* * *
Ai më zgjati kupën e limonëve jeshilë. Shtrydha një çerek përsipër xhinit tim dhe i trazova copat e akullit me gisht. - Gjendja e tij u përkeqësua, shtoi Terri. Ia dha vetes me një plumb në gojë.
Përkthyer nga Urim Nerguti
Ne ishim ulur që të katërt rreth tavolinës së kuzhinës dhe po pinim xhin. Dielli hynte në dhomë nga dritarja e madhe, prapa lavamanit. Ishte pra Mel, Teresa, gruaja e tij e dytë, që ne e quanim Terri, gruaja ime Laura, dhe unë. Asokohe, ne jetonim në Albuquerque. Por ne vinim të gjithë nga një vend tjetër.
Një kovë akulli prehej mbi tavolinë. Xhini dhe Shvepsat qarkullonin nga njëri tek tjetri dhe biseda kishte mbërritur, një Zot e di përse, tek dashuria. Meli mendonte që dashuria autentike nuk ishte asgjë më pak sesa një dashuri shpirtërore. Ai na mësoi që kishte kaluar pesë vjet në seminar para se të hiqte dorë për shkollën e mjekësisë. Sipas fjalëve të veta, ai i konsideronte këto vite si më të rëndësishmet në jetën e tij.
Terri na tregoi që burri me të cilin ajo jetonte para se të martohej me Melin e donte aq shumë saqë ishte përpjekur ta vriste.
- Një mbrëmje, ai më ka rrahur, shtoi ajo. Më ka tërhequr për këmbësh mes përmes sallonit. Përsëriste papushim : « Të dua, të dua, djalli ta marrë. » Dhe vazhdonte të më tërhiqte rreth e rrotull sallonit. Koka më përplasej me lloj-lloj sendesh. (Vështrimi i Territ i ra rreth e qark tavolinës.) Ç’mendoni ju për një dashuri të tillë ?
Ajo ishte një grua me skelet të hollë, me një fytyrë të bukur, sy të mëdhenj të zinj dhe flokë brunë që i zbrisnin në shpinë. Ajo kishte një dobësi për varëse ngjyrë blu-jeshile dhe për vëthë të gjatë.
- Oh Zot, mos fol marrëzira, foli Meli. Kjo nuk është dashuri, ti e di mirë. Nuk di ç’fjalë duhet përdorur për diçka të tillë, por me siguri jo ajo e dashurisë, për këtë jam i bindur.
- Thuaj ç’të duash, unë e di që kjo ishte dashuri, iu përgjigj Terri. Mund të të duket e pakuptimtë, por kjo s’do të thotë që nuk është e vërtetë. Njerëzit janë të ndryshëm nga njëri-tjetri, Mel. Sigurisht, i ndodhte nganjëherë të sillej si një i çmendur, e pranoj. Por ai më donte. Në mënyrën e tij ndoshta, por më donte sidoqoftë. Po, Mel, kishte dashuri tek ai. Mos më thuaj të kundërtën.
Meli lëshoi një psherëtimë të thellë, mori gotën e vet dhe u kthye nga unë dhe Laura.
- Ky njeri ka kërcënuar të më vrasë, na lëshoi ai (ngaqë e kishte tharë gotën, ai zgjati dorën drejt shishes). Terri është një romantike e llojit : « Më qëllo dhe unë do ta di që ti më do. » Terri, e dashur, mos kështu.
Ai i buzëqeshi. Krahu i tij përshkoi tavolinën për të ledhatuar faqen e së shoqes.
- Tani, ai kërkon që të falet, tha Terri.
- Të më falet çfarë ? pyeti Meli. Çfarë ka këtu për të më falur ? Di çka di, dhe kaq.
- Po si erdhi biseda deri këtu ? vuri në dukje Terri duke çuar gotën e saj tek buzët. Meli, vetëm atje e ka mendjen, tek dashuria. Apo jo, i dashur ?
Tani, ishte ajo që buzëqeshte dhe mendova që kjo çështje ishte e mbyllur, por Meli ngulmoi :
- Thashë vetëm që nuk pranoj ta quaj sjelljen e Edit si dashuri. Asgjë tjetër, bukuroshja ime. Po ju (Meli ktheu kokën drejt meje dhe Laurës), a do ta quanit këtë dashuri ?
- Drejtohu dikujt tjetër, kundërshtova unë. Nuk e kam takuar kurrë këtë njeri. Unë tani sapo ia dëgjova emrin, e si do të mund të kisha një mendim ? Do të duhej njohur çështja në thellësi. Por më duket që për ty dashuria është një e tërë.
