Home | Literature | Vizitorët e Natës

Vizitorët e Natës

image
— Sidoqoftë, ne nuk e mohojmë të kaluarën tënde të shkëlqyer, si detektivi më rezultativ i shërbimit tonë sekret. Njerëzit edhe gabojnë, por kjo nuk e përligj mohimin e tyre. Aq më tepër ndonjë rast si i yti. Veprimtaria jote e suksesshme në Sigurimin e Jashtëm të Shtetit është krenari për DSJnë. 
 
 

 
 
Nga Agim Hamiti 
 
 
 
 
―«Po» dhe «jo» janë fjalët më të shkurtra
e më të thjeshta për tu shqiptuar dhe ato që
kërkojnë më tepër vëmendje e kontroll.‖
Talleyrand


Ditët rridhnin dhe Meli me Streton nuk linin rast pa shfrytëzuar për të biseduar me njëri-tjetrin. Ndërkohë ndërlidhësi e kishte shqetësuar nja dy herë kalimthi Melin për çështje të punës, por ai ia kishte prerë shkurt, se nuk do të pranonte asnjë lloj pune tjetër, veç asaj që po bënte.
Më 14 tetor ndërlidhësi e takoi përsëri Melin. Ky, pa e lënë fare të shprehej, reagoi i nervozuar:
— A të kam thënë të mos më shqetësosh, pa autorizimin e qendrës?
— Me autorizimin e saj po të shqetësoj sot – ia ktheu ndërlidhësi, pa e prishur gjakun. – Sonte do të kesh takim me dy të dërguar të qendrës këtu, në kamp. Orën do të ta njoftoj më vonë – shtoi ai, duke i kthyer krahët.
Pasdite Streto e takoi kastile Melin. Në orën 14 DSJ e kishte njoftuar me radiogram, se në mbrëmje Meli do të zhvillonte një takim zyrtar në kamp.
Me atë rast Streto i bëri të ditur një fakt interesant Melit. Pavarësisht se ai hante e flinte bashkë me të burgosurit (një normë e detyruar për misionin), Streto dispononte privatisht një dhomë komode, çelësin e së cilës e mbante kartelisti i kampit. Ajo ndodhej në të njëjtën godinë me infermierinë e kampit, por në anën e kundërt të saj, në katin e dytë. Hyrjen e kishte nga ana e pasme. Në orën 9 paradite dhe në orën dy pasdite, Streto e gjente këtë dhomë të mbyllur pa çelës. Në këto orë ai lidhej me qendrën me radiogram. Në një frigorifer Streto gjente sende ushqimore me vlerë, fruta, pije freskuese dhe një substancë të posaçme për të hequr prej gojës aromat e artikujve që konsumonte.
Gjatë revistës televizive të orës njëzetë (shikimi i së cilës ishte i detyrueshëm për të gjithë të burgosurit), Streto iu afrua me kujdes Melit, që qëndronte në këmbë në fund të mensës ku ishte vendosur televizori. Ai e njoftoi se pas dy orësh Meli do të takohej me drejtorin e Sigurimit të Shtetit dhe me një përfaqësues të Sigurimit të Komitetit Qendor të PPSH. Pas këtij takimi, ish-detektivit i ishte rezervuar një surprizë (e cila nuk do të ishte më e tillë pas njoftimit të Stretos): Meli do të takohej me nënën, Dariun – vëllain ish-të arratisur – dhe vajzën e vetme, Sonilën.
 
*
 
Ndonëse detektivëve të DSJsë nuk u lejohej të krijonin familje për sa kohë zhvillonin aktivitet jashtë shtetit (deri në moshën 38 vjeç, të paktën) Meli bënte përjashtim edhe në këtë fushë të jetës. Kur kishte qenë në kulmin e aktivitetit si detektiv, ai ishte dashuruar me një mjeke të re bionde nga Korça. E quanin Florika. Pas një viti kishin pasur një fëmijë: një vajzë të bukur me tiparet e kombinuara të babait brun dhe të mamasë bionde. Meqenëse Florika ishte e mbesa e Mihallaq Ziçishtit, ky kishte ndërhyrë energjikisht tek ministri i Brendshëm i kohës, me të cilin kishte miqësi, me qëllim që mjekja e re të martohej me detektivin e shquar. Me një vendim të posaçëm, Melit iu njoh e drejta e krijimit të familjes para kohe. Atë natë tetori 1983, pas më se dy vjetësh pa e parë babanë, sytë e pafajshëm të Sonilës së vogël do të shihnin atin plëngprishës.
 
