Latest News
Enigma Filbi
— Çështja Filbi është komplekse, z. Meli. Një ditë në SHBA unë isha duke lexuar një artikull të gazetës New York Times që bënte fjalë për dekorimin e Kim Filbit prej KGBsë, me rastin e përvjetorit të ditëlindjes.
Nga Agim Hamiti
―Politika është si sfinksi i përrallës:
ajo i gëlltit ata që nuk i kuptojnë
enigmat e saj.‖
Antoine de Rivarol
Por ndryshe nga sa i premtoi Melit, ardhja e Stretos qe e vonuar.
Kartelisti i kampit vetëm se e lajmëronte detektivin e burgosur për orarin dhe dhomën ku do të zhvillohej takimi i tij me mysafirët e natës, por nuk i jepte asnjë informacion tjetër. Rrjedhimisht Meli e merrte vesh se cilët do të ishin bashkëbiseduesit e tij vetëm kur takohej me ta.
Streto kishte ardhur bashkë me përkthyesin amerikan, me origjinë nga Korça. Si zakonisht, dy vëzhgues ishin të pranishëm. Sapo hyri Meli në dhomë, Stretos iu mbushën sytë me lot dhe uli kokën. Përkthyesi u çua në këmbë dhe i zgjati paketën e cigareve detektivit të burgosur duke i thënë:
— Afrimi na la.
Meli hoqi kapelën me të majtën dhe i shtrëngoi dorën përkthyesit, që po respektonte zakonin shqiptar në rast vdekjeje.
Ish-detektivi dhe dy vizitorët e tij mbajtën një minutë heshtje në drejtqëndrim; dy vëzhguesit dolën jashtë.
Pasi u ulën, të tre po pinin cigare pa folur. I pari e theu heshtjen Meli:
— Afrimi tentoi vetëvrasjen nëntë ditë para se CIA të merrte në mbrojtje grupin tonë. Ai e dinte mirë këtë, por nëpërmjet aktit të tij sublim, Afrimi, si drejtues i grupit pas largimit të Gurit, donte të bëhej shembull frymëzimi për shokët e tij të armëve në situatën e vështirë që gjendeshin.
— Ju jemi shumë mirënjohës, vëllezër, na nderuat para të gjithëve – i tha përkthyesi. – Këta djem trima, të cilët po e japin jetën sot nën mantelin e luftës së heshtur, një ditë do të kujtohen me respekt nga populli shqiptar. Gjaku i njeriut nuk shkon kurrë dëm dhe një ditë ky gjak do t'i bëjë dritë Shqipërisë.
— Ju tashmë e dini që unë kam një shok besnik në kamp, me të cilin i kam ndarë të gjitha hallet kohët e fundit. Me sa më ka thënë Guri, babai i tij ka punuar për CIAn. Ai ka vdekur para 5-6 vjetësh, jo në moshë të thyer. Në pozicionin tim aktual, mua më vjen rëndë që të mos mund ta informoj dot shokun tim bashkëvuajtës lidhur me jetën dhe vdekjen e babait të tij, pavarësisht se ai vetë nuk ka asnjë pretendim në këtë drejtim. Jam interesuar nëpërmjet Gurit dhe ndonjë shoku tjetër për fatin e tij. Më kanë thënë se, çuditërisht, vihet re një farë hezitimi për të informuar saktë e qartë të interesuarit lidhur me këtë çështje. Do të dëshiroja të dëgjoja edhe mendimin tuaj për ketë.
Përkthyesi shkundi hirin e cigares në tavëll dhe u përgjigj:
— E di cili është shoku juaj dhe babai i tij, jo vetëm nëpërmjet letrës që më dhatë atë ditë, por edhe nga bisedat me Gurin. Lidhur me vdekjen e babait të tij mund t‘ju informoj mbështetur në informacionin që figuron në dosjen përkatëse. Ai ka vdekur më 3 shtator 1978 në Dyseldorf të RF Gjermane. Pas autopsisë është konstatuar një dozë helmi në organizmin e tij. CIA ka kërkuar shpjegime për këtë dhe autoritetet gjermanoperëndimore janë përgjigjur, se ai person njihej si turist prej organeve tona dhe nuk ekzistonte asnjë motiv që ne t‘i shikonim me dyshim apo vëmendje të posaçme rezultatet e autopsisë. Për sa i përket ngurrimit për të dhënë informacione të detajuara rreth veprimtarisë dhe vdekjes së babait të shokut tuaj, tani për tani mund t'ju them vetëm kaq:
«Kur Guri erdhi në SHBA, na foli edhe për lidhjet tuaja me shokun në fjalë. Ne u entuziazmuam që biri i një ish-kolegut tonë mbështeste nga afër një nge krerët e grupit komplotist antikomunist të kuadrove të rëndësishëm të shërbimit sekret shqiptar. Me gëzim e transmetova këtë sihariq pranë eprorëve të të CIAs, me të cilët më kishte lidhur puna më parë. Megjithëse buzagazë, ata ma pritën disi ftohtë lajmin. Unë kisha mjaft përvojë që ta gjykoja objektivisht qëndrimin e tyre ndaj njoftimit tim. Në rrethana normale, ata do ta kishin pritur shumë ngrohtë sihariqin e rrallë që iu dhashë. Shkaqet e atij qëndrimi të pakuptueshëm nuk i gjeja dot me intuitë. Me kalimin e kohës fillova të interesohesha me takt (më shumë si shqiptar), për të mësuar sesi qëndronte puna. Nuk mund të them se e zgjidha enigmën, por mësova diçka që, ndofta, mund të ketë lidhje me fatin e personit në fjalë.
