Latest News
Intervistë me Arti Lushin
Shtratet kryesore ku shtrihet e ka një ndjesi më familjare letërsia ime janë ekzistencializmi, post-modernizmi, realizmi magjik dhe Librat e Shenjtë.
Nga Dea J Klosi
Klosi News: Ju jeni një autor i ri. Ç’keni botuar deri më sot ? A mund të na flisni për kontaktet tuaja të para me Letërsinë, për ndikimet dhe "zakonet" tuaja të të shkruarit ?
ARTI LUSHI : Përshëndetje ! Unë jam një autor i ri dhe deri më sot kam botuar një përmbledhje prej 37 prozash të shkurtra dhe tregimesh artistike-filozofike në një botim të titulluar ‘’HUMUS’’. Gjithashtu kam në proçes botimi një bocetë poezish. Kontaktet apo ndikimet e para letrare kanë qenë kryesisht nga mitologjia greke, letërsia për fëmijë dhe ç’më binte në duar nga trashëgimia e bibliotekës së të parëve të mi.
Vetvetiu, shijet u ngjizën dhe u strukturuar më qartë në një kohë më të vonshme, që përkon diku me periudhën e shkollës së mesme, madje mund të them, dhe uroj të jem ende i hapur dhe ta konsideroj veten ‘’të virgjër’’ në këtë aspekt. Po ta mendoj hollë-hollë, në fakt muzika dhe kinematografia kanë qenë ndër shtysat kryesorë që më kanë yshtur drejt shkrimësisë.
Nuk kam ndonjë zakon të posaçëm kur krijoj. Edhe nëse nuk jam i frymëzuar, mjafton të krijohet një klimë e përshtatshme midis qetësisë dhe enthuziazmit. Dhe asnjëherë, asnjëherë, nuk shkruaj nën ndikimin e alkoolit apo substancave narkotike pasi nuk dua t’ua blatoj atyre suksesin apo dështimin e krijimtarisë time letrare.
Klosi News : Sot, flitet shumë për kritikën letrare shqiptare që, sipas mendimit të përgjithshëm, nuk ekziston. A pajtoheni dhe Ju me këtë mendim ? Si e mendoni rolin e kritikës letrare ?
ARTI LUSHI : Së pari nuk di në ekziston ‘’një mendim i përgjithshëm’’ në rastin më të mirë, për një tepër një kritike letrare.
Ka njerëz letrash, duke filluar që nga lexuesit, shkrimtarët, botues, përkthyes, akademikë, gazetarë kulture, anëtare jurie apo nëpunës të ministrisë së kulturës që i kanë veshur vetes atributet e një kritike letrare, të cilën e shoh deri diku si diçka pozitive në bazë të parimit ‘’më mirë pak se asgjë’’, ama për një kritikë të mirëfilltë letrare kam rezervat e mia, ashtu sikurse për gjithçka tjetër në Shqipëri. Jo, për fat të keq, nuk ka. Ende jo. Kritika letrare ka një rol shumë të rëndësishëm, së paku këto janë pritshmëritë që i ushqejmë vetes nga ç’kemi dëgjuar se si funksionon jashtë, apo në perëndim më saktë, por nuk e shoh si ndonjë hata të madhe edhe mungesën e saj. Ka një kohë për gjithçka ; edhe për letërsinë, që ajo me vlerë nuk vdes kurrë, edhe për kritikën, që edhe kur është, ka gjithsesi një funksion të përkohshëm e të thatë mbi fuqinë e krijimit.
Klosi News : Cilat janë mënyrat tuaja të ndjekjes së Letërsisë Europiane apo dhe asaj botërore : nëpërmjet përkthimeve apo leximit në gjuhën origjinale ? Ku e vendosni Ju, në krahasim me këtë letërsi, Letërsinë Shqiptare në përgjithësi dhe atë tuajën në veçanti ?
ARTI LUSHI : Kur kam mundësi lexoj në gjuhën origjinale, kur nuk kam mundësi e lë për një kohë të dytë leximin e një vepre për të cilën jam i interesuar. Ose jam shumë përzgjedhës në profesionalizmin dhe shpirtin e përkthyesve dhe të shtëpisë botuese përkatëse.
