Latest News
Instikti i Cinikut
— Racionimi është simbol varfërie që e kënaq së tepërmi shpirtngushtësinë e diktatorit tonë – e avancoi më tej shakanë Brinjashi.
Nga Agim Hamiti
―Ç’është një cinik? Është një njeri që
e di çmimin e çdo gjëje, por nuk njeh
vlerën e asgjëje.‖
Oscar Wilde
Gjatë gjithë kohës që kishte punuar në DSJ, Meli nuk kishte pasur kurrë marrëdhënie normale me Brinjashin. As pranonte vizitë prej tij e as ia kishte shkelur ndonjëherë pragun. Madjé, dy vitet e fundit që punonte në DSJ, Meli nuk i fliste me gojë fare, mbasi Brinjashi ishte bërë shkak të dënohej gjashtë vjet burg një djalë i ri tiranas, vetëm pse e kishte shtyrë detektivin e DSJsë në hyrje të stadiumit, ndërkohë që nuk e njihte fare se kush ishte. Për shkak të kësaj ndodhie të shëmtuar, ai kishte pasur edhe një përplasje të drejtpërdrejt me Brinjashin, e cila kishte përfunduar në kanosje me armë prej Melit. Vetëm ndërhyrja e një kolegu, që i lëvizi dorën Melit në çastin e fundit, e kishte shpëtuar Brinjashin nga vdekja. Qysh atëherë ata ishin bërë armiq për vdekje midis tyre.
Për mendimin e Melit, ishte pikërisht urrejtja ndaj tij që e kishte nxitur më tepër Brinjashin të dilte vullnetar në misionin e burgut. Nuk kishte rast më të përshtatshëm për hakmarrje ndaj Melit, i cili mbetej detektivi më i mirë shqiptar në historikun e DSJsë. Kjo ia shtonte edhe më tepër revoltën Brinjashit.
I etur ta dëgjonte nga afër zërin e kundërshtarit të tij të përhershëm të rënë nga vakti, apo të shkëmbente dy fjalë me të, Brinjashi kishte bërë tentativa afrimi me të burgosurin Hamit Meli në kamp. Natyrisht, i bindur që ish-detektivi nuk dinte asgjë sesi po luhej në prapaskenë me fatin e tij. Meli i kishte shmangur afrimet e Brinjashit pa manifestuar as më të voglën pakënaqësi ndaj tij.
Mirëpo me intuitën e profesionistit të regjur, një natë Brinjashi diti ta shfrytëzonte me efikasitet rastin e përshtatshëm. Atë mbrëmje Meli po ngrohej pranë një zjarri të vogël me dy të burgosur të tjerë. Diksi ishte në punë. Brinjashi u afrua atje, nxori nga xhepi një xhezve të mbështjellë në qeskë plastmasi dhe u drejtua atyre të treve:
— A ka mundësi ta përgatis kafen në zjarrin tuaj?
Një ish-oficer ushtrie iu përgjigj duke qeshur:
— Të ndiejmë erën e kafesë sonte është privilegj për ne. Me njëqind gramë që na japin në muaj, ne nuk shtyjmë dot as dy javë. Diktatorit i vjen keq që nuk mund të na racionojë dhe oksigjenin.
— Për sa kohë që ai i gjori nuk do t‘ia gjejë dot zgjidhjen këtij problemi delikat, ne do të mbushemi frymë me të dy mushkëritë për inat të atij – ia ktheu Brinjashi duke qeshur dhe u ul ndanë të zjarrit.
— Edhe sikur të jetonim në Brazil, diktatori do na ndalonte të konsumonim më tepër se njëqind gramë kafe në muaj – tha ish-oficeri.
Shakaja e tij shkaktoi një të qeshur të përgjithshme, veçse arsyeja e qeshjes së Melit ndryshonte nga ajo e të tjerëve.
— Racionimi është simbol varfërie që e kënaq së tepërmi shpirtngushtësinë e diktatorit tonë – e avancoi më tej shakanë Brinjashi. – Mua ma ka dërguar familja një pako kafe, me rastin e martesës së vëllait të vogël. Prandaj do t‘ju gostis të gjithëve me nga një filxhan kafe, nëse pranoni.
— Peshqeshin e pranon dhe mbreti – ia ktheu ish-oficeri duke fërkuar duart nga kënaqësia. – Në këtë acar unë do të gjerbja edhe lëng lajthish, jo më kafe.
— Ndërsa unë, po të marr një kafe tani, mbetem gjithë natën pa gjumë – tha Meli. Pastaj ai iu drejtua Brinjashit: – Urimet e mia për martesën e vëllait.
«Megjithëse ti je djalë i vetëm», tha me vete ish-detektivi.
— Të faleminderit, byrazer – ia ktheu Brinjashi. – Por meqenëse nuk do të pish kafe, urdhëro të paktën një bonbone me mente.
— Patjetër. Kjo është e mirë për në mëngjes, para se të ndez cigare.
— Po të isha në vendin tënd, unë do ta kisha rrufitur që tani – i tha ish-oficeri duke lëpirë buzët.
— Edhe unë po të isha në vendin tënd, ashtu do kisha vepruar – ia priti duke qeshur Meli. – Por, siç e shikon, unë tani jam duke pirë cigare.
Tek po shikonte Brinjashin duke përgatitur kafet në zjarrin që po dobësohej, Meli solli ndërmend marrëdhëniet e acaruara me të në DSJ dhe tha me vete:
«Megjithëse ky i pashpirt është dëshmitar okular i gjendjes së mjeruar të të burgosurve, nuk i durohet pa i provokuar, ndonëse ky veprim nuk lidhet fare me misionin e tij. Vetëm dërrasat e arkivolit mund ta drejtojnë kurrizin e një gungaçi. Ah, sikur ta dije, Brinjash, se jam unë që po tallem me ty në këto çaste e jo ti me mua, siç të gënjen mendja! Do t‘ia shikosh mirë sherrin misionit që ke marrë përsipër, për të ndëshkuar mua. Ai që dëshiron t’i bëjë gropën tjetrit, bie vetë brenda – thotë populli.»
Rate this article
Comments (0 posted)
Post your comment