Guximi sfidon krimin
— Profesioni i detektivit paska qenë një mallkim për ne. Sa shumë i kam merituar fjalët injoruese të një vajze italiane nga Bolonja dhe buzëqeshjen-akuzë të një detektivi rumun, të vrarë dikur në Bukuresht!
Nga Agim Hamiti
―Vetëm përballë rreziqeve të
mëdha shpalosen kurajot e mëdha.‖
Jean-François Regnard
Lajmet e fundit e tronditën Melin. Profesioni i detektivit atë e kishte mësuar që ta shikonte botën si një xhungël dhe jetën si një luftë që zhvillohej sipas ligjeve të xhunglës. Për këtë arsye ai e kishte më të lehtë se një qytetar i thjeshtë për ta justifikuar në ndërgjegjen e tij luftën e egër për pushtet, në kuadër të diktaturës. Meqenëse të gjithë pjesëmarrësit e kësaj lufte të paprinciptë ishin të pamoralshëm, triumfin e diktatorit ai e vlerësonte si atribut të më të fortit në xhunglën e pushtetit suprem.
Mirëpo ky lloj arsyetimi qëndronte për sa kohë diktatori mbështetej në forcat dhe në aftësitë e tij. Misteri i suksesit të Hoxhës, duke u ndriçuar në sytë e ish-detektivit prej informacioneve të Stretos, po ravijëzonte një palë të tretë. Kjo dukuri e re i shkelte rregullat e luftës së xhunglës, me të cilat ai ishte mësuar.
— Xhunglat e politikës janë më të egra se ato të Afrikës – i tha ai Diksit pas takimit të fundit me Streton. – Mjerisht unë nuk orientohem dot në to, sidomos në ballafaqimin e parë. Duke e gjykuar me mendjen e sotme ngjarjen që më tregoi Afrimi lidhur me agjentin anglez, që ishte paraqitur si rus, tani i jap shpjegimin e duhur. Skenari i asaj ndodhie ka qenë përgatitur prej vetë Dofenit në marrëveshje me shërbimin sekret anglez, për të frikësuar detektivët e DSJsë, të cilët do të bien patjetër në gjurmët e zhvillimeve të fundit politike, për të cilat aludonte Guri. Qëllimi i terrorit është gjithmonë nënshtrimi dhe heshtja. Detektivët e DSJsë duhet të kafshojnë gjuhën dhe të mos iu shkojë kurrë ndërmend t‘ia drejtojnë as vetes pyetjen: nga na doli kaq papritur kjo miqësi me militaristët e derisotshëm të Londrës? Jam i bindur se për të njëjtën arsye e kanë pushkatuar edhe detektivin Genc Daka, pavarësisht prej akuzës që i kanë ngritur. Genci ishte njeri sedërqar që nuk e njihte frikën dhe mund t‘iu krijonte probleme në DSJ, kur të dilnin në dritë marrëdhëniet sekrete të diktatorit Hoxha me Londrën. Emrin e tij për tu eliminuar e ka rekomanduar me siguri instruktori anglez, i cili vepronte pranë DSJsë qysh me organizimin e shërbimit sekret të diktaturës. Për atë ne na thoshin se ishte rob lufte, por kuptohet që ka qenë i deleguar i Inteligjencë Servisit pranë shërbimit sekret shqiptar. Ai e njihte shumë mirë Gencin dhe ia ka vënë emrin në rreth të kuq, para se të largohej për në Londër, me krijimin e koniunkturave të reja politike. Një popull i tradhtuar, si puna jonë, shkon mish për top.
*
Gjatë bisedave të mëvonshme me shokët, Meli mori vesh detajet e fundit dramatik të Dakës, me të cilin ai kishte pasur marrëdhënie të ngushta dhe kishin kryer disa misione së bashku jashtë shtetit. Streto dhe Pahia e dinin që Meli do të hidhërohej për ish-mikun e tij, prandaj kishin ngurruar t‘ia përmendnin atë ngjarje, prej së cilës ata ishin bindur edhe më tepër se situata kërcënuese u impononte unitetin midis tyre.