Letërsia shqiptare, për aq sa e njoh, ka gjeneruar vlera të vërteta. Personalisht nuk di në më takon mua ta vendos diku, dhe ku ta vendos në përgjithësi apo veçanti, pasi nuk e kam të lehtë ta ndaj subjektivitetin nga roli që kam. Afria e natyrshme rreh kah vlerat e letërsisë europiane, jo si nocion gjeografik kufijsh të ngurtë horizontale por më tepër si një botëkuptim i nëndheshëm a si një palcë e një superndergjegjeje shumëshekullore në të gjitha manifestimet e limfat kozmogonike të shpirtit e mendësisë së saj.
Klosi News : Dihet se një tekst letrar, në fakt, është një ndërtekst. Veprat të dërgojnë tek njëra-tjetra, shkeljet e syrit ndërmjet shkrimtarëve janë të shpeshta. Po Ju, me cilët autorë ndiheni më afër dhe mundoheni të komunikoni nëpërmjet teksteve tuaja të mirëfillta ?
ARTI LUSHI : Sigurisht që nuk do bie në grackën e të përmendurit emra konkretë. Shtratet kryesore ku shtrihet e ka një ndjesi më familjare letërsia ime janë ekzistencializmi, post-modernizmi, realizmi magjik dhe Librat e Shenjtë.
Klosi News : Një temë që rikthehet shpesh në mjedisin letrar shqiptar,është dhe ajo e "Çmimeve Letrare". Ç’mund të na thoni këtu ? A mendoni Ju se përzierja e politikës së ngushtë partiake në Letërsi është një fatalitet nga i cili s’po dimë si të dalim ?
ARTI LUSHI : Ah ! Jo më larg se vjet kam rënë vetë viktimë e këtyre praktikave asfarë serioze të çmimeve të paracaktuara apo të vendosura në momentin e fundit nëpërmjet një telefonate a pëshpërime. Dhe më mirë që ndodhi kështu. Të tilla zhgënjime të bëjnë të esëllt dhe më të zhdërvjellët për të kuptuar si funksionojnë gjërat këtu. Mënd për herë tjetër. Më këtë dua të them që, nuk do lejoj që vepra ime në të ardhmen të kalojë në duart e pista e gjykimet e korruptuara të kësaj apo atij grushti njerëzish që, edhe kur nuk janë konkurrentë, kryesojnë juritë e kthejnë nderet sho-shoqit, vetëm për sho-shoqin. Turp ! Nuk dua ta shoh si një shqetësim a mllef personal, por i kanë hyrë në hak letërsisë shqiptare e nuk e di a do kenë mundësi ta shlyejnë.
Klosi News : Tani, edhe një pyetje mbi Gjuhën Shqipe. Zhurmat e sotme mbi standartin, dialektet, klanet apo komisionet, kanë krijuar një rrëmujë të vërtetë në mjedisin tonë letrar. Mendimi apo rrugëzgjidhja juaj ?
ARTI LUSHI: Do ishte mirë që këto zhurma të përktheheshin në një debat të hapur akademik mes njerëzve të letrave, edhe në rast se nuk gjehet një rrugëzgjidhje. Gjuha ndryshon, pasurohet, piqet, rilind më shpejt e më shpesh se çdo gjë tjetër. Mendoj se ndryshimet nuk duhen paragjykuar por të pasqyrohen e sanksionohen në një medium ligjor-rregullues që të jetë me shumë përfshirës sesa përjashtues. Unë shkruaj në një gjuhë pothuajse të pastër letrare, ku janë ndërfutur edhe elementë dialektorë apo zhargonalë, e nuk ka kongres dhe komision që mund të më pengojë, qoftë me zhurmën a me heshtjen e vet. Logosi ka qenë dhe është çështje shumë intime dhe e ndjeshme e shpirtit për t’u negociuar në dëm të tij.
Klosi News: Dhe së fundi, çfarë do të dëshironit t'ju përcillnit lexuesve dhe dashamirësve tuaj?
...
Klosi News: Ju falemnderit !
ARTI LUSHI: Faleminderit Juve !
Dhjetor, 2011
Rate this article
Comments (0 posted)
Post your comment