Leximi - E vetmja kënaqësi në jetën e cunguar
— Unë nuk kam njohur as babanë, pa le më CIAn – u përgjigj i arrestuari. — Pikërisht për këtë arsye, ëndrra jote ishte t‘i njihje të dy njëherësh. Por, mjerisht, nuk arrite ta kurorëzoje synimin tënd antishqiptar.
Nga Agim Hamiti
―Secili prej leximeve tona lë një
farë që do të mbijë një ditë.‖
Jules Renard
Dukati i njohur për pikëpamjet kombëtariste, u bë një shesh i luftës së klasave pas triumfit të ideologjisë antikombëtare. Megjithatë familja Diksi kishte kaluar prej breshrit në shi dhe kjo nuk ishte pak për të. Uria ishte zëvendësuar prej ushqimit të dobët, telat me gjemba prej një vule në kartën e identitetit, apeli dy herë në ditë prej paraqitjes çdo mëngjes të kryefamiljarit para zyrës së këshillit popullor të fshatit. Kushtet e jetesës linin shumë për të dëshiruar, por gjithsesi ata e kishin mundësinë ta mbushnin stomakun me lakra pa vaj të përziera me një dorë miell dhe të thithnin ajër të pastër. Nuk i trembeshin më vdekjes nga uria dhe ky ishte çlirim i vërtetë për ta.
*
Sazani e përfundoi shkollën shtatëvjeçare si nxënës i dalluar. Shkollë të mesme në fshat nuk kishte. Për të vazhduar gjimnazin, ai duhej të banonte përkohësisht në Vlorë. Një qetësim relativ i luftës së klasave e mundësoi diçka të tillë, por mbetej problemi kyç: shpenzimi ekonomik. Kjo ishte një ngarkesë e papërballueshme për familjen.
Në letrat e rralla që u dërgonte babai, Sazani kishte konstatuar se ai nuk harronte asnjëherë të pyeste për shkollimin e fëmijëve. Kur mësoi se djali i tij i madh dhe të dy vajzat mbetën me arsim shtatëvjeçar, ai kishte shfaqur interesim për mbarëvajtjen në shkollë të djalit të vogël. Kur mori vesh se Sazani e mbaroi shtatëvjeçaren me rezultate maksimale, babai i dërgoi një letër familjes, duke i bërë thirrje që ta dërgonte në qytet atë, për të mbaruar shkollën e mesme. Ai vetë merrte përsipër shpenzimet vjetore të shkollimit të Sazanit. Megjithëse shteti diktatorial i konvertonte në lekë me një vlerë qesharake dollarët e emigrantëve politikë (ndryshe prej dërgesave të emigrantëve ekonomikë), babai i Sazanit i mbuloi rregullisht shpenzimet shkollore të të birit, ashtu siç kishte premtuar.
Për fat të mirë, midis lëndëve të gjimnazit figuronte edhe gjuha frënge. Meqenëse Sazani e dinte që ishte i privuar prej studimeve të larta për arsye biografie, ai iu përkushtua frëngjishtes, ndërkohë që shkëlqente në të gjitha lëndët. Sazani i përfundoi në tre vjet tekstet shkollore të gjuhës frënge të parashikuar për katër. Profesori i tij i frëngjishtes, një intelektual i kompletuar me biografi jo të pastër, e mori vesh situatën në të cilën ndodhej nxënësi i tij më i mirë dhe e mbështeti me zell prindëror në përvetësimin e gjuhës frënge.
