Home | Literature | Dikur, këtu...

Dikur, këtu...

image
«Frynte erë e fortë dhe binte shi. Duke manovruar me shpejtësi, synimi ynë ishte që të arrinim në një park, i cili ndodhet 200 m prej këtej. Ja ku duken majat e pemëve të parkut. Në qoftë se ai do të guxonte të na ndiqte edhe në errësirën e parkut, ne nuk do ta kursenim më atje.



 
Nga Agim Hamiti


 
 
 
 
―Të kaluarën duhet t’ia lëmë harresës
dhe të ardhmen Perëndisë.‖
Jacques-Bénigne Bossuet





Kur dolën nga pijetorja, Meli i propozoi mikut të tij:
— Meqenëse është herët të ndahemi që tani, unë do të shoqëroj deri tek dhoma që fle. Me atë rast, marr edhe dorëshkrimin qysh sonte.
— Bëj pak durim. Shiu paska pushuar dhe ne mund të bëjmë shëtitje bashkë, para se të ndahemi.
— Edhe të udhëtojmë disa stacione me tramvaj shëtitje është, – insistoi Meli.
Pas njëzetë minutash, ata zbritën në një lagje të pastër dhe të qetë të Athinës. Duke biseduar, morën rrugën për tek ndërtesa, ku kishte dhomën Diksi. Ndërsa po i afroheshin asaj, Meli ndaloi hapin dhe me pamje të menduar i tha mikut të tij:
— Ruaj një kujtim të hidhur nga kjo lagje e bukur e Athinës. Dikur, këtu jam plagosur, duke i shpëtuar rastësisht vdekjes. Eja kalojmë nga ana tjetër e bulevardit dhe të marrim rrugën e parë në të majtë. Dua të ta tregoj në vend atë ngjarje të trishtuar.
Dhjetë minuta më vonë ish-detektivi u drejtua tek një restorant luksoz, në mes të një kopshti të bukur. Uji i një shatërvani reflektonte ngjyrat e llambushkave, që formonin emrin e restorantit të mirënjohur. Me sytë mbi shatërvanin, ish-detektivi filloi të kujtonte:
— Një natë vjeshte para 17 vjetësh kisha ardhur për të ngrënë darkë në këtë restorant, bashkë me një shok të profesionit. Do të kryenim së bashku një mision. Kur veproja në shtetet fqinje me Shqipërinë, unë përdorja gjithmonë maskë. Për çudi, këtë herë e kisha nënvleftësuar këtë fakt. Kamerierja e kishte marrë porosinë dhe ne të dy po prisnim të na sillte pjatat, kur m’u kryqëzua shikimi me një person, që po më shikonte ngultas. Ai ishte ulur në një tavolinë disa metra më tej. Vetëm. Kuptohej që sapo kishte ngrënë darkë, se kamerierja nuk i kishte hequr akoma pjatat bosh para tij. Kur shikimet na u kryqëzuan për së dyti, e njoha. Ai ishte një banor i lagjes sime në Gjirokastër, i cili ishte arratisur para dy vjetësh nga Shqipëria. Me sa dukej edhe ai u bind se kush isha unë, sepse u çua nga tavolina dhe shkoi tek banaku. Ndofta donte t’i telefononte policisë.
«E vura në dijeni shokun për rrezikun që na kanosej, duke ia bërë të qartë se duhej të largoheshim menjëherë, përndryshe… U çuam dhe dolëm nga restoranti me hap normal. Ne ishim pikërisht këtu, kur bashkëqytetari im i arratisur doli tek dera e restorantit. E porosita shokun ta evitonim deri në pamundësi përdorimin e armëve pa zhurmë që kishim dhe t’iu fshiheshim përgjimeve të ndjekësit. Po vraponim në gjysmerrësirë, duke ndryshuar shpesh drejtim.
 
