Home | Literature | Ankorim zhgënyes i shpresave

Ankorim zhgënyes i shpresave

image
— Ju thatë se dënimet janë drakoniane; a mund ta ilustroni këtë me shembuj, z. Meli? u interesua shefi i seksionit evropian të CIAs.



 
 

Nga Agim Hamiti
 
 


―Politika nuk ka zemër, por vetëm kokë‖
Napoléon





Në datën 20 maj 1984 oficer roje në kampin e Qafë-Barit ishte përsëri kartelist Et‘hemi. Ai i bëri të ditur Melit se në orën 22 e 30 një kuadër i DSJsë do ta shoqëronte jashtë kampit, për të shkuar në takimin e rëndësishëm të asaj nate, i cili do të zhvillohej në një dhomë të posaçme afër zyrave të komandës së kampit. Ashtu ndodhi. Në orën e caktuar shoqëruesi e çoi Melin deri tek dera dhe i tha me mirësjellje:
— Këtu detyra ime mbaron.
Këtë herë ish-detektivi pranoi që të shkonte në takim me rroba të sjella posaçërisht. Ai e falënderoi shoqëruesin dhe hapi derën. Gjithë sa ishin në atë dhomë të madhe, të mobiluar në mënyrë luksoze, u çuan në këmbë.
Pasi takoi treshen amerikane, detektivi i burgosur i dha dorën Unazës së Bardhë e përkthyesit të tij dhe ul në vendin e rezervuar, pa u takuar me Dofenin.
Zyrtari kryesor amerikan [shef i seksionit evropian të CIAs – sipas prezantimit] ishte rreth të pesëdhjetave. Në krahun e majtë të tij kishte zënë vend përkthyesi, ndërsa në krahun tjetër një koleg i përafërt në moshë. Të tre këta ia shtrënguan dorën Melit me të dy pëllëmbët e tyre.
Si u ulën të gjithë, bisedën e çeli kryezyrtari amerkan:
— Si keni qenë me shëndet këto kohët e fundit, z. Meli? Kemi dijeni se vuani nga disa sëmundje.
— Nuk kam qenë keq, mbasi janë përpjekur të më kurojnë.
— Dua t'ju them qysh në fillim, se keni shumë të fala nga Guri dhe Dariu. Janë mirë që të dy. Guri tani për tani është me pushime. Më vonë besoj se do të vijë t‘ju takojë.
Detektivit të burgosur i gufoi zemra kur dëgjoi emrin e Gurit. Fakti që ai ishte mirë dhe që ndodhej jashtë çdo rreziku e qetësoi pa masë, duke ia lehtësuar njëfarësoj brengën për fatkeqësinë e Pahisë. Atij nuk iu durua pa pyetur:
— Në SHBA ndodhet Guri?
— Po, por e ndien veten njësoj si në shtëpinë e tij – iu përgjigj i buzëqeshur amerikani.
Melit i shkuan sytë atë çast tek baxhanaku i Stretos. Dofeni kishte ulur kokën dhe, në heshtje të plotë, po vërtiste paketën e cigareve nëpër gishtat e dorës së djathtë.
— I bëni të fala nga ana ime Gurit, ju lutem. Të mos mërzitet për shokun që i arrestuan për inat të tij.
— E vizituam Afrimin në spital; është mjaft i sëmurë.
— Ai tentoi të vetëvritej, për t'iu shpëtuar torturave të DSJsë dhe të anglezëve – tha Meli i zymtë në fytyrë.
— Për kurimin e tij ne nuk do të kursejmë asgjë – premtoi shefi amerikan. – Trima të tillë meritojnë respektin e të gjithëve.
Angloshqiptarët, si zotër të shtëpisë, përgatitën kafet e para dhe i servirën të shoqëruara me pije. Meli e refuzoi në shenjë proteste për replikat që kishte shkëmbyer me ta pak ditë më parë.
Duke pirë kafen, zyrtari i parë amerikan e pyeti:
— Si është gjendja e përgjithshme e kampit ku po vuani dënimin, z. Meli?