*
 
Ndërlidhësi e njoftoi Melin se takimi do të zhvillohej në godinën e madhe përballë kampit, jashtë rrethimit të tij. Atje ndodheshin zyrat e komandës së kampit, mensa, fjetoret, dhe mjediset e tjera jetike të oficerëve, policëve dhe ushtarëve të repartit që mbikëqyrnin kampin. Takimi parashikohej të fillonte rreth orës 22 e 30 minuta, kur turni i tretë ishte nisur për në punë, ndërkohë që turni i dytë e kishte lënë punën, por akoma nuk ishte kthyer në kamp. Kjo ishte periudha më e qetë e natës në ambientet e kampit, mbasi turni i parë shtrihej detyrimisht për gjumë në orën nëntë të darkës dhe jashtë nuk lejoheshin më lëvizje.
Ndërlidhësi e kishte dyshekun gjithashtu në ―maune‖. Në orën e caktuar, kur të gjithë të burgosurit flinin, ndërlidhësi e goditi tri herë Melin tek këmbët. Ky ishte shtrirë i veshur dhe pas pak filloi të zbriste ngadalë prej krevatit, për të mos shqetësuar të tjerët. Tek dera e jashtme e priste ndërlidhësi.
Për çudinë e ish-detektivit, ai e çoi tek dera e bibliotekës së kampit Melin. E hapi atë me çelës dhe nxori prej një sirtari të mbyllur po me çelës dy uniforma oficerësh. Njërën ia zgjati Melit, duke i thënë: ―vishu shpejt!‖
Pasi u veshën ushtarakë të dy, dolën e u drejtuan për tek porta e kampit, ku ndodhej oficeri i rojës. Jashtë nuk dukej asnjeri; madjé as polici i shërbimit të brendshëm. Vetëm atëherë e kuptoi Meli arsyen pse ishte kartelisti oficer roje atë ditë. Ky i shoqëroi deri jashtë portës së madhe të kampit. Mandej ata u drejtuan për tek zyrat e komandës. Si u ngjitën në korridorin e katit të dytë, ndërlidhësi e çoi Melin deri tek një derë afër fundit të korridorit. Si i tha: ―hyrë këtu!‖, ai hapi derën dhe vetë u tërhoq pas.
 
*
 
Ish-detektivi u gjend në një dhomë të pajisur mirë, me një tavolinë të madhe në mes dhe me kolltukë rreth saj. Aty kishin zënë vend dy burra të mirëmbajtur, rreth të pesëdhjetave secili. Me të hyrë Meli brenda, ata u çuan në këmbë. Drejtori i Sigurimit të Shtetit e përshëndeti i pari:
— Si je, shoku Hamit?

