Latest News
Klient i Panjohur
— Më shikoni pak i përqendruar dhe gërmoni në kujtesën tuaj, ndoshta… I buzëqeshur e i hutuar, Fredi fiksoi sytë mbi fytyrën e klientit të bezdisshëm.
Nga Agim Hamiti
―Rrugën e miqësisë e mbulojnë ferrat,
kur atje nuk kalohet shpesh.‖
Antoine de Rivarol
Diksi gjeti një person tjetër që priste radhën për tek berberi i zënë me punë. Fredi ishte vetëm në lokal. Kur hyri Diksi, ai e përshëndeti me kokë i buzëqeshur, siç vepronte me çdo klient të ardhur rishtas.
Diksi u ul në një karrige dhe filloi të shfletonte gazetën. Ndërkohë ai shikonte herë pas here me bisht të syrit Fredin. Përveç rritjes së barkut, tek berberi pasionant binin në sy shenjat e para të plakjes. Ai tashmë punonte me syze, flokët në tëmtha i ishin thinjur krejt, ndërkohë që mbi ballë i ishin rralluar. Por zhdërvjelltësia e lëvizjeve të tij gjatë punës kishte mbetur e njëjta. Kjo tregonte se ai vazhdonte ta ushtronte profesionin me pasion si dikur.
Pas njëzetë minutash, Fredi e ftoi Diksin që të ulej për tu qethur. Ata kishin ngelur tashmë vetëm në lokal.
— Një shkurtim të përgjithshëm – e porositi Diksi.
— Me kënaqësi, se Zoti ma ka lehtësuar detyrën, – u përgjigj berberi buzagaz, duke fërkuar pjesën pa flokë të sheshit të kokës së klientit.
— Mua m‘i ka rrëzuar flokët i Paudhi, jo Zoti. Nuk ia vlen, besoj, t‘i shprehni mirënjohje edhe atij.
— Pse i Paudhi nuk është krijesë e Zotit? pyeti berberi duke qeshur.
Diksi nuk foli dhe u rregullua në pozicionin e duhur, që Fredi të fillonte nga puna. Duke ndjekur lëvizjet e berberit në pasqyrë, Diksit i shkoi mendja tek Meli, i cili kushedi sa herë ishte qethur aty dhe buzëqeshi. Mirëpo duke vënë re që Fredit nuk po i tërhiqnin vëmendjen fare flokët e mbetur të klientit të tij dikur të preferuar, buzëqeshja iu fik gradualisht.
— 250 lekë të vjetra, ju lutem – i tha berberi pasi e kishte parfumuar dhe krehur.
Në vend që të nxirrte paratë, Diksi ia ktheu serioz:
— Nuk më kishte shkuar kurrë ndërmend, se ju do ta shkelnit një ditë premtimin që më keni bërë.
I habitur prej fjalëve të klientit të panjohur, Fredi u skuq lehtë e i tha:
— Nuk ju kuptoj se ç‘po thoni.
Gjithmonë serioz në pamje, Diksi iu përgjigj:
— Ju më keni dhënë fjalën, se do të më qethni pa lekë, sa herë që të vij në lokalin tuaj.
— Është e pamundur. Në këtë botë s‘ka asgjë falas, veç vdekjes, – buzëqeshi berberi. – Ju siguroj se është hera e parë që unë po qeth flokët tuaj të thinjur.
— Këta flokë nuk kanë qenë gjithmonë të thinjur…
— Sigurisht, por unë nuk ju njoh.
— Më shikoni pak i përqendruar dhe gërmoni në kujtesën tuaj, ndoshta…
I buzëqeshur e i hutuar, Fredi fiksoi sytë mbi fytyrën e klientit të bezdisshëm.
— Asnjë detaj i tipareve tuaja nuk po më kujton gjë.
— Po kjo fotografi, ju kujton gjë?
Diksi i zgjati pozën që kishin bërë bashkë dikur.
I turbulluar, Fredi po rrëshqiste shikimin nga fotografia tek fytyra e Diksit dhe anasjelltas.
— Vërtet ti je, Sazan? pyeti i emocionuar berberi.
— Po të tregoj pasaportën, Fredi – buzëqeshi Diksi.
— S‘është nevoja; u binda nga zëri tani – i tha ai duke e rrokur për qafe.
Ata u përqafuan të përmalluar.
— Mungesa jote e gjatë dhe transformimi fizik më bëjnë të mendoj se ke pësuar ndonjë fatkeqësi në jetë, Sazan. Nuk besoj se bëhet fjalë për ndonjë sëmundje të rëndë, mbasi nga ana shëndetësore ngjan mirë. Mos ke qenë në burg? e pyeti berberi buzagaz.
— E zgjidhe enigmën me pyetjen e parë, – u përgjigj Diksi me të qeshur.
— Agjitacion e propagandë?
— Pothuajse.
— Të shkuara qofshin! Edhe vëllai i gruas sime u dënua 7 vjet me këtë nen. Vjet u lirua nga burgu. Tani të kërkoj ndjesë për kujtesën time të dobët. Të kam dhënë fjalën, se do të të qeth pa lekë dhe këtë premtim nuk e tund as topi. Unë do e mbyll lokalin tani, se nuk ka më as klientë dhe do shkojmë të të jap kafe me rastin e lirimit nga burgu.
Fredi e mbylli me çelës derën dhe u futën në një pijetore pranë.
Rate this article
Comments (0 posted)
Post your comment