Historia e fundit të detektivit Genc Daka ishte mjaft e dhimbshme.
Në kuadrin e përgatitjeve për Misionin e Madh, në nëntor 1983 DSJ nisi një grup prej njëzet detektivësh në Evropën Lindore. Misioni i tyre ishte të verifikonin funksionimin e bazave të shërbimit sekret shqiptar, pas përmbysjeve që kishin ndodhur në Kryeministri dhe në M.P. të Brendshme. Organizimi i aktivitetit të njëzetë detektivëve të ndarë në nëngrupe me destinacione të ndryshme iu besua kuadrit me përvojë të DSJsë Genc Daka, i cili do ta drejtonte misionin e përgjithshëm prej selisë së ambasadës shqiptare në Sofje.
Dhjetë ditë pasi kishin nisur nga puna, Daka konstatoi se gjashtë detektivë nuk bëheshin më të gjallë; pra, ishin arratisur. Për këtë ai lajmëroi qendrën në Tiranë. DSJ i dha urdhër të ktheheshin të gjithë në Shqipëri sipas rregullit: në fillim Daka me dy ndihmësit e tij dhe mandej pjesëtarët e tjerë të grupit. Kur u njoftuan për t'u kthyer para kohe në Tiranë, u arratisën edhe katër detektivë të tjerë. Dakën dhe shokët e tjerë që u kthyen i arrestuan me të mbërritur në DSJ.
Nëpërmjet një gjyqi rrufe ushtarak me dyer të mbyllura, Daka dhe zëvendësi i parë i tij u dënuan me pushkatim; tetë të tjerët me burgime të rënda. Meqenëse zëvendësi i Dakës kishte një të afërm në Byronë Politike, atij iu fal jeta. Vendimi i dënimit me pushkatim të Dakës mbeti i pandryshuar.
Ashtu siç e parashikonin ata që e njihnin nga afër, Daka i pafajshëm kishte mbajtur një qëndrim mahnitës në gjyqin e rrufeshëm ushtarak dhe, veçanërisht, para plotonit të ekzekutimit.
Ai kishte kërkuar që në çastin e pushkatimit të tij të ishin të pranishëm edhe kolegët e DSJsë. Prej tyre kishte shkuar vetëm Streto, i cili fliste sa me dhimbje, aq edhe me admirim për vdekjen heroike të 34 vjeçarit Daka.
Pasi e kishin zbritur nga makina brenda vendit të rrethuar me roje të afërta, ku do të kryhej ekzekutimi i tij, Daka i prangosur ishte ulur ndenjur dhe buzëqeshte nën dritën e prozhektorëve të Gazeve. Në gjysmerrësirë qëndronte grupi vëzhgues i ekzekutimit dhe një kamerë. Ai kishte filluar të fliste shumë i qetë. Demaskonte makinacionet e regjimit diktatorial, i cili dënonte atë dhe shokët e tij të pafajshëm, për të terrorizuar të tjerët.
Pasi kishte shkarkuar pjesën kryesore të urrejtjes së akumuluar, Daka kishte thithur thellë cigaren e tretë që po pinte radhazi dhe, si flaku bishtin e saj në drejtim të atyre që ishin në gjysmerrësirë, ai përfundoi duke thënë:
— Megjithëse jam i ri, unë e meritoj vdekjen, mbasi kam marrë në qafë njerëz që nuk i njihja e nuk më njihnin. Dhe këtë gjë të shëmtuar e kam bërë për hir të interesave të një grushti morrash, të cilët nuk u ngopën së thithuri gjakun e këtij populli fatkeq. Unë deri dje u shërbeja atyre verbazi, ashtu siç u shërbeni ju sonte, duke ndenjur në errësirë, se mos ju shikoj fytyrat. E vërteta nuk i trembet dritës, ndërsa ju i trembeni, se jeni kundër saj.
