Home | Literature | Humor Vrastar

Humor Vrastar

image
Të burgosurit që punojnë atje lart janë armiq të partisë sonë të dashur. Pavarësisht se ata janë dënuar më lehtë nga të tjerët, armiku mbetet gjithmonë armik. Ne nuk duhet të fillojmë t‘i ngjisim shkallët e furnelit, pa na ardhur prej së larti i njëjti sinjal. Përndryshe ata mund të shkarkojnë kastile mbi ne ndonjë vagon me mineral, duke u justifikuar se nuk dinin gjë që kishte njerëz në ngjitje.


Nga Agim Hamiti

Shtypës të dhjamosur, mos i
përbuzni të shtypurit e dobësuar !‖
Joseph Joubert


Më 10 Janar 1983 u ushtrua një kontroll i posaçëm në minierën e Spaçit. Në ekipin e kontrollit merrnin pjesë dy të dërguar të ministrisë së Industri-Minierave, komandanti i kampit të Spaçit i shoqëruar prej një toge gardianësh me shefin e policisë në krye, drejtori i minierës, si edhe drejtori i ndërmarrjes pyjore të rrethit të Pukës. Kryeinxhinieri i minierës dhe asistenti i tij ishin pjesë e eskortës. Dy përfaqësuesit e ministrisë kishin asistuar edhe vitin e kaluar në këtë lloj kontrolli. Vëllimi i madh i punës së kryer i habiti.
— A mund të vizitojmë ndonjë front pune? pyeti njëri prej tyre.
— Sigurisht, iu përgjigj shefi i policisë. – Zef, na pri të shkojmë në ndonjë front pune, ku punojnë të burgosur që nuk janë dënuar rëndë – urdhëroi ai njërin prej policëve të turnit të parë.
I ngrefosur nga përmendja e emrit në prani të mysafirëve të shquar, Zefi i priu grupit të kontrollit. Pas disa minutash, ai ndaloi në fund të një galerie vertikale të pajisur me shkallë druri dhe filloi të godiste me gur tubin metalik të ajrimit.
— Pse e bën këtë? e pyeti kureshtar njëri prej të dërguarve të ministrisë.
Gardian Zefi nuk e la pa shfrytëzuar rastin të shpaloste njohuritë e tij personale në prezencë të zyrtarëve të rëndësishëm:
— Të burgosurit që punojnë atje lart janë armiq të partisë sonë të dashur. Pavarësisht se ata janë dënuar më lehtë nga të tjerët, armiku mbetet gjithmonë armik. Ne nuk duhet të fillojmë t‘i ngjisim shkallët e furnelit, pa na ardhur prej së larti i njëjti sinjal. Përndryshe ata mund të shkarkojnë kastile mbi ne ndonjë vagon me mineral, duke u justifikuar se nuk dinin gjë që kishte njerëz në ngjitje.
Ndërsa Zefi po shpaloste njohuritë e tij profesionale, prej së larti erdhi sinjali i tubit metalik. Besnikë të rregullores, policët u ngjitën të parët, pastaj delegacioni. Kur të gjithë ndodheshin në krye të furnelit, komandanti i kampit pyeti Zefin:
— Janë larg prej këtej të burgosurit?
— Rreth njëqind metra. Por sa më shumë t‘i afrohemi frontit të punës, aq më tepër do të shtohet pluhuri, mbasi minatori i grupit ka filluar të bëjë birat me martel. Doni t‘i thërras dy të burgosurit e tjerë të paraqiten këtu?
— Ide e mirë, Zef. Ne nuk preferojmë të futemi në një pluhur të dendur.
Pas pak, dy të burgosurit u paraqitën tek grupi i vizitorëve.
— Nga je ti? e pyeti komandanti i kampit njërin prej tyre.
— Nga Elbasani.
— Çfarë profesioni ke ushtruar në jetën e lirë?
— Arsimtar.
— Pse je dënuar?
— Agjitacion e propagandë.
— A mund të bëjë një mësues i mirë propagandë kundër qeverisë së popullit të tij?
— Po kur të dënojnë pa bërë gjë?
— Justifikim banal. Çfarë interesi do të kishte partia jonë të dënonte shtetasit e saj të pafajshëm?
— Atë e di ajo vetë.
— Duhet ta kontrollosh mirë gjuhën, përndryshe…
— …do të arrestohesh e do të dënohesh pa dalë prej burgut, kështu si e pësova unë – e deshifroi retiçencën e komandantit të kampit i burgosuri tjetër.
— Me këtë gjuhë të gjatë që paske ti, jam i sigurt se për agjitacion e propagandë duhet të jesh dënuar, – hamendësoi komandanti duke iu drejtuar të burgosurit tjetër.
— Natyrisht, nuk ka gjë më të lehtë, sesa të dënosh një njeri për fjalë të thëna e të pathëna.
— Çfarë profesioni ke pasur në jetën e lirë?
— Në të ashtuquajturën jetë e lirë kam qenë gazetar.
— Pse e paske ndërruar këtë profesion të bukur me vagonin e Spaçit?
— Kur e vërteta është e burgosur, një gazetar i mirë nuk mund të jetojë në liri.
— Por vjen të gërryej këtu në minierë – e plotësoi komandanti i kampit duke u gajasur.
Të mësuar për të ndjekur shembullin e eprorëve, policët i bënë iso të qeshurës me të madhe të komandantit të kampit. Për inerci, edhe të pranishmit e tjerë iu bashkëngjitën korit humoristik.
Kur të qeshurat u qetësuan, ish-gazetari i tha:
— Është më mirë të gërryesh në minierë, sesa të bëhesh varrmihës i së vërtetës, ndërkohë që e quan veten zëdhënës i saj.
— Sa vjet burg je dënuar? e vazhdoi dialogun komandanti i kampit.
— Dhjetë – u përgjigj i burgosuri.
— Sa ke bërë?
— Dhjetë.
— Sa të kanë mbetur akoma?
— Dhjetë.
I revoltuar, komandanti ia priti:
— Mos harro, armik, se policët e pranishëm po e konstatojnë sjelljen tënde dhe nuk do dalësh pa gjë. Po të pyes për dënimin, nuk kam qejf të luaj kungulleshkë me ty.
— Kur nuk keni ju qejf për të luajtur, po unë? Janë hetuesit e gjykatësit ata që paguhen për të luajtur me jetën e të tjerëve. Një javë para se të lirohesha pas dënimit të parë dhjetëvjeçar, më arrestuan në burg dhe më dënuan edhe dhjetë vjet të tjerë, të cilët sapo i kam filluar.
— Nga je?
— Nga Tir…
Një eksplozion e ndërpreu papritur dialogun e tyre. Marteli i të burgosurit që bënte birat në ballë të frontit të punës heshti. Të shqetësuar prej këtij fakti, dy të burgosurit pranë delegacionit thirrën në një gojë:
— Shoku ynë është në rrezik; duhet të shkojmë ta ndihmojmë.
Pa pritur t‘iu jepte njeri leje, ata u zhdukën në errësirë duke vrapuar.
— Shoku komandant i kampit duhet të zbresim menjëherë, mbasi ne nuk e dimë se çfarë ka ndodhur – propozoi shefi i policëve.
Ekipi i kontrollit doli me hapa të mëdhenj nga miniera.


 

Marrë nga "Odiseja e Një Dedektivi"

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
5.00