Ndërsa nxënësit e tjerë vazhdonin normalisht programin e parashikuar shkollor, profesori bamirës i siguronte Sazanit tekste të një stadi superior dhe e
kontrollonte nga afër ecurinë e tij premtuese. Për më tepër, ai e prezantoi nxënësin e tij të zellshëm me përgjegjësen e bibliotekës së Vlorës, me qëllim që ajo t‘i jepte për të lexuar Sazanit libra të zgjedhur në frëngjisht, të cilët fillimisht ia rekomandonte vetë profesori. Në këtë periudhë ajo bibliotekë ishte shumë e pasur me letërsi në gjuhën frënge, që u ishte sekuestruar familjeve të pasura. Meqenëse lexuesit në gjuhë të huaj asokohe ishin mjaft të rrallë, Sazanit iu krijua mundësia të lexonte perla të letërsisë frënge e botërore, të cilat do të krijonin bazën e formimit të tij intelektual. Ndonëse pas vitit 1967 shumica e atyre librave do të hiqeshin prej bibliotekës, atje mbeti gjithmonë një fond i mjaftueshëm letërsie të mirëfilltë, që i mundësoi Sazanit evitimin e humbjes së kohës dhe prishjes së shijes me librat e realizmit socialist. Ai do ta kujtonte gjithmonë me nostalgji këtë kohë të artë leximesh për të, gjë që e vlerësonte si kapërcim të klonit diktatorial në kulturë.
Babai i Sazanit kishte mbaruar liceun francez të Korçës dhe dispononte një kontingjent librash të zgjedhur në gjuhën frënge. Para se të arratisej, ai ia kishte besuar një pjesë të tyre një të njohurit të tij, i cili, shumë vite më vonë, ia ktheu Sazanit. Kjo ishte dhurata më e çmuar që mund t‘i ofrohej Sazanit në atë periudhë etjeje për lexim.
*
Pas kryerjes së shërbimit të detyrueshëm ushtarak, Sazani rifilloi jetën në fshat. Ishte koha kur, nën shembullin e Revolucionit kulturor proletar në Kinë, prej dy vjetësh kishte shpërthyer një valë e nxehtë e luftës së klasave që dukej se nuk do të zbehej kurrë. Dikur, në kampet e internimit, Sazani i vogël pyeste veten: «Pse këta shqipfolës torturojnë në këtë mënyrë nënat dhe fëmijët shqiptarë?»
Dikur…, por jo më tani. Ai ishte ndërgjegjësuar plotësisht tashmë për rrezikun e të jetuarit në gjirin e një shoqërie të çakorduar, ku lufta e verbër e njeriut kundër njeriut ishte shpallur forca e përparimit. Shoqëria e re kishte keqtrajtuar tmerrësisht nënat shqiptare, duke gjymtuar kështu të ardhmen e një populli të droguar ideologjikisht. Sazani nuk i lejonte më pyetje të tilla vetes, si dikur në fëmijërinë e mjerë. Ai e dinte se pyetja kërkon përgjigje nëpërmjet arsyetimit, mirëpo arsyeja nuk funksiononte më; ajo ishte shpallur reaksionare. Gaforrja nuk mëson dot të eci për së mbari.
Në këto kushte dëshpëruese, Sazani përpiqej të mos u jepte shkak atyre që mezi prisnin ta godisnin përsëri. Ai llogariste vetëm një mik besnik, librin; edhe atë të fshehur në trastën e bukës së misrit, që merrte nga shtëpia për ta ngrënë ugareve. Mirëpo prishja e marrëdhënieve me Motrën e Madhe, Kinën, shkaktoi një intensifikim të ndjeshëm të luftës së klasave. Parulla revolucionare e ditës ishte shumë provokuese: «Indiferenti është një armik i maskuar; vetmia është një protestë e heshtur ndaj jetës sonë socialiste.»
Ora e Sazan Diksit kumboi. Megjithë kujdesin e tij të përhershëm, atë e arrestuan pesë ditë para se të festonte 31 vjetorin.
VII
DOSJA PENALE N° 31
―Urrejtja e verbër ushqehet me
gjithfarë gjërash të vogla.‖
Honoré de Balzac
Zyrat e DPB të Vlorës ndodheshin në dalje të qytetit, ndanë të rrugës automobilistike kombëtare që çonte në Fier. Çatia prej betoni e birucave të izolimit të të arrestuarve dukej prej rrugës. Sa herë që i shkonin atje sytë, Sazani thoshte me vete: «Më ndihmoftë fati të mos ta shikoj brendësinë e tyre!»