«Kam kërkuar që sonte të ishin edhe shokët e mi të pranishëm në ekzekutimin tim. Nuk e di nëse i keni sjellë apo jo. Gjersa ju nuk e respektoni njeriun gjatë gjithë jetës, nuk më habit fakti që të mos ta plotësoni as kërkesën e tij të fundit. Doja që kolegët e mi të shikonin me sytë e tyre sesi i shpërblen regjimi komunist ata që i shërbejnë verbërisht. Kjo verbëri absurde më revolton së tepërmi në bilancin përfundimtar të jetës dhe ma lehtëson së tepërmi vdekjen.»
Ai ishte çuar me vrull në këmbë, kishte zbërthyer plotësisht zinxhirin e xhakaventos me duart e prangosura – duke lënë të kuptohej se ishte gati për çastin fatal – dhe, duke vendosur duart në fund të barkut, kishte thirrur fort:
«Po jua them me plot gojën se plumbat tuaj unë do t'i pres këtu!»
Daka nuk kishte pranuar t‘i lidheshin sytë. Pas fjalëve të tij të fundit në jetë, ai kishte pështyrë fort në drejtim të togës së ekzekutimit.
Vendimi rrufe i dënimit të tyre e kishte çuar Dakën para plotonit të ekzekutimit me veshjen që kishte pasur dhe flokët e gjatë të paprekur. Streto ishte tronditur shumë prej sjelljes sfiduese të Dakës. Në çastin që ky po thoshte fjalët e fundit, era e natës i shpupuriti flokët dhe i hapi kanatat e xhakaventos.
Me krismën e armëve, Streto kishte humbur ndjenjat.
XLIII
XHILDA DHE DETEKTIVI RUMUN
―Pendesa është varka që nuk mbytet kurrë.‖
Victor Hugo
Duke përfunduar përshkrimin e skenës tronditëse të pushkatimit të Dakës, Melit iu njomën sytë. I mallëngjyer, ai i tha Diksit:
— Profesioni i detektivit paska qenë një mallkim për ne. Sa shumë i kam merituar fjalët injoruese të një vajze italiane nga Bolonja dhe buzëqeshjen-akuzë të një detektivi rumun, të vrarë dikur në Bukuresht!
— Nuk mbaj mend të më kesh folur për gjëra të tilla – i tha me zë të ulët Diksi, i përfshirë deridiku edhe vetë prej emocioneve të bashkëfolësit.
— E di, e di që s‘të kam folur për këto dy ngjarje. Megjithëse jemi kuptuar mirë bashkë, nuk doja t‘i përmendja këto ndodhí. Tani do të t‘i them, i nxitur nga dëshira hakmarrëse ndaj vetes, për ta pirë deri në fund kupën e hidhur që më ofroi fati.
«Dy vjet pasi kisha filluar profesionin e mallkuar, u njoha me një vajzë nga Bolonja. Ishte e bukur, por e varfër. Nuk kishte as makinë të sajën. Mirëpo gjendja ekonomike nuk e pengonte fare që të ishte e gëzuar dhe krenare. Unë e kisha bërë si rregull t'i lija me takt një shumë të hollash, para se të ndaheshim. I kisha thënë se isha ekonomist dhe kisha shkuar për specializim në Itali. Ajo e kuptonte që unë të hollat ia lija me gjithë zemër dhe nuk fyhej, por i pranonte duke qeshur e duke më falënderuar.
