Home | Literature | Fajtorët bëhen Gjykatës

Fajtorët bëhen Gjykatës

image
— Në qoftë se misionet tona të dikurshme sot quhen krime, unë nuk do të pranoja kurrë që ndëshkimin e mundshëm të një krimi të kryer ta evitoja duke kryer një ose disa krime të tjerë.
 
 
 
 
 
 
 
 
Nga Agim Hamiti
 
 
 
 
 
Fjalët janë droga më e fuqishme
e përdorur për mashtrim.‖
Rudyard Kipling
 
 
 
 
 
 
 
Pas një hopi heshtjeje të përgjithshme, kryesuesi i takimit i dha bisedës një kthesë befasuese:
— Në vitin 1974 ju keni vrarë një detektiv francez me origjinë angleze. Ne kemi të drejtë t'ju kërkojmë llogari për gjakun e tij.
Tashmë Meli ishte i sigurt se jo vetëm ai detektiv, por dhe shumë të tjerë si ai, ishin goditur nga DSJ me rekomandim dhe për llogari të Inteligjencë Servisit. Çfarë aktiviteti antishqiptar mund të kishte kryer një detektiv francez me origjinë angleze, i cili nuk kishte qenë kurrë në Shqipëri?
Duke sjellë ndërmend këta fakte irritues, Meli i hodhi një shikim të rreptë fytyrës së anglezit, i cili, pasi e kishte lëshuar si "pa teklif" atë shprehje akuzuese, po shfletonte me nge albumin që kishte përpara. Ishte albumi i misioneve të realizuar nga detektivi i burgosur, të renditura në mënyrë kronologjike. Pa i shkëputur sytë prej fytyrës së anglezit, Meli i tha:
— Shfletojeni pak nga fillimi albumin që keni në dorë. Në të do të shikoni edhe fytyrat e dy shqiptarëve të vrarë pa qenë fare detektivë. Bashkëkombësi juaj, edhe sikur të jetë goditur pa ndonjë arsye tjetër, të paktën ishte detektiv, profesionist i shërbimit sekret. Aktivitetin tim të dikurshëm unë e kam kryer për interesat e larta të vendit tim; të paktën kështu më thuhej. Është interesant fakti që unë si detektiv duhet t'i jap llogari qeverisë suaj për misionet e kryer prej një shërbimi sekret aleat, i drejtuar nga një parti me të cilën, sipas fjalëve tuaja, keni pasur aleancë të përhershme sekrete.
Anglezit i kaloi një hije buzëqeshjeje në fytyrë. Pa i shkëputur sytë prej albumit, ai u përgjigj:
— Pranimi i ofertës sonë mjekon shumë plagë tuajat.
Detektivi i burgosur ia priti përnjëherë:
— Në qoftë se misionet tona të dikurshme sot quhen krime, unë nuk do të pranoja kurrë që ndëshkimin e mundshëm të një krimi të kryer ta evitoja duke kryer një ose disa krime të tjerë.
Anglezi nuk foli më. Kuptohej që ai nuk kishte parashikuar një zhvillim të tillë të dialogut. Fillimisht atij i ishte dukur një veprim i padenjë matja e forcave si i barabartë me një njeri të shpërfytyruar prej vuajtjeve të burgut. Por realiteti kishte folur ndryshe. Gjatë gjithë dialogut ish-detektivi kishte dhënë përgjigje të holla e të qëndrueshme, nëpërmjet të cilave ai ia kishte arritur të mbronte personalitetin dhe synimet e tij.
 
