Latest News
Parandjenjë?
Kur kaloi portën e dytë të hekurt dhe po i drejtohej së tretës, për të hyrë në kampin e përgjumur, detektivit të burgosur i zunë sytë dy mace që po haheshin egërsisht me njëra-tjetrën për një copë zorrë, ndanë të një kthine që shërbente si thertore.
Nga Agim Hamiti
―Zemra ka arsyet e saj që arsyeja
nuk i njeh.‖
Blaise Pascal
Kur doli jashtë, detektivin e burgosur e impresionoi bukuria e asaj nate të mrekullueshme maji. Duke thithur aromën e këndshme të çliruar prej pishave në lulëzim të plotë dhe rrëshirës së avulluar, kënaqësia iu kthye në një dehje të lehtë. Për një çast ai harroi se ku ndodhej. U mbështet në bordurën e derës së jashtme të godinës ku ishte zhvilluar takimi dhe me gjithë fuqinë e qenies së tij e përqendroi shikimin në horizont. Priste që atje të ravijëzohej e ardhmja e afërt e Shqipërisë, për të cilën i kishte folur shefi i seksionit evropian të CIAs.
Detektivi i DSJsë, që e kishte shoqëruar për të shkuar në takim, doli prej dhomës së policit të shërbimit dhe iu afrua Melit. Hapat e tij nuk e përmendën të burgosurin ëndërrimtar. Shoqëruesi e goditi lehtë në sup, duke i pëshpëritur:
— Eja të shkojmë, Hamit, se po afron ora e zgjimit në kamp.
Ish-detektivit i kaluan mornica dhe shikoi i hutuar personin që i rrinte përballë. Ky dalloi lot në sytë e të burgosurit. Ai nuk e shqetësoi më, por filloi të ecte me hapa të ngadalshëm drejt portës së madhe prej hekuri të kampit. Meli i shkoi pas.
Kur kaloi portën e dytë të hekurt dhe po i drejtohej së tretës, për të hyrë në kampin e përgjumur, detektivit të burgosur i zunë sytë dy mace që po haheshin egërsisht me njëra-tjetrën për një copë zorrë, ndanë të një kthine që shërbente si thertore. Pak më tej tyre, një mace tjetër qëndronte shtrirë. Meli ngadalësoi hapat dhe e përqendroi vëmendjen mbi këtë skenë. Ndonëse kjo ishte një dukuri e zakonshme e luftës për epërsi në përplasjen e interesave të botës shtazore, atë çast ajo pati një efekt të çuditshëm në ndërgjegjen e të burgosurit. Macet po kacafyteshin ndanë presë së tyre, pa i lëshuar rrugë njëra-tjetrës. Papritmas macja e tretë rrëshqiti drejt copës së zorrës, e rrëmbeu dhe u zhduk matanë telave me gjemba. Dy macet e tjera vazhdonin të grindeshin.
Melit iu kujtua fjala e urtë: «Kur zihen dy, përfiton i treti»
Ai tundi kokën i menduar, psherëtiu, dhe mori rrugën për në maune.
Rate this article
Comments (0 posted)
Post your comment