Home | Literature | Pikënisja e sfidës së madhe

Pikënisja e sfidës së madhe

image
— Sipas mendimit tuaj, për çfarë misioni bëhet fjalë?
— Vështirë të gjendet me hamendje. Një ditë guxova ta pyesja Dofenin, nëse do të isha edhe unë pjesëtar i atij misioni. Ai m'u përgjigj prerë: «Patjetër, Guri. Këtë herë ne do të aktivizojmë gjithë potencialin tonë për realizimin me sukses të Misionit të Madh. 
 
 
 
 
 
Nga Agim Hamiti 
 
 
 
 
 
 
 
Të dish të besosh është një cilësi shumë
e rrallë, që tregon një mprehtësi të ngritur
mbi nivelin e së përgjithshmes.‖
Paul de Gondi

 
 

Të nesërmen, më 1 tetor 1983, Meli u përjashtua nga puna në minierë sipas organikës së re mujore. Të njëjtën ditë, tetëdhjetë të burgosur të kampit të Spaçit u transferuan në atë të Qafë–Barit. Dy autobusë plot me të burgosur duarlidhur ishin vënë në mes nga dy makina me ushtarë të armatosur, policë e qena ndjekjeje. Ata arritën në kampin e Qafë-Barit rreth orës dy pasdite.
Qysh atë ditë u bë shpërndarja e tyre nëpër brigada pune me turne. Shumë prej këtyre të burgosurve kishin qenë me raport mjekësor, të paaftë për punë nëntokësore. Mirëpo numri fillestar i të burgosurve që punonin në minierën e Qafë–Barit ishte zvogëluar dukshëm, ngaqë shumë prej tyre ishin sëmurur si pasojë e kushteve të rënda të minierës.
Në këto rrethana, duke mos pasur rezerva forcash të tjera (arrestimet nga jeta e lirë ishin kufizuar disi) Drejtoria e Kampe-Burgjeve dërgoi në kampin e Spaçit një komision ―mjeko-ligjor‖ të përbërë kryesisht prej hetuesish. Këta konstatuan se shumica e të burgosurve të Spaçit, deri atëherë të pajisur me raport paaftësie për punë nëntokësore, ishin përmirësuar nga ana shëndetësore. Pasi ua hoqën raportet mjekësore, i dërguan në minierën e Qafë-Barit, ku shëndeti i tyre do të merrte goditjen fatale.
Ditën tjetër, më 2 tetor, kartelisti i kampit të Qafë-Barit e thirri Melin në zyrë. Duke qenë vetëm për vetëm me ish-detektivin, ai hyri drejt në temë:
— Jam oficer i DSJsë. Kam urdhër të të sistemoj në atë vend pune që do të të pëlqente, prej këtyre që kemi brenda kampit.
— Ju faleminderit, nuk dëshiroj asnjë lloj pune të ofruar me porosi nga lart. Meqenëse keni vendosur të mos më lejoni të hyj më në minierë, të paktën më caktoni të punoj në brigadën e ndërtimit, thjesht si punëtor.
— Pse thjeshtë si punëtor? ia ktheu kartelisti i habitur. – Ti je teknik ndërtimi i diplomuar. Kjo është e regjistruar edhe në kartelën tënde personale; besoj se ti e di këtë.
— Sigurisht që e di, por unë ndihem më mirë punëtor krahu, sesa të merrem me drejtimin e punimeve. Siç e dini, vuaj nga nervat dhe mund të mos sillem si duhet me bashkëvuajtësit e mi.
— Si të duash. Jam gjithashtu i autorizuar të të them, se për çdo problem që mund të të lindë, duhet të kërkosh menjëherë takim me mua. Në rast se do të ndërrosh mendje lidhur me çështjen e punës, unë jam gati që të të sistemoj në çdo kohë atje ku do të dëshirosh.

