Tarti
Gardianët ishin orvatur dy herë t'i lanin hesapet me Tartin, duke u përpjekur ta helmonin. Të burgosurit, e bashkë me ta edhe mjeku i dënuar i kampit, kishin bërë çmos t'ia shpëtonin jetën qenit besnik.
Nga Agim Hamiti
―Miqësia e kafshëve me njeriun i tregon këtij se armiqtë i ka brenda llojit.‖
Proverb mongol
Një gjykatë ushtarake dënoi me varje në litar Tartin fisnik, mikun besnik të të burgosurve: qenin që ata e kishin rritur vetë. Të burgosurit e kishin gjetur këlysh të vogël në kampin e sapongritur të Spaçit. Madjé vetë ia kishin çuar edhe emrin. Me një kujdes të përbashkët, ata e rritën Tartin të shëndetshëm dhe mjaft komunikues. Mirëpo me kalimin e kohës ky qen besnik i atyre që e ushqenin dhe e ledhatonin, filloi të shfaqte një dukuri antiklasore. Ndërsa tregohej i afrueshëm e i shoqërueshëm me çdo uniformë bojë kafe, Tarti u bë gjithmonë e më agresiv me uniformat jeshile të policisë së kampit. Këta të fundit kishin filluar të shqetësoheshin seriozisht nga sjellja e dyshimtë e këtij qeni.
Gardianët ishin orvatur dy herë t'i lanin hesapet me Tartin, duke u përpjekur ta helmonin. Të burgosurit, e bashkë me ta edhe mjeku i dënuar i kampit, kishin bërë çmos t'ia shpëtonin jetën qenit besnik. Falë organizmit të tij të fuqishëm dhe përkujdesjeve të pakursyera të të burgosurve, këta të fundit arritën t'ia shpëtonin jetën qenit dy herë.
E treta qe e vërteta. Kësaj here policia ishte e gjithëpushtetshme dhe mund të hiqte qafe pa vështirësi edhe një të burgosur (siç edhe kishte ndodhur) e jo më një qen të tyre. Më 30 maj 1973 jeta e Tartit ndodhej në duart vrastare të një grupi gardianësh spaçianë, të cilët mezi prisnin t‘i lanin hesapet me të. Në sjelljen dhe karakterin e përbashkët të këtyre policëve nuk mund të gjeje dot kurrë aq fisnikëri sa në një gjest përgëzimi të Tartit, ashtu sikundër edhe në lehjet më të dëshpëruara të Tartit nuk mund të gjeje dot aq shumë egërsi sa vetëm në thirrjen "në rresht!" të njërit prej atyre.
Midis pushkatimit dhe varjes në litar, kjo gjykatë ushtarake zgjodhi variantin e dytë të ekzekutimit me arsyetimin:
«Partia jonë zemërmadhe u bëri nder shkaktarëve të revoltës duke i dënuar me pushkatim, jo me varje në litar, siç e meritonin. Prandaj qenin e tyre ne do ta varim patjetër.»
Me të thënë e me të bërë, mbasi qeni nuk kishte të drejtë apelimi të vendimit të tyre në një shtet ku njerëzit trajtoheshin më keq se kafshët. Mirëpo Tarti nuk ua la pa ua kthyer reston uniformave të urryera jeshile edhe në momentet e fundit të jetës së tij. Ndërsa po i hidhnin lakun në qafë, ai kafshoi në dorë kapter Nduen, i cili e mbante veten si specialist qensh.
Në çastet fatale të shpirtdhënies putrat e Tartit përpëliteshin në ajër, sikur donin të mbërthenin policët aq shumë të urryer për të. Për habinë e këtyre të fundit, ai nuk kuiste por, duke zgurdulluar sytë, lëshonte një hungërimë të
mbytur, që dëshmonte më shumë kërcënim e përbuzje, sesa frikë. I habitur nga sjellja e çuditshme e qenit në këtë minutë fatale për të, kapter Prenga e shprehu përsëri dyshimin që kishte shfaqur për Tartin, kur ledhatonte uniformat bojë kafe dhe kërcënonte jeshilet:
«U kam than un, or tëj, se ky asht qen agjent, i futun me qëllim në kamp.»
Këtë herë policët nuk qeshën me këto fjalë, mbasi Tarti po i habiste më shumë me mënyrën e vdekjes, sesa me cilësitë e tij të veçanta në jetë. Te këto krijesa të rritura nëpër honet më të thella të malësive të Mirditës instinkti i komunikimit me kafshët ishte më i zhvilluar, se shprehitë fillestare të qytetërimit bashkëkohor. Pikërisht për këtë arsye gardianët arritën ta kuptonin Tartin, për herë të parë e të fundit në jetë, në këtë çast sublim:
Sjellja e kafshës në litar ishte një mesazh proteste e përçmimi ndaj botës që e rrethonte, në të cilën barbaria njerëzore ekzekutonte fisnikërinë shtazore.
...
Fragment nga Romani "Odiseja e nje detektivi" i Agim Hamitit
Comments (0 posted)
Post your comment