Latest News
Midis Miqsh
— Jemi të një mendimi. Ai ka dhunti organizative të spikatura në fushën e shërbimeve sekrete. Dua t‘ju bëj edhe një pyetje, që nuk ka lidhje me këto që po diskutojmë, por është kureshtje e imja: sikur t'ju linin të zgjidhnit, ku do të dëshironit të jetonit? — Në Paris – u përgjigj buzagaz Meli. — Paskemi shije të njëjta – i tha me të qeshur zyrtari amerikan.
Nga Agim Hamiti
―Fjala mik ndodh të jetë e zhveshur
nga kuptimi; fjala armik, jo.‖
Victor Hugo
Treshja amerikane e mori pranë detektivin e burgosur dhe nisi me të një bisedë të ngrohtë.
— Mos u kurseni për ta ndihmuar këtë popull fatkeq – u tha Meli me një ton keqardhjeje. – Mos dëgjoni duartrokitjet e inskenuara nga diktatura, ju lutem. Po të mbani vesh mirë, në Shqipëri dëgjohen vetëm psherëtima.
— E dimë, e dimë – ia ktheu shefi amerikan. – Këtë e tregon më së miri veprimtaria juaj e kohëve të fundit. Sot, siç e dini, duhet të jetë vendosur ndërlidhja midis grupit tuaj që vepron në Tiranë dhe CIAs. Me rekomandim të Gurit, takimin tonë e caktuam enkas për sonte. Ai tha se ky takim do të tërhiqte nga Tirana një pjesë të mirë të përgjuesve në këtë zonë, duke krijuar kështu mundësi më të mëdha për ndërlidhjen.
Me përmendjen e emrit të Gurit, ish-detektivi nxitoi të pyeste:
— Si është në të vërtetë Guri? Si mundi të ikte nga Londra?
— Është shumë mirë. Natën e arratisjes u plagos në kofshën e djathtë, por çdo gjë kaloi pa pasoja. Vëllai juaj, Dariu, e ka transportuar me shumë mundim Gurin e plagosur deri në ambasadën tonë në Londër, ku u morën masat e duhura.
— E paguam me Afrimin; na e morën nëpër duar – foli si me vete të tij Meli.
— Mos u bëni merak as për atë – ia priti shefi i seksionit evropian të CIAs. – Së shpejti do të vijë nga Shtetet e Bashkuara një profesor i mjekësisë amerikane me famë botërore. Për shkak të përplasjes së fortë të pjesës së pasme të kokës pas murit, Afrimi është verbuar në të dy sytë dhe nuk do të shikojë më. Por, po e shpëtuam nga vdekja, ne do ta tërheqim në Amerikë përgjithmonë. Atje do t'ia krijojmë të gjitha kushtet; shpresoj se diçka mund të bëhet dhe për problemin e shikimit. Kemi shumë respekt për ju, djelmosha shqiptarë. Nuk na i merrte mendja kurrë që nga radhët e shërbimit sekret shqiptar të dilnin djem me ndjenja kaq të fuqishme atdhedashurie dhe me shpirt të tillë vetëmohues. Në këtë drejtim ua kaluat edhe polakëve, të cilët shquhen për një gjë të tillë midis vendeve të Evropës Lindore. Angazhimi i drejtpërdrejtë amerikan nën ndikimin e veprimtarisë së grupit tuaj do të mundësojë një kthesë pozitive të rëndësishme në politikën shqiptare. Ka të ngjarë që brenda dy vjetësh Shqipëria të ketë një pamje tjetër dhe ju do të të jeni krenarë për kontributin që dhatë në dobi të së ardhmes së atdheut tuaj.
— Faleminderit shumë; ky është lajmi më i mirë që prisja.
— Kjo nuk është dhuratë nga ana jonë, z. Meli. Ju e meritoni lirinë, gjersa jeni të gatshëm të flijoheni për të.
— A ishte me interes për CIAn arkivi informativ që ju solli grupi i të arratisurve?
