Home | Literature | Heshtje Ankthndjellëse

Heshtje Ankthndjellëse

image
— Në kontrollin e fundit mjekësor që iu bë të burgosurve të kampit tonë në aparatin e florografisë, ti ke dalë i sëmurë, Hamit. Drejtoria e Kampe-Burgjeve ka dërguar një kurë për ty me këtë mjekun nga Tirana.

Nga Agim Hamiti

―Pritja është një zinxhir që lidh të
gjitha dëshirat tona.‖
Montesquieu


Pas takimit me anglezët, Meli priste nga dita në ditë futjen në kamp të detektivit Fatmir Merdari. Ky ishte premtim i vetë drejtorit të DSJsë dhe atij nuk ia bënte dot fjalën dy askush.
Fatmir Merdari ishte me origjinë nga Korça, por lindur e rritur në Tiranë. Ai ishte njeri i komunikueshëm, inteligjent, mjaft guximtar, por paksa i rrëmbyer. Në këtë cilësinë e fundit, e cila nuk i përshtatej mirë profesionit të detektivit, Merdari ngjasonte me vetë Melin. Ndofta kjo veti e përbashkët kishte ndikuar në lidhjen e një shoqërie të fortë midis tyre. Ata kishin ndërmarrë edhe misione të përbashkëta jashtë shtetit, që i kishin realizuar me sukses.
Kuptohej që Dofeni ishte vënë në dijeni të shoqërisë së dikurshme ndërmjet Melit e Merdarit, prandaj e kishte vënë gishtin pikërisht mbi këtë të fundit, për ta autorizuar të burgosej përkohësisht në kampin e Qafë-Barit, që t‘i bënte shoqëri mikut të tij të hershëm.
Mirëpo ditët po kalonin dhe Merdari nuk po dukej. Fillimisht Meli mendoi se ai ndodhej me shërbim jashtë shtetit. Mbasi të kthehej në Tiranë, udhëtimin e parë ai do ta bënte me siguri për në kampin e Qafë-Barit.
Kaluan dy javë nga dita e takimit me anglezët dhe heshtja vazhdonte ende. Bile jo vetëm që Merdari nuk po bëhej i gjallë, por Meli nuk po merrte asnjë sinjal edhe prej shokëve të tjerë. Detektivi i burgosur ishte i bindur se Dofeni u nda mjaft i kënaqur prej tij, si asnjëherë më parë. Në pamundësi të Merdarit, për çfarëdolloj arsyeje, drejtori i DSJsë do të dërgonte dikë tjetër në kamp, për ta sqaruar Melin si qëndronte puna.
Nga ana tjetër, edhe Streto e Pahia me shokë nuk do të linin gur pa lëvizur për ta vënë në dijeni Melin rreth arsyes së vonesës, ndërkohë që e dinin shumë mirë se bashkëluftëtari i tyre i burgosur kishte të drejtë të shqetësohej.
I bindur se diçka kishte ndodhur, Meli ia shprehu shqetësimin e tij Diksit:
— Nuk më duken mirë punët, Sazan; ka diçka që nuk shkon në këtë mes. Guri me shokët e dinë mirë se kjo heshtje e gjatë e tyre ne na lë në ankth të madh. Aq më tepër që, sipas fjalëve të Gurit në takimin e fundit, ata kanë krijuar një goxha grup shokësh të profesionit, të vendosur për t'iu kundërvënë interesave angleze dhe diktatorit në rrethanat injoruese ku po punojnë aktualisht. Në luftën e heshtur e keqja mund të të gjejë atëherë kur nuk e pret fare.
«Guri më vuri në dijeni se kishin në plan të rrëmbenin ndonjë anëtar të elitës drejtuese të misionarëve anglezë që bujnë në hotel Tirana si turistë. Bile vetë shefin do ta gjuanin si macja dhjamin. Donin t'i bënin një hetuesi të fortë, për ta detyruar të shprehej rreth planeve të tyre të ardhshme për Shqipërinë. Ka

të ngjarë që, duke u përpjekur për të realizuar këto synime, diçka t‘iu ketë ndodhur. Përndryshe ata nuk do të rrinin kurrë mbi dy javë në heshtje. Të paktën kalimthi do të dukej patjetër ndonjëri prej tyre. Duhet të përgatitemi për lajme të këqija, Sazan.
Duke thënë këto fjalë, ish-detektivi mblidhte fort buzët dhe tundte kokën i pezmatuar.


