Home | Literature | Meditim e Dhimbje

Meditim e Dhimbje

image
Si një anije pa timonier e përzënë nga dallgët, grupi që vepronte në Tiranë do të përpiqej të merrte kontakt me të autorizuar të CIAs më 20 maj. Kjo ishte e vetmja shpresë shpëtimi për Pahinë. Por a do të realizohej dot ky takim i rëndësishëm për të siguruar qysh atë natë ndërlidhjen me shërbimin sekret amerikan?
 
 
 
 
 
Nga Agim Hamiti
 
 
 
 
 
 
 
―Dhimbjet e lehta flasin ;
të mëdhatë janë memece.‖
Seneka
 
 
Me duart të kryqëzuara mbi kraharor, çehrezymtë, në këmbë para dritares në fund të korridorit të fjetoreve të katit të dytë, detektivi i burgosur e kishte fiksuar shikimin mbi ujin e kthjellët të lumit. Në të vërtet sytë e tij nuk shikonin asgjë. Ai po bënte me imagjinatë një udhëtim në të kaluarën e vet, në vitet e rinisë së përgjakur. Ky fragment tronditës i jetës së tij nuk ishte i kthjellët si uji i lumit, por i turbullt, i kuqërremtë.
I lodhur prej jetës së tensionuar, ish-detektivi përpiqej të sodiste, matanë të kaluarës së trishtuar, portretin e nxënësit të zellshëm Hamit Meli, i cili kishte ëndërruar të bëhej një mjek i mirë. Këtë ëndërr të bukur ia kishte nxitur sëmundja e babait të plagosur në luftë. Meli i vogël e quante të pakuptimtë që të vdiste nga sëmundja në kushte paqeje një njeri, i cili kishte arritur të mbijetonte plagët e luftës. Sidomos babai i tij…
Ambulanca e lagjes pranë shtëpisë së tyre, u bë shtëpia e tij e dytë. Atje ai kishte mundësi të njihte nga afër profesionin e tij të preferuar. Një ditë ai kishte shkuar në ambulancë së bashku me babanë e sëmurë nga ethet. Megjithë interesimin e mjekut dhe të një infermiereje, babai kishte humbur ndjenjat. I përlotur tek koka e krevatit, Hamiti i vogël i murmurinte:
— Rezisto, baba, rezisto të lutem! Pas shtatë vjetësh unë do të bëhem mjek dhe do të të shëroj nga kjo sëmundje që po të mundon; të jap fjalën!
Atëherë ai vazhdonte vitin e dytë të gjimnazit dhe rezultatet i kishte premtuese. Kur i përgatiste shpejt mësimet e ditës së nesërme, ai vraponte në ambulancë. Midis bluzave të bardha, shikonte të ardhmen e tij. Gjatë kohës që qëndronte në ambulancë, edhe ai vishte një bluzë të bardhë. Kur ndonjë infermiere e thërriste ta ndihmonte në ndonjë shërbim, djaloshi i papërtuar vraponte atje i ngazëlluar. Kështu ai e ndiente veten anëtar i personelit mjekësor. Nën mbikëqyrjen e infermiereve, ai kishte mësuar t‘iu bënte shiringa të sëmurëve që shkonin në ambulancë. Me kalimin e kohës, Hamiti u specializua aq mirë në bërjen e injeksioneve, saqë kishte pacientë që preferonin dorën e tij të lehtë.
Një ditë një infermiere i tha në mirëbesim:
— Hamit, këto ditë na ka ardhur një kurë e re, e cila mund të jetë e efektshme për sëmundjen e babait tënd. Por mjekët nuk guxojnë t‘ia bëjnë shiringat për shkak të grupit të tij të gjakut.
— Pse efektshmëria e një ilaçi varet edhe prej grupit të gjakut të pacientit?
— Jo, efektshmëria e kurës është e njëjtë për të gjithë grupet e gjakut, por bëhet fjalë për efektet e padëshirueshme anësore të saj në organizmin e të sëmurit. Pas përdorimit të kësaj kure në spitalet tona, mjaft pacientë kanë gjetur shërim prej saj, por ka pasur edhe tre të vdekur. Që të tre i përkisnin grupit të gjakut të babait tënd. Kura përbëhet nga 24 shiringa, por vetëm tri të parat janë problematike.
— Në cilën pjesë të trupit bëhen ato shiringa?
— Në mishra, në të ndenjura.
— Po unë të njëjtin grup gjaku kam me babanë tim?
— Jo, nuk është e thënë. Por për të përcaktuar grupin e gjakut duhet bërë analiza e tij.
Hamiti i kërkoi një infermiereje tjetër t‘i bënte analizat e gjakut, që ta njihte për kuriozitet grupin e gjakut të tij. Analizat treguan se ai kishte të njëjtin grup gjaku me babanë. Ndërkohë ai u interesua dhe i pa me sy shiringat e kurës së re.
Pas një jave djaloshi takoi mjekun përgjegjës të ambulancës e i tha:
— Babai ynë është i ri në moshë dhe unë nuk dëshiroj që ai të na lërë jetimë kaq herët. Prandaj mendoj t‘ia bëni kurën e re që ka ardhur, se organizmi i tij do ta përballojë pa probleme atë, pavarësisht prej grupit të gjakut.
— Nga nisesh ti që organizmi i babait me atë grup gjaku mund ta përballojë pa pasoja kurën? e pyeti i buzëqeshur mjeku, duke sistemuar dy dosje që kishte në duar.
Hamiti u skuq në fytyrë para se të përgjigjej me zë të ulët:
— Fillimisht dua t‘ju kërkoj falje për atë që kam bërë, doktor. Megjithëse unë kam të njëjtin grup gjaku me babanë, organizmi im i përballoi pa problem tri gjilpërat e para të asaj kure.
Mjeku i shkëputi sytë prej dosjeve që po rregullonte dhe, me një çehre të ndryshuar, e pyeti:
— Seriozisht po flet, Hamit?
— Po.
— Por kjo është një marrëzi për moshën tënde – bërtiti mjeku duke i flakur matanë dosjet që po rregullonte. – Cili qe ai i çmendur që ka guxuar të bëjë një eksperiment të tillë me organizmin e një adoleshenti? Më thuaj emrin e tij, shpejt!
— I kam bërë vetë në mishra çdo…
— E pamundur! – thirri me zë të lartë, i bërë spec i kuq në fytyrë mjeku. – Edhe për një profesionist është shumë e vështirë t‘i bëjë gjilpërë vetes.
— Unë u kam bërë me dhjetëra gjilpëra të tjerëve. Për t‘i bërë tri gjilpëra vetes nuk ishte aspak problem. Nëse më lejoni, unë mund ta bëj të katërtën në praninë tuaj, tani.
— Je duke folur përçart, Hamit? Ç‘janë këto që thua? Babai yt nuk do ta pranonte kurrë një sakrificë të tillë nga ana jote. Ti nuk duhet të shkelësh më në ambulancë.
— I bëni kurën babait, ju lutem! Pastaj unë nuk do të vij më këtu, po nuk më pranuat ju.
Duke vrenjtur vetullat, mjeku e pyeti:
 
