Latest News
Mjegullnajë
Atentatorët kishin përdorur ilaç gjumi të fortë, para se të kryenin vrasjet. Këtë e vërtetonte fakti që familjarët e viktimave kishin mbetur rreth 24 orë në gjumë. Sipas rezultateve të ekspertizës, atentatorët i kishin fshirë gjurmët e tyre me anën e një pluhuri të shpërndarë në dysheme, i cili lëngëzohej shpejt dhe zhdukte çdo shenjë.
Nga Agim Hamiti
―Duhet fjetur si luani,
pa i mbyllur sytë.‖
Cardinal de Richelieu
Në pasditen e 17 qershorit 1983, DSJ ishte informuar për praninë e një agjenti të huaj në Tiranë. Nën komandën e Stretos, një grup detektivësh të shërbimit sekret u vu në gjurmim të tij, ndërkohë që rrjeti informativ i Sigurimit ishte në gjendje alarmi. Pas një pune intensive, grupi i detektivëve të komanduar prej Stretos kishte arritur ta konstatonte fizikisht agjentin. Duke e ndjekur me shumë vëmendje, ata po prisnin momentin më të përshtatshëm për ta arrestuar. Agjenti i huaj kishte hyrë në një lokal, ku ndodheshin dhe tre klientë të tjerë. Ai ishte ulur në një tavolinë të veçuar dhe kishte porositur një gotë verë.
Pas pak, ndjekësit e tij, të ndarë prej njëri tjetrin, u futën në të njëjtin lokal. Kur të gjithë kolegët e tij kishin zënë vend nëpër tavolina, Streto kishte shkuar tek banakierja. Pasi i kishte treguar dokumentin e posaçëm, ai e kishte porositur që t‘iu bënte llogarinë përmbyllëse tre klientëve të parë, duke i njoftuar me mirësjellje se duhej të dilnin jashtë.
Mirëpo kur në lokal kishin mbetur vetëm detektivët shqiptarë dhe agjenti i huaj, ky i fundit u kishte bërë një surprizë të madhe. Ai kishte thirrur kamerieren dhe e kishte porositur t‘iu çonte nga një gotë verë të gjithë klientëve të pranishëm, me përjashtim të Stretos.
Pasi e kishte pirë verën e tij, agjenti u kishte bërë sfidën e dytë detektivëve shqiptarë. Ai kishte shkuar tek tavolina e Stretos dhe me një shqipe të çalë i kishte thënë: jam në dispozicionin tuaj.
Gjatë procesit hetimor, ai kishte paraqitur dokumentet personale – agjent i KGBsë – dhe kishte dhënë shpjegimet përkatëse pse gjendej në Shqipëri. Meqenëse ishte nisur me mision në Greqinë veriperëndimore, ai ishte pajisur edhe me një pasaportë shqiptare, që ta kishte për çdo eventualitet. Ndërsa ishte duke kryer misionin në atë zonë kufitare me Shqipërinë, shërbimi sekret grek kishte rënë në gjurmët e tij. Për t‘i shpëtuar arrestimit, ai kishte hyrë në Shqipëri. Duke përdorur pasaportën shqiptare, ai kishte fjetur pesë net në pesë hotele të ndryshëm të Tiranës. Meqenëse ai kishte hyrë në territorin shqiptar në rrethana vetëmbrojtjeje, pa kryer asnjë lloj veprimtarie antishqiptare, agjenti sovjetik pretendonte të lihej i lirë. Ky kriter respektohet prej shumicës së shërbimeve sekrete të botës, mbasi kryhen verifikimet përkatëse.
Mirëpo agjenti sovjetik vazhdonte të mbahej i izoluar edhe disa ditë pas shpjegimeve që kishte dhënë. Në këto rrethana, ai kishte kërkuar të takohej patjetër me ndonjë anëtar të kabinetit të ministrit të Brendshëm, por më kot. Vetëm pas një jave, ai kishte pasur një takim kokë më kokë me Dofenin. Pas këtij takimi, ai u la i lirë të largohej nga Shqipëria.
