Latest News
Kronike per zgjedhjet
Tani jam bir i Hënës. Tërë ishujt e tjerë janë të rremë. Jo, nuk ka Itakë në këtë botë.
Frederik Rreshpja
Kronikë për zgjedhjet
Një gjethe u bë zog dhe vajtoi mbi ullishte.
Nga fshati kundruall dolën pleqtë,
rendën pas shpitrave që silleshin në ajër
drejt Kashtës së Kumtrit.
Të vrarët i rreshtuan në sheshin 'Demokracia'
Mbështjellë me çarçafët e dhëndërisë.
Por shtypi tha se zgjedhjet qenë të ndershme,
të lira dhe korrekte. Ashtu dhe TV-të.
Pastaj lanë gjakun
Te ullishtja me drurët e përdredhur nga dhembja.
Eh! Ullinjtë e Shqipërisë dhe paqa juaj e mallkuar!
Ku ishe ti?
Ku ishe ti kur dola i vetëm nën hënë?
Në ç'hënë barisnje vallë?
Ku ishe ti kur vizitova profilin tënd
Në xhamin e muzgut që krisi dhe u thye me trishtim?
Pastaj erdhi nata mbushur me mungesën tënde
Pastaj erdhi prap nata
dhe kështu ka për të qenë deri në ditën e fundit të netëve.
Zbrita tek kroi
duke mbajtur në duar vazon delikate të agimit
Pashë sytë e tu ruajtur në kujtesën e ujrave.
Lisi plak lëshoi përdhe kurorën e vjeshtës
Si një sovran që abdikon.
Ani, mua më zuri ky mallkim.
Po qysh bën pylli pa ty? Si del vjeshta?
A ndofta nuk do të ketë kurrë më vjeshtë?
Atëherë në emër të kujt do të bien gjethet?
Në emër të kujt do të vijnë shirat, mjegullat, ylberët?
Ah, zemra ime, eja vër dorë mbi stinët!
Lerme te vij me ty!
Në fushë ecin ciganet dhe mbi supe
Daullet u varen si kufoma
Kur shpirtrat e shkretëtirës
S'kanë për t'u zgjuar më kurrë.
Nga çerdhja e shiut fluturoi
Kënga e reve tërë gjëmë.
Lermë të vij me ty!
Ky është muzgu im i fundit.
Unë vij tek ti të vdes, s'e ke kuptuar?
Më duhet të vdes dhe më duhet pastaj
Të shpërndaj gjakun tim mbi trëndafilat
Nën një hënë Jeruzalemi.
Rate this article
Comments (0 posted)
Post your comment