Latest News
Intensifikimi i Dhunës
Ato ditë të nxehta terrori ekstrem vagoni i partisë u bë për të burgosurit politikë po aq i rrezikshëm sa edhe vetë partia.
Nga Agim Hamiti
―Padrejtësia sjell padrejtësi; dhuna
sjell dhunë.‖
Henri Lacordaire
Ridënimet e njëzet e katër të arrestuarve qenë drastike. Dy të pushkatuar: Sokol Sokoli, kolosi 32 vjeçar, dhe shoku i tij i ngushtë, Tom Ndoja – 29 vjeç. Të dy nga rrethi i Shkodrës. Katërmbëdhjetë prej të arrestuarve u dënuan me një shumë të përgjithshme prej 240 vjet burg. Ndërsa tetë të tjerët, pas dhjetë ditë torturash në birucat e DP të Brendshme të Pukës, u transferuan në kampin e Zejmenit, në rrethin e Lezhës.
Pas shtypjes së revoltës shpërtheu terrori masiv kundër të gjithëve e për çdo gjë. Më se njëqind policë të ndërhyrjes së shpejtë (sampistë), të stërvitur posaçërisht për shtypje revoltash, erdhën urgjentisht nga Tirana. Me urdhër të MP të Brendshme, të gjitha degët e punëve të brendshme të rretheve të kategorisë së parë dërguan një kontingjent policësh në kampin e Qafë-Barit për të fituar eksperiencë në shtypjen e revoltave kundër pushtetit popullor. Gjatë muajit të parë pas revoltës kampi u militarizua deri në atë shkallë, saqë çdo i burgosur kishte policin e tij. Javën e parë policia merrte të burgosur natën nëpër dhoma dhe i torturonte në sheshin e shtruar me çimento midis fjetoreve dhe mensës. Në mëngjes ky shesh gdhihej i qëndisur me njolla gjaku.
Çdo brigadë e nëntokës shkonte e kthehej nga puna e shoqëruar prej një grupi policësh me nga një bisht kazme në dorë. Me vendim të komandës së kampit, norma u rrit 25 %. Që të arrinin të realizonin normën, të burgosurit shpërndaheshin nëpër frontet e punës me vrap kur hynin në minierë, për të mos humbur kohë. Gjithashtu ata e fillonin punën pa pritur që frontet të pastroheshin mirë prej gazrave helmues, që çliroheshin pas plasjes së eksplozivit. Kur të burgosurit trulloseshin nga këto gazra dhe villnin, detyroheshin ta ndërprisnin punën nga pamundësia. Atëherë policia i torturonte, duke i akuzuar se një gjë të tillë e kishin bërë me qëllim, që të mos realizonin normën.
Pikërisht në këtë periudhë terrori masiv hyri në fuqi vagoni i partisë. Me propozimin e shefit të policisë së kampit – një sadist i lindur me emrin Edmond Caja, i cili më vonë do të bëhej komandant i kampit – pas realizimit të normës së detyruar, çdo i burgosur duhej të mbushte edhe një vagon suplementar me mineral për nder të partisë, e cila u kishte sjellë ditët e lumtura që po jetonin...
Si të mos realizonin normën dhe të mos mbushnin atë vagon ishte njësoj; të burgosurit i priste i njëjti ndëshkim. Kjo do të thoshte një ringritje tjetër e normës 20 %. Pra, brenda pesë ditësh norma u ngrit nga katër vagonë elektrovozi në gjashtë. I gjashti ishte vagoni i partisë.
Kjo garë e shfrenuar midis makutërisë së komandës e të policisë dhe sakrificave të të burgosurve për ta nginjur atë, nxirrte gjithmonë fitimtarë të
parët. Ato ditë të nxehta terrori ekstrem vagoni i partisë u bë për të burgosurit politikë po aq i rrezikshëm sa edhe vetë partia.
*
Të nesërmen e revoltës, më 23 maj, Melin e thirri një oficer i DSJsë tek zyrat e komandës. Meqenëse në kampin e Qafë-Barit do të intensifikohej dhuna me urdhër qeveritar, qendra e orientonte Melin të pranonte të transferohej në kampin e të burgosurve ordinerë në Tiranë.
Në vazhdim të bisedës, i dërguari i DSJsë i tha Melit:
— Ne nuk mund ta sqarojmë komandën e kampit – pa le më policinë – rreth çështjes tënde. Prandaj, që t'iu shpëtosh ndëshkimeve të mundshme, duhet të pranosh patjetër transferimin.
— Jo, unë nuk do të largohem nga ky kamp, – iu përgjigj prerë Meli. – As nuk jam aq naiv, sa të kërkoj të sqaroni komandën e kampit për pozicionin tim. Unë do të bëj çmos vetë, që ta evitoj me përpjekjet e mia përplasjen me policinë.
— Kjo është e pamundur. Me vendim qeveritar, ky kamp është dënuar me një vit dhunë ekstreme, për shkak të revoltës. Policia do t'i sajojë shkaqet e ndëshkimit për çdo të burgosur, pa pritur pakujdesitë e tyre.
— Sidoqoftë, unë do të qëndroj këtu – i dha karar Meli.
— Atëherë DSJ nuk mban asnjë përgjegjësi për çdo gjë që mund të të ndodhë ty.
