Home | Literature | Intervistë me Enkelejd Lamajn

Intervistë me Enkelejd Lamajn

image
Mund të them vetëm që të shkruaj në këtë lloj zhanri, për mua, nuk është thjesht çështje sfide, por kënaqësie e shumëfishtë, diçka e tipit “sine-qua-non”, siç thonë juristët, ndaj dhe, në këtë aspekt, çdo gjë tjetër mbetet të jetë pasojë. 
 
 
 
 
 
Nga Dea J Klosi
 
 
 
 
 
 
 
Klosi News: Ju jeni një autor i ri. Ç’keni botuar deri më sot ? A mund të na flisni për kontaktet tuaja të para me Letërsinë, për ndikimet dhe "zakonet" tuaja të të shkruarit ?
 
 
 
ENKELEJD LAMAJ: Dy janë librat e botuar deri më sot. Dy përmbledhje me tregime, e para titullohet “Fytyra tjetër e natës” dhe është botuar në vitin 2003 nga Shtëpia Botuese “Ombra GVG”, kurse tjetra, “Libri i bardhë”, në vitin 2011, nga Shtëpia Botuese “Bota Shqiptare”. Ky i fundit gjendet edhe në formatin elektronik “Kindle” dhe, ndryshe nga botimi në letër, përmban një tregim më shumë. Ndërkohë, janë në proces dy romane, si edhe një tjetër përmbledhje me tregime.
Kontaktet e para me letërsinë kanë qenë shumë të hershme edhe pse s’e mbaj mend me saktësi kur. Kam pasur fatin që në shtëpi të kisha një bibliotekë me libra, ku krijova shoqëritë më të mira, duke nisur me magjinë  e vëllezërve Grim, atë të Andersen, apo duke ndenjur mbi “Një Mijë e Një Netë” zgjuar. Pak më vonë erdhi Tom Sojeri, Hak Fini; sikur edhe  shkova për nja “Dy Vjet të mira Pushime” dhe (ndoshta më parë, a ndoshta më vonë, s’di ta them me saktësi) për një “Udhëtim në Qendër të Tokës” dhe për një zhytje tjetër plot “20.000 Lega nën det”; po aq natyrshëm  erdhi pastaj edhe “Lundrimi im i parë”, e të tjerë e të tjerë. Por, mbi të gjithë këta, u vendos dhe aty qëndroi Mujo, Halili dhe gjithë Cikli i Kreshnikëve. Dhe pa dyshim që “ Tregimet e Moçme Shqiptare” më dhanë përbërësit e pjatës kryesore, kurse të tjerat garniturën.
Pas kësaj erdhi koha e hapjeve. U hap rruga drejt pluralizmit, ambasadat, ca kufij... e çfarë nuk u hap atëherë!... dhe, mes tyre qe edhe hapja e frekuencave televizive. Papritur me atë antenën e shëmtuar majë pallatit mund të shikoje një larmi stacionesh televizive dhe nuk kishte më nevojë për ta përforcuar vibratorin me zhivë termometri. Disa prej tyre, çdo natë transmetonin vetëm filma horror dhe unë e gdhija pothuajse çdo natë për të parë “kulte” (por që ishin të tillë do e mësoja vetëm më vonë).
Një emër mbi të gjithë: Stephen King. Një film: “It” (dhe Ju lutem, mos e përktheni “Kllouni”, se është e tmerrshme!). Kjo është zanafilla. Në atë kohë kujtoja se King ishte regjisori, por kur mësova se ishte autori i librave, që më pas qenë bërë filma, nisa ta kërkoj nëpër libraritë e vendit, në fillim në Lushnjë , pastaj në Tiranë e kudo që mund të shkoja. Sa për këtë pjesë, jam akoma duke e kërkuar edhe sot. Por mirë që e gjeta përtej detit, ku dhe ndodhi ai Kontakti i Afërt i Llojit të Katërt me Shkrimin. I apasionuar tashmë pas fantastikes, në mënyrë të veçantë horrorit, atje gjeta, si të thuash, Parajsën time të Ferrit, të populluar (përveç se nga King), edhe  nga Richard Matheson, Edgar Allan Poe, H.P.Lovecraft, Robert Bloch, Peter Straub, Clive Barker, Ramsey Campbell, por edhe Ray Bradbury e Isaac Asimov, pa harruar as kontributin e Mary Shelly dhe Bram Stoker. Për një periudhë të gjatë nuk lexoja asgjë tjetër përveç letërsisë horror. Por, për fat të keq vetëm në italisht dhe kjo pati jo pak ndikim në shkrimet e para. Nuk mund të lexosh vetëm në një gjuhë e të shkruash në një tjetër. Përveç kësaj, fakti që rrjeta e trurit le të kalojë përmes saj çdo gjë që nuk është horror dhe çdo gjë që është e tillë e çon drejt e në magazinën e ideve, kjo do të thotë vetëm një gjë: duhet  të marrësh një rrjetë me vrima më të vogla. Kështu ndodhi që sa herë vija në Shqipëri mbushesha me libra në gjuhën shqipe. Por, që të jem i sinqertë, mbas çdo libri shqip të lexuar, lexoja dy apo tri të tjerë në gjuhë të huaj, por kjo nuk kishte të bënte me cilësinë e librave, sesa kishte të bënte me zhanrin e tyre.
Lexoja dhe lexoj kudo që të mundem, kurdo që të kem kohë të lirë. Dhe jam mësuar të mbaj gjithmonë një libër me vete. Kurse për të shkruar, nata mbetet mbretëresha e vetme. Siç thonë dhe ato vargjet e famshme të Nirvana-s: “me dritat fikur, është më pak e rrezikshme”. Personalisht nuk i përkas pjesës  që beson se duhet shkruar vetëm kur të vjen frymëzimi, përkundrazi. Sa herë që ulem për të shkruar, është frymëzimi ai që duhet të vijë tek unë. Dhe kur ulesh përnatë, qoftë kjo nata e ditëlindjes, apo ajo e ndërrimit të viteve, ju garantoj që edhe frymëzimi mësohet e të vjen pas avazit.
 