— Nuk jam ―shoku Hamit‖, por i burgosuri politik Hamit Meli, i dënuar me 17 vjet heqje lirie dhe me punë të rëndë të detyruar – u përgjigj sa serioz aq edhe i vendosur ish-detektivi.
Për një çast drejtori u prish në fytyrë, pastaj rimori fjalën:
— Sidoqoftë, ne nuk e mohojmë të kaluarën tënde të shkëlqyer, si detektivi më rezultativ i shërbimit tonë sekret. Njerëzit edhe gabojnë, por kjo nuk e përligj mohimin e tyre. Aq më tepër ndonjë rast si i yti. Veprimtaria jote e suksesshme në Sigurimin e Jashtëm të Shtetit është krenari për DSJnë. Për ato faqe të ndritura të misioneve të realizuar me sukses, shteti të është përherë mirënjohës.
— Nuk është nevoja ta shprehni me fjalë ―mirënjohjen‖ tuaj ndaj meje. Ju atë e keni treguar me vepra gjatë hetuesisë speciale, si edhe gjatë vuajtjes së dënimit në këtë kamp pune të detyruar.
— Nuk u fillua mirë biseda – ndërhyri përfaqësuesi i Sigurimit të KQPPSH. – Respekti që ne tregojmë karshi ty, Hamit, është i ndërgjegjshëm. Ne nuk e manifestojmë atë as për etiketë e as për hipokrizi mashtruese. Ne jemi profesionistë dhe ylli i dikurshëm i shërbimit tonë sekret na imponon vetvetiu respekt, pavarësisht se në ç'pozitë shoqërore ndodhet ai aktualisht.
— Ylli im ka përfunduar prej kohësh. Përmendja e asaj të kaluare, në kushtet në të cilat ndodhem unë sot, ka ngjyrat e një qesëndie.
— Ky nuk është gjykim i drejtë – foli përsëri drejtori i Sigurimit. – Ti ndofta mund të presësh shumë gjëra të padëshirueshme nga ana jonë, Hamit, por qesëndi jo, kurrën e kurrës. Përkundrazi, bilanci i misioneve të realizuar nga ti, gjatë kohës që ke ushtruar profesionin e detektivit, përbën një rekord absolut në analet e shërbimit tonë sekret. Megjithëse ke milituar vetëm gjashtë vjet në Sigurimin e Jashtëm, shifrën e misioneve që ke realizuar ti jo vetëm që nuk e ka barazuar dot asnjë detektiv, por as nuk i janë afruar sa duhet; as ata që kanë dyfishin e stazhit tënd në aktivitet.
— Ajo i përket së shkuarës. Një të shkuare që nuk ka asgjë të përbashkët me të tashmen time.
— E shkuara dhe e tashmja e çdo personi janë të pandashme, Hamit.
Duke thënë këto fjalë, ai i zgjati Melit një paketë DS.
— Faleminderit, por unë nuk i pi ata – ia ktheu Meli dhe e ndezi nga paketa e tij Partizani.
— Mos e do me të dredhur? Kemi edhe ashtu – i tha drejtori duke nxjerrë një kuti të bukur duhani nga xhepi.
— Jo, jo, ju faleminderit. Nuk e ndërroj duhanin, se më shkakton kollë. Pi vetëm nga këta cigare gjithmonë.
— Edhe nga ata kemi ne – i tha përfaqësuesi i Sigurimit të Komitetit Qendror, duke nxjerrë nga xhepi një Partizani tip tjetër. – Ndize këtej, të paktën.
— Njësoj është; unë e ndeza tani – u përgjigj i qetë Meli.
Ai e kishte ndarë mendjen të mos pranonte asgjë prej tyre, nga frika e ndonjë kurthi, për ta tërhequr pastaj pa ndjenja në Tiranë.

*
Për disa minuta po sundonte një heshtje e thellë. Atë e theu zëri i drejtorit:
— Pavarësisht se biseda mori një rrjedhë që i largohet disi boshtit qendror të temës, çdo debat me ty, Hamit, është i dobishëm. Ne na duhet të njohim sa më mirë mentalitetin tënd të sotëm, pas vuajtjeve të pësuara në hetuesi e në kamp. Por, natyrisht, para së gjithash, ne na intereson të dimë gjendjen tënde shëndetësore: si ndihesh fizikisht, Hamit?
— Lexoni raportin që ka lëshuar mjeku pas hetuesisë speciale në Tiranë dhe do ta keni të qartë, se cila është gjendja ime e vërtetë shëndetësore. Ajo është një përgjigje specialisti me shkrim për pyetjen tuaj.
— I kemi lexuar dhe analizuar relacionet shkresore që përmende. Për sa i përket trajtimit të keq, që të është bërë në hetuesi, jemi të ndërgjegjshëm se do të të mbetemi borxhlinj: nuk ta kompensojmë dot këtë. Por edhe ti mund t‘i kesh shtetit borxhe në ndonjë drejtim tjetër. Prandaj është mirë që, për interesat e larta të popullit dhe të atdheut, t'i lëmë mënjanë borxhet dhe të merremi vesh midis nesh për atë që kemi ardhur. Ta vëmë theksin tek gjërat që na bashkojnë, jo tek ato që na ndajnë; kjo do të jetë rruga më e dobishme për të dy palët.
— Ka borxhe që nuk harrohen aq lehtë – tha Meli me një pamje të zymtë në fytyrë.
— Sidoqoftë, ne nuk duhet të prishemi kurrë midis nesh për një ―po‖ ose për një ―jo‖. Të themi të drejtën, ne nuk e presim nga ti sonte ―jo-në‖. Ne të bëjmë thirrje të angazhohesh në misionin më të madh e më të rëndësishëm që ka organizuar ndonjëherë shërbimi ynë sekret, relativisht i ri por jo pa përvojë. Shoku Ilir na ka porositur të të themi që të mos na kthesh përgjigje përfundimtare sonte, në qoftë se ajo anon nga ―jo-ja‖. Ai dëshiron shumë që të takoheshit qysh nesër në Tiranë bashkë, por edhe po ndodhi ndryshe, shoku drejtor i DSJsë nuk rri pa ardhur të të takojë vetë këtu.
— Edhe unë do të dëshiroja të takohesha me shokët e mi dhe me atë vetë në Tiranë, por për plotësimin e kësaj dëshire nuk disponoj më mundësi. Unë kam mbaruar përfundimisht edhe si njeri i zakonshëm, pa le më si detektiv.
— Në qoftë se e ke fjalën për arsye shëndetësore, ne nuk do të kursejmë asgjë për të të kuruar kudo që ta lypë nevoja. Në rast se ty të mungon vullneti për tu riaktivizuar në shërbimin tonë sekret, si pasojë e ndonjë këndvështrimi të ri të problemeve tona politike, atëherë kjo është një çështje tjetër, mjeku i së cilës je vetëm ti. Por për asnjë çast nuk duhet të harrosh të kaluarën e familjes dhe, veçanërisht, të kaluarën tënde.
Në kohën që drejtori i Sigurimit të Shtetit përfundoi ligjëratën e mësipërme, personi tjetër kishte përgatitur kafetë në një pajisje të posaçme dhe i ofroi një filxhan Melit. Ky nuk e mori. Mospranimi i kafesë i indinjoi dukshëm të dy zyrtarët e lartë. Vetëm kjo sjellje e ish-detektivit fliste më tepër se gjithë fjalët e tij.

