Qeshje Angleze
— Isha në qytetin e Korçës. Më pëlqeu. Qytet i vogël, por i bukur dhe i pastër. Atje njoha edhe vajzën tuaj. Ai nxori nga çanta një fotografi të zmadhuar, të cilën ia zgjati të burgosurit.
Nga Agim Hamiti
―Kur qesh një anglez, ruhu !‖
Proverb francez
Në orën 22 e 30 Meli u gjend përballë Unazës së Bardhë dhe Dofenit. Pahia kishte shkuar pak më përpara.
Anglezi i ofroi një cigare detektivit të burgosur, ia ndezi vetë, e i tha:
— Sikur ta njihja jetën tuaj të burgut para tri javësh siç e njoh tani, unë, pa vështirësi, do t'ju kisha bërë ta pranonit ofertën tonë.
Meli mblodhi shpatullat në heshtje. Zyrtari anglez vazhdoi:
— Isha në qytetin e Korçës. Më pëlqeu. Qytet i vogël, por i bukur dhe i pastër. Atje njoha edhe vajzën tuaj.
Ai nxori nga çanta një fotografi të zmadhuar, të cilën ia zgjati të burgosurit.
Meli e mori dhe fiksoi shikimin mbi profilin e vajzës së tij, që po rritej pa baba. Nga pozicioni sesi e kishte kapur aparati, ish-detektivi e kuptoi që e bija ishte fotografuar në padijeninë e saj. Melin e kishte marrë malli prej kohësh për vajzën. Takimi kalimthi natën që i erdhi nëna me vëllain dhe të bijën vetëm sa ia kishte shtuar më shumë mallin. Në një rast Diksi e kishte dëgjuar Melin të pëshpëriste:
«Eh, Sonila ime, mendon se babai ka një copë akull në vend të zemrës? Sikur ta dije sa herë më ke dalë në ëndërr, do mendoje ndryshe për mua.»
Duke ia kthyer fotografinë anglezit, detektivi i burgosur i tha:
— Nuk do ta kisha besuar kurrë se shërbimet inteligjente britanike do të denjonin të spekulonin me dhembshurinë e prindit për fëmijën. Megjithatë ju siguroj se, edhe sikur të ma zhduknit vajzën, unë nuk do ta ndryshoja qëndrimin tim.
Anglezi, i tronditur, drejtoi trupin mbi kolltuk, dhe foli me një indinjatë të dukshme:
— Oh, më keqkuptuat rëndë! Ju referuat renditjes së çështjeve për të cilat po flasim dhe jo lidhjes së tyre logjike. Kur ju thashë se mund t'ju kisha bërë të pranonit ofertën tonë, e vura theksin atje ku duhej: pasi kisha njohur në detaje jetën tuaj të burgut. Kur e kalova bisedën tek vajza juaj, e quajta të mbyllur çështjen e mëparshme. Veç me këtë rast doja t'ju njoftoja se tani e tutje bija juaj mund të jetojë e pavarur ekonomikisht prej familjes së mamasë së saj. Ne i kemi lidhur Sonilës një pension mujor prej 500 lekësh (të reja). Sipas vlerësimit të kolegëve shqiptarë, kjo shumë është e mjaftueshme për jetesën në nivel mesatar të një personi në Shqipëri. Sa për dijeni, shërbimet tona sekrete nuk ia kanë lejuar kurrë vetes të merren me fëmijë të pafajshëm. Po të merreshim me veprime të tilla, të padenja, ne nuk do të ishim këta që jemi.
— Nuk e kuptoj pse harxhoheni për një person, i cili nuk mundi ta plotësonte kërkesën tuaj – tha Meli me një ton që e vështirësonte dallimin e ironisë nga çiltërsia.
— Ne nuk harxhohemi aspak, përkundrazi. Me përjashtim të dy misioneve tuaj të parë, gjithë të tjerët që keni realizuar me sukses kanë qenë rekomanduar prej Inteligjencë Servisit anglez. Pavarësisht se ju e bënit këtë në padijeninë tuaj, ne nuk jemi mësuar t'ua hamë hakun atyre që na shërbejnë, në çfarëdo forme qoftë. E kundërta do të ishte një praktikë e gabuar, e cila do të kishte sjellë pasoja të padëshiruara për organet tona. Qysh prej misionit tuaj të tretë deri ditën që jeni përjashtuar nga DSJ, ju keni pasur rrogën tuaj mujore dhe shpërblimin përkatës për çdo mision të realizuar në një llogari bankare të shërbimeve tona sekrete mbi emrin tuaj. Ajo shumë administrohet me përgjegjësi në favorin tuaj. Ne e dinim që do të vinte një ditë, kur do të fillonte hapja e kartave. Dhe në një ditë të tillë, unë ju njoftoj se shuma që ne i japim si ndihmë mujore vajzës suaj është larg nga përqindja e shtesës së shumës së depozituar në emrin tuaj. Kështu që, jo vetëm ne, por as ju vetë nuk shpenzoheni në këtë rast.
