdekjes nga bashkëshortja e tij, Tess Gallagher, ajo vetë poete dhe njeri i letrave, pesë novela që kanë qenë gjendur rastësisht gjatë hulumtimeve të letrave të tij të shumta, të lëna lart e poshtë.

Raymond Carver, lindur më 1938 në shtetin Oregon të SHBA-ës, ka kaluar një fëmijëri të vështirë mes një babai sharrtar dhe një nëne herë shitëse e herë shërbyese. I martuar tetëmbëdhjetë vjeç me një vajzë të re gjashtëmbëdhjetë vjeçe tashmë shtatzanë, ai bëhet dy herë baba në moshën njëzet vjeç. Në një gjendje të vështirë financiare, ai detyrohet të bëjë gjithfarë punësh si roje, shitës apo punëtor sharre. E shoqja e tij, shërbyese, sekretare dhe më vonë mësuese.

Pas shpërnguljes së tyre në Kaliforni, Carver fillon të interesohet ndaj shkrimit dhe vazhdon studimet në Universitetin Shtetëror të Chico, pastaj në Universitetin Humboldt në Kaliforni dhe së fundi në Universitetin e Iowa. Novelat e tij të para fillojnë të botohen në revista të ndryshme. Pas lulëzimit të karrierës së tij si shkrimtar, ai jep mësim në universitete të ndryshme dhe veçanërisht në Universitetin e Sirakuzës, si Profesor i anglishtes. Kësaj periudhe i përkasin dhe shkrimet e shumta kritike mbi botimet e reja të asaj kohe.

Gjithsesi, gjatë tërë këtyre viteve ku ai përpiqet të punojë majtas-djathtas dhe njëkohësisht të shkruajë, ai fillon të pijë në atë masë sa ai shprehet vetë që alkoli ishte bërë një problem në jetën e tij, ngaqë pjesën më të madhe të kohës e kalon para një gote. Megjithatë, arrin të shkëputet nga kthetrat e alkolit falë Shoqatës së Alkolikëve Anonimë.
Pasi ndahet më 1982 nga bashkëshortja e tij, Maryann, ai vendoset përfundimisht me Tess Gallagher, poete, me të cilën ishte njohur më 1979 në një konferencë shkrimtarësh në Dallas. Martohen më 1988, por vetëm dy muaj më pas, Raymond Carver shuhet nga një kancer mushkërish, në moshën 50 vjeçare. Sapo kishte hyrë në Akademinë Amerikane të Letërsisë dhe Arteve.

Pesë novelat e paraqitura në këtë vëllim janë pesë copëza jete njerëzish të thjeshtë. Braktisja, zhgënjimi, alkoli janë temat e zakonshme të Carver që rikthehen herë pas here në veprën e tij. Nëse dikush ju pyet që pse ju pëlqen kaq shumë Carver, ka shumë gjasë që ju nuk do të mund ta shprehni me fjalë : thjesht e doni dhe kaq. E doni sepse shkrimi i tij është ai lloj shkrimi që fryn brenda jush një atmosferë, një gjendje mahnitjeje dhe keqardhjeje. Ndërsa lexojmë rreshtin e fundit të novelës, përshtypja e lënë është ajo e një urie të pangopur, e një pritjeje që nuk do të vijë kurrë. Aq mirë sa mund të kthejmë faqen për të parë nëse nuk vazhdon përsëri. Por jo, novelat e Carver kanë atë magjinë e të thënit shumë gjëra me vetëm fare pak fjalë. Me një shkrim të përkorë, minimalist madje, ai arrin të japë një gjendje shpirtërore që rrallë mund të gjendet tek ndonjë autor tjetër.

Për çfarë flasin historitë e këtij vëllimi ? Po ja, në « Më thirr nëse ke nevojë për mua », kemi një çift, burrë e grua, ku të dy kanë nga një histori mënjanë dhe nuk e fshehin këtë. Aventura e tyre po merr fund. Dhe ata kanë menduar të kalojnë një natë diku veçan, para se të ndahen, e pasi kanë përcjellë të birin tek gjyshja, të birin që i ka nuhatur të gjitha dhe që shpreson ende mos prindërit e tij do të vihen përsëri bashkë. Por ndërsa malli ka pushtuar mendjet e tyre, malli i ndarjes, ja që gjatë natës ca kuaj të bardhë kanë pushtuar kopshtin e tyre. Një bukuri, një mrekulli, një shenjë ndoshta ?...
Në novelën « Endrra », kemi një familje amerikanësh mesatarë, me përballë tyre një shtëpi të thjeshtë ku jeton një nënë e re me dy fëmijët e saj, braktisur nga i shoqi. E shoqja e çiftit sheh vazhdimisht ëndrra, të çuditshme, aq të çuditshme sa ajo dëshiron t’i mbajë shënim. Gjithçka ecën qetë-qetë deri një natë kur shtëpia e nënës së re përballë…

E kështu, pa dashur të shuaj kureshtjen e lexuesve, pesë novelat e këtij vëllimi shquhen për nga rrezatimi i veçantë dhe nga gjurma që ato lënë në shpirtin tonë. Mbylljet e novelave të Carver nuk kanë asgjë të veçantë, asgjë të fryrë, por ato janë kaq mjeshtërisht të ndërprera sa ne rrimë, për një kohë të gjatë pas leximit, duke shqyrtuar e rishqyrtuar shijen e lënë në gojë. Për t’u përmendur, është vetë shkrimtari i madh japonez, Haruki Murakami, ai që siguron përkthimin e novelave të Carver në japonisht.



URIM NERGUTI

Përkthyes

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
5.00