Home | Literature | Respekt dhe mall për shokët e rënë

Respekt dhe mall për shokët e rënë

image
Detektivi i burgosur i rreshtoi njërën pas tjetrës të tri fotografitë, sipas radhës së vdekjes, dhe belbëzoi: në krye tuaj duhej të ishte fotografia ime.
 
 
 
 
 
Nga Agim Hamiti
 
 
 
 
 
Kujtimi është si një zambak uji që
tregon fytyrën e tij prej të mbyturi
brenda në ujë.‖ Jorge Carrera Andrade
 
 
 
Një javë më vonë, detektivit të burgosur i erdhi për ta takuar përsëri shefi i seksionit evropian të CIAs. Këtë herë ai shoqërohej prej një zyrtari tjetër dhe përkthyesit të zakonshëm. Streto mungonte. Unaza e Bardhë me përkthyesin e tij dhe Dofeni ishin gjithashtu të pranishëm.
Shefi amerikan e nisi bisedën me vdekjen e Pahisë. Ai fliste mjaft serioz, duke lënë një përshtypje bindëse, se i ndiente ato që thoshte. Pastaj nxori nga çanta tri fotografi dhe duke i mbajtur në pëllëmbën e hapur të dorës së djathtë, tha me një ton solemn:
— Këtyre djelmoshave të pavdekshëm populli shqiptar do t'iu ngrejë lapidar një ditë.
Ai ia zgjati tri fotografitë detektivit të burgosur.
Meli i shikoi me mall tre shokët e dikurshëm të shkollës [ata ishin një datëlindje me të e me Streton] dhe bashkëluftëtarët e vendosur të muajve të fundit. Të tre ishin fotografuar në momentet e fundit të jetës së tyre. Asnjëri nga ata nuk i kishte plotësuar të 35 vjetët.
Fotografia e tregonte Gencin në çastin që toga e ekzekutimit kishte marrë urdhrin zjarr! Era e kishte fryrë anash xhakaventon e tij të zbërthyer dhe flokët e gjatë e të bukur ia kishte shpupuritur. Fytyra e tij e tendosur me shikim të mprehtë [ai nuk kishte pranuar t'i lidheshin sytë] ishte shumë shprehëse. Buzët i kishte paksa të zgjatura përpara. Aparati ishte shkrepur në çastin që Daka, duke treguar me dorë fundin e barkut, u kishte thënë spektatorëve të vdekjes së tij: plumbat tuaj do t'i pres këtu! dhe po pështynte në drejtim të ekzekutorëve.
Tek po shikonte me vëmendje fotografinë, Melit iu kujtuan fjalët me të cilat ishte shprehur Streto për kurajën e jashtëzakonshme të Gencit: vdekje më dinjitoze, as në filma nuk kam parë.
Merdari ishte fotografuar pasi e kishin shtrirë të plagosur rëndë mbi një pelerinë bojë qielli. Dy plumbat që kishte marrë nga pas krahëve ia kishin bluar mushkëritë, por trupi i tij muskulor i rezistoi plot dy javë vdekjes. Para se ta fotografonin, ia kishin fshirë mirë gjakun që i rridhte nga goja. Fytyra e tij burrërore, e argasur si fytyra e një detari, ishte tkurrur nga dhimbjet e mëdha, prej të cilave dergjej në një humbje të thellë. Duke vëzhguar me vëmendje fytyrën e njërit prej shokëve më të afërt që kishte pasur gjatë aktivitetit në DSJ, Melit iu krijua përshtypja se Merdarin e kishte munduar po aq sa dhimbjet e mëdha fizike edhe pamundësia për të shprehur diçka të rëndësishme: ai kishte rënë prej plumbave të një vrasësi, që merrte pjesë në lojën stërvitore si aleat.

Në fotografinë e tretë shfaqej pamja e zbehtë dhe fisnike e fytyrës vezake të Pahisë. Ai dukej krejt i qetë, sikur flinte pas një lodhjeje të madhe..
«Vërtet pas një veprimtarie me ngarkesa të mëdha psikike i erdhi kjo prehje», tha me vete Meli dhe shtoi: «Të takon të jesh i qetë, vëlla. Aq sa bëri gjysma e grupit, ti e realizove vetëm.»
Detektivi i burgosur i rreshtoi njërën pas tjetrës të tri fotografitë, sipas radhës së vdekjes, dhe belbëzoi: në krye tuaj duhej të ishte fotografia ime.
Tek po ia kthente fotografitë amerikanit, Melit iu duk se po i dorëzonte shokët e tij tek të huajt dhe sytë iu njomën. Shefi i seksionit evropian të CIAs e vuri re këtë dhe i tha:
— Kolegu anglez më ka vënë në dijeni të një dukurie interesante të temperamentit tuaj: burgu ju ka mprehur ndjenjat ose, më saktë, ju ka bërë më të vrazhdë se normalja me ata që urreni dhe më të ndjeshëm nga sa mund të jetë zakonisht njeriu kundrejt atyre që i do. Tani po e konstatoj edhe vetë këtë.
Meli fshiu sytë me shami dhe u përgjigj me zë të ulët:
— Në qoftë se është vërtetë ashtu, i jam mirënjohës burgut.

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
5.00