«Pas ca kohësh, për fatkeqësinë time, m'u mbush mendja që emrin e saj t'ia rekomandoja qendrës sonë, si kandidate e mundshme për krijim baze. DSJ na kishte porositur që t'i gjuanim raste të tilla. Propozimi im u miratua menjëherë dhe unë u nisa për në Itali me disa çeqe nëpër xhepat sekrete. U takova me Xhildën (nuk do t'ia harroj emrin kurrë!) dhe vendosa të rrija dy ditë me të. Ditën e dytë, në një çast që unë e gjykova të volitshëm, fillova larg e larg sondazhet, për të përgatitur terrenin e përshtatshëm për propozimin tim. Fillimisht Xhilda nuk reagoi keq ndaj pyetjeve të mia të bëra enkas. Ajo kishte qenë më e zgjuar nga ç'e kisha gjykuar unë. Pasi m'u krijua përshtypja e gabuar se ajo ishte e epshme për synimin tim, i bëra propozimin, duke i vënë theksin begatisë ekonomike, që do t'i siguronte miratimi i ofertës nga ana e saj. Duke thënë fjalët e fundit, i nxora dy çeqe të majmë.
«Mjaftoi ky gjest i imi për ta transformuar atë në çast, nga një kone e llastuar në një luaneshë të egërsuar. M'i rrëmbeu çeqet nga dora, i afroi tek buzët e saj dhe pështyu mbi ta. Duke buzëqeshur me përçmim, ndërsa fytyra i ishte ndezur zjarr, m'i përplasi në gjoks. Gishtat, me të cilët kishte kapur çeqet, i fshiu fort pas xhaketës sime. Pastaj hapi me rrëmbim çantën, nxori prej andej disa kartëmonedha të barasvlershme me shpenzimet që kishim bërë atë ditë dhe m'i zgjati mua. Hezitova t'i merrja, por ajo e kishte vendosur dhe më tregoi me gisht policin diku tutje. I detyruar, i mora të hollat e Xhildës, të cilat më dukeshin si resto e turpit tim të madh. Nuk guxoja t'i drejtoja sytë mbi të. Me kartëmonedhat ende në dorë, dëgjova të më thoshte me një ton përçmues:
— Hiqni dorë nga ky profesion i ulët! Është e pamundur të mos pendohemi një ditë, po vazhduat në këtë rrugë.
«Më përshëndeti dhe u largua me hapin e saj të zhdërvjellët. Kur ktheu kokën për të parë në drejtimin tim, unë akoma nuk kisha lëvizur prej vendit. Shikimi i saj më solli në vete.
«Kishin kaluar më shumë se dy vjet nga kjo ndodhí dhe unë e kisha harruar pothuajse fare Xhildën, kur një ditë u ndodha përsëri në Bolonja. Ishte prag Krishtlindjesh. Unë kisha hyrë në një supermarket artikujsh ushqimorë dhe po sodisja disa vitrina tërheqëse. Papritur një dorë u mbështet lehtë mbi supin tim. U ktheva rrëmbimthi dhe, i tronditur, u ndodha ballë për ballë me Xhildën e bukur. Iu përgjigja përshëndetjes së saj i turbulluar, sikur takimi ynë i fundit të ishte zhvilluar vetëm disa orë më parë. Ajo e kuptoi menjëherë shkakun e vërtetë të hutimit tim dhe e vuri gishtin drejt e në plagë:
— Me atë profesion vazhdoni akoma? më pyeti, duke më fshikulluar me shikimin inteligjent të syve të saj të bukur.
«Nuk po dija ç‘ti thosha, se ajo tashmë e kuptonte që unë nuk ndodhesha në Itali për specializim. Belbëzoja sa për të thyer heshtjen, pa thënë dot asgjë. I turpëruar nga kjo çoroditje para një femre, u rrotullova për tu larguar. Në çastin që i ktheva krahët, zëri i saj i ëmbël, me një tingëllim patetik, shqiptoi fjalët: "povero tu!". Kjo ishte etiketa e merituar e gjendjes sime të vërtetë. Para se të dilja nga porta përballë, ktheva edhe një herë kokën: ajo po më ndiqte me sy dhe atë çast më përshëndeti me dorë. Nuk guxova t'ia ktheja përshëndetjen dhe dola me nxitim nga supermarketi.
«Sa zili e kisha në ato çaste jetën e saj të shpenguar e gazmore! Isha gati të jepja gjithçka vetëm për të shijuar, qoftë edhe për një moment, jetën e hareshme të asaj fluture italiane!