— Për punën që kam bërë, unë e kam marrë rrogën në DSJ.
— Ato janë vetëm bishtra, jo rrogë detektivi – ia ktheu anglezi, duke mbledhur buzët. – Se si shpërblehet një detektiv për punën që bën, do ta mësoni kur të njiheni me shumën e depozituar në emrin tuaj. Sa për dijeni, në fund të vitit 1972 qendra jonë ju ka graduar në mungesë. Dihet që rroga është në raport të drejtë me spaletën.
— Sidoqoftë, edhe po u prishëm bashkë, të drejtën e shumës së depozituar në emrin tim nuk do të ma mohoni, besoj – i tha duke qeshur Meli.
— Kurrën e kurrës – u përgjigj me vrull anglezi. – Respektimi me përpikëri i ligjit në të gjitha rrethanat është tipari themelor i një kombi me të vërtetë të qytetëruar dhe i një shteti modern juridik. Cilido qoftë fundi i marrëdhënieve tona, shuma juaj është e garantuar me ligj dhe do të mbetet përjetësisht e juaja.
— Unë bëra shaka, zotëri – i tha Meli, të cilit i bëri përshtypje serioziteti i përgjigjes së anglezit. – Në gjendjen ku ndodhem unë, këto gjëra më duken si përralla.
— Kurse ne vetëm me ligjin nuk bëjmë dot shaka kurrë. Mosrespektimin e ligjit ne e përjashtojmë edhe nga tekstet e përrallave.
*
Për disa minuta ata po pinin kafe në heshtje. Duke vënë re që detektivi i burgosur nuk e preku pijen me ngjyrë, Unaza e Bardhë i tha me një buzëqeshje të lehtë:
— Paskeni ndryshuar sjellje edhe ndaj alkoolit, jo vetëm ndaj shërbimeve sekrete. Kam dëgjuar se keni qenë alkoolist i madh dikur, është e vërtetë?
— Po, e vërtetë është – u përgjigj Meli buzagaz.
164
— Edhe unë kam pirë mjaft kur isha i ri. Tani e kam kufizuar, ndonëse dëshirën e kam përsëri. Shpresoj se kur të pimë ndonjëherë bashkë, nuk do ta kursej veten. A do të pimë bashkë në Tiranë? pyeti papritur anglezi.
— Jo, do të pimë në Londër për herë të parë. Ju jeni moshatar dhe, në bazë të zakoneve tona, mosha respektohet shumë. Më takon mua të vij i pari tek ju.
— Po erdhët, do t'ju bëjmë dhuratë një angleze të zgjedhur, më të bukur nga ajo studentja e Sorbonës, emrin e së cilës na i fshehët.
Meli qeshi. Bashkëbisedimi përgjithësisht i ngrohtë i këtij takimi ia kishte fashitur dalëngadalë shqetësimin e fillimit për befasinë e tij. Me sa dukej Unaza e Bardhë kishte ardhur t'i bënte të ditur lidhjen e pensionit të vajzës.
Ndërsa ish-detektivit nuk i ishte shuar akoma buzëqeshja, anglezi ndryshoi temë:
— Qysh herët kam pasur respekt për djemtë e Shqipërisë. Kur u njoha nga afër me cilësitë e tyre në DSJ, ndjeva kënaqësi që nuk mbeta i zhgënjyer. Por që njeriu t'i evitojë sa më shumë zhgënjimet, duhet ta ketë në qendër të vëmendjes faktin e mirënjohur se çdo gjë është relative.
«Midis djelmoshave të shumtë shqiptarë, që pata rastin të njoh në DSJ, ishte edhe Guri Streto. Shpejt për të krijova një respekt të veçantë. I zgjuar, guximtar, organizator i aftë dhe modest, ai më kishte pëlqyer shumë. Lindi nevoja që, për interesat e çështjes shqiptare, disa detektivë të DSJsë të transferoheshin në Londër. E kush mund të ishte më i denjë se Guri për një gjë të tillë?
