Pas Internimit e Dëbimit - Spaçi
Si Kozeta e Hygoit, kur kthehej me kovën e rëndë të ujit në Monfermej dhe e zinte nata rrugës nëpër korie» – mendonte me vete Diksi. – «E llahtarisur prej vetmisë në pyll, ajo këndonte për t'i dhënë zemër vetes: ―jo, unë s'kam frikë‖. Veçse me një ndryshim rrënjësor midis tyre: ajo ishte mishërimi i pafajësisë, ky është mishërimi i krimit.»
Nga Agim Hamiti
―Kufiri i çdo dhimbjeje është një
dhimbje më e madhe.‖
Emil Cioran
Të veçuar prej të dënuarve për krime ordinere, të burgosurit politikë, radhët e të cilëve shtoheshin me shpejtësi në këtë periudhë, zinin fjetoren më të madhe të burgut qendror. Atje kishte të dënuar rishtas prej rretheve të ndryshme të vendit, të burgosur që ktheheshin prej spitalit apo që do të shkonin atje, të tjerë që transferoheshin nga një kamp pune në një tjetër, ose… shtegtarë birucash. Këta të fundit përbënin një kategori endé të panjohur për shumicën dërrmuese të të burgosurve rishtas.
Të burgosurit e rinj interesoheshin për gjendjen e përgjithshme në kampet e punës. Nga sa dëgjonin, pushtoheshin prej ankthit. Megjithatë, pas disa muajsh izolimi në birucat plot me morra, ata kishin mundësi të bënin dush çdo të shtunë dhe të pinin duhan pa orar. Mirëpo kjo ishte një periudhë kalimtare, që nuk zgjaste shumë. Kampet e punës kishin nevojë për gjak të ri, për ta realizuar e tejkaluar planin e nxjerrjes së mineralit me punëtorë të detyruar.
Më 10 shtator 1978 një autoburg përshkonte rrugën malore drejt Spaçit me Sazan Diksin dhe 13 të burgosur të tjerë brenda. Disa prej tyre kishin vjellë. Të tjerëve po u ngrihej të pështjellët prej pamjes së pisët para syve, erës së rëndë dhe tronditjes prej xhadesë gjithë gropa.
Në orën katër pasdite, autoburgu hyri në kamp. Një grumbull i madh policësh e ushtarësh e qarkuan. Duke dëgjuar romuzet e policëve që stigmatizonin armiqtë e sapoardhur, Diksit i kaluan mornica. E folura e tyre e papërpunuar – krejt si ata vetë – reflektonte prirjen e tyre të natyrshme në pajtim me brutalitetin e diktaturës. Asgjë nuk i shërben një diktature më shumë sesa injoranca.
Gardianët i urdhëruan të burgosurit të zhvisheshin vetëm në të mbathura. Pastaj filluan t‘ua kontrollonin teshat, duke i flakur me përçmim prej morrave. I habitur nga kjo sjellje e policisë, njëri prej të burgosurve i tha shokut që kishte në krah:
— Po ne na kontrolluan kur u nisëm nga Tirana; ç‘ne ky kontroll tjetër?
Njëri prej policëve e dëgjoi dhe e goditi me një kuti duhani metalike, që po kontrollonte në atë çast. I burgosuri pësoi një të çarë ndanë të syrit të djathtë dhe gjaku i rrodhi përgjatë trupit lakuriq. Mjeku i burgosur, i cili po kontrollonte higjienën fizike të të sapoardhurve, guxoi t‘i kërkonte leje policit agresiv, për ta çuar të plagosurin në infermieri, që ta mjekonte.
— Mos do me e provu e ti i her? iu hakërrua polici duke zgurdulluar sytë.
Pasi bënë dush dhe veshën uniformën e kampit, të burgosurit e sapoardhur u përzien me turmën. Të lodhur prej hetuesisë disamujore dhe udhëtimit të mundimshëm, mysafirët e rinj të Spaçit dëshironin të pushonin. Mirëpo
―mikpritësit‖ i kishin vënë në mes, të interesuar sipas rretheve përkatës, dhe nuk reshtnin me gjithfarë pyetjesh. Ndonëse të sapoardhurit kishin disa muaj që ishin shkëputur prej jetës së lirë, banorëve të kahershëm të Spaçit u dukej sikur ata sapo ishin ndarë me botën matanë telave me gjemba.
Diksi vazhdonte të qëndronte i mbështetur pas murit në krye të shkallëve, të cilat do ta bashkonin me të burgosurit e shumtë. Duke përfituar ngaqë nuk e kishin vënë re akoma, ai, me një pamje të menduar, po endte shikimin mbi atë turmë të madhe fatkeqësh që bënin tutje-tëhu, përshëndeteshin, bisedonin, thërrisnin dhe, ç‘ishte më e çuditshmja – qeshnin. Kjo i bëri përshtypje të veçantë Diksit. Mbijetesa e të qeshurit, në një vend që ishte ndërtuar posaçërisht prej shtetit për ta vrarë atë, iu duk si një shkelje ligji.