— Me përjashtim të rasteve që do t'i organizojë vetë DSJ – e plotësoi Meli.
— Kjo nuk ndodh kurrë, mbasi mbahet përgjegjësi e rëndë për një gjë të tillë. Pikërisht për këtë arsye ne po interesohemi posaçërisht. Në qoftë se e ke mbledhur mendjen për të qëndruar këtu, duhet të firmosësh këtë dokument – i tha ai detektivit të burgosur, duke i zgjatur një letër.
Meli firmosi dhe u kthye sërish në kampin e tensionuar.
*
Ditën tjetër, më 24 maj 1984, u bënë flijimet për dyzetvjetorin e kongresit të Përmetit: arrestimet e dyta në masë, pas njëzet e katër të parëve.
Këto u kryen në kushtet e një dhune të egër fizike dhe psikike. Të burgosurit i detyruan të uleshin ndenjur në sheshin e shtruar me çimento midis godinës së fjetoreve dhe asaj të mensës. Ky ishte rreth 25 m i gjatë dhe 8-10 m i gjerë. Të dy daljet e tij në ballë të godinave kufizuese paralele ishin bllokuar nga dy turma të mëdha policësh dhe ushtarësh.
Pasi u kthye nga puna, turni i parë shkoi e u bashkua me të burgosurit e tjerë, që kishin mbi dy orë në pritje. Rreth orës katër mbasdite gjithçka ishte gati për të filluar operacioni i spastrimit të armiqve në një kamp armiqsh! Të katërqind e gjashtëdhjetë të burgosurit ishin ulur sup më sup, ngjeshur pas
njëri-tjetrit. Policë e ushtarë lëviznin nëpër ta, duke u shkelur shpesh mbi këmbë kastile për t‘i bezdisur.
Pas një pritjeje të gjatë, sekretari i ministrit të Brendshëm për ndjekjet penale, Lek Imeri, i shoqëruar nga një tjetër oficer i lartë i Sigurimit të Shtetit me mbiemër Mëlyshi [me siguri gjak i të neveritshmit Pal Mëlyshi] doli para të burgosurve për të nisur serinë e arrestimeve. Si dikur në Spaç, çdo arrestimi i paraprinte një lojë cinike e oficerëve dhe policëve të kampit të Qafë-Barit. Ata shkelnin pa kujdes midis të burgosurve të ulur, ndalonin sikur do të këshilloheshin me njëri-tjetrin, përmendnin emrin e ndonjë të burgosuri, i drejtoheshin pastaj dikujt tjetër, e çonin në këmbë e, pasi i bënin ndonjë pyetje formale, sa për të justifikuar ngritjen, thërrisnin emrin e atij që do të arrestohej. Mbasi i hidhnin prangat në mes të të burgosurve, e shoqëronin të arrestuarin me disa policë. Këta kalonin nga dalja jugore e sheshit, prej nga nuk dukeshin më prej të burgosurve të ulur. Turma e madhe e sampistëve që zinin daljen shpërthente në pasthirrma habie e tmerri fiktiv, tek shikonin se ç'ndodhte më tej me të arrestuarit. Krijohej kështu përshtypja se të burgosurit e arrestuar po i kalonin në satër.
Në këtë ciklon terrori pati edhe vepra të përçudnuara xhelatësh mizorë, të cilat rrëqethin edhe vetë krimin. I tillë qe fati i të burgosurit Sandër Sokoli, me origjinë nga Tropoja, ish-shef i kontrollit të cilësisë në uzinën e prodhimit të armëve në Poliçan. Viktima në fjalë e dha shpirtin nga inskenimi i përbindshëm i një lloj krimi, që jo vetëm s‘ishte parë e dëgjuar ndonjëherë, por vështirë se mund ta kishte lexuar ndokush nëpër analet e kriminalistikës botërore. Ky lloj i veçante ekzekutimi do të kishte mbetur i panjohur, sikur dy policë të kampit të Qafë-Barit, të pranishëm në kryerjen e tij, të mos ishin mahnitur prej talentit vrastar të kolegëve sampistë dhe ta përshkruanin me mburrje më vonë këtë mrekulli të krimit.
Ekzekutimi origjinal kishte qenë vepër e pesë sampistëve të zgjedhur posaçërisht. Dy prej tyre e kishin kapur të burgosurin për secilën shpatull, ndërsa dy të tjerë e kishin mbërthyer fort në secilin gju. Mandej e kishin fiksuar trupin e të burgosurit në pozicionin përmbys, me fytyrë nga dyshemeja, duke e mbajtur pezull rreth 80 cm prej saj. Sampisti i pestë, më i rëndi në peshën trupore, kishte hipur mbi një karrige të vendosur mbi tavolinë. Me një kërcim të fuqishëm, ai ishte hedhur prej andej, me të dy këmbët të bashkuara, mbi kolonën vertebrore të të burgosurit, në drejtim të veshkave. Veç thyerjes së kolonës, trupi i fiksuar pësoi edhe dëmtime të tjera të rënda organike, të cilat i sollën si pasojë një vdekje të denjë për humanizmin socialist fatkeqit Sandër Sokoli.
Rate this article
Comments (0 posted)
Post your comment