 
Klosi News : Sot, flitet shumë për kritikën letrare shqiptare që, sipas mendimit të përgjithshëm, nuk ekziston. A pajtoheni dhe Ju me këtë mendim ? Si e mendoni  rolin e kritikës letrare ?
 
 
ENKELEJD LAMAJ: Është vërtet e trishtueshme, por edhe unë bashkohem me këtë mendim të përgjithshëm. Kritikë të mirëfilltë letrare shqiptare nuk ka. Për sa kohë që tek ne kritikën e bëjnë vetë shkrimtarët, gazetarët që gjatë gjithë javës shkruajnë për “politikë” dhe “aktualitet” dhe vetëm në fundjavë për “letërsi”, apo opinionistët (çfarëdo që do të thotë kjo fjalë), vështirë që në Shqipëri të ketë kritikë të mirëfilltë letrare. Ekuacioni është shumë i thjeshtë: që të bësh kritikën letrare, duhet që si punë të kesh leximin, ndërsa kohën e lirë ta kalosh duke lexuar. Kritika duhet të jetë si pikë referimi për lexuesin, për botuesin, por edhe për vetë shkrimtarët, pse jo?
 
 
Klosi News : Cilat janë mënyrat tuaja të ndjekjes së Letërsisë Evropiane apo dhe asaj botërore : nëpërmjet përkthimeve apo leximit në gjuhën origjinale ? Ku e vendosni Ju, në krahasim me këtë letërsi, Letërsinë Shqiptare në përgjithësi dhe atë tuajën në veçanti ?
 