«E pabesueshme, njeriu qeshka edhe këtu», tha me vete.
Me hap të ngadalshëm, ai zbriti shkallët e u përzje me turmën dhe kalvarin e saj të përditshëm.
*
Pas një jave Diksi filloi punën e rëndë në minierë, me tre turne. Vuajtjet e internimit e të dëbimit e kishin përgatitur shpirtërisht, për t‘iu bërë ballë vështirësive të reja në rritje. Kjo do të ishte për të një tjetër provë rezistence ndaj së keqes.
Ndonëse masa pesëvjeçare e dënimit me dhunë ekstreme të këtij kampi akorduar nga qeveria pas revoltës së vitit 1973 ishte plotësuar pak muaj më parë, gjendja vazhdonte të mbetej mjaft e tensionuar, për shkak të inercisë revolucionare. Terrori është një element përbërës i diktaturës dhe nuk di të ndalet po aq lehtë sa e merr hovin.
Dhuna e egër ndaj të burgosurve vazhdonte. Madjé, shumica e policëve e quanin të pamjaftueshëm ndëshkimin fizik, pa humbje të përsëritura ndjenjash prej të burgosurve. Në fund të çdo turni pune policia çonte në kamp të burgosur duarlidhur të akuzuar për punë të pamjaftueshme. Aty ata i nënshtroheshin një rrahjeje kolektive prej të gjithë gardianëve që linin turnin e punës, nën sytë flakërues të oficerit të rojës dhe komandantit ose komisarit të kampit. Secili prej policëve, për të shpalosur para eprorëve të pranishëm zellin e tij të pamasë në kryerjen e detyrës, përpiqej të sajonte një metodë të re torture. Pas përfundimit të ceremonisë ndëshkimore, ata izoloheshin për një muaj në biruca.
Këto ishin të ndërtuara me dyer direkt në natyrë. Ana e sipërme e soletës së qelive ishte në nivel me lartësinë e tokës së gërmuar për sheshimin e vendit ku ishin ngritur. Korridori pa çati i këtyre birucave ishte i mbuluar me një lesë të fortë hekuri, njëri krah i së cilës futej thellë në dhé, kurse krahu tjetër ishte betonuar bashkë me soletën e qelive. Dyert e rënda të birucave ishin lënë enkas 20 cm më lart nga çimentoja e dyshemesë. Shiu ose bora hynin lirisht deri në mes të birucave të ndërtuara prej betoni nga të gjitha anët. Ndërsa gjatë dimrit nuk mund të flihej dot prej të ftohtit, në verë të izoluarit nuk mbusheshin dot me frymë.
Në rajonin e banimit ushtrohej kontroll i përgjithshëm dy herë në muaj. Për orë të tëra, ushtarë e policë përmbysnin gjithçka nëpër dhomat e fjetjes me shtretër kolektivë tip dyshemeje trekatëshe prej dërrasash të pazdruguara. Në një dhomë 7x6x3 metra flinin 54 të burgosur. Batanijet, çarçafët, dyshekët dhe sendet e tjera personale, si stilolapsa, prerëse thonjsh, zarfe, fletore etj. hidheshin në mes të dhomës dhe ushtarët e policët, me çizmet gjithë ujë e baltë, shkelnin mbi to. Pas kontrollit, të burgosurit për një kohë të gjatë mezi gjenin sendet e tyre. Shpesh ushtarët dhe policët përvetësonin sende që u pëlqenin, si stilolapsa, cigarishte, rripa mezi, etj.. Kush ankohej për një gjë të tillë i nënshtrohej një ndëshkimi të rëndë fizik, mbasi akuzohej se donte të ofendonte qëllimisht personelin ushtarak nga pozita armiqësore e të burgosurit politik.
Gjatë kohës që vazhdonte kontrolli, të burgosurve u lexoheshin veprat e Diktatorit për riedukim. Një luftë nervash shkatërrimtare, e cila në stinën e dimrit përballohej me vështirësi prej tyre, duke qëndruar në bisht disa orë, mbasi terreni ishte i mbuluar me borë.
Ushqimi, përveç emrit, nuk kishte asgjë të përbashkët me një ushqim njerëzor: shtatë muaj presh (jeshil ose të thatë) të zier dhe pesë muaj speca të ziera. Rrallë ndonjë zarzavate gjatë verës. Jepej edhe nga një racion pilaf orizi i përzier me mel e ndonjëherë pak qumësht si antidot.