Mirëpo atij i kishte rënë në pjesë fatkeqësia, jo fati. Sazanin e izoluan në qelinë 3. Ndofta ngaqë nuk kishte ndonjë me n° 31… Ato ishin vetëm 29. E zhytur në një gjysmerrësirë të përhershme, dy metër e gjysmë e gjatë, nëntëdhjetë centimetër e gjerë dhe mbi katër metra e lartë, biruca i krijonte përshtypjen e një arkivoli të gurtë, kur qëndronte shtrirë në shpinë. Asnjë dritare, përveç një kamareje në tavan të mbyllur me një xham të trashë dhe një grillë të fortë hekuri, ku ishte varur një llambë gjithmonë e ndezur. Drita e saj e zbehtë thithej prej errësirës së thellë, pa arritur ta ndriçonte pjesën e poshtme të birucës. Kjo mungesë e theksuar ndriçimi shërbente si paralajmërim për të arrestuarin, se atje gjithçka rridhte në errësirë.
«Po të arrestuan ndonjëherë, mos harro se personi i parë që do të gjesh në qeli është spiuni yt» – i kishte bërë të ditur Sazanit një i njohur i tij ish-i burgosur politik.
Sazani qe i detyruar të flinte tri javë ngjitur brinjë për brinjë me spiunin e tij. I zhgënjyer prej rezultateve të zhbirimit të veglës së tij të verbër, shefi i hetuesisë [njëherësh hetues i Sazanit] e tërhoqi për ndonjë destinacion tjetër shtegtarin e birucave. Sazani mbeti vetëm në qeli edhe tre muaj e gjysmë të tjerë. Ai flinte i mbështjellë me një batanije të vjetër, e cila përbënte gjithë pajisjet e nevojshme për të fjetur. Si në gjumë edhe i zgjuar, ai e kalonte kohën në shoqërinë e përhershme të morrave të shumtë.
Çdo mëngjes, në orën gjashtë, oficeri i rojës dhe eskorta e tij kontrollonin pjesën e brendshme të birucës. Duke rrudhur fytyrën prej ndotit, një polic kontrollonte në trup të arrestuarin, i cili nuk pushonte së kruari. Kur i izoluari ankohej për morrat, oficeri i rojës ia kthente duke kërcëllitur dhëmbët:
— Ne nuk të ftuam të vije këtu, por të sollëm me pranga. Të kemi armik, jo mik. Në qoftë se ishe më mirë në shtëpi, pse nuk i respektove ligjet? Armiqtë e partisë sonë janë më të neveritshëm se morrat.
Në një pjatë alumini të deformuar e të nxirë nga koha – sa fatkeqë e kishin përdorur atë? – jepej ushqimi përçmues: lëtyrë perimesh në drekë dhe çaj pa sheqer në darkë. Në mëngjes të arrestuarit merrnin racionin ditor të bukës, 500 gramë, me pak marmelatë ose djathë. Një ditë supa ishte shëllirë, ditën tjetër bajate. Luga të bënte për të qeshur: bishti i saj nuk i kalonte tre centimetrat.
*
Në mbrëmjen e ditës së arrestimit, Sazanin e çuan në njërën prej tri dhomave të hetuesisë, me pranga të shtrënguara fort. Atje prisnin katër oficerë Sigurimi dhe zëvendësprokurori i rrethit. Shefi i hetuesisë, me cilësinë e hetuesit personal të të arrestuarit Diksi, lexoi motivacionin e arrestimit:
«Agjitacion e propagandë kundër partisë e shtetit»
Pastaj shefi i hetuesisë, duke treguar me dorë një dosje mbi tavolinën e fiksuar në dysheme, shtoi:
— I pandehur, të gjitha hollësitë e veprimtarisë tënde armiqësore ndodhen në këtë dosje penale.
Me sytë mbi dosjen objekt diskutimi, Sazani buzëqeshi hidhur; mbi kapakun e saj shkruhej: Dosje penale n° 31.
