Home | Literature | Intervistë me Përkthyesin Urim Nerguti

Intervistë me Përkthyesin Urim Nerguti

image
Nerguti: Do t’iu përcillja thjesht moton e Marcel Proustit që thotë : "Punoni sa të keni dritë." 



 

 

 

 

Nga  Dea J Klosi, Klosi News

 

 

 

Klosi News:  Ju njiheni si përkthyes Nobelistësh, Fjalimesh, Filozofi, Kryevepra, pse pikërisht ato?


NERGUTI: Nuk jam shumë i sigurtë se njihem por sidoqoftë, përpiqem të bëj punën time sa më mirë. Eshtë e vërtetë se kam përkthyer nobelistë, ndër ta Beckett (Trilogjinë e tij Molloy, Malone vdes, dhe E Paemërtueshmja) dhe Camus (Rënia). Në fakt, pas thatësirës së skajshme të periudhës së diktaturës, ishte mëse e kuptueshme që lexuesit të kishin etje për të lexuar pikërisht ata autorë që regjimi ua kishte ndaluar. Ndërkohë që ne e dinim veten si lulja e planetit, u pa që letërsia botërore kishte ecur ndërkohë dhe nuk ishte ndalur të priste çmenduritë tona. Kontakti me këtë letërsi ka qenë nëpërmjet gjuhës franceze që rrethanat e sollën që ta bëj timen. Ju më pyesni përse filozofia ? Eh mirë, sepse kjo lëndë ka qenë përçudnuar aq shumë nga regjimi komunist, sa nuk të merrte malli t’ia hidhje sytë. Mirëpo, qysh në qasjen e parë që i kam bërë kësaj filozofie – dhe me njëfarë ndrojtje, kuptohet – kam vënë re se filozofët europianë s’kishin asnjë lidhje me ç’na ishte përrallisur me kohë. Dhe se kishin një gjuhë më tepër të kuptueshme se ç’na e kishin bërë "profesorët". Kjo befasi e këndshme pra, se edhe unë mund të merrkam vesh se ç’bëhet në këto vise, ka bërë që të futem në përkthime filozofike.


Klosi News: A besoni se ekziston një marrëdhenie mes Përkthyesit dhe Autorit?


NERGUTI: Sigurisht. Madje jam i bindur. Lidhja mes autorit dhe përkthyesit është mirëfilli një lidhje dashurie. Nuk është e mundur që dikush t’i kushtojë tjetrit aq kohë dhe energji, dhe aty të mos ketë dashuri. Qoftë i vdekur e qoftë i gjallë, mendoj se përkthyesi është gjithmonë një bashkëbisedues i autorit, madje sikur është duke e shkruar aty, në atë çast, këtë libër bashkë me autorin. Debatet "fantazmë" që bën përkthyesi me një autor të vdekur, janë të tipit që përkthyesi luan rolin e fëmijës së bezdisshëm i cili pyet një më të rritur përse kështu e përse ashtu. Edhe përkthyesi hyn në një lojë të tillë me autorin, duke e ngacmuar atë, ndërkohë që ky i fundit e dërgon tek veprat e tjera të tij, ose tek mjeshtrit e vet. Gjithçka sillet në një lloj qerthulli apo labirinthi ku përkthyesit i duhet të njohë jo vetëm ç’është shkruar aty në letër, por edhe të kapë drithërimat e brendshme të shpirtit të autorit kur ai vendos një pikë apo presje apo tjetër.

 

Klosi News: A keni hasur vështirësi gjatë përkthimit, po në përshtatjen e titujve në shqip?


NERGUTI: Po, dhe madje shumë. Për disa arsye : e para, jam gjendur përballë emrash dhe veprash që aparati ynë mendor si njerëz të dalë nga një diktaturë nuk arrinte t’i përballonte. Pra mungonte terminologjia dhe madje vetë lidhja e brendshme mes koncepteve. Më është dashur që të familjarizohem me këto terma dhe vetëm pastaj të arrij të shquaj frymëmarrjen e tyre bashkë. Përndryshe, mund të them se fillimi ka qenë vërtet i vështirë për një arsye tjetër që mund të krijojë debat : gjuha e varfër e regjimit komunist, me klishetë, parullat dhe një makineri të tërë propagande nga prapa, kishin bërë që ne ta humbnim idenë e bukurisë së një stili. Të gjitha veprat e asaj kohe na vinin të sheshta, si të dala nga e njëjta dorë. Autorët flisnin një gjuhë të ngurtë, të njëtrajtshme, pa kurrfarë deliri apo lajthitje. Shkurt, më është dashur t’iu largohem leximeve të mia të mëparshme dhe të ngulis në kokë se vetëm autori ka rëndësi. Megjithëse kjo mund të debatohet, e mbase kjo bëhet njëherë tjetër.