Mishin e planifikuar për të burgosurit që punonin në minierë e hanin oficerët, policët, ushtarët e rrethimit të kampit dhe të burgosurit që shërbenin si prapavijë brenda kampit (spiunë të komandës). Në këtë abuzim merrnin pjesë edhe zogjtë shtegtarë, siç thirreshin prej të burgosurve spiunët e specializuar të birucave, të cilët përdoreshin prej hetuesive të rretheve, për të mashtruar të arrestuarit rishtas dhe pa eksperiencë gjatë procesit hetimor. Kjo dukuri e habiste shumë Diksin. Ndonëse jeta në internim e dëbim ia kishte mësuar disa prapaskena të krimit shtetëror qysh herët, atij nuk i kishte shkuar kurrë ndërmend, se në mënyrë kaq të hapur mund të mbusheshin autoburgjet me zogj shtegtarë, për t'i shpërndarë mandej si qena gjahu anekënd Shqipërisë së terrorizuar. Të njëjtën përshtypje i krijoi atij arrestimi dhe ridënimi brenda në burg për veprimtari armiqësore i të burgosurve politikë. Si justifikohej vallë juridikisht një veprim kap absurd? Duke u përpjekur t'i gjente një përgjigje kësaj pyetjeje, Diksit iu kujtua një thënie e Musolinit: Komunisti është njeri pa ligj.
*
Ditën që kampin e përfshinin valët e arrestimeve, aty hynin hetuesit e shëndetshëm me çantat e zeza të fryra; këto ishin plot me prova të veprimtarisë armiqësore të kryer brenda në burg! Ata shoqëroheshin prej operativit të kampit,komandantit ose komisarit dhe nga disa oficerë të tjerë të komandës. Pasi dubloheshin rojet e rrethimit më të afërt, fillonte loja macja-miu.
Me shenjën e operativit të kampit ose të ndonjë hetuesi, pesëmbëdhjetë a njëzet policë që rrinin në gatishmëri pas murit të portës së brendshme të sheshit ku rreshtoheshin të burgosurit, vërsuleshin me vrap duke u shpërndarë në disa grupe midis të burgosurve të rreshtuar. Secili grup policësh kishte një përgjegjës, të cilit i jepeshin emrat e të burgosurve që do të riarrestonte grupi i tij. Rreshtimi bëhej në bazë të brigadave të punës, ndërsa të papunët veç. Kjo i ndihmonte policët që të gjenin kollaj secili grup gjahun e tij. Mirëpo në bazë të udhëzimeve, ata duhej të zhvillonin një lojë spektakolare për sytë e ndezur të gjakësorëve profesionistë me çantat e zeza e të fryra.
Policët bënin sikur nuk i gjenin dot kurbanet që kërkonin. Ata i shtynin të burgosurit sa andej-këtej, i kthenin me fytyrë nga vetja, mbërthenin ndonjërin për t'i hedhur prangat, pastaj, si thoshin "jo, s'qenka ky!", vazhdonin më tutje. I hidhnin sytë listës me emrat e të burgosurve që do të arrestonin, mblidheshin bashkë sikur do të konsultoheshin për të fiksuar vendndodhjen e personit që kishte radhën për arrestim dhe, mbasi drejtoheshin për tek ndonjë brigadë tjetër, papritur ndryshonin drejtim dhe mbaronin punë me atë që duhej. Kjo lojë makabre me ndjenjat dhe nervat e të burgosurve vazhdonte gjysmë ore. Personat e arrestuar merreshin nga policë të tjerë, që i çonin duarlidhur në autoburg.
Arrestimet e të burgosurve për veprimtari armiqësore brenda në burg u ndërprenë vetëm pas vetëvrasjes së kryeministrit M. Shehu. Objektivi kryesor i diktatorit plak kishte qenë gjithmonë mashtrimi i opinionit publik. Pasi qëroi hesapet me pretendentin kryesor për të marrë frenat e pushtetit pas vdekjes së diktatorit të sëmurë, ky organizoi një vizitë në Galerinë e Arteve Figurative. Me këtë Hoxha donte të tregonte se i kishte aq në terezi problemet e politikës, saqë i tepronte koha të interesohej edhe për artin! Por goja që i merrej dhe këmbët që mezi e mbanin vërtetonin se ai jetonte në ethe aluçinacionesh dhe fantazma e ish-kryeministrit po i merrte frymën. Atë që Diktatori përpiqej ta mbulonte, po e zbulonte më shumë.
«Si Kozeta e Hygoit, kur kthehej me kovën e rëndë të ujit në Monfermej dhe e zinte nata rrugës nëpër korie» – mendonte me vete Diksi. – «E llahtarisur prej vetmisë në pyll, ajo këndonte për t'i dhënë zemër vetes: ―jo, unë s'kam frikë‖. Veçse me një ndryshim rrënjësor midis tyre: ajo ishte mishërimi i pafajësisë, ky është mishërimi i krimit.»
Për të bindur opinionin publik se ato që thoshte klouni plak nuk i kishte me shaka, Diktatori bëri falje për të burgosurit e pafajshëm, pas 20 vjetësh…
Fragment nga "Odiseja e Një Dedektivi"
Comments (0 posted)
Post your comment