— Faleminderit, por nuk besoj se do të ndërroj mendje ndonjëherë, – ia ktheu Meli, duke u mëshuar fjalëve të fundit.
Për të zgjidhur problemin e strehimit të të burgosurve që do të vinin prej kampit të Spaçit, mbi tarracën e depove dhe të bibliotekës së kampit të Qafë-Barit u ndërtua urgjentisht një kapanon prej dërrase rreth 25 m i gjatë e 6 m i gjerë. Këtij kapanoni të drunjtë të burgosurit i ngjitën nofkën maune.
Me sistemimin e ri të brigadave, pas përjashtimit nga nëntoka Melin e çuan për të fjetur pikërisht në maune. Ai nuk ishte më në njëjtën dhomë me Diksin. Tani Meli takohej me shokun e tij vetëm në oborr, kur ai kthehej nga puna
Atë 2 tetor 1983 Sazani punonte turni i parë në minierë. Kur u kthye pasdite në kamp, Meli i doli përpara:
— Me të ngrënë bukë, të pres të vish lart tek sheshi, ku pimë kafenë. Atje do të më gjesh.
Ndryshe nga herët e tjera, Diksi hëngri bukë me të shpejtë dhe shkoi ku e priste shoku.
Besnik i rregullit të tij të përhershëm në prag të bisedave serioze, Meli i dha atij një cigare, ia ndezi (vetë e kishte të ndezur) dhe mandej nisi të fliste pak i impresionuar. Në të vërtet ajo ç‘ka i kishte ndodhur do të justifikonte edhe emocione akoma më forta.
*
Në orën nëntë Meli kishte shkuar të pinte kafen e mëngjesit tek një kënd i sheshit sipër kampit, si zakonisht. Ndërsa ai po merrej me përgatitjen e kafesë, njëri prej të burgosurve të ardhur të djeshmen prej Spaçit, i cili qëndronte tek cepi i banjave përkarshi, filloi t‘i bënte një sërë shenjash të pakuptueshme. Meqenëse Meli nuk po kuptonte asgjë, i kishte hequr sytë prej andej dhe ishte përqendruar sërish tek xhezvja.
Pas disa minutash, i njëjti person kishte shkuar e ishte ulur mbi një gur, dy-tri metra tej vendit ku rrinte Meli. Rrotull tyre nuk kishte pasur të burgosur të tjerë. Ndonëse Meli e kishte kuptuar se ardhja e atij të panjohuri aty nuk ishte e rastësishme, ai ishte treguar indiferent në pamje dhe bënte sikur s‘e vinte re praninë e atij. Disa çaste pasi ishte ulur mbi gur, i panjohuri e kishte thyer heshtjen, duke folur me kokën ulur:
— Hamiti që ke qenë je, apo ke ndryshuar?
— Ai që kam qenë jam. Edhe ndonjë ndryshim të mundshëm e kam bërë vetëm për mirë. Po ti kush je?
— Një ish-shoku yt i profesionit, Guri Streto. Më mban mend apo jo?
— Sikur jemi ndarë dje.
— Po fytyrën ma mban mend mirë?
— Sigurisht. Ti ishe djali më i hijshëm i kursit dhe është e lehtë ta mbash mend fytyrën e një shoku të bukur. A ke ndonjë fotografi me vete të shmallohem me Gurin pa maskë?