 
Mirëpo edhe ai ishte i ri e i shkathët dhe e njihte më mirë nga ne vendin. Madjé, shtjellimi i mëtejshëm i ngjarjeve tregoi, se ai ishte bashkëpunëtor i Asfalisë, i përgatitur mirë. Arrestimi ynë do t’i shpërblehej me një gradim të rëndësishëm.
«Frynte erë e fortë dhe binte shi. Duke manovruar me shpejtësi, synimi ynë ishte që të arrinim në një park, i cili ndodhet 200 m prej këtej. Ja ku duken majat e pemëve të parkut. Në qoftë se ai do të guxonte të na ndiqte edhe në errësirën e parkut, ne nuk do ta kursenim më atje. Mirëpo ndjekësi e kishte nuhatur qëllimin tonë dhe po nxitonte të na priste rrugën. Për një çast u ndodhëm ballë për ballë me të, në një distancë rreth 15 m. Ai kishte pasur gjithashtu revole me silenciator dhe shtiu. Plumbi më kapi paksa mbi rrëzën e kofshës së djathtë. Shoku im nuk hezitoi më: me dy të shtëna të njëpasnjëshme, ai e rrëzoi përtokë agresorin. Nuk dinim nëse ishte vrarë, apo plagosur rëndë. Synimi ynë i vetëm ishte të largoheshim sa më parë e sa më shumë prej andej. I mbështetur mbi supin e shokut, vazhdova të ecja edhe ca. Mandej këmba m’u mpi dhe nuk e ngulja dot më fare. Shoku ma lidhi fort tek gjuri këmbën e pantallonës dhe më mori në krahë. Ishim të detyruar të largoheshim sa më shumë, për të pasur një farë sigurie. Në qoftë se ndjekësi ynë ishte akoma gjallë dhe jepte alarmin, apo ndokush e gjente atë rastësisht të vrarë, policia do të ndodhej shpejt në vendin e ngjarjes.
«Pasi e përshkoi gjithë parkun me mua në krahë e i mbytur në djersë, shoku vazhdoi të ecte akoma, gjersa gjeti një vend për të më fshehur, i cili nuk dukej i përshtatshëm për një gjë të tillë në shikim të parë. Ai më pozicionoi mirë në mes të disa shkurreve jo të gjata, më dha në dorë revolen time dhe më porositi: Mos e përdor armën, Hamit, po nuk të erdhi rreziku përpara këmbëve. Unë do të shkoj urgjentisht në ambasadë dhe shpresoj të kthehem shpejt për të të marrë. Mirë të gjetsha!
«Shiu po shtohej, ndërkohë që vazhdonte erë e fortë. Nxora nga xhepi sekret një ampulë helmi me efekt të menjëhershëm dhe e vendosa tek jaka e këmishës. Selia e ambasadës sonë nuk ishte më tepër se një kilometër nga vendi ku qëndroja unë i fshehur. Kjo më bënte optimist për kthimin e shpejtë të shokut. Përveç hyrjes kryesore, ambasada kishte edhe një hyrje tjetër të vogël nga pas, sekrete. Çelësin e saj e mbante një kuadër i shërbimit sekret shqiptar, pjesëtar i personelit të ambasadës.
«Shiu, frika dhe shpresa po më ndihmonin të mos humbisja ndjenjat. Për fat, shoku u kthye në kohë. Pasi kishte vëzhguar me vëmendje përqark, ai erdhi me gjithë një person tjetër tek unë. Ata më ngritën në krahë dhe më çuan tek vetura, që priste rreth 100 m më tej. Pas disa minutash ishim në ambasadë, ku u morën urgjentisht masat për trajtimin tim mjekësor. Ndërkohë DSJ u informua për ç’kishte ndodhur. Të nesërmen në mëngjes mbërriti në ambasadë kirurgu ynë më i mirë, Petro Cani, i cili më operoi dhe më qëndroi tek koka dhjetë ditë. Mandej u ktheva në Shqipëri i shoqëruar prej tij.
 
 
*
Duke përfunduar tregimin e ngjarjes së trishtuar, e cila për pak do t’i kishte kushtuar jetën, ish-detektivi e endi shikimin për disa çaste mbi fasadën e restorantit, ku kishte porositur darkën pa pritur ta konsumonte, tek shkallët që i kishte zbritur me nxitim, nëpër kopsht ku kishte vrapuar për t’i shpëtuar ndjekjes së bashkatdhetarit të tij … Një rini e përgjakur në shërbim të diktaturës, që e flijoi detektivin e saj më të mirë në kampet e tmerrshëm të punës.
Pas disa çastesh, ai u dha zë ndjenjave që po e mundonin:
— Sa e tmerrshme është të bëhesh viktimë e një diktature, që i ke shërbyer verbërisht! Në këtë rast fundi i dhimbshëm i ngjan një vrasjeje të dyfishtë: morale dhe fizike. Nuk ke të drejtë të ankohesh dhe pendesa ta dyfishon brengën.
— Më vjen keq të të shikoj të trishtuar sot, ditën e takimit tonë pas shtatë vjet ndarjeje, – i tha Diksi.
— Mos u shqetëso për këtë, Sazan. Ti e di mirë që kriza të tilla periodike janë bërë tashmë të zakonshme për mua.
Pastaj, si për të kompensuar trishtimin, Meli buzëqeshi e shtoi:
— Megjithatë unë ruaj edhe një kujtim të ëmbël nga kjo lagje e Athinës. Më 1971 kam njohur një vajzë të bukur, e cila vazhdonte vitin e fundit të liceut. Ishte virgjëreshë.
— Ja, pra, edhe ti e paske përgjakur këtë lagje, – ia ktheu Diksi duke qeshur.
Meli gjithashtu qeshi dhe të dy morën rrugën për tek pallati ku kishte dhomën Diksi.
 
 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
5.00