Latest News
Dahlia e Bardhë
Ndërmjet gardhit dhe bashtinës lulëzonte një dahlia që i mbërrinte deri në sup. E ëma e marangozit ka thithur parfumin e dahlias. Ajo e ka nuhatur mjaft gjatë aromën e petaleve të bardha. Të gjitha aromat, i ka nuhatur ajo.
Përkthyer nga Urim Nerguti
Në pikun e vapës, në muajin gusht, e ëma e marangozit ka zhytur një shalqin të madh në pus. Uji ka formuar valë përreth kovës. Ai flluckëzonte përreth lëkurës së gjelbër. Ftohte shalqinin.
E pajisur me thikën e saj të madhe, e ëma e marangozit ka vajtur në bashtinë. Udha ishte një hulli. Sallatat ishin rritur, fletët ngjitëse të qumështit të bardhë që përshkon brinjët. E ëma e marangozit e ka përshkuar hullinë me thikë në dorë. Ndërmjet gardhit dhe bashtinës lulëzonte një dahlia që i mbërrinte deri në sup. E ëma e marangozit ka thithur parfumin e dahlias. Ajo e ka nuhatur mjaft gjatë aromën e petaleve të bardha. Të gjitha aromat, i ka nuhatur ajo. Ka fërkuar ballin. Ka vështruar në kurt. E ëma e marangozit e ka prerë dahlian e bardhë me thikën e saj të madhe.
« Shalqini nuk ishte tjetër veçse një pretekst, ka shpjeguar marangozi pas varrimit. Dahlia ka qenë fatale për të. » Dhe fqinja e marangozit shtoi : « Dahlia, ishte një vegim. »
– Vera ka qenë aq e thatë, tha e shoqja e marangozit, saqë dahlia ishte mbuluar me petale të bardha krejt të kruspullosura. Ajo kishte bërë një lule të madhe, siç dahlia nuk bën asnjëherë. Nuk kishte erë, lulja nuk ka rënë. Ka shumë kohë që dahlia ishte pa jetë, por nuk arrinte të vyshkej.
– Kjo është e padurueshme, tha marangozi, askush nuk mund ta durojë këtë. »
Askush nuk e di çka bërë e ëma e marangozit me dahlian e prerë nga ajo. Nuk e ka sjellë në shtëpi. Nuk e ka vënë në dhomë. Por nuk e kanë gjetur as në bashtinë.
« Ajo ka dalë nga bashtina, thikën e madhe në dorë, tha marangozi. Në sytë e saj, kishte një grimë dahlia. E bardha e syrit të saj ishte e thatë.
« Ndoshta, vazhdoi ai, duke pritur shalqinin, ajo ka këputur petalet e dahlias. Në dorën e saj. Nuk ka lënë të bjerë përtokë asnjë petale. Njëlloj sikur bashtina të kishte qenë një dhomë.
« Unë besoj, tha marangozi, se ajo ka gërmuar një gropë me thikën e vet të madhe dhe se e ka varrosur aty dahlian. »
Nga fundi i pasdites, e ëma e marangozit ka ringjitur kovën nga pusi. E ka mbartur shalqinin mbi tavolinën e kuzhinës. Me majën e thikës, ka shpuar lëkurën e gjelbër. Me një lëvizje rrethore, e ka çarë shalqinin më dysh, me thikën e saj të madhe. Që andej është çliruar një hungërimë. Një ofshamë. Shalqini ishte ende i gjallë në pus dhe mbi tavolinën e kuzhinës, deri në ndarjen e dy gjysmave.
E ëma e marangozit ka zgurdulluar sytë, por meqë ata ishin po aq të thatë sa dahlia, kanë mbetur fare të vegjël. Lëngu rridhte nga tehu i thikës. Sytë e saj të vegjël vështronin mishin e kuq me urrejtje. Si dhëmbët e një krëhëri, bërthamat e zeza rimbulonin njëra-tjetrën.
E ëma e marangozit nuk e ka prerë shalqinin në fotlla. I ka vendosur të dyja gjysmat përpara vetes. Me majën e thikës, ka gërmuar mishin e kuq. « Ajo kishte sy të pangopur, siç nuk kam parë kurrë ndonjëherë », ka thënë marangozi.
Lëngu i kuq ka rrjedhur mbi tavolinë. I rridhte nga goja. Deri në bërryl. Lëngu i kuq i shalqinit ngjitej përtokë.
« Dhëmbët e nënës nuk kanë qenë kurrë aq të bardhë, dhe aq të ftohtë. Ajo hante dhe më ka thënë : "Mos më vështro ashtu, mos ma shiko gojën." I pështynte bërthamat e zeza mbi tavolinë.
« I kam larguar sytë. Nuk kam dalë nga kuzhina. Kam pasur frikë nga shalqini. Kam vështruar nga dritarja. Një i panjohur ka kaluar. Me nxitim. Fliste me vete. Pas shpine, kam dëgjuar nënën time që kruante me thikë. Që mbllaçitej. Që kapërdinte. "Nënë, kam thënë unë, pa e vështruar, mjaft hëngre." »
E ëma e marangozit ka ngritur atëherë dorën. « Ka bërtitur, dhe aq fort saqë e kam vështruar. Më ka kërcënuar me thikë. "Kjo është një verë e rreme dhe ti, ti je një përbindsh, ka bërtitur ajo, po më pëlcet koka ! Po më digjen rropullitë. Kjo është një verë që pështyn zjarrin e viteve të shkuara. Vetëm shalqini më freskon." »
(Herta Müller)
Rate this article
Comments (0 posted)
Post your comment