Klosi News: A mendoni se ka diferencë midis përkthimit të letërsisë artistike me atë filozofike, pse?


NERGUTI: Ka disa dallime, sigurisht. Fjalori i gjuhës filozofike është shumë më i ngushtuar se ai i gjuhës artistike, për shkak se kemi të bëjmë me koncepte të cilat nuk të lejojnë të marrësh shumë liri. Lajthitjet apo përçartjet, nuk kanë vend në filozofi, përndryshe kthehesh në një klloun. E kundërta ndodh në atë artistike, ku në fakt, këtu, ajo që bie menjëherë në sy dhe që të mahnit me bukurinë e vet, nuk është asnjëherë normalja, por anormalja. Letërsia është një dalje nga normalja. Të gjithë ata shkrimtarë që kanë ndenjur brenda një normaliteti, kanë përfunduar në harresë, ndërkohë që të guximshmit, eksperimentuesit, sot janë në mendjen e të gjithëve : Proust, Joyce, Beckett, e plot të tjerë.

 

Klosi News: Cili është mendimi juaj për përkthimin e përkthimit, a ka humbje/rrjedhje teksti?

 

NERGUTI: Ky është një debat i tërë. Unë kam menduar gjithmonë se përkthimi është si kartmonedha : paguhet me të parë. Më jep të shoh paranë, dhe të jap mallin. Po ashtu dhe përkthimi : më jep ta shoh, dhe të them si është. Nuk ka përjashtim përkthimi a priori. Paragjykimi nuk është i mirë në këtë zanat. E para e punës, përkthimi është një filozofi më vete, dhe si i tillë pranon gjithfarëlloj komentesh. Asnjeri ska kyçin e së vërtetës. Edhe përkthimi nga origjinali, ka humbje. Thënë me fjalë të tjera, përkthimi është praktikisht i pamundur. Ne s’lexojmë asgjë tjetër veçse një variant, mbase më të mirin të mundshëm, të një libri të shkruar në origjinal. Ka gjuhë që janë larg njëra-tjetrës, e po ashtu kultura që s’janë puqur asnjëherë bashkë. Këtu, është e qartë se përkthyesi do të mundohet të ruajë njëfarë besnikërie ndaj origjinalit, porse kur vjen fundi, ai duhet të sjellë një përkthim të lexueshëm. Kjo bën që besnikëria të rrjedhë drejt tradhtisë, e s’po përsëris këtu atë thënien e vjetër që të gjithë e dinë. Gjuha shqipe, nga ana tjetër, ka ca probleme të mëdha që s’varen fare prej saj, për shembull, si gjuhë e vogël që është, ska asnjë lloj gjase që të ketë ambasadorë të saj në vende të largëta dhe pa lidhje me të. Çfarë do të bëjmë ne në rastin e Kawabatas ? Nobelist. Po me Tagorën ? Nobelist gjithashtu. Po me Kunderën ? Eshtë e qartë se shqipja s’e ka këtë luks që të ketë një shqiptaro-japonez, një shqiptaro-bengalian, apo një shqiptaro-çek. Madje edhe po të ekzistojë ndonjë, duhet ende që ky ta dojë letërsinë e që t’i pëlqejë zanati i përkthyesit. Kushte të rënda këto, që të paktën tani për tani, është e vështirë të plotësohen. Kështu që është pothuaj e detyrueshme të kalohet nga një gjuhë ndërmjetëse. Dhe është e rreme kjo që thonë disa, se humbjet do të jenë më të mëdha. Është parë se këto lloj përkthimesh vinin me të njëjtën shkallë gabimi si përkthimet nga origjinali. Megjithatë, ne flasim këtu për përkthime të sakta, qoftë dhe nga një gjuhë ndërmjetëse. Nuk flasim për raste përkthimi të keq, sepse këtu s’të shpëton as përkthimi nga origjinali. Një arsye tjetër që mund të flasë në mbrojtje të këtij lloj përkthimi, është dhe kjo : libri është bërë për të udhëtuar. Askush nuk e di fatin e një libri. Një libër i shkruar në terrin e një shtëpie të Kenias, mund të lexohet nga një Finlandez që shkon në Greqi të nxihet në diell. Nuk ka rëndësi rruga që ka përshkruar ky libër, përfundimi është se një Finlandez po lexon diçka të çuditshme që flet për Kenian. Sidoqoftë, ky debat është i hapur dhe vështirë se mund të zgjidhet gjë në kornizën e këtyre pyetjeve.


Klosi News: Cilët janë autorët tuaj më të dashur, po ndonjë përkthyes?