Duke refuzuar kafenë, Meli iu përvesh pjesës më të vështirë e më vendimtare të mbrojtjes së tij: kundërshtimit të akuzës së tërthortë të drejtorit të Sigurimit të Shtetit, se pikëpamjet politike të ish-detektivit kishin ndryshuar nën ndikimin e torturave në hetuesinë speciale dhe prej kontakteve me të burgosurit politikë në kamp. Me këtë objektiv të qartë, Meli iu kundërvu aludimit të drejtorit:
— Vullneti për të milituar në radhët e shërbimit sekret shqiptar mua nuk më ka munguar asnjëherë. Ju vetë pohuat pak më parë, se shifra e misioneve të mi të realizuar me sukses nuk është arritur akoma prej detektivëve të DSJsë. Edhe sikur të supozohet për një çast, se mua më mungon aktualisht vullneti për të milituar përsëri në ato organe, nuk duhet të pranohet kurrsesi nga një logjikë e shëndoshë, se mua më mungon vullneti për të jetuar. Në qoftë se do të ishte kështu, unë nuk do t'i duroja me vetëmohim vuajtjet e mëdha të hetuesisë e më pas ato të burgut. Unë nuk jam miop e as utopist, që të filloj tani ristrukturimin tim ideologjik e politik, ndërkohë që me emrin tim lidhet një e kaluar e tillë, një fragment i së cilës do të mjaftonte për t'i bërë të padobishme përpjekjet e mia donkishoteske për rehabilitim.
Duke dëgjuar Melin të fliste në këtë mënyrë, dy mysafirët e natës, shumë të vëmendshëm, nuk po ia ndanin sytë. Ata i kthenin vetëm nganjëherë mekanikisht filxhanët e kafesë. Zyrtarët e lartë të Sigurimit po konstatonin se gjahu i tyre, pas orvatjeve të dëshpëruara për tu fshehur nëpër shkurret pa rrënjë të justifikimeve të kota, iu ekspozua më së fundi i zbuluar synimeve të tyre. Dhe gjahtarët e regjur nuk ngurruan aspak për të tërhequr këmbëzën e çiftes. Me të mbaruar fjalën Meli, drejtori i Sigurimit të Shtetit, i bindur për gjendjen e pashpresë të të burgosurit për t'i qëndruar besnik mospranimit të fillimit, e mori fjalën i sigurt në triumfin e tij.
 
... 
 
 
 
 Fragment nga "Odiseja e Një Dedektivi", nga Agim Hamiti

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
5.00