Unaza e Bardhë e endi shikimin, që poshtë syzeve të ndritshme, prej Melit tek Pahia dhe anasjelltas, sikur priste përgjigje nga ata për pyetjen e mbetur pezull. Pastaj vazhdoi:
— Pa i mbushur plot tri ditë në Londër, ky yll i shërbimit sekret shqiptar iku fshehurazi si hajdut, duke marrë me vete edhe vëllain tuaj, Dariun.
Për Melin dhe Pahinë këto fjalë patën kumbimin e një bombe. Megjithëse gjakftohtë prej natyre, Pahia u zbeh krejt. Meli mbeti me vështrimin të ngrirë mbi fytyrën e Unazës së Bardhë dhe mendjen kushedi se ku.
I thinjur në profesion, anglezi ia kishte arritur plotësisht qëllimit të synuar. Duke parashikuar se ata të dy mund të dyshonin për këtë takim të befasishëm, ai krijoi një atmosferë lirshmërie e komunikimi të ngrohtë, si asnjë herë tjetër më parë. Kjo rrjedhë e studiuar e takimit i çliroi prej ankthit Melin dhe Pahinë. Kur anglezi e llogariti se ata të dy ishin lëshuar me ëndje në shtratin e iluzioneve të buta, ai u dha shuplakën për të cilën kishte ardhur. Që të ndëshkuarit e tij të vuanin sa më shumë pas përmendjes nga përgjumja e mashtrimit, finalja e skenarit të parapërgatitur kishte qenë paralajmërim i zhgënjimit që do të pësonin. Pikërisht kur ata të dy kishin hequr çdo dyshim për ndonjë të papritur të takimit, anglezi i kishte paralajmëruar: «që njeriu t'i evitojë sa më shumë zhgënjimet në jetë, duhet ta ketë në qendër të vëmendjes faktin, se çdo gjë është relative.»
Meli ndjeu t'i djersinte trupi. Tek përfytyronte anglezin duke qeshur gjatë pjesës së parë të takimit, i vinte ta hante veten me dhëmbë nga inati. Vrasja e Merdarit, tensioni i madh nervor i aksioneve të guximshme që kishin kryer dhe detyra e zëvendësdrejtorit të DSJsë e kishin dobësuar Pahinë. Tani atë e kërcënonte arrestimi. Mendja e ish-detektivit diçka bluante në ato çaste tensioni…
Duke i njohur rregullat, ai e dinte që Pahia nuk kishte të drejtë të vinte i armatosur në një takim të tillë. Në dhomë ishin dy kundër treve [veç Dofenit, shefi anglez shoqërohej përherë prej përkthyesit të tij), ndërsa në korridor qëndronin dy detektivë të tjerë të DSJsë, si gjithmonë.
Megjithatë Meli e gjykoi se dy peshkaqenët e mëdhenj që kishte përballë ia vlenin ta ndërronte lëkurën me ta. Për këtë duhej doemos miratimi i Pahisë. Me një shikim prej profesionisti detektivi i burgosur i la të kuptonte mikut të tij se ishte gati për gjithçka. Ndoshta ngaqë kërcënohej ai vetë prej arrestimit e jo Meli, Pahia nuk ia miratoi idenë. Nga ana tjetër ndikimi i mashtruesit më të madh të njeriut, shpresës: pas nëntë ditësh grupi komplotist siguronte ndërlidhjen me CIAn, ndërhyrja e së cilës e ndryshonte raportin e forcave në favor të tyre.
Melit nuk i kujtohej më asgjë sesi rrodhën minutat në prag të ndarjes me mikun e rrezikuar. Mbante mend, ashtu turbull, se sa herë që hidhte sytë mbi Pahinë, i dukej se e shikonte për herë të fundit. Kur ishte larguar, nuk kishte pasur fuqi t'ia shtrëngonte dorën. Ndërsa Pahia, me një buzëqeshje të sforcuar, mundohej ta qetësonte.
MEDITIM E DHIMBJE
―Dhimbjet e lehta flasin ;
të mëdhatë janë memece.‖
Seneka
Me duart të kryqëzuara mbi kraharor, çehrezymtë, në këmbë para dritares në fund të korridorit të fjetoreve të katit të dytë, detektivi i burgosur e kishte fiksuar shikimin mbi ujin e kthjellët të lumit. Në të vërtet sytë e tij nuk shikonin asgjë. Ai po bënte me imagjinatë një udhëtim në të kaluarën e vet, në vitet e rinisë së përgjakur. Ky fragment tronditës i jetës së tij nuk ishte i kthjellët si uji i lumit, por i turbullt, i kuqërremtë.
