Home | Literature | Kujtohu!

Kujtohu!

image
Ishte kunat me Nachito Riveros, që ka zënë të punojë kapele ca ditë pas martesës, në atë pikë sa, për të jetuar, Inesi, e shoqja, është dashur të shesë pulk[1] nën strehë, në hyrje të rrugës së madhe ; dhe nga ana e tij, Nachito e kalonte jetën e vet duke luajtur melodi të bukura me një mandolinë që ia jepnin tek berberi don Refugio.


 

Juan Rulfo


Kujto Urbano Gomezin, të birin e don Urbanos, nipin e Dimasit, atë që udhëhiqte pastoralet dhe që ka vdekur duke recituar, « Tutje, engjëll i mallkuar ! », në kohën e gripit. U bënë vite tani ; nja pesëmbëdhjetë, më duket. Po, po, duhet të të kujtohet. Kujtohu, e quanim Gjyshi, për shkak të njërit prej djemve të vet, Fidencio Gomezit, që kishte dy vajza fort të shkathta, njëra zeshkane, fare e shkurtër, që e thërrisnim me ligësi Vorba, dhe tjetra që ishte e gjatë, me sy blu aq të kthjelltë sa thuhej se nuk ishte vajza e tij, ajo që e ngiste gjithmonë lemza. Kujto prishjet e meshës, lemza e kapte gjithmonë në çastin e Ngritjes, a thua se qeshte dhe qante njëkohësisht, dhe nuk qetësohej ndryshe veç duke e nxjerrë jashtë për t’i dhënë ca ujë me sheqer. Dhe në fund është martuar me Lucio Chico, me atë çunin e atij plantacionit të akacieve që i kishte përkitur Librados dhe që gjendet atje lart, duke iu ngjitur lumit, ja, aty ku është mulliri i vajit të linit të Teodulove.

Kujtohu ; kujto nënën e tij, që e thërrisnim Shushka, sepse shkonte të rrasej gjithmonë në ca lloj historish të çuditshme dhe që çdo herë dilte që andej me një çapaçul. Thuhet se kishte mbledhur një sasi të majme, por i ka shpenzuar të gjitha nëpër varrime, sepse çapaçulët i vdisnin njëri pas tjetrit në moshë të vogël dhe për çdo herë kërkonte t’i këndoheshin këngë kishtare ; i përcillnin në varreza me muzikantë dhe me kor fëmijësh të cilët shkonin në varrim me lutjet, lavdet dhe me « Po të dërgoj, Perëndia ime, një tjetër engjëll të vogël. » Ajo është varfëruar sepse çdo varrim i kushtonte qimet e kokës, me të gjitha kafetë që i ofronte një natë para varrimit. Vetëm dy i kanë jetuar, Urbano dhe Natalia ; janë lindur të varfër dhe ajo nuk i ka parë të rriten sepse ka vdekur lehonë, tashmë disi në moshë, afro pesëdhjetë vjeçe.

Ti duhet ta kesh njohur, fliste papushim, ngatërrohej me të gjitha shitëset e tregut, që donin t’ia shisnin gjithmonë domatet shtrenjtë, dhe ajo bërtiste se kjo ishte vjedhje. Pastaj, kur u bë e varfër, e shihnim tek sillej mes plehrave, duke mbledhur lëvore qepësh, mbeturina fasulesh të njoma, nganjëherë dhe copa kallami « për të sheqerosur sqepin e atyre të vegjëlve ». Ata të dy për të cilët po të flisja, vetëm këta kanë shpëtuar. Më pas, s’kemi dëgjuar më për të.

Urbano Gomezi në fjalë ishte pak a shumë në moshën tonë, ndoshta ca muaj më i madh se ne, ishte shumë i fortë në cic-mic dhe për djallëzira. Kujtohu ; na shiste karafila të egër dhe ne ia blinim, ndërkohë që s’kishte gjë më të thjeshtë sesa të shkonim vetë t’i këpusnim në kodrinë. Na shiste manga jeshile që i vidhte në pemën e kurtit të shkollës, portokalle me spec që i blente dy qindarka në hyrje dhe na i shiste pastaj pesë qindarka. I shtrenjtonte të gjitha fëlliqësirat që i mbante gjithmonë nëpër xhepa : rruaza tespihesh, boshte druri dhe çikrikë të vegjël, madje dhe butha jeshilë, nga ata që i lidhim për këmbe me një pe dhe nuk i lëmë të ikin.