 
Duke shfletuar albumin e hapur mbi tavolinë, zyrtari anglez po shikonte me vëmendje shënimet përbri fotografive, të cilat ilustronin misione të ndryshme. Megjithëse ato nuk ishin të shkruara në gjuhën e tij, ai e kuptonte lehtë, me intuitën e profesionistit të thinjur, se ata emra qytetesh me shkronja latine ishin skenat e misioneve të kryer prej të burgosurit që kishte përballë: Bari, Athinë, Lisbonë, Bruksel, Varshavë, Barcelonë, Amsterdam, Baku, Marsejë, Ankara, Oslo, Beograd etj, etj..
Anglezi i shkëputi për një çast sytë prej albumit dhe e përqendroi shikimin mbi ish-detektivin.
— A ndienit kënaqësi kur qarkullonit nëpër Evropë në moshë të re, për të kryer misionet tuaja? e pyeti.
— Fillimisht po – u përgjigj Meli. – Pastaj gjithmonë e më pak.
— Sipas vlerësimit tuaj, cila do të ishte renditja e merituar e shteteve më kryesorë të Evropës, në bazë të kontributit që kanë dhënë popujt e tyre për zhvillimin kombëtar dhe të mbarë njerëzimit?
— Italia, Gjerm...
— Akoma s'i largon dot për asnjë çast nga mendja sinjorinat e bukura italiane? ndërhyri anglezi, duke ia ndërprerë fjalën në mes.
I befasuar prej këtij veprimi, që binte ndesh me maturinë dhe gjakftohtësinë e treguar deri atë çast prej drejtuesit të takimit, i burgosuri heshti, me një buzëqeshje të ngrirë në buzë. Ai deshi të thithte cigaren, por i ishte fikur. Përkthyesi anglez, i gatshëm si gjithnjë, ia ndezi me çakmakun e tij.
Ndoshta për të kompensuar disi nxitimin e tij të pazakontë, zyrtari anglez po e shikonte i buzëqeshur Melin në heshtje. Pyetjen e radhës ai ia drejtoi pa e fikur buzëqeshjen:
— Mirë që nuk dashkeni më të militoni në shërbimin sekret por, të paktën, pse nuk pranoni të jetoni i lirë?
— Unë jam një i burgosur politik i dënuar nga të njëjtët ligje si gjithë bashkëvuajtësit e mi. Nuk dëshiroj që e kaluara ime, së cilës unë nuk i shërbej dot më, të më ofrojë privilegje të veçanta – qe përgjigjja e Melit.
Anglezi nuk e zgjati më bisedën. Këto pyetje, të cilat nuk kishin lidhje të drejtpërdrejtë me qëllimin e takimit, tregonin se ai nuk priste më asnjë ndryshim në qëndrimin e të burgosurit.
Drejtuesi i takimit u çua në këmbë. Të njëjtën gjë bënë edhe të tjerët. Ai iu drejtua Melit me këto fjalë:
— Po ju a them hapur: kam tre vjet më shumë se mosha juaj që militoj në këto organe dhe një zhgënjim të tillë nuk e kisha provuar ndonjëherë. Mendoj se juve nuk duhet t'ju imponohet më asgjë. Besoj se edhe zoti Ilir i këtij mendimi do të jetë. Për konsideratën time çështja juaj paraqet një interes të veçantë. Për këtë do të vë në dijeni edhe kolegët e mi në Londër. Gjithmonë do të pyes për ju.
 
 
Duke thënë fjalët e fundit, ai i zgjati dorën Melit. Në pritje të këtij çasti, detektivi i burgosur e ruante në majë të gjuhës shprehjen me të cilën kishte vendosur ta mbyllte këtë takim:
— Në qoftë se Anglia do të ishte Shqipëri e Shqipëria Angli, dhe një anglez i ndodhur në rrethanat e mia do ta kishte pranuar ofertën që m‘u bë mua sonte, vetëm atëherë unë ju a njoh të drejtën për të më urryer. Në rast të kundërt, dëshiroj të ndahemi si miq të mirë, ashtu siç ju vlerëson regjimi ynë në fuqi.
Drejtuesi i takimit bëri një gjysmë rrotullimi dhe u lëshua mbi kolltuk. Edhe të tjerët u ulën përsëri, me përjashtim të të burgosurit.
Si ndenji pak në heshtje, zyrtari anglez i zgjati përsëri dorën Melit, pa thënë asnjë fjalë. Ashtu vepruan edhe kolegët e tij. Ndërsa Dofeni, i entuziazmuar, i shtrëngoi fort dorën me të dy të tijat.
Në sallon Melin po e prisnin me padurim Streto e Pahia. Kur morën vesh sesi ishte mbyllur takimi, ata e shtrënguan fort në krahë shokun e tyre të burgosur. Ndërkohë me ta u bashkua edhe Dofeni buzagaz dhe përfaqësuesi i Sigurimit të KQPPSH. Tepër i kënaqur, drejtori i DSJsë u takua përsëri me Melin, duke i thënë:
— Nuk të lëmë më vetëm në kamp. Do t'i them Fatmir Merdarit të vijë të rrini ca ditë bashkë për tu çmallur. Të lumtë, Hamit, na nderove me të vërtet!
Detektivi i burgosur u takua ngrohtësisht me shokët dhe doli.
Frynte një erë e lehtë nga lindja dhe bënte ftohtë. Ai mbërtheu mirë peliçen e pambuktë dhe nxitoi hapat mbi dëborën e ngrirë. Sytë i shkuan tek çizmet e çara të llastikut, për shkak të të cilave duhej t'i hidhte hapat me kujdes.
«Si tollumbat e Lulit të vocërr» – tha me vete dhe mendja i shkoi përsëri tek Migjeni, i cili kishte jetuar dikur këtyre maleve.
«Si do të shkruante, vallë, poeti elokuent i mjerimit, po të kishte qenë dëshmitar i takimit të kësaj nate?»
Me këtë pyetje të mbetur pezull në mendje, e zuri gjumi në maune.

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
5.00