— Të ardhka për të qeshur? pyeti duke kërcëllitur dhëmbët shefi i hetuesisë. – Natyrisht, ti veprimtarinë armiqësore e ke kryer me ndërgjegje të plotë. Por qesh vërtet ai që qesh i fundit. Dhe të fundit jemi ne që qeshim gjithmonë. Tani urdhëro dhuratën e mirëseardhjes.
Shefi i hetuesisë e goditi të pandehurin e prangosur me shkelm në kërci. Ndërkohë që Diksi u përkul nga dhimbja e këmbës, ai e goditi me të dy grushtet e bashkuar pas kokës. I pandehuri u shemb përtokë, ku secili prej të pranishmëve nuk ngurroi të jepte kontributin e tij në kuadër të dhuratës së mirëseardhjes.
Dy muaj më vonë, shefi i hetuesisë me prokurorin e rrethit patën rastin të argumentonin faktin e mirënjohur, se ishin ata që qeshnin gjithmonë të fundit e jo i pandehuri. Fjalën e mori shefi i hetuesisë:
— Meqenëse ti nuk e pranon krimin e agjitacion propagandës, ne kemi vendosur të ta ndryshojmë akuzën. Sot e tutje je i akuzuar për përgatitje për arratisje. Kështu dalim të dy palët të fituar. Nëpërmjet akuzës së re, ne kemi mundësi të të dënojmë deri në 15 vjet burg, jo 10 vjet siç parashikon maksimumi i nenit të agjitacion-propagandës. Ndërsa ti do të biesh në qetësi, mbasi ne i kemi tashmë gati dëshmitarët që do ta vërtetojnë akuzën e re.
— E pranon ndryshimin e akuzës? e pyeti të arrestuarin prokurori i rrethit.
— Mua më kanë arrestuar duke mbjellë misër me kubikë në Dukat, nuk më kanë kapur në kufi që të pranoj akuzën për arratisje – u përgjigj Diksi.
— Vigjilenca popullore e asgjësoi që në vezë planin tënd që të bashkoheshe me babanë në Amerikë – ia priti shefi i hetuesisë. – Yt atë është spiun i CIAs. Po ti, a do të bëheshe një ditë shërbëtor besnik i këtij instrumenti famëkeq të imperializmit amerikan, xhandarit ndërkombëtar?
— Unë nuk kam njohur as babanë, pa le më CIAn – u përgjigj i arrestuari.
— Pikërisht për këtë arsye, ëndrra jote ishte t‘i njihje të dy njëherësh. Por, mjerisht, nuk arrite ta kurorëzoje synimin tënd antishqiptar. Ti doje të ndiqje
rrugën e babait, por diktatura e proletariatit do të të japë një mësim të mirë, që nuk do ta harrosh dot kurrë. Vuajtjet që ke provuar gjatë hetuesisë janë vetëm fillimi i shpagimit të borxheve të babait dhe të tuat kundrejt partisë sonë. Kur të shkosh në kampin e punës së detyruar, atje nis larja e vërtetë e hesapeve. Ne nuk ngopemi me gjakun e këlyshit të një agjenti të CIAs.
Në çast, shefi i hetuesisë i zëvendësoi fjalët me vepra. Ai nxori një shkop gome prej sirtarit të tavolinës dhe filloi ta godiste me gjithë forcën e krahut Sazanin, ku të mundte.
*
I dënuar me 14 vjet heqje lirie dhe punë të rëndë të detyruar, më 31 gusht 1978 Sazan Diksi, i mbyllur në një autoburg me fatkeqë të tjerë, udhëtonte për në burgun qendror të Tiranës, prej nga bëhej shpërndarja e të dënuarve rishtas nëpër kampet e punës. I qullur në djersë prej nxehtësisë mbytëse brenda autoburgut të ajrosur vetëm prej dy birave në tavanin metalik, Sazani mendonte me vete:
«Numri 31 është ndoshta burim tersllëku për mua, meqenëse kam lindur ditën e fundit të prillit, i cili është i privuar prej shifrës 31.»
Fragment nga "Odiseja e Nje Dedektivi"
Comments (0 posted)
Post your comment