SITUATË E TURBULLT

―Pamundësitë tona na acarojnë.‖
Joseph Joubert

Pas dy ditësh Melin e thirrën në infermieri. Kur u paraqit atje, ai gjeti mjekun e burgosur së bashku me një person të panjohur. Mjeku i burgosur e sqaroi:
— Në kontrollin e fundit mjekësor që iu bë të burgosurve të kampit tonë në aparatin e florografisë, ti ke dalë i sëmurë, Hamit. Drejtoria e Kampe-Burgjeve ka dërguar një kurë për ty me këtë mjekun nga Tirana.
Duke thënë këto fjalë, ai shikonte herë mjekun e ardhur prej kryeqytetit, herë Melin, si për t'i prezantuar respektivisht tek njëri-tjetri. Ndërkaq, mjeku i ardhur i tha me takt mjekut të burgosur:
— Më duhet t'i bëj një vizitë të ngeshme e të përgjithshme Melit. Prandaj, në qoftë se ti ke ndonjë punë, je i lirë të dalësh.
Mjeku i dënuar e kuptoi se ç'duhej të bënte. Ai stakoi nga korrenti prizën e furnelës ku po zienin shiringat dhe sistemoi disa shishe me barna që kishte mbi tavolinë. Pastaj i tha mjekut kryeqytetas:
— Unë do të shkoj të psonis, se sot është futur shitësi në kamp. Ai vjen vetëm dy herë në muaj këtu. Po u vonova, ja ku e keni çelësin e derës, në rast se do të dilni pa u kthyer unë.
Mjeku tjetër mori çelësin, u çua prej karriges dhe shkoi e mbylli derën pas atij që doli. Pastaj u afrua tek dritarja, lëvizi pak cepin e perdes prej kambriku dhe, pasi endi shikimin nëpër oborrin e kampit, u kthye nga Meli e i zgjati një copë letër duke i thënë:
— Shokët janë mirë; mos u bëj merak. Nuk të kanë ardhur dot, se ashtu duhej. Po pate gjë për të thënë, mund të flasësh pa ndrojtje.
Meli e falënderoi dhe hapi letrën, ku njohu shkrimin e Stretos:
I dashur Hamit,
Nuk kemi mundur të vijmë, për arsye pune. Gjithashtu nuk të premtojmë dot se kur mund të vijmë. Letërprurësi është i yni. Po pate gjë për të thënë, shprehu.
Të fala nga "të gjithë", Guri.
P–S. Dariu të zëvendësoi.
Fjalët e fundit i bënë përshtypje Melit, por shqetësimi i tij kryesor nuk lidhej me të vëllain. Prandaj ai iu drejtua mjekut me të tjera pyetje:
— A mund të më flasësh më konkretisht për gjendjen e shokëve? Ç'janë ato punë që ua bëjnë të pamundur ardhjen e njërit prej tyre deri këtu?
Mjeku u përgjigj me një buzëqeshje të lehtë:
149
— Ato punë ti mund t'i marrësh me mend më kollaj nga unë. Por, me sa kam dëgjuar prej shokëve, mund të të them vetëm se aleatët kanë shprehur rezerva të ndjeshme ndaj faktit, që për survejimin tënd në burg janë dërguar pikërisht ish-shokët e tu të shkollës së shërbimit sekret. Pas takimit të zhvilluar me ty, anglezët i kanë kushtuar shumë vëmendje çështjes sate. Për këtë arsye Dofeni nuk guxoi të të dërgonte njeri këtu, sipas premtimit.
Në vazhdim të kësaj bisede, Meli mësoi se aleatëve u ishte lëkundur besimi lidhur me ruajtjen e sekretit në DSJ. Ndërsa disa kuadro angleze ishin gjithmonë të pranishëm në mbledhjet e rëndësishme të DSJsë, ata nuk pranonin pjesëmarrje shqiptarësh në mbledhjet e tyre.
— Po këto fjalët e fundit të letrës – Dariu të zëvendësoi – ç‘janë? u interesua ish-detektivi.
— Vëllai yt është Dariu? e pyeti mjeku.
— Po.
— Ja si është puna: Anglezët kanë tërhequr për specializim në Londër një kontingjent detektivësh shqiptarë me moshë të re. Do t'i fusin në kurse nga një deri në trevjeçare. Bashkë me ta, kanë tërhequr edhe vëllain tënd. Shumë shokë shfaqën mospajtimin e tyre me këtë transferim të Dariut, duke i mëshuar faktit se ai nuk ishte detektiv i mirëfilltë dhe ndodhej aksidentalisht në DSJ. Një ditë u ndodha rastësisht kur një shoku yt, Fatmir Merdari, u grind me dy kuadro angleze për këtë punë. Ata iu kundërvunë atij me këto fjalë:
— Ne e kemi gjetur Dariun të inkuadruar në DSJ; nuk e kemi sjellë ne këtu. Meqenëse ai nuk e paska mbaruar shkollën e shërbimit sekret, atëherë ne do ta fusim në një kurs trevjeçar atë.
— Mirë, atëherë – ua priti Fatmiri – të paktën i jepni leje të shkojë të takohet me të vëllain, para se të niset për në Angli.
— Jo, jo, nuk është nevoja – iu përgjigjën ata. – Dariu do të vijë me leje prej andej; atëherë le ta takojë. Si gjithë detektivët e tjerë që po transferojmë, edhe Dariu shkon në Londër për interesat e vendit të tij.
— Ose për peng – shtoi i revoltuar Fatmiri dhe doli nga salla ku po diskutonin.
«Të prekur nga ky gjest proteste, anglezët e ndoqën me sy në heshtje, por kuptohej qartë që ky veprim i Fatmirit u qëndroi rëndë.
Mjeku u largua po atë ditë nga kampi, mbasi la në infermieri një kurë për Melin. Ky nuk e pa të arsyeshme t'iu dërgonte ndonjë mesazh shokëve me mjekun. Pas largimit të këtij, në kamp mbretëroi e njëjta heshtje deri ditët e fundit të prillit.

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
5.00