 
ENKELEJD LAMAJ: Letërsinë e huaj e ndjek në të dyja mënyrat që përmendni, por edhe përmes një tjetre, që është përkthimi nga gjuha origjinale, por jo në gjuhën shqipe. Për të qenë më i qartë, lexoj shumë në italisht ose anglisht. Arsyeja është shumë e thjeshtë. Librat/autorët që dua të lexoj unë, përgjithësisht nuk përkthehen fare në shqip dhe, kur përkthehen, kjo ndodh me shumë, shumë vonese. Të flasësh për Stephen King, Richard  Matheson, Robert Bloch, apo Lovecraft, e të tjerë e të tjerë, është si të flasësh në një gjuhë jashtëtokësori. Madje, kam një bindje timen se, po të mos kishte qenë për suksesin e filmave, “Lord of the Rings” dhe “Harry Potter”, do ishin përkthyer akoma edhe më me vonesë. Dhe të njihesh me filmin para librit, është një prej fataliteteve më të mëdha në këtë fushë. Për sa i përket vendit të letërsisë shqiptare, mendoj se letërsia jonë ka bërë hapa jo të vegjël vitet e fundit, po të mendohet se në ç’ambient hibrid dhe të infektuar jetoi për aq shumë vite. Megjithëkëtë, për sa kohë nuk do ketë sistem filtrimi të shëndoshë, të bazuar në parime dhe vlera të vërteta, kjo letërsi do vazhdojë të ecë me marrsh të parë.
Për sa i përket letërsisë sime pastaj, kjo i mbetet të tjerëve ta thonë, jo mua. Mund të them vetëm që të shkruaj në këtë lloj zhanri, për mua, nuk është thjesht çështje sfide, por kënaqësie e shumëfishtë, diçka e tipit “sine-qua-non”, siç thonë juristët, ndaj dhe, në këtë aspekt, çdo gjë tjetër mbetet të jetë pasojë. 
 
 
Klosi News : Dihet se një tekst letrar, në fakt, është një ndërtekst. Veprat të dërgojnë  tek njëra-tjetra, shkeljet e syrit ndërmjet shkrimtarëve janë të shpeshta. Po Ju, me cilët autorë ndiheni më afër dhe mundoheni të komunikoni nëpërmjet teksteve tuaja të mirëfillta ?
 
 
 
ENKELEJD LAMAJ: Jo, të them të drejtën nuk e shikoj letërsinë në këtë mënyrë. Është e vërtetë që bëhet fjalë për një formë komunikimi, apo dialogu, ku  e pavetëdijshmja mund të bëjë të vetën dhe, në këtë prizëm, ndokush mund të kërkojë dhe, ndoshta edhe gjejë, diçka mes rreshtave, por nuk është ky qëllimi parësor i asaj që shkruaj. Unë kam përshtypjen se, shpesh herë, një historie (pavarësisht formës: tregim, novelë, roman, apo tjetër) i jepen, i vishen atribute, apo i bëhen krahasime të cilat jo vetëm që nuk i ka, por autori i saj as që i ka çuar ndonjëherë ndër mend. Thënë ndryshe, një histori, në të shumtën e rasteve është vetëm një histori. Përgjithësisht – të paktën kur lexoj “fiction”, – mundohem të marr gjithçka që mund të marrësh nga një histori, sidomos kur kjo është e bukur dhe, mbi  të gjitha, kur është treguar bukur. Çdo histori është një botë më vete dhe për sa kohë që jam duke e lexuar, mundohem ta jetoj sa më këndshëm, të argëtohem sa më shumë.
E njëjta gjë ndodh edhe kur shkruaj. Në radhë të parë kam kufijtë e mi. Mendoj se duhen, kufijtë. Vetëm kështu, duke e ditur që ke ca kufij diku, mund t’i kërkosh dhe t’i gjesh, pastaj t’i kapërcesh dhe të vendosësh kufij të rinj. Që ta nisësh pastaj procesin sërish nga e para. Të shkruarit në zhanrin e fantastikes, apo horrorit (dhe çfarëdo që të referojnë këto terma), ma mundëson këtë gjë më së miri. Por edhe letërsia e horrorit i ka disa rregulla-deri-diku-të-pashkruara: pavarësisht territoreve të reja e të pashkelura, për të cilat je gjithmonë në kërkim, duhet që të shkelësh edhe nëpër ca territore të zbuluara e të shkelura më parë nga të tjerë para teje. Është si një lloj provimi, që duhet ta japësh herët a vonë. E bukura (dhe sfida e vërtetë) qëndron në faktin, që, edhe në këto territore, duhet të kesh si qëllim të kërkosh, zbulosh dhe pastaj të ecësh përmes një rruge të parrahur më parë, ose, të paktën, të mos furnizohesh në të njëjtat pika karburanti. Por, përfundimisht, jo; pavarësisht kësaj, nuk mendoj se mundohem të kem ndonjë komunikim tjetër, përveçse atij që mundohem se mund të kem me lexuesin.
 