— Sot jo, por do ta kem parasysh për të ardhmen. Fizikisht të paskan shkrirë fare – kishte ndërruar temë Streto. – Megjithatë lëkura jote u duhet akoma dhe po interesohen posaçërisht për të tani.
— Guri, ndofta përveç ty mund të ketë edhe ndonjë tjetër të DSJsë këtu, për të cilin ti s‘di gjë dhe duke na parë bashkë…
— Mos u shqetëso për këtë çështje, Hamit. Unë e di që këtu ndodhet edhe ndërlidhësi yt me qendrën, përveç ndonjë tjetri. Por mua më kanë caktuar drejtues të veprimeve të këtushme dhe më kanë udhëzuar të të vëzhgoj personalisht nga sa më afër, për të konstatuar gjendjen tënde nervore. E rëndësishme është që të mos dëgjojë askush se çfarë diskutojmë bashkë.
Ata flisnin pa e shikuar njëri-tjetrin në sy. Streto bënte sikur lexonte një gazetë të hapur që mbante në dorë, ndërsa Meli pinte kafenë me fytyrë të kthyer anash.
Pas një heshtjeje të shkurtër, Streto kishte vazhduar:
— Mund të mos isha nxituar për tu takuar qysh sot me ty, por dëshiroja të të bëja të ditur sa më parë një të vërtetë që më rëndon në ndërgjegje, pavarësisht se nuk jam fajtor për të. Vëllain tënd të arratisur, Dariun, e kemi sjellë në Shqipëri unë me tre shokë të tjerë. Ti e di mirë, Hamit, se ata që na urdhërojnë kanë në dorë fatin tonë e të familjeve tona. Në këto rrethana detyrohemi të bëjmë edhe diçka që nuk e dëshirojmë. Me ndonjë tjetër do ta kisha më të vështirë që të kuptohesha siç duhet për një problem të tillë, por ti i ke provuar vetë këto gjëra. Rëndësi ka që Dariu tani është shumë mirë me shëndet dhe ka filluar të mësohet me kushtet e reja të jetës e të punës.
— Ku e ―psonisët‖ qafirin?
— Në Stamboll. Në një hotel ku kishte zënë dhomë Dariu, zumë edhe ne. Përgjonim me kujdes çdo lëvizje të tij. Kur ai shkoi të bënte banjë, njëri prej shokëve të mi hyri në dhomën e tij dhe i ndërroi një cigare në paketën që kishte në xhep, me një tjetër të po atij lloji të pajisur me bar gjumi. Pas banjës, Dariu doli në qytet. Ne e ndiqnim me vëmendje, sepse nga çasti në çast ai mund të pinte cigaren tonë dhe ngelej në rrugë. Pas rreth dy orësh, ai u kthye përsëri në hotel. Ne gjithmonë pas tij. Në mëngjes pritëm të çohej nga gjumi, por më kot. E kuptuam që cigarja e kishte bërë punën e saj. Pasi kaloi ora tetë e gjysmë, u futëm në dhomën e tij. Ishte endé ―në gjumë‖. Dy prej nesh e morën për krahësh, sikur e kishim ndonjë shok të sëmurë. Në rrugë priste furgoni i posaçëm. Për kureshtje shikuam paketën e tij. I kishin mbetur vetëm dy cigare. Pra, cigaren tonë e kishte pirë ndër të fundit.
«Si e sollëm në Tiranë, e shikoja rrallë; vetëm kur e çonin ose e sillnin prej hetuesisë. Ishte shumë i tronditur e i hutuar, dyllë i verdhë në fytyrë. Kur pranoi të bashkëpunonte me DSJnë, u la i lirë. Atëherë e afruam pranë dhe u përpoqëm ta qetësonim e ta ndihmonim. Tani është mjaft mirë me shëndet e me punë.
— E ku merr vesh ai nga punët tuaja!
— Pse, çfarë mendon ti se i kërkojnë të bëjë Dariut? Ti e kupton që ai mbahet peng për ty. Atje ku punon ka shokë të mirë e është i qetë.