I lodhur prej jetës së tensionuar, ish-detektivi përpiqej të sodiste, matanë të kaluarës së trishtuar, portretin e nxënësit të zellshëm Hamit Meli, i cili kishte ëndërruar të bëhej një mjek i mirë. Këtë ëndërr të bukur ia kishte nxitur sëmundja e babait të plagosur në luftë. Meli i vogël e quante të pakuptimtë që të vdiste nga sëmundja në kushte paqeje një njeri, i cili kishte arritur të mbijetonte plagët e luftës. Sidomos babai i tij…
Ambulanca e lagjes pranë shtëpisë së tyre, u bë shtëpia e tij e dytë. Atje ai kishte mundësi të njihte nga afër profesionin e tij të preferuar. Një ditë ai kishte shkuar në ambulancë së bashku me babanë e sëmurë nga ethet. Megjithë interesimin e mjekut dhe të një infermiereje, babai kishte humbur ndjenjat. I përlotur tek koka e krevatit, Hamiti i vogël i murmurinte:
— Rezisto, baba, rezisto të lutem! Pas shtatë vjetësh unë do të bëhem mjek dhe do të të shëroj nga kjo sëmundje që po të mundon; të jap fjalën!
Atëherë ai vazhdonte vitin e dytë të gjimnazit dhe rezultatet i kishte premtuese. Kur i përgatiste shpejt mësimet e ditës së nesërme, ai vraponte në ambulancë. Midis bluzave të bardha, shikonte të ardhmen e tij. Gjatë kohës që qëndronte në ambulancë, edhe ai vishte një bluzë të bardhë. Kur ndonjë infermiere e thërriste ta ndihmonte në ndonjë shërbim, djaloshi i papërtuar vraponte atje i ngazëlluar. Kështu ai e ndiente veten anëtar i personelit mjekësor. Nën mbikëqyrjen e infermiereve, ai kishte mësuar t‘iu bënte shiringa të sëmurëve që shkonin në ambulancë. Me kalimin e kohës, Hamiti u specializua aq mirë në bërjen e injeksioneve, saqë kishte pacientë që preferonin dorën e tij të lehtë.
Një ditë një infermiere i tha në mirëbesim:
— Hamit, këto ditë na ka ardhur një kurë e re, e cila mund të jetë e efektshme për sëmundjen e babait tënd. Por mjekët nuk guxojnë t‘ia bëjnë shiringat për shkak të grupit të tij të gjakut.
— Pse efektshmëria e një ilaçi varet edhe prej grupit të gjakut të pacientit?
— Jo, efektshmëria e kurës është e njëjtë për të gjithë grupet e gjakut, por bëhet fjalë për efektet e padëshirueshme anësore të saj në organizmin e të
sëmurit. Pas përdorimit të kësaj kure në spitalet tona, mjaft pacientë kanë gjetur shërim prej saj, por ka pasur edhe tre të vdekur. Që të tre i përkisnin grupit të gjakut të babait tënd. Kura përbëhet nga 24 shiringa, por vetëm tri të parat janë problematike.
— Në cilën pjesë të trupit bëhen ato shiringa?
— Në mishra, në të ndenjura.
— Po unë të njëjtin grup gjaku kam me babanë tim?
— Jo, nuk është e thënë. Por për të përcaktuar grupin e gjakut duhet bërë analiza e tij.
Hamiti i kërkoi një infermiereje tjetër t‘i bënte analizat e gjakut, që ta njihte për kuriozitet grupin e gjakut të tij. Analizat treguan se ai kishte të njëjtin grup gjaku me babanë. Ndërkohë ai u interesua dhe i pa me sy shiringat e kurës së re.
Pas një jave djaloshi takoi mjekun përgjegjës të ambulancës e i tha:
— Babai ynë është i ri në moshë dhe unë nuk dëshiroj që ai të na lërë jetimë kaq herët. Prandaj mendoj t‘ia bëni kurën e re që ka ardhur, se organizmi i tij do ta përballojë pa probleme atë, pavarësisht prej grupit të gjakut.
— Nga nisesh ti që organizmi i babait me atë grup gjaku mund ta përballojë pa pasoja kurën? e pyeti i buzëqeshur mjeku, duke sistemuar dy dosje që kishte në duar.