- Po, ky është lloji i dashurisë për të cilën po flas, deklaroi Meli. Dhe ai që provon këtë dashuri nuk përpiqet të vrasë njerëz.
- Nuk di asgjë për Edin dhe as për rrethanat, ndërhyri Laura. Por kush mund të gjykojë për sjelljen e dikujt tjetër ?
Përkëdhela shpinën e dorës së Laurës e cila më dërgoi një buzëqeshje të shpejtë. Atëherë ia mora dorën, pëllëmbën e saj të ngrohtë, thonjtë e lyer në manikyr, dhe me gishtat e mi rrethova kyçin e gjerë të saj, i lumtur që e mbaja.
- Kur kam ikur, ai ka pirë helm për minj, tha Terri, duart të shtrënguara mbi krahët e saj të kryqëzuar. E kemi shpënë në spitalin e Santa Fe. Asokohe jetonim atje, nja pesëmbëdhjetë kilometra nga qyteti. E kanë shpëtuar. Por dudat i qenë shkatërruar. E kam fjalën që i rriteshin dhëmbët. Po, pas kësaj historie, dhëmbët e tij rriteshin si të bishave. Oh Zot !
Ajo priti një minutë pastaj lëshoi krahët dhe mori gotën.
- Njerëzit janë të aftë për gjithçka, mërmëriti Laura.
- Ai është jashtë loje tani, vërejti Meli. Ka vdekur.
Ai më zgjati kupën e limonëve jeshilë. Shtrydha një çerek përsipër xhinit tim dhe i trazova copat e akullit me gisht.
- Gjendja e tij u përkeqësua, shtoi Terri. Ia dha vetes me një plumb në gojë. Por edhe kësaj here, huq. I gjori Ed !
Ajo tundi kokën dhe i shoqi iu kundërpërgjigj :
- I gjori ? Ka më pas kësaj ? Edi ishte i rrezikshëm.
Meli ishte atëherë dyzet e pesë vjeç. Ishte një truplidhur dinamik, flokët plot krrela të hareshme. Tenisi ia kishte nxirë krahët dhe këmbët. Kur ishte esëll, ai tregohej mjaft i saktë në lëvizjet e tij, mjaft i matur.
- E megjithatë, Mel, ai më donte, këmbënguli Terri. Mos ma moho këtë, nuk po të kërkoj më shumë. Ai nuk më donte si ti, dakort. Por më donte sipas mënyrës së vet. Ti mund ta pranosh këtë, jo ?
- Ç’do të thuash me këtë « ai doli huq » ? e pyeta unë Melin.
Laura u përkul përpara, bërrylat mbi tavolinë, duke mbajtur gotën e saj me të dyja duart. Sytë e saj shkonin nga Meli tek Terri dhe ajo priste, disi e hutuar, njëlloj sikur ajo të kuptonte mezi që gjëra të tilla mund t’u ndodhnin miqve të saj.
- Po si ka dalë huq ai, ka vrarë veten, apo jo ? ngulmova unë.
- Do të të shpjegoj çka ndodhur, m’u përgjigj Meli. Ai ka marrë atë pushkën e gjatë njëzet e dyshe që e kishte blerë për të na frikësuar, Terrin dhe mua. Oh, nuk bëj shaka, ky njeri na kërcënonte tërë kohën. Ta kishe parë jetën tonë që bënim atëherë… si të arratisur. Madje edhe unë kam blerë një revolver. Merre me mend ! Një tip si puna ime me një revolver ! E megjithatë, ja që e kam bërë. Jam armatosur për t’u mbrojtur dhe revolverin e ruaja në kroskotin e makinës sime. Nganjëherë, isha i detyruar të dilja nga shtëpia në mes të natës. Për të vajtur në spital, e kupton ? Nuk ishim martuar ende, Terri dhe unë, dhe gruaja ime e parë kishte mbajtur shtëpinë, fëmijët, qenin e kështu me rradhë. Terri dhe unë banonim këtu, në këtë hyrje. Siç po thoja, spitali më thërriste nganjëherë në mes të natës dhe më duhej të shkoja në dy, tre, katër të natës. Bënte errësirë, terr i zi, përjashta, në parking dhe më dilni djersë të ftohta sa herë që ngjitesha në makinë. Gjithmonë pyesja veten nëse babloku nuk do t’ia behte nga kaçubet, ose nga prapa makinës, për të më qëlluar përsipër. Tipi ishte vërtetë i çmendur, e kuptoni ? Ishte i aftë të prodhonte një bombë apo gjithçka tjetër.
Fragment nga "PO SIKUR TE FLISNIM PER DASHURI?" (RAYMOND CARVER)
Comments (0 posted)
Post your comment