Me porosi të vetë Dofenit, agjentin sovjetik e kishin shoqëruar në aeroportin e Rinasit Streto me Pahinë. Në çastin që po ndahej me shoqëruesit e tij për të hyrë në avion, agjenti u kishte bërë sfidën e tretë detektivëve shqiptarë. Duke u paraqitur një dokument tjetër të shpalosur, ai u kishte thënë me shqipen e tij të çalë: «Ja se kush jam unë në realitet!»
Mbi dokumentin e shpalosur Streto dhe Pahia lexuan emrin e një agjenti anglez me famë botërore të viteve shtatëdhjetë.
Stretos i kishte rrëshqitur cigarja prej gishtave, ndërsa agjenti anglez i kishte thënë me një buzëqeshje domethënëse:
«Mos u mërzit, djalosh! Para meje u ka rënë cigarja përtokë shumë detektivëve me përvojë. Lutu Zotit, të mos takohesh herë tjetër me mua!»
Më pas, Streto dhe Pahia e kishin analizuar me vëmendje ndodhinë e agjentit anglez. Disa pyetje mbeteshin pa përgjigje bindëse: Si ishte e mundur që agjenti anglez të kishte fjetur pesë net në hotelet e Tiranës, ndërkohë që shqipja e tij e cunguar e denonconte qartë nënshtetësinë e tij të huaj dhe sportelistët e hoteleve ishin të gjithë bashkëpunëtorë të Sigurimit? Nga e kishte marrë vesh ai se ishte pikërisht Streto komandanti i grupit të ndjekjes? Pse agjenti anglez u lirua menjëherë pas takimit vetëm për vetëm me Dofenin?
Tek dëgjonte Pahinë t‘i përshkruante këtë ngjarje tronditëse, Melit iu kujtuan fjalët që i kishte thënë Streto gjatë bisedës së parë me të në kamp:
«Ka shenja të qarta se e ardhmja jonë në DSJ nuk do të jetë pa probleme. Prandaj bashkëpunimi ynë është i domosdoshëm, për të përballuar surprizat e këqija që mund të na vijnë prej Misionit të Madh, të cilit ne deri sot i dimë vetëm emrin, por jo objektivin dhe pasojat e tij.»
Por kishte edhe më …
*
Tre muaj pas ndodhisë me agjentin anglez, një ngjarje tjetër kishte tronditur shërbimin sekret shqiptar. Brenda një nate (duke u gdhirë 15 shtatori 1983) ishin vrarë nëpër shtëpitë e tyre pesë oficerë të DSJsë. Të pesë vrasjet ishin identike: me nga një plumb revolveri me silenciator në mes të ballit. Tre prej tyre kishin qenë të martuar. Atentatorët kishin përdorur ilaç gjumi të fortë, para se të kryenin vrasjet. Këtë e vërtetonte fakti që familjarët e viktimave kishin mbetur rreth 24 orë në gjumë. Sipas rezultateve të ekspertizës, atentatorët i kishin fshirë gjurmët e tyre me anën e një pluhuri të shpërndarë në dysheme, i cili lëngëzohej shpejt dhe zhdukte çdo shenjë.
Kjo ngjarje kishte mbjellë panik në DSJ. Cilët ishin autorët e këtyre vrasjeve në një qytet si Tirana, ku qarkullimi ndërpritej para mesnate?
*
Pas përshkrimit të këtyre dy ngjarjeve tronditëse, Pahia i tha Melit:
— Mos mendo se ne në DSJ e kemi jetën më të sigurt sesa ti këtu, Hamit. Kurrsesi. Misioni i Madh fsheh një mister që qëndron si shpata e Demokleut mbi kokat tona. Pse na i fshehin neve objektivin e këtij misioni, gjersa do të jemi pjesëmarrës të tij? Kërcënimi i së ardhmes së panjohur na ka detyruar që të bashkohemi një grusht shokësh besnikë, për të mos shkuar si cjapi tek kasapi në Misionin e Madh misterioz. Jemi të lumtur që ti u bashkove me ne. Ky lajm i mirë që na solli Guri na gëzoi të gjithëve. Sido që të vijnë punët, të paktën do të kemi njëri-tjetrin.
Pahia i shtrëngoi dorën në errësirë Melit dhe u nis për në maune. Ish-detektivi u interesua të shuante edhe thëngjijtë e fundit që kishin mbetur prej zjarrit.
Rate this article
Comments (0 posted)
Post your comment