Na e hidhte të gjithëve, kujtohu.

Ishte kunat me Nachito Riveros, që ka zënë të punojë kapele ca ditë pas martesës, në atë pikë sa, për të jetuar, Inesi, e shoqja, është dashur të shesë pulk[1] nën strehë, në hyrje të rrugës së madhe ; dhe nga ana e tij, Nachito e kalonte jetën e vet duke luajtur melodi të bukura me një mandolinë që ia jepnin tek berberi don Refugio.

Ne shkonim me Urbanon t’i bënim një vizitë të vogël së motrës, pinim pulk, por pa e paguar asnjëherë, sepse ishim trokë. Më pas, ai ska pasur më shokë, sepse, sapo e shihnim diku larg, i përvidheshim nga frika mos na kërkonte paratë.

Dhe mbase në atë kohë është bërë i egër, apo ndoshta ishte i tillë që nga lindja.

E kanë përjashtuar nga shkolla fillore sepse e kanë kapur duke luajtur babi-mami me kushërirën e vet, Vorbën, prapa lavamanëve, në një basen pa ujë. E kanë nxjerrë për veshi nga dera e madhe, në mes të djemve dhe vajzave që talleshin me të për ta turpëruar. E ai ka kaluar me kokën lart duke na treguar grushtin si për të na thënë : « Do të ma paguani shtrenjtë. »

Dhe pastaj ka qenë radha e saj, që ka dalë duke trashur buzët e poshtme dhe duke kthyer kokën nga muri, derisa ka mbërritur tek dera ku ka shpërthyer në lot, dhe vajtimi i saj është dëgjuar tërë pasditen e shenjtë si një ulërimë kojote.

Duhet të të ketë lënë fare kujtesa që të mos e mbash mend këtë.

Thuhet se xhaxhai i tij, Fidencio, ai i mullirit të kallamit, ia ka dhënë një shpullë të mirë që desh e ka lënë të paralizuar, dhe se ai, i bërë tym, e ka braktisur fshatin.

Sidoqoftë, nuk e kemi parë më deri ditën kur është kthyer, kësaj here si polic. Qëndronte aty, në sheshin e madh, i ulur në një stol, pushkën mes këmbëve, duke hedhur vështrime urryese ndaj gjithkujt. Nuk i fliste njeriu, as nuk përshëndeste kërrkënd. Kur e shikonim, bënte gjoja nuk vërente gjë, a thua se nuk njihte njeri.

Dhe është pikërisht atëherë që ka vrarë kunatin e vet, atë që luante me mandolinë. Kujtohu. Nachito kishte pasur idenë t’i luante një serenatë, në mbrëmje, pak pas orës tetë ; këmbanat e fundit të mbrëmjes ishin duke kumbuar kur janë dëgjuar bërtitjet, njerëzit që thoshin lutjet e tyre në kishë kanë dalë me vrap dhe i kanë parë : Nachito, me katër patkonjtë në ajër, mbrohej me mandolinë, dhe Urbano, si një qen i tërbuar, e godiste papushim me qytën e Mauzerit, pa dëgjuar madje as thirrmat e njerëzve përreth. Pas njëfarë kohe, një tip që nuk ishte as i vendit ka dalë nga turma, ka vajtur drejt tij, ia ka shkulur pushkën nga duart dhe i ka dhënë Urbanos një goditje të tillë në shpinë që ky i fundit ka vajtur të rrokulliset mbi stol dhe të mos ndihet më.

E kanë lënë aty tërë natën. Ka ikur në të gdhirë. Thuhet se më përpara, ka vajtur në famulli për t’i kërkuar priftit ta bekojë, por ky e ka kthyer mbrapsht.

E kanë ndalur në rrugë. Çalonte pak, dhe kur është ulur të pushojë, e kanë mbërthyer. Nuk ka bërë as përpjekjen më të vogël të kundërshtojë. Thuhet se vetë e ka kaluar lakun në qafë dhe ka zgjedhur pemën mbi të cilën donte ta varnin.

Duhet të të kujtohet kjo, asokohe shkonim bashkë në shkollë, ti e ke njohur si unë.


 
--------------------------------------------------------------------------------


[1] Pulk – pije alkolike tradicionale e Meksikanëve me bazë fermentimin e një lloj akacie. (Shënim i përkthyesit)
 
 


Përkthyer nga Urim Nerguti

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
5.00