 
Klosi News : Një temë që rikthehet shpesh në mjedisin letrar shqiptar, është dhe ajo e "Çmimeve Letrare". Ç’mund të na thoni këtu ? A mendoni Ju se përzierja e politikës së ngushtë partiake në Letërsi është një fatalitet nga i cili s’po dimë si të dalim ?
 
 
ENKELEJD LAMAJ: Çmime Letrare në Shqipëri nuk ka dhe kjo është e vërteta. Në qoftë se doni të më ndërprisni dhe të më kujtoni çmimin e ministrisë, ju them lexoni fjalinë e parë të këtij paragrafi, kësaj here, duke e imagjinuar si të shkruar të gjithën me germa kapitale. Një çmim letrar, që as vetë nuk e di se për çfarë motivacioni jepet, apo që nuk i jep fituesit as edhe një vlerë të vetme të shtuar, nuk mund të jetë çmim letrar. Pastaj, kur një vend nuk ka kritikë letrare, është e kotë të flasësh për çmime letrare. 
E pra kjo; e dyta: a ka ndonjë vend tjetër ku këto çmime ndahen nga shteti? Tjetër: në Shqipëri, të krijohet ideja sikur nuk bëhet një ndarje të mirëfillte e zhanreve të letërsisë. Jo se nuk ka, një ndarje, por sikur nuk i kushtohet një rëndësi e madhe. Ndoshta do jetë më mirë që çmimet letrare të kenë karakteristikat e tyre të veçanta të ndarë sipas zhanreve dhe jo thjesht dhe vetëm sipas formës.
Në çdo rast, nuk do ishte keq që çmimet letrare të shtoheshin. Ndoshta shoqata të librave, botuesve, apo edhe të vetë shkrimtarëve mund të bëjnë diçka në këtë drejtim. Kurse shtëpi botuese të veçanta mund të organizojnë konkurse për të gjetur autorë të rinj. Por, që të bëhet kjo, duhet që të gjitha këto më sipër të kenë si qëllim zbulimin e autorëve të rinj dhe vlerave të vërteta, sepse puna e tyre nuk do duhet të mbarojë vetëm me dhënien e një çmimi, do duhet që, më pas, edhe ta mbrojnë këtë çmim përballë lexuesit dhe jo vetëm atij.
 
 
Klosi News : Tani, edhe një pyetje  mbi Gjuhën Shqipe. Zhurmat e sotme mbi standardin, dialektet, klanet apo komisionet, kanë krijuar një rrëmujë të vërtetë në mjedisin tonë letrar. Mendimi apo  rrugëzgjidhja juaj ?
 
 
ENKELEJD LAMAJ: Kjo është një gjë që duhet t’i përkasë specialistëve të fushës. Në përgjithësi jam gjithmonë pro ndryshimeve, nëse kjo është e nevojshme, por duke pasur parasysh:
Çfarë e gjeneron nevojën për ndryshim? 
Në ç’formë duhet bërë ky ndryshim? 
Për të parën, 40 vjet letargji besoj se e justifikojnë mjaftueshëm këtë nevojë, kurse për të dytën, kjo i duhet lënë në dorë vetëm ekspertëve. Por ne jemi pak fanatikë ndaj gjuhës sonë, aq sa, ndonjëherë, përkthejmë edhe të papërkthyeshmen, vetëm e vetëm që ta kemi në shqip. Jo se është gjë e keqe, por ashtu siç zhvillohet shoqëria, siç përparon shkenca dhe teknologjia, ashtu duhet të zhvillohet dhe pasurohet edhe gjuha e një kombi.
 
 
Klosi News: Dhe së fundi, çfarë do të dëshironit t'u përcillnit lexuesve dhe dashamirësve tuaj?
 
 
ENKELEJD LAMAJ: Meqë është edhe fillimi i një viti të ri, do t’iu  uroja një vit sa më argëtues, me një listë librash për të lexuar sa më të gjatë, por me pak kujdes ama, se, në fund të fundit, librat janë po aq të rrezikshëm sa dhe çdo gjë tjetër; madje, disa prej tyre, janë aq të rrezikshëm sa mund të të ndryshojnë edhe jetën. Sepse historia qëndron më gjatë nga ai që e tregon atë.
 
 
Klosi News: Ju faleminderit !
 
 
ENKELEJD LAMAJ: Ju faleminderit Juve !
 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
5.00