— Ato informacione patën një vlerë të pallogaritshme për ne. Dua të veçoj këtu regjistrimet e bisedimeve ultrasekrete midis diktatorit tuaj dhe Londrës, të siguruara prej Gurit. Informacione të tilla janë perla të vërteta edhe për detektivët më të mëdhenj të botës. Ato i shërbyen CIAs si levë për të spostuar paksa Inteligjencë Servisin prej pozicionit dominues në Shqipëri.
— Po robin tjetër arritët ta shpëtoni, pasi e morët vesh ku gjendej?
— Po, po, e shpëtuam. Pasi erdhën në Amerikë shokët tuaj me robin e arratisur, ne folëm menjëherë me anglezët dhe e tërhoqëm edhe robin e dytë, kundrejt një dëmshpërblimi ndaj qeverisë shqiptare. Shpëtimi i dy detektivëve tanë robër është një detyrim tjetër moral që ne kemi kundrejt grupit tuaj të mrekullueshëm, anëtarët e të cilit CIA i ka dekoruar.
— Si paska pranuar diktatori ynë të bëjë lëshime të tilla! Ai ka deklaruar shpesh që nuk bën pazarllëqe me parimet e marksizmit, – tha me ironi detektivi i burgosur.
— Për çfarë parimesh bëni fjalë, z. Meli? Diktatori juaj firmos e vulos symbyllas gjithçka i thonë anglezët. Me këtë rast dua t‘ju bëj një pyetje, z. Meli. Cilin vlerësoni më shumë profesionalisht prej shokëve tuaj, që ndodhen aktualisht në SHBA?
— Megjithëse kam mjaft kohë që jam larguar prej DSJsë, mendoj se Guri është më i kompletuari prej tyre.
— Jemi të një mendimi. Ai ka dhunti organizative të spikatura në fushën e shërbimeve sekrete. Dua t‘ju bëj edhe një pyetje, që nuk ka lidhje me këto që po diskutojmë, por është kureshtje e imja: sikur t'ju linin të zgjidhnit, ku do të dëshironit të jetonit?
— Në Paris – u përgjigj buzagaz Meli.
— Paskemi shije të njëjta – i tha me të qeshur zyrtari amerikan. – Edhe unë, kur të dal në pension, atje dua t'i kaloj vitet e fundit të jetës, po më lejojë qeveria ime. Amerika ka gjithçka, por Paris jo. Ata që ju njohin mirë, na kanë thënë se juve ju mërziten shpejt mjediset që ju rrethojnë dhe preferoni larminë. Në fakt ky është një tipar i vetë amerikanëve, të cilët e kanë të vështirë ta kalojnë jetën në të njëjtin vend. Në SHBA besoj se nuk do t‘ju mungojë larmia. Megjithëse ne nuk kemi Paris, një bukuroshe nga Florida, krahas dhuntive natyrore të atij vendi të begatë, besoj se do t'i kënaqin si duhet ëndjet tuaja.
Meli qeshi; shefi amerikan, gjithashtu. Pastaj ky u rikthye në temë:
— Në bazë të marrëveshjes së arritur me anglezët në kuadër të mbrojtjes suaj, ne kemi të drejtë të dërgojmë njerëzit tanë këtu dy herë në muaj, për tu takuar me ju. Po të jetë nevoja, mund të takohemi edhe më shpesh; kjo nuk përbën ndonjë problem. Ne do të autorizojmë të vijnë këtu persona të ndryshëm nga radhët tona, të cilët do të dëshironin t'ju njihnin nga afër. Gurit dhe shokëve të tjerë të arratisur ne iu kemi dhënë nënshtetësi amerikane. Nën mbrojtjen e drejtpërdrejtë të CIA-s, tani ata mund të vijnë t‘ju takojnë lirisht. Kur them lirisht, ju si profesionist e kuptoni vetë që ata nuk mund të vijnë në Shqipëri pa maskë, se janë persona të njohur.
Në prag të ndarjes me ta, detektivi i burgosur shtrëngoi dorën e butë të shefit, ndërkohë që zyrtari tjetër po i fotografonte. Të njëjtën gjë bëri vetë shefi i seksionit evropian të CIAs, kur Meli po takohej me dy të tjerët.
Rate this article
Comments (0 posted)
Post your comment