Home | Literature | Të gjitha bukuritë e botës

Të gjitha bukuritë e botës

image
Në mbrëmje, ndërsa qiejt e zinj të rrugëve u dogjën nga dritat,
sa të bukura ishin balerinat mbi afishet ndërmjet germave të zeza...
 
 
 
 
 
 
Përkthyer nga Urim Nerguti
 
 
 
 
 


Në mbrëmje, ndërsa qiejt e zinj të rrugëve u dogjën nga dritat,

sa të bukura ishin balerinat mbi afishet ndërmjet germave të zeza,

aeroplanë të zinj zbritën fare poshtë si pëllumba

dhe poeti mbeti vetëm në mes të luleve, i dehur.

Poet, miku im, vdis me yjet, vyshku me lulen,

askush nuk do të mërzitet nga ty sot,

arti yt do të vdesë përgjithmonë me lavdinë tënde,

sepse ato janë njëlloj me lulet e varrimeve ;

avionët që papritur nxitojnë deri në yje

këndojnë në vendin tënd, e shikon ? një këngë me tone të hekurta

dhe janë të bukur siç lulkat e pasura elektrike mbi shtëpitë e rrugës

janë më të bukura se ato të ballkoneve.


Për poemat tona, ne kemi gjetur bukuri krejt të reja,
hëna që përfundon së djeguri, ishull ëndrrash të kota, shuaju ti.

Heshtni ju, violina, dhe ushtoni, bori automobilash,

që njeriu në mes të kryqëzimit të fillojë befas të ëndërrojë ;

këndoni, aeroplanë, një këngë të mbrëmjes si bilbila,

vallëzoni, balerina, mbi afishet ndërmjet germave të zeza,

që dielli të fiket – kullat, pasqyrat e shndritshme

do të lëshojnë nëpër rrugë një ditë të re të shkëlqyer.

 

Yjet shëtitës janë ngjitur pas konstruksioneve të hekurta të tarracave,

sot, ne ëndërrojmë ëndrrën tonë më të bukur përpara ekranit të kinemasë,

inxhinieri ndërton ura në fushën e pamasë ruse

dhe trenat mund të ecin lart përsipër ujrave

dhe ne shëtisim mbi çatitë e qiejgërvishtësve

kur dritat përflaken nga shkëlqimi, pa u kujtuar madje për të thënë poema,


dhe, siç tespihet që ngatërrohen nëpër gishta kockorë gjatë lutjes,

njëqind herë në ditë, midis kateve, ngjitet ashensori,

dhe nga lart kur ti vështron, përpara shtrihen të gjitha bukuritë e botës.

Dhe ajo çka, ende dje, ishte art i shenjtë,

befas është shndërruar në gjëra të thjeshta dhe të prekshme,

dhe tablotë më të bukura të sotme nuk kanë qenë pikturuar nga askush,

rruga është një flaut dhe që luan këngën e vet nga mëngjesi në mbrëmje

dhe përsipër qytetit, avionët janë ngritur lart drejt yjeve.


Lamtumirë pra, na lini të shkojmë, bukuri të shpikura,

fregata fillon të lëvizë larg drejt detit të hapur,

Muza, lëshoni poshtë flokët tuaj të gjatë,

arti është vdekja, dhe bota jeton pa të.


Gjithmonë, qoftë dhe kjo flutur e vogël, çelur nga larva

që është ushqyer nga faqet e librit, dhe që ngrihet drejt diellit

është më pranë së vërtetës sesa vargjet e poetit që ishin shkruar në libër.

Dhe këtë nuk mund ta mohojë askush.
 
 
 
(Jaroslav Seifert) 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
5.00