— Si mos më keq. Dhuna fizike, psikike e shpirtërore dhe, krahas tyre, mjerimi ekonomik, janë shoqëruesit e përhershëm të jetës së këtushme. Puna e rëndë në minierë në kushte krejtësisht çnjerëzore dhe me norma të detyruara shumë të larta, i shkatërron me shpejtësi të burgosurit. Dënimet janë drakoniane, thjesht për shprehjen e pakënaqësisë më të vogël ndaj diktaturës në fuqi. Ushqimi nuk vlen as për kafshët: pesë muaj speca të ziera dhe shtatë muaj presh të zier – të freskët ose të thatë.
Të dy përkthyesit ngecën në përkthimin e fjalës presh. Siç i shpjeguan më vonë Melit, këtë fjalë të gjuhës shqipe ata e kishin takuar nëpër fjalorë me sinonimin e saj pras. Vetëm pasi ua skicoi ish-detektivi në një copë letër formën e kësaj bime, dy përkthyesit arritën ta merrnin vesh se kush ishte mbreti i menysë së burgut.
— Ju thatë se dënimet janë drakoniane; a mund ta ilustroni këtë me shembuj, z. Meli? u interesua shefi i seksionit evropian të CIAs.
— Për mua do të ishte e vështirë të flisja për këtë çështje në mungesë të autoriteteve shqiptare, mbasi ju do të kishit të drejtë të dyshonit në sinqeritetin tim: kaq larg koncepteve bashkëkohore të ligjit dhe të drejtësisë janë dënimet pa shkak të kundërshtarëve politikë në Shqipëri. Meqenëse është i pranishëm drejtori i shërbimit sekret shqiptar, unë ju bëj të ditur se në këtë kamp pune janë dyzetë e një të burgosur që kanë vuajtur më tepër se njëzet vjet burg pa ndërprerje dhe kanë ende vite të tjerë për të vuajtur. Ndërsa i burgosuri Sami Dangllia nga Korça, i arrestuar qysh në tetor të vitit 1944, është dënuar edhe dy herë të tjera për veprimtari armiqësore brenda në burg me nga 25 vjet heqje lirie. Ai nuk e ka parë ende me sy Shqipërinë pas Luftës së Dytë Botërore.
Përkthyesi amerikan vuri të dy duart në kokë dhe shikoi shefin e tij. Pastaj, sikur ta kishin bërë me fjalë, të gjithë e fiksuan shikimin mbi Dofenin.
Me atë rast përkthyesi amerikan i tha Melit:
— I burgosuri i shumëvuajtur, z. Dangllia, është një martir i vërtetë. Mua më dhimbset jo vetëm si njeri e si shqiptar, por edhe si korçar. Me origjinë unë jam nga një fshat i Korçës. Isha fëmijë kur prindërit e mi u arratisën nga Shqipëria, duke më marrë me vete. Jeta e skëterrshme e z. Dangllia është një dramë tronditëse.
— Ka edhe të tjerë të burgosur politikë shqiptarë me fat të ngjashëm si të z. Dangllia. Pa llogaritur disa mijëra të pushkatuar e qindra të burgosur të tjerë të zhdukur në hetuesi, apo të vdekur në kampet e punës dhe burgjet e diktaturës.

— Po ju, i dashur koleg, a keni punuar në minierë? e pyeti përkthyesi Melin.
— Po, kam punuar rreth një vit. Galeritë janë të ulëta sa mezi qëndron në këmbë. Sigurimi teknik i të burgosurve figuron vetëm në letër. Acidi sulfurik të djeg rrobat dhe lëkurën. Jeta është në rrezik sapo kapërcen hyrjen e minierës në gjendje të mjeruar teknikisht.
 
 
 
 
 "Odiseja e Një Dedektivi", nga Agim Hamiti

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
0