Hamiti u skuq në fytyrë para se të përgjigjej me zë të ulët:
— Fillimisht dua t‘ju kërkoj falje për atë që kam bërë, doktor. Megjithëse unë kam të njëjtin grup gjaku me babanë, organizmi im i përballoi pa problem tri gjilpërat e para të asaj kure.
Mjeku i shkëputi sytë prej dosjeve që po rregullonte dhe, me një çehre të ndryshuar, e pyeti:
— Seriozisht po flet, Hamit?
— Po.
— Por kjo është një marrëzi për moshën tënde – bërtiti mjeku duke i flakur matanë dosjet që po rregullonte. – Cili qe ai i çmendur që ka guxuar të bëjë një eksperiment të tillë me organizmin e një adoleshenti? Më thuaj emrin e tij, shpejt!
— I kam bërë vetë në mishra çdo…
— E pamundur! – thirri me zë të lartë, i bërë spec i kuq në fytyrë mjeku. – Edhe për një profesionist është shumë e vështirë t‘i bëjë gjilpërë vetes.
— Unë u kam bërë me dhjetëra gjilpëra të tjerëve. Për t‘i bërë tri gjilpëra vetes nuk ishte aspak problem. Nëse më lejoni, unë mund ta bëj të katërtën në praninë tuaj, tani.
— Je duke folur përçart, Hamit? Ç‘janë këto që thua? Babai yt nuk do ta pranonte kurrë një sakrificë të tillë nga ana jote. Ti nuk duhet të shkelësh më në ambulancë.
— I bëni kurën babait, ju lutem! Pastaj unë nuk do të vij më këtu, po nuk më pranuat ju.
Duke vrenjtur vetullat, mjeku e pyeti:
— Çfarë shqetësimi ndieje pas bërjes së gjilpërës?
— Një shtim etjeje gjatë ditës dhe një marrje mendsh të lehtë në mbrëmje; asgjë tjetër. Mos u bëni merak fare, doktor.
*
Vdekja e babait pas shtatë muajsh e detyroi adoleshentin e papërmbajtur të mos shkonte më në ambulancë, e cila i ngjallte kujtime të hidhura. Mirëpo akti i tij i guximshëm me eksperimentimin e gjilpërave dhe temperamenti i zhdërvjellët i djaloshit me biografi të shkëlqyer tërhoqën vëmendjen e ekspertëve të DSJsë, që zgjidhnin studentët e ardhshëm të shkollës së shërbimit sekret. Megjithë amanetin e babait, që asnjëri prej djemve të tij të mos kryenin studime ushtarake, pushteti diktatorial arriti t‘ia mbushte mendjen nënës dhe vëllait të madh, që të miratonin regjistrimin e Hamitit në shkollën speciale të DSJsë.
«Kjo ka qenë kthesa fatale e jetës sime prej jetimi, që ma dogji të ardhmen përgjithmonë. Më mirë do të kishte qenë të kisha vdekur nga gjilpërat, sesa të kryeja studime ushtarake kundër amanetit të babait. Ndoshta mosrespektimi i këtij amaneti qe mallkim për të ardhmen time», tha me vete detektivi i burgosur me sytë mbi rrjedhën e lumit.
Sa dhimbje ndiente ai duke bërë bilancin e ngjarjeve të fundit: Daka e Merdari të vrarë, fati i Stretos i panjohur, Pahia në kthetrat e anglezëve, ai vetë i mbetur fillikat… Si një anije pa timonier e përzënë nga dallgët, grupi që vepronte në Tiranë do të përpiqej të merrte kontakt me të autorizuar të CIAs më 20 maj. Kjo ishte e vetmja shpresë shpëtimi për Pahinë. Por a do të realizohej dot ky takim i rëndësishëm për të siguruar qysh atë natë ndërlidhjen me shërbimin sekret amerikan? Meli nuk i jepte dot përgjigje kësaj pyetjeje, mbasi qysh prej ndarjes me Pahinë, ai nuk kishte më asnjë informacion, se ç‘ndodhte në Tiranë. Kjo e mundonte së tepërmi.
— Hamit, sonte do të kesh përsëri vizitorë – i pëshpëriti një zë i njohur.
Detektivi i burgosur i shkëputi sytë prej ujit të kthjellët të lumit dhe u përqendrua tek personi që i foli: kartelisti i kampit ndodhej një metër larg tij.
Fragment nga "Odiseja e Një Dedektivi", i Agim Hamitit
Comments (0 posted)
Post your comment