NERGUTI : Siç e thashë, autorët që përkthej, i dua dhe pa i përkthej. Kështu që kjo pyetje është si ta pyesësh një prind se cilin fëmijë do më tepër. Megjithatë, prindi, kur ka fëmijë shumë, në heshtje ka dhe ai preferencat e veta. Le të dalloj këtu një shkrimtar mbase të panjohur në Shqipëri, Robert Walser. Stili i tij është krejt i veçantë : Walser di të përziejë më mirë se kushdo tjetër naivitetin e rremë me tinëzinë e zgjuar. Kur lexon Walserin, të duket se ke përpara një fëmijë nga ata të fshatit, që në fakt janë të rrallë, të cilët, teksa qëndrojnë të mbështetur tek gardhi, të paraqesin një buzëqeshje që sikur të thotë : e di shumë mirë se të kam bërë përshtypje, jam më i zgjuar nga ç’dukem. Një autor tjetër që më pëlqen, është Richard Brautigan, që është një ilaç për depresivët, humori i tij është me të vërtetë shpartallues. Ironia e kësaj historie është se ka vrarë veten. Por nëse ka një autor i cili është i padiskutueshëm për një lexues të mirë, ai është Marcel Proust. Nuk po zgjatem tek ky, koha s’mjafton.


Klosi News: Z. Nerguti, si mendoni a ka ardhur koha për ripërkthimin e kryeveprave edhe tek ne?


NERGUTI: Po, ka ardhur, dhe madje jemi ca të vonuar. Vepra apo kryevepra qofshin, përkthimet e infektuara nga ideologjia komuniste, duhen riparë. Dhe kjo ska asnjë lidhje me kritikat ndaj përkthyesve të atëhershëm, këta të fundit mund ta kenë bërë punën e tyre më së miri. Por le ta pranojmë sidoqoftë se edhe me dëshirën e tyre më të mirë, ata s’mund të dilnin nga korniza që iu ishte caktuar. Ripërkthimet e kryeveprave kanë filluan të bëhen në shkallë të gjerë në Francë. Kafka po rizbulohet, ngaqë përkthyesi i tij i parë, bashkëmoshatar me Kafkan, i kishte dhënë liri të madhe vetes në përkthim. Mirëpo këtu s’duhet t’i vihet asnjë faj sepse ashtu ka qenë koha e përkthimit, gjithçka ka kohën e vet. Nuk ka përkthime të përjetshme. Ne jemi në kohë dhe ajo na gërryen. Gjuha, mendësia, gjithçka ndryshon. Nuk mund të lexosh sot si para njëqind vjetëve. Megjithatë, s’kam asnjë dijeni sesi qëndron ky problem në botimet shqip.


Klosi News: Në Majin e këtij viti, Ju u nderuat me  Çmimin "Klosi" në Përkthim, në Korçë, çmim që  u nda  për herë të  parë  nga "Fondacioni Klosi". Si e përjetuat atë vlerësim?

 

NERGUTI: Ishte vërtet diçka e bukur. Korça është një ndër dy qytetet që gëzon respektin tim më të madh, bashkë me Shkodrën. Është e ngutshme që këto dy qytete të rizgjohen dhe të futen në një garë të vërtetë, e kam fjalën përsa i përket jetës intelektuale, me Tiranën. Tradita aty është, ajo pret thjesht të shpluhuroset. Korçarët mund ta bëjnë këtë, i kanë të gjitha mundësitë, njerëzore apo tjetër. Të rinjtë e këtyre dy qyteteve duhet të ndihen me fat që banojnë aty, dhe të përpiqen të rilidhen me parardhësit e tyre të viteve mes dy luftrave. Ishte kënaqësi e veçantë tek dëgjoje një poezi të Lasgush Poradecit mbi liqenin, të recituar aq bukur e ndjeshëm nga një aktor i trupës së Teatrit të Korçës, Ligoraq Riza. Gjithsesi, mendoj se letërsia do të fillojë të bëjë vend ndër lexues shqiptarë, edhe pse koha e sotme nuk është shumë ndjellëse. Të shpresojmë.

 

Klosi News: Dhe së fundi, çfarë do të dëshironit t'ju përcillnit lexuesve dhe dashamirësve tuaj?

 

NERGUTI: Do t’iu përcillja thjesht moton e Marcel Proustit që thotë : "Punoni sa të keni dritë." Gjithashtu, i falenderoj për mbështetjen, për fjalët e mira që thonë nganjëherë, e që për një përkthyes është një shpërblim i vërtetë, sepse dihet kjo, në motivet e një përkthyesi për të përkthyer futet dhe cytja e papërballueshme që kanë ata, për t’i ndarë me të tjerët leximet e tyre.

 

Klosi News: Ju falemnderit!

 

NERGUTI: Falemnderit prej jush.

 


Saint-Malo, Tetor 2011

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
5.00