Latest News
Banaliteti i Mjerimit
— Do të më ndihmonte edhe mua Zoti një ditë, se nuk kam, bërë vetëm keq në këtë jetë! Duke thënë këto fjalë, ai nisi të tregonte një ngjarje të jetuar, e cila shërbente si një ngushëllim i vogël për të kaluarën e tij.
Nga Agim Hamiti
―Vetëm koha e zbulon njeriun e drejtë;
një ditë e vetme zbulon të pabesin.‖
Sofokli
Informacionet javore, që kontrollonte për çdo të premte Pahia, mbetën të zbehta, të parëndësishme. Ky ishte frut i kujdesit të posaçëm të ish-detektivit. Por kur lufton me fatin gjithmonë nga pozitat e të mundurit, jeta ka shumë dyer prej nga mund të hyjë fatkeqësia.
Çapini, njëri prej spiunëve më të devotshëm të kartelistit të kampit në radhët e të burgosurve për çështjen Meli, shpresonte shumë të përfitonte prej sharjeve të zakonshme të ish-detektivit në adresë të çiftit diktatorial. Ai e kishte marrë me kënaqësi mikroaparatin e incizimit tek kartelist Et‘hemi, i bindur se nuk do të dilte bosh.
Mirëpo ndryshimi rrënjësor i Melit në vetëkontroll e la si peshkun pa ujë Çapinin. Sa i zhgënjyer edhe i dëshpëruar, ai po ndiqte një rrugë të tërthortë informimi me qëllim të dyfishtë: të justifikonte dështimin e tij në zotimet që kishte marrë para kartelistit dhe, në të njëjtën kohë, ta kompensonte mungesën e informacionit me një analizë të rrethanave të reja. Kjo shërbente indirekt si një sugjerim për ndryshim taktike nga ana e kartelistit, gjë që dëshmonte përkushtimin e veçantë të Çapinit në detyrën që i ishte ngarkuar.
Një ditë të shtunë Pahia takoi Melin dhe e pyeti i indinjuar:
— A ka ndonjë arsye Çapini që ta urrejë Sazanin?
— Përkundrazi, Sazani e ndihmon herë pas here në mësimin e frëngjishtes. Por duhet të kesh një gjë parasysh, Afrim: Çapini është një interesaxhi i paskrupull.
— Çfarë keqbërësi! Në një letër që i kishte dhënë pardje Et‘hemit shkruante:
«Prania e Sazan Diksit më pengon shumë në vjeljen e informacioneve tek Meli. Jam i bindur se ai është edhe shkaktari i ndryshimit që ka bërë Meli kohët e fundit në kontrollin e fjalorit të tij në të shprehur.»
«Para disa ditësh edhe Brinjashi kishte dërguar në DSJ një relacion të ngjashëm, ku bënte një sugjerim të rrezikshëm: ―Njeriu më i besuar i Hamit Melit në kamp është pa dyshim Sazan Diksi. Jam i mendimit që ai të arrestohet dhe të detyrohet të bashkëpunojë me ne. Në duart tona ai do të ishte një letër e fortë për zhbirimin e Melit.‖
«Për fat të mirë, pardje Brinjashi ka dërguar në DSJ një mesazh tjetër me përmbajtje të kundërt: ―E tërheq propozimin e mëparshëm për këtë arsye: në qoftë se do të arrestohej Sazan Diksi nën çfarëdo motivi, Hamit Meli do ta kuptojë menjëherë pse bëhet kjo dhe do të reagojë. Ka të ngjarë që ai ta pranonte ofertën tonë nga halli, por duke pasur parasysh natyrën e tij agresive dhe hakmarrëse, Meli do të ishte një person i rrezikshëm në radhët e shërbimit tonë sekret, i armatosur e me pushtet. Jam i mendimit se një kthim i tij me detyrim në DSJ është më tepër i dëmshëm sesa i dobishëm. Kam tentuar të hyj në komunikim me Diksin, por nuk ia kam arritur. Ai është një natyrë e mbyllur dhe nuk krijon lehtë marrëdhënie me të tjerët.‖
«Ky ndryshim mendimi i Brinjashit është i favorshëm për ne, Hamit, në situatën aktuale – konkludoi Pahia.
*
Çapini ishte nga rrethi i Gjirokastrës. Sjellja e tij agresive ndaj Melit po e habiste ish-detektivin, më shumë sesa po e revoltonte. Ai nuk ngurronte fare ta dëmtonte sa të mundte Melin, vetëm që të përfitonte vetë nëpërmjet keqbërjes.
— Çapini është një interesaxhi kaq cinik saqë jetën time, apo të kujtdo qoftë, ai nuk e barazon me disa vite burg që mund të përfitojë, duke më dëmtuar nëpërmjet informacioneve tek kartelisti. Zelli i tij i pamasë për të shkëputur ndonjë informacion nga unë më irriton kur më flet. Ka një kategori njerëzish të prirë në keqbërje, të nxitur nga interesi dhe nga shpirti njëherësh. Kur isha në aktivitet, kam njohur një vajzë, sjellja e së cilës më ka lënë mbresa të jashtëzakonshme.
Ai ia tregoi Diksit ndodhinë e rrallë.
Rate this article
Comments (0 posted)
Post your comment