— Le të jetë si të dojë, vetë e ka fajin. Unë e bëra timen, e nxora jashtë shtetit. Nuk diti të përfitonte, i bëftë mirë buka e Tiranës tani. Asgjë nuk më mbetet merak. Edhe ti nuk duhet ta ndiesh veten aspak fajtor për atë që ndodhi. E njoh mirë pozicionin tuaj, se e kam provuar vetë. Veç, harrova të të pyes: kur e keni sjellë në Tiranë?
— Nga fundi i shkurtit.
— Nejse, le të kthehemi në temën e duhur. Kush është tani drejtor i DSJsë?.
— Dofeni, siç i thonë francezët djalit të madh të mbretit. Por mos mendo se është ai djali me pamje çupline, që ke njohur ti dikur. Ka ndryshuar shumë. E pi duhanin dhe alkoolin më tepër nga unë. Tani e ka kuptuar që pushteti i babait qëndron mbi krime.
— Drejtori i mëparshëm, Mehmet Xhafa, ku gjendet?
— Zoti e di nëse gjendet a s'gjendet më. E gjithë elita drejtuese e DSJsë është e re.
— Po instruktori anglez, që na thoshin se ishte rob lufte, akoma atje gjendet?
— Jo, edhe ai ka avulluar; pa nam, pa nishan.
— Po shefi i madh që pezulloi mua nga detyra, Kobra, siç e thërrisnim midis nesh, nga bëhet? As televizioni e as shtypi nuk po ia përmendin më emrin.
— Kjo është pyetja më e vështirë për mua. Emri i tij konsiderohet tabu në DSJ, Hamit. Në radhët e shërbimit sekret qarkullon një pëshpëritje, se e kanë arrestuar. Por kjo i ngjan më tepër propagandës që synon të shpërndajë nën zë vetë Sigurimi për çështje të veçanta me qëllim të caktuar. Një ditë në DSJ na shfaqën disa sekuenca filmike të gjoja hetuesisë së Kobrës. Por ne e kemi njohur nga afër për një kohë të gjatë dhe si profesionistë të këtyre punëve nuk gënjehemi dot lehtë.
— Ishte ndonjë sozi e Kobrës?
— Pa dyshim. Nga ana tjetër, thuhej se familja e tij ishte e internuar në Kurbnesh. Unë e kam verifikuar personalisht falsitetin e këtyre thashethemeve, duke kontrolluar jo vetëm listën e familjeve të internuara në Kurbnesh dhe në qendra të tjera, por i kam kontrolluar edhe në terren ato.
— Si mendon se qëndron e vërteta?
— Çështja Kobra është shumë e turbullt, Hamit. Një pasdite isha duke pritur Dofenin para selisë së Komitetit Qendror të PPSH. Për çudi, vetura e Dofenit ishte e treta ndër tri veturat që ndaluan njëherësh pranë vendit ku po prisja unë. Prej veturës së parë zbriti një person me duar lidhur pas shpine e me kasketë në kokë, të cilin e kishin kapur për krahu dy oficerë. Prej veturës së dytë zbritën katër persona, të cilët shoqëruan tre të parët. Dofeni u afrua pranë meje e më pëshpëriti: «I arrestuari është Kobra. Pas pak ai do të ketë një ballafaqim të fortë në selinë e Komitetit Qendror.» Pas këtyre fjalëve të Dofenit e kuptova pse ma kishte fiksuar takimin në atë vend e në atë orë.
— Po gjendja në përgjithësi si është në DSJ?
61
— Ndërkohë që në mensën e DSJsë shampanja është me bollëk, në pazarin e Tiranës mezi gjendet edhe preshi. Kohët e fundit është bërë një mobilizim i përgjithshëm i detektivëve. Bile janë thirrur edhe kuadro që kishin vite në pension. Po vazhdojnë përgatitje intensive për një mision të veçantë, me sa duket, shumë i rëndësishëm. Misioni i Madh e kanë koduar. Palestrat ushtojnë ditë e natë prej zërave të instruktorëve e të detektivëve.
— Sipas mendimit tuaj, për çfarë misioni bëhet fjalë?
