Home | Literature | * * *

* * *

image
Ju vazhdoni të notoni megjithatë, dhe çdo lëvizje që bëni u përafron me mbytjen. Ju mbyteni, mushkëritë tuaja digjen zjarr. Uji ju duket gjithnjë e më i ftohtë, dhe sidomos gjithnjë e më i hidhur. Ju nuk jeni më i ri. Do të vdisni tani. S’është gjë. Unë jam aty. Nuk do t’ju lëshoj.





Përkthyer nga Urim Nerguti
 
 

 
 

Vështirësia është që nuk mjafton të jetosh sipas rregullit. Në fakt, ju ia arrini (nganjëherë për pak, në çastin e fundit, por në tërësi ia arrini) të jetoni sipas rregullit. Taksat tuaja janë të paguara në kohë. Faturat, gjithashtu. Ju nuk zhvendoseni kurrë pa kartën e identitetit (dhe xhepin e vogël special për kartën blu !...)
E megjithatë, ju nuk keni miq.

Rregulli është i ndërlikuar, shumëformësh. Përveç orëve të punës, janë dhe blerjet që duhen kryer, janë dhe distributorët automatikë ku duhet tërhequr para (dhe ku, aq shpesh, ju duhet të prisni). Sidomos, ka rregullime të ndryshme që ju duhet t’ua dërgoni organizmave që drejtojnë pamje të ndryshme të jetës suaj. E sikur s’mjafton kjo, ju mund të sëmureni, çka kjo sjell shpenzime, dhe formalitete të reja.
E megjithatë, ju mbetet kohë e lirë. Ç’të bëhet ? Si të futet në punë ? T’i kushtohesh shërbimit të tjetrit ? Por, në thelb, tjetri nuk ju intereson aspak. Të dëgjoni disqe ? Kjo ishte një zgjidhje, por me kalimin e viteve ju duhet të jeni dakort që muzika ju mallëngjen gjithnjë e më pak.
Të merresh me cikërrima shtëpie, kjo e marrë në kuptimin më të gjerë, mund të ofrojë një zgjidhje. Por në të vërtetë, asgjë nuk mund të pengojë rikthimin gjithnjë e më të shpeshtë të atyre çasteve ku vetmia juaj absolute, ndjesia e boshësisë universale, parandjenja që ekzistenca juaj përafrohet me një katastrofë të dhimbshme dhe përfundimtare lidhen dhe stërlidhen me njëra-tjetrën për t’ju zhytur juve në një gjendje vuajtjeje reale.
E megjithatë, ju nuk keni ende dëshirë për të vdekur.

Ju keni pasur një jetë. Ka pasur çaste ku ju kishit një jetë. Sigurisht, ju nuk kujtoheni dhe aq mirë për to ; por fotografitë dëshmojnë. Kjo ndodhte me gjasë në kohën e adoleshencës suaj, ose pak më pas. Sa oreks të madh për të jetuar kishit atëherë ! Ekzistenca ju dukej e pasur me mundësi të panjohura. Ju mund të bëheshit këngëtar varietesh ; të iknit në Venezuela.
Ende dhe më e habitshme, ju keni pasur një fëmijëri. Vëzhgoni tani një fëmijë shtatë vjeç, që luan me ushtarët e tij të vegjël mbi qilimin e sallonit. Po ju kërkoj ta vëzhgoni me kujdes. Qysh prej divorcit, ai nuk ka më baba. Të ëmën e sheh fare pak, ajo zë një post të rëndësishëm në një firmë kozmetike. E megjithatë ai luan me ushtarët e vegjël, dhe interesimi i tij ndaj këtyre përfytyrimeve të botës dhe luftës duket mjaft i gjallë. Atij i mungon pak ngrohtësia, kjo është e sigurtë ; por sa i interesuar duket ai për botën !