— Çfarë shqetësimi ndieje pas bërjes së gjilpërës?
— Një shtim etjeje gjatë ditës dhe një marrje mendsh të lehtë në mbrëmje; asgjë tjetër. Mos u bëni merak fare, doktor.
*
Vdekja e babait pas shtatë muajsh e detyroi adoleshentin e papërmbajtur të mos shkonte më në ambulancë, e cila i ngjallte kujtime të hidhura. Mirëpo akti i tij i guximshëm me eksperimentimin e gjilpërave dhe temperamenti i zhdërvjellët i djaloshit me biografi të shkëlqyer tërhoqën vëmendjen e ekspertëve të DSJsë, që zgjidhnin studentët e ardhshëm të shkollës së shërbimit sekret. Megjithë amanetin e babait, që asnjëri prej djemve të tij të mos kryenin studime ushtarake, pushteti diktatorial arriti t‘ia mbushte mendjen nënës dhe vëllait të madh, që të miratonin regjistrimin e Hamitit në shkollën speciale të DSJsë.
«Kjo ka qenë kthesa fatale e jetës sime prej jetimi, që ma dogji të ardhmen përgjithmonë. Më mirë do të kishte qenë të kisha vdekur nga gjilpërat, sesa të kryeja studime ushtarake kundër amanetit të babait. Ndoshta mosrespektimi i këtij amaneti qe mallkim për të ardhmen time», tha me vete detektivi i burgosur me sytë mbi rrjedhën e lumit.
Sa dhimbje ndiente ai duke bërë bilancin e ngjarjeve të fundit: Daka e Merdari të vrarë, fati i Stretos i panjohur, Pahia në kthetrat e anglezëve, ai vetë i mbetur fillikat… Si një anije pa timonier e përzënë nga dallgët, grupi që vepronte në Tiranë do të përpiqej të merrte kontakt me të autorizuar të CIAs më 20 maj. Kjo ishte e vetmja shpresë shpëtimi për Pahinë. Por a do të realizohej dot ky takim i rëndësishëm për të siguruar qysh atë natë ndërlidhjen me shërbimin sekret amerikan? Meli nuk i jepte dot përgjigje kësaj pyetjeje, mbasi qysh prej ndarjes me Pahinë, ai nuk kishte më asnjë informacion, se ç‘ndodhte në Tiranë. Kjo e mundonte së tepërmi.
— Hamit, sonte do të kesh përsëri vizitorë – i pëshpëriti një zë i njohur.
Detektivi i burgosur i shkëputi sytë prej ujit të kthjellët të lumit dhe u përqendrua tek personi që i foli: kartelisti i kampit ndodhej një metër larg tij.
 
 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
5.00