«Unë kam kohë që njihem nga afër me përgjegjësin e CIAs për seksionin evropian, të cilin e kam shoqëruar edhe këtu pranë jush. Një natë e kam dëgjuar të fliste me një farë revolte për qindëshen shqiptare. Nga aq pak sa tha, arrita të marr vesh se bëhej fjalë për një grup shqiptarësh – 100 persona –, të cilët kishin shërbyer në radhët e CIAs dhe që kishin shprehur në formë të hapur protestën ndaj qeverisë amerikane, për qëndrimin dashamirës që mbahej ndaj regjimit komunist të Tiranës. Por, siç mund ta merrni kollaj me mend, veprime të tilla përbëjnë shkelje të rënda të disiplinës profesionale në shërbimin sekret. Ato shpallën rebelime dhe, si të tilla, ndëshkohen. A mos vallë dhe babai i shokut tuaj ka qenë pjesëtar i qindëshes shqiptare? Në rast se po, ju e kuptoni që hetimet këmbëngulëse për fundin e tij janë të vështira dhe jo pa pasoja.
Meli po i dëgjonte i përqendruar shpjegimet e vlefshme të përkthyesit. Ndërkohë, me sytë mbi lëngun e kafes që përkundej në filxhan, ai po mendonte me vete:
«Çfarë fundi i trishtuar! Ja se ç'do të thotë ta lësh veten peng në duart e të huajve! Lufton një jetë të tërë për të ardhmen e premtuar të vendit tënd, pastaj vdes si rebel vetëm pse guxon t‘iu thuash manipulatorëve të politikës: na keni përkundur me mashtrime në dëm të së ardhmes së vendit e të popullit tonë! Të presësh moral, ndërgjegje e humanizëm prej politikës së të plotfuqishmit është një naivitet që paguhet shtrenjtë. Politika e tyre ka vetëm një objektiv: interesin me çdo kusht. Të kërkosh moralin në politikë do të thotë se je injorant i politikës. Fjala qindëshja është si një varrezë kolektive që mbulon njëqind shqiptarë nën mantelin e të njëjtës akuzë tendencioze: rebelim. Kjo është e tmerrshme!»
Dukja dhe zhdukja e faqes së brendshme e të bardhë të filxhanit nën vajtje-ardhjet e lëngut të kafes në përkundje, i shëmbëllente Melit me buzëqeshjen cinike të Unazës së Bardhë, kur i kishte thënë:
«…do të vijë një ditë që ju do ta pohoni me gojën tuaj: ―anglezët paskan qenë vërtet të fortë!‖.»
Duke bluar në mendje këto ide lënduese, detektivi i burgosur i drejtoi përkthyesit një pyetje që ai nuk e priste:
— Pse e ka akuzuar Kim Filbin për tradhti qeveria angleze? Nëpërmjet aktivitetit të tij prej spiuni në favor të KGBsë, Kim Filbi ka ndihmuar shumë diktatorin Hoxha, njeriun e Londrës. Në këtë këndvështrim ekziston një harmoni e plotë midis aktivitetit të diplomacisë së fshehtë angleze në mbështetje të jetëgjatësisë së karrierës së diktatorit tonë dhe spiunimeve të Filbit tek KGBja, të cilat përfundonin në duart e këshilltarëve sovjetikë që vepronin pranë MP të Brendshme në Tiranë. Sakrifikimi i qindëshes shqiptare lë të kuptohet se CIA dhe Inteligjencë Servisi nuk paskan qenë dashamirëse ndaj desantimeve të emigracionit politik shqiptar, që organizonin vetë. Pra, Kim Filbi ka bërë gjithçka në pajtim me synimet e vërteta anglo-amerikane në Shqipëri. Atëherë, ku konsiston tradhtia e tij?
Përkthyesi me origjinë korçare bëri një shenjë miratimi me kokë për sa tha detektivi i burgosur, pastaj u përgjigj me një buzëqeshje mjaft shprehëse:
— Çështja Filbi është komplekse, z. Meli. Një ditë në SHBA unë isha duke lexuar një artikull të gazetës New York Times që bënte fjalë për dekorimin e Kim Filbit prej KGBsë, me rastin e përvjetorit të ditëlindjes. Përgjegjësi i CIAs për Evropën, me të cilin siç ju thashë njihem herët, u afrua pranë meje e më tha duke qeshur:
— Unë jam gati të vë bast, se dekorata që i ka akorduar në heshtje Kim Filbit Inteligjencë Servisi me këtë rast, është dy herë më e madhe nga kjo që i ka dhënë KGBja.
«Në ambientet e CIAs në Amerikë tashmë thuhet nën zë, se Kim Filbi është një nga agjentët e dyfishtë më të suksesshëm të historisë së shërbimeve sekrete.
— A nuk është ky një burim pesimizmi edhe për të ardhmen e Shqipërisë sot? – pyeti i vrenjtur ish-detektivi.
— Mos u shqetësoni për këtë, z. Meli. Kohët kanë ndryshuar dhe objektivat e politikës amerikane në Ballkan gjithashtu. Ju e dëgjuat vetë shefin e seksionit evropian të CIAs kur ju tha se: brenda dy vjetësh pamja e Shqipërisë do të ndryshojë dhe ju do të jeni krenarë për këtë.
Kjo bisedë e mërziti detektivin e burgosur. Me dëshirën e tij, ai nuk e zgjati më tej takimin. Përshëndeti përkthyesin duke e falënderuar, takoi edhe Streton dhe doli.
Rate this article
Comments (0 posted)
Post your comment