— Vështirë të gjendet me hamendje. Një ditë guxova ta pyesja Dofenin, nëse do të isha edhe unë pjesëtar i atij misioni. Ai m'u përgjigj prerë: «Patjetër, Guri. Këtë herë ne do të aktivizojmë gjithë potencialin tonë për realizimin me sukses të Misionit të Madh. Këtë mision do ta kryesojë Hamit Meli dhe vetëm Hamit Meli»
— Janë mësuar ata t'i bëjnë llogaritë pa hanxhiun dhe t'iu dalin sipas kutit të tyre. Por kësaj here nuk besoj se do t'iu eci. Unë jo vetëm që s'do ta kryesoj atë mision, por as nuk do të pranoj kurrë të kthehem përsëri në DSJ. Le të bëjnë ç'të duan.
— Që të vendosësh përfundimisht kështu, duhet të mendosh patjetër edhe kundërmasat e tyre ekstreme. Deri në ç'pikë je përgatitur shpirtërisht për të përballuar trysninë e DSJsë?
— Deri në vdekje. Unë e di që ata nuk kanë asnjë arsye pse të ma kursejnë jetën, ashtu sikundër unë nuk kam asnjë arsye pse të pranoj të rikthehem atje. Ata më sakatuan e më poshtëruan sa mundën në hetuesi, po më marrin shpirtin në burg e po ma çmendin familjen me lloj-lloj makinacionesh të natyrës më cinike. Dhe të gjitha këto, pasi babai im luftoi e vdiq për këtë regjim, ndërsa unë vetë jam përgjakur qysh në moshën njëzet e dy vjeç për interesat e tyre vulgare, duke hequr një të tretën e stomakut për shkak të plagosjes në tokë të huaj. Jo, jo, unë çdo goditje nga ana e tyre do ta mirëpres i vendosur, por ―ledhatimin‖ që duan të më bëjnë e neveris deri në fund, pa mëdyshje.
— Punët e tua ti i di vetë më mirë se kushdo, Hamit, se je i zoti i hallit. Veç dua të të paralajmëroj për diçka: do të të duhet shumë punë, për t'iu shmangur rrezikut të kurtheve, para se çështja të arrijë në një vendim arbitrar nga lart. Do të jesh objekt vëzhgimi i informatorëve të specializuar të DSJsë që do të veprojnë në kamp, ndërkohë që gjithë spiunëve të burgosur, të cilët kanë sadopak lidhje me ty, do t‘iu kërkohet të zhbirojnë gjithçka të mundshme rreth teje. Sidoqoftë vetëm nuk do të jesh – shtoi Streto, duke e shikuar për herë të parë Melin në sy.
— Normalisht një person në gjendjen time të pashpresë do ta mirëpriste ndihmën e ish-shokëve të armëve – ia ktheu ish-detektivi. – Por unë nuk mund t‘ia lejoj vetes kurrë që të rrezikoj shokët e mi, për të shpëtuar lëkurën time. Të falënderoj përzemërsisht për besimin që po tregon ndaj meje. Jam i kënaqur që do të kemi rast për të biseduar përsëri bashkë.
— Fjalët nuk sjellin zgjidhje situatash, Hamit… As ne nuk ndjehemi të sigurt në DSJ.

— I mbyturi nuk pyet prej të lagurit, Guri. Por e ndiej për detyrë morale e shpirtërore të të porosit që, në vendimet e tua të ardhshme, të mos ndikohesh fare prej merakut për fatin tim. Kjo do të ishte pa kuptim dhe pa dobi për ty dhe një brengë për mua.
— Të kuptoj mirë, Hamit. Fati yt, i cili mund të ishte edhe i imi, është një arsye më tepër që u bashkëngjitet arsyeve të shumta, të cilat po na përmendin nga letargjia. Janë rrethanat e reja që po krijohen në DSJ, të cilat na imponojnë një qëndrim të ri ndaj diktaturës. Përndryshe do të humbasim si sëpata pa bisht, siç thotë populli. Gjithsesi, këtu do të jemi dhe shpresoj se do të kuptohemi e do të sqarohemi edhe më mirë. Tani, mirupafshim nesër!
Mirupafshim, Guri!
 
 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
5.00