Latest News
Para varrit të babait
Nën efektin shpirtëror e psikologjik të misterit të atij varri, ai tha me vete: «Njeriu është armiku më i madh i njeriut. E megjithatë njerëzimi është krenar për udhëtimin e tij të përgjakshëm në histori… E çuditshme!»
Nga Agim Hamiti
―Sytë nuk mund të fiksohen as mbi
diellin, as mbi vdekjen.‖
François de La Rochefoucauld
Diksi ishte interesuar me kohë për të mësuar adresën e varrit të babait : Varrezat e Treta, Athinë. Për ta gjetur më lehtë vendndodhjen e atyre varrezave, ai kërkoi ndihmën e ish-bashkëvuajtësit që ishte arratisur nëpërmjet ambasadës greke në Tiranë. Ky jetonte e punonte në Athinë dhe e njihte mirë qytetin.
— Mos u bëj merak fare për këtë punë, Sazan, do të çoj unë atje – i premtoi ai.
Në orën katër pasdite ata morën autobusin e linjës për në Varrezat e Treta.
Babai i Diksit ua kishte lënë amanet të njohurve të tij, që ta varrosnin sa më afër atdheut, kur të vinte dita për këtë punë. Me qëllim që të krijonte mundësi konkrete për një veprim të tillë, ai kishte blerë një copë tokë pranë kufirit grek me Shqipërinë. Mirëpo pronari grek i tokës e kishte zgjidhur menjëherë kontratën e shitjes, sapo mësoi qëllimin e blerësit. Atëherë babai i Diksit kishte qenë i detyruar ta blinte truallin e nevojshëm në Varrezat e Treta në Athinë.
Autobusi ndalonte përballë portës së varrezave të sistemuara në mënyrë mbresëlënëse. Diksi dhe shoku i tij blenë nga një tufë lule tek hyrja e varrezave dhe u interesuan në zyrën e informacionit, se në cilën pjesë të tyre duhej të drejtoheshin, nisur nga viti i vdekjes. Varrezat e Treta kishin shtrirje mjaft të gjerë, të ndara në blloqe shumë të mirëmbajtur e të pastër.
Shoqëruesi i tij e kuptoi se Diksi dëshironte ta përshkonte në heshtje udhën përmes varrezave, prandaj qëndroi dy-tre hapa pas, duke e shikuar me keqardhje ish-bashkëvuajtësin. Për mendimin e tij, Diksi atë mbrëmje, tek po përshkonte Varrezat e Treta, ishte më afër botës së të vdekurve sesa asaj të të gjallëve. Ai e dinte që Diksi nuk kishte arritur ta njihte babanë e tij.
Heshtja e sinqertë e varreve derdhte në ato çaste balsamin e saj në zemrën e Diksit, të plagosur nga hipokrizia e qytetërimit të zhurmshëm. Si një somnambul, ai ecte drejt banesës së përjetshme të babait, ndërsa një mori idesh e ndjenjash buisnin në trurin e zemrën e tij. A ndodhen vërtet në këtë varr eshtrat e babait ? ishte pyetja që e torturonte më shumë.
Emocionet i shtoheshin, sa më tepër që i afrohej varrit. Tri gra të reja greke, të veshura me të zeza, po vinin përballë tyre. Njëra nga ato e përshëndeti Diksin dhe i zgjati diçka të mbështjellë në letër të bardhë. I hutuar siç ishte, ai nuk e vuri ré fare veprimin e grekes dhe vazhdoi udhën pa e kthyer kokën anash. Shoqëruesi i Diksit nxitoi ta merrte dhuratën, duke e falënderuar e duke i
kërkuar ndjesë për veprimin e pavëmendshëm të mikut të tij.
Disa minuta më vonë Diksi u ndodh para varrit që mbante emrin e babait të tij. Një epitaf i shkruar në anglisht dhe greqisht zinte dy faqet e një libri të mermertë të hapur tek koka e varrit.
«A është i sinqertë ky epitaf ?» – ishte pyetja që i lindi në mendje në atë çast Diksit.
Nën efektin shpirtëror e psikologjik të misterit të atij varri, ai tha me vete:
«Njeriu është armiku më i madh i njeriut. E megjithatë njerëzimi është krenar për udhëtimin e tij të përgjakshëm në histori… E çuditshme!»
Rate this article
Comments (0 posted)
Post your comment