Ish-detektivi fliste me sytë të mbyllur përgjysmë e qepallat të njomura. Me siguri ai "ndodhej" përsëri në supermarketin tërheqës të Bolonjës dhe dora e ngritur e Xhildës në përshëndetjen e fundit të mbetur pa përgjigje, ishte simbol lamtumire i jetës së qetë, të gëzuar e të lirë.
Pasi e mbaroi tregimin, Meli mbështeti kokën në të dy pëllëmbët e duarve.
— Paske filluar të thinjesh edhe ti, si unë, – i tha Diksi për të ndërruar bisedë, duke parë fije të bardha nëpër flokët gështenjë të ish-detektivit.
— Edhe unë po thinjem, por jo si ti, – iu përgjigj pas pak Meli. – Ti thinjesh nga jeta e sforcuar, nga vuajtjet e përhershme dhe nga brengat që të kanë shkaktuar të tjerët, ndërsa unë thinjem nga vuajtjet dhe brengat që u kam shkaktuar të tjerëve dhe nga pendesa për të kaluarën time. Arrijmë në të njëjtën pikë, të nisur nga dy antipode. Të gjithë ata që të njohin ty, e dinë përse je thinjur dhe do të ta respektojnë thinjien e parakohshme. Të gjithë ata që më njohin mua do të qeshin me thinjien time, ashtu siç qeshi dikur detektivi i vrarë, ndodhinë e të cilit do të ta tregoj tani.
*
Pa i lënë kohë Diksit të ndërhynte, për të mos ta lejuar të fliste për një ngjarje që do ta acaronte më tej gjendjen e tij të tronditur, ish-detektivi nisi të fliste pa ndryshuar pozicion, me kokën në mes të të dy duarve:
— Isha regjur me peripecitë e profesionit tim, kur më nisën me mision në Bukuresht. Duhej likuiduar një detektiv me banim në atë qytet. Kisha një javë që ndodhesha në kryeqytetin rumun dhe arrita të vihesha në gjurmë të personit të kërkuar. Atë mbrëmje ai ishte me dy shokë të tjerë në një park. Ndenjën deri vonë, se ishte verë e nxehtë. Dikur u duk se do të largoheshin të tre. Për fatin e tij të keq, ai u nda nga shokët dhe, ndërsa ata po largoheshin, detektivi shkoi tek një shatërvan aty pranë për tu freskuar. Në një çast të volitshëm veprova ndaj tij. Qëndrova pak për ta fotografuar (ashtu duhej). Pas spazmave të shpirtdhënies, fytyra iu tendos në një buzëqeshje të spikatur, e cila më tronditi jashtë mase. U largova i hutuar dhe, pas disa sorollatjeve të pakontrolluara, u gjenda përsëri përballë buzëqeshjes tragjike që po më torturonte. I ktheva krahët dhe, ndërsa zemra po më rrihte sikur do të çante kraharorin, tërhoqa këmbët zvarrë nga munda. S'di gjë se sa eca, vetëm mbaj mend se buzëqeshja rrëqethëse m'u shfaq për herë të tretë përpara.
«Në këtë krizë e sipër, e kuptova se gjendesha përballë një rreziku fatal: do të kapesha me presh në duar. Fillova të numëroj me zë, për të siguruar përqendrimin sa të mundja. Me përpjekje të mëdha, arrita të largohem zemërdredhur, se mos ballafaqohesha përsëri me buzëqeshjen fshikulluese.
Kur u qetësova në hotel, mendoja me vete:
―Vdekja e tij qeshte me jetën time.‖
«Një varg të përafërt e kisha lexuar në një vepër të Shekspirit. Sfida e Xhildës dhe buzëqeshja në shpirtdhënie e këtij detektivi (e cila ishte më tepër sesa një sfidë) janë ndër kujtimet më të dhimbshme të jetës sime, në saje të të cilëve unë kam konstatuar rrëzimin tim në jetë.
Comments (0 posted)
Post your comment