Edhe ju, edhe ju gjithashtu jeni të interesuar për botën. Kjo ishte para shumë kohësh ; po ju kërkoj të kujtoheni. Lëmi i rregullit nuk ju mjaftonte më ; ju nuk mund të jetonit më gjatë në këtë lëmë ; kështu, juve ju është dashur të hyni në lëmin e luftës. Po ju kërkoj të ndaleni në këtë çast të përcaktuar. Kjo ishte para shumë kohësh, apo jo ? Kujtohuni : uji ishte i ftohtë.
Tani ju jeni larg bregut : ja që po ! sa larg bregut jeni ! Ju keni besuar gjatë në ekzistencën e një bregu tjetër ; por nuk është më kështu. Ju vazhdoni të notoni megjithatë, dhe çdo lëvizje që bëni u përafron me mbytjen. Ju mbyteni, mushkëritë tuaja digjen zjarr. Uji ju duket gjithnjë e më i ftohtë, dhe sidomos gjithnjë e më i hidhur. Ju nuk jeni më i ri. Do të vdisni tani. S’është gjë. Unë jam aty. Nuk do t’ju lëshoj. Vazhdoni leximin.
Kujtohuni, edhe një herë, për hyrjen tuaj në lëmin e luftës.

Faqet që do të vijojnë më poshtë përbëjnë një roman ; me këtë kuptoj një vazhdë anekdotash ku unë jam heroi. Kjo zgjedhje autobiografike nuk është vërtetë një e tillë : sidoqoftë, nuk kam rrugë tjetër. Nëse nuk shkruaj ç’kam parë, unë do të vuaj po aq – ndoshta dhe më shumë. Vetëm pak ama, unë ngul këmbë këtu. Shkrimi nuk të lehtëson aspak. Ai përvijon, përcakton. Ai fut një fije lidhje, fut idenë e një realizmi. Shllapuritemi gjithmonë në një mjegull të përgjakshme, por ka disa pika referimi. Kaosi nuk është më aq larg përveçse disa metra. Sukses i dobët, në të vërtetë.
Çfarë kontrasti me pushtetin absolut, mrekullor, të leximit ! Një jetë e tërë duke lexuar do t’i kishte përmbushur lutjet e mia ; këtë e dija tashmë qysh shtatë vjeç. Thurja e botës është e dhimbshme, e papërshtatshme ; ajo nuk më duket e ndryshueshme. Me të vërtetë, besoj që një jetë e tërë duke lexuar do të më kishte vajtur më mirë.
Një jetë e tillë nuk më është dhënë.

Sapo kam mbushur tridhjetë vjeç. Pas një fillimi të çrregullt, ia kam arritur mirë në studimet e mia ; sot jam kuadër i mesëm. Analist-programues në një shoqëri shërbimesh në informatikë, paga ime neto kap 2.5 herë pagën minimale ; kjo është tashmë një fuqi blerëse jo e vogël. Mund të shpresoj një ngritje domethënëse në gjirin e ndërmarrjes sime ; përveç nëse nuk vendos, si shumë të tjerë, të hyj tek ndonjë klient. Shkurt, mund ta quaj veten të kënaqur nga statusi im shoqëror. Në planin seksual, përkundrazi, arritja nuk është dhe aq e shkëlqyer. Kam patur disa femra, por për periudha të shkurtra. Jo i pashëm dhe pa ndonjë sharm timin, me depresione të shpeshta, nuk korespondoj fare me atë çka femrat kërkojnë në përparësi. Kështu, tek femrat që më hapnin organet e tyre, kam ndjerë gjithmonë njëfarë ngurimi të lehtë ; në thelb, për to unë nuk përfaqësoja tjetër përveçse një merre me lëng. Çka kjo nuk është, do të biem dakort këtu, pikënisja ideale për një marrëdhënie të qëndrueshme.
Qysh nga ndarja ime me Veronikën, para dy vjetësh, nuk kam njohur në fakt asnjë femër ; orvatjet e dobëta dhe të rralla që kam bërë në këtë drejtim nuk kanë dhënë gjë tjetër veçse një dështim të parashikueshëm. Dy vjet, kjo duket tashmë një periudhë e gjatë. Por në realitet, sidomos kur punojmë, kjo kalon shumë shpejt. Të gjithë mund t’jua thonë këtë : kalon shumë shpejt.
Ka mundësi, miku im lexues simpatik, që ju vetë të jeni një femër. Mos u mërzisni, janë gjëra që ndodhin. Madje, kjo nuk i ndryshon asnjë pikë asaj ç’kam për t’ju thënë. Synoj gjerë.

...



Fragment nga "ZGJERIM I LEMIT TE LUFTES", i